Bujar Leskaj: Risqet në institucionet publike me shqetësimin kryesor korrupsionin

921
Në mjediset e hotel “Tirana International”, Kontrolli i Lartë i Shtetit çeli punimet tre ditore (20-22 qershor) të Konferencës së Katërt Vjetore Shkencore me temë “Analiza e Riskut”. Viti i katërt i konferencës nuk përbën thjesht një rutinë kalendarike, porse konfirmon suksesin e saj në kapërcimin e riskut të vet, duke u konfirmuar si një forum i mendimit shkencor, shqiptar e të huaj. Konferenca tërhoqi vëmendjen edhe të Parlamentit Europian, përfaqësuar nga eurodeputeti Dr. Igor Šoltes, zv/Kryetar i Komitetit për Kontrollin e Buxhetit në PE. Në të morën pjesë 150 përfaqësues nga SAI-t partnere të Polonisë, Turqisë, Kroacisë, Kosovës dhe Malit të Zi, personalitete të njohura dhe me eksperiencë nga Institucionet Supreme të Auditimit dhe EUROSAI, akademikë, profesorë dhe ekspertë të fushave të ndryshme dhe “Analiza e Riskut” u projektua nën moton e INTOSA-it: Nga eksperienca e përbashkët fitojnë të gjithë.
Konferenca u drejtua nga Kryetari i KLSH z.Bujar Leskaj, nga Dr. Igor Šoltes Deputet i Parlamentit Europian (ish-President i Gjykatës Sllovene të Auditimit) dhe z.Wojciech Kutyła Zv/President i Zyrës Supreme të Auditimit të Polonisë, ndërkohë që u përshëndet nga Ministri i Financave, z.Arben Ahmetaj dhe Prof. Dr. Anastas Angjeli, në emër të Akademisë së Shkencave.
Gjatë fjalës së tij, Kryetari i KLSH-së, Bujar Leskaj nënvizoi se një nga arsyet themelore për organizimin e kësaj konference është mungesa e theksuar në Shqipëri e analizave të riskut në institucionet publike, duke identifikuar si kryerisk korrupsionin e ngritur në sistem. Në këtë prizëm, prezantoi një hartë të zonave të riskut në Shqipëri, ku ndër të tjera përmendi riskun që i kanoset Shqipërisë nga borxhi i lartë, nga shfrytëzimi pa kriter i pasurive natyrore dhe nga mungesa e rregullave të qarta për koncesionet dhe Partneritetin Privat Publik, duke i bërë jehonë edhe shqetësimeve të ngritura nga FMN, Banka Botërore dhe USAD-i për këto sektorë. Në përfundim, kryetari i KLSH-së kërkoi trajtimin e këtyre risqeve me profesionalizëm dhe integritet, duke ofruar kontributin maksimal të institucionit të tij për njohjen dhe zbutjen e risqeve.

Lufta kundër korrupsioni 

Lufta kundër korrupsioni ishte në fokus të fjalës së eurodeputetit slloven, Dr.Igor Šoltes, i cili vlerësoi përpjekjet e KLSH-së në këtë fushë duke u shprehur se duhen ngritur grupe pune për të luftuar këtë fenomen që rrënon financat publike. “Ne që të gjithë duhet të luajmë rolin tonë për të luftuar korrupsionin”, tha Sholtes,”pse në këto dy vitet e fundit ai është përhapur edhe më shumë edhe në BE në fusha si ndërtimet, energjia, transporti, mbrojtja, mjekësia publike, etj”. Sipas tij, është shumë e rëndësishme edhe edukimi i stafit, i cili ka si detyrë auditimin dhe se KLSH luan një rol të rëndësishëm në forcimin e besimit të qytetarëve ndaj institucioneve shtetërore. Në këtë kuadër, eurodeputeti Šoltes u bëri thirrje autoriteteve të vendit që të forcojnë institucionet e tyre që të jenë më të pavarura, sepse qëllimi i pavarësisë së institucioneve është që të sigurojnë se përdorimi i taksave dhe fondeve publike realizohet në funksion të interesit publik. Eurodeputeti përfundoi duke theksuar se është shumë e rëndësishme që Parlamenti Shqiptar të vlerësojë punën e KLSH-së si dhe të ndjekë zbatimin e rekomandimeve të këtij institucioni, pasi vetëm kështu mund të vendoset në Shqipëri një sistem efikas kontrolli dhe llogaridhënieje për fondet publike.

Anastas Angjeli: KLSH ka mbështetje të madhe nga Kuvendi
Akademik Anastas Angjeli, duke përshëndetur çeljen e konferencës shkencore të KLSH-së, vlerësoi temën e përzgjedhur nga KLSH si interesante, dëshmi e faktit që të rejat e shkencës dhe teknologjisë mund të përdoren me efektivitet në analizat e auditimit, duke shfrytëzuar arritjet e mendimit shkencor vendas dhe të partnerëve të huaj. “Ne kemi 133 institucione dhe njesi shkencore. Shumë prej tyre kanë mbijetuar dhe disa syresh janë aktive, por edhe shumë të tjera janë institucione apatike, që vegjetojnë”, theksoi z. Angjeli duke u shprehur më tej se KLSH ka marrë mbështetjen maksimale nga Kuvendi për përmirësimin e punës së tij audituese. Akademik Angjeli tha se audituesit kanë një rol të rëndësishëm në përafrimin e vendit në Bashkimin Evropian. “Një konferencë e tillë reflekton progresin institucional të KLSH, si dhe rritjen dhe thellimin e fuqisë së tij audituese, duke dëshmuar se ky institucion është në rrugën e duhur të përmbushjes së detyrave të tij ligjore”, përfundoi z. Angjeli. 
Arben Ahmetaj: Marrëveshje bashkëpunimi mes KLSH dhe audituesve të dikastereve
Në fjalën e e tij, Ministri i Financave Arben Ahmetaj kërkoi që harta e risqeve të sjella nga Kryetari i KLSH të riadresohej në bazë të kulturës së re të adresimit të risqeve, të cilën qeveria po përpiqet ta vendosë. Ai theksoi se “sot kaluam në Parlament ndryshimet në ligjin organik të Buxhetit, në bazë të të cilave çdo qeveri, edhe kjo e jona, e kufizon veten që në vitet zgjedhore shpenzimet e saj të mos i kalojnë 55 përqind të defiçitit vjetor deri në gjysmën e vitit zgjedhor”. “Gjatë 20 viteve të fundit”, cilësoi Ministri i Financave, “të gjitha qeveritë kanë shpërthyer defiçitet gjatë viteve zgjedhore”. Ministri i Financave, z.Arben Ahmetaj, e përgëzoi KLSH-në për organizimin e një konference për analizimin e riskut dhe vlerësoi koordinimin e sotëm mes dikasterit të tij dhe KLSH-së. Z. Ahmetaj theksoi se po negociohet një marrëveshje bashkëpunimi, ku puna e përbashkët mes audituesve të Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe strukturave të auditit të brendshëm të Ministrisë së Financave në të ardhmen e afërt do të jetë më e thellë dhe më intensive, duke u siguruar të gjitha njësive shpenzuese të Buxhetit të Shtetit komentarë precedentesh nga auditimet e KLSH, në formën e standardeve për mirëqeverisjen.

Përvoja ndërkombëtare e auditivit

Punimi i parë i Konferencës u prezantua nga Dr. Milan Dabović, President i Senatit të SAI-t të Malit të Zi, i cili ofroi një analizë të detajuar mbi përcaktimin e riskut, materialitetit dhe kampionit në fazën e planifikimit të auditimit. Në kumtesën e tij, Dr. Dabović ndau me pjesëmarrësit eksperiencën e SAI-t të Malit të Zi, duke theksuar se analiza e riskut është themelore për planifikimin e auditimit dhe i shërben kryerjes së një pune audituese me cilësi. Kumtesa e Dr. Milan Dabović u pasua nga punimet e Dr. Verica Akrap nga SAI Kroat dhe znj.Özlem Özcelik nga SAI Turk, të cilat i njohën pjesëmarrësit me eksperiencën e vendeve të tyre përkatëse në analizimin e riskut. Zyra e Auditorit të Përgjithshëm të Kosovës u prezantua në ditën e parë nga punimi i z.Enver Baqolli, me temë “Përgatitja e planit të auditimit bazuar në risk”, ku u vu theksi mbi planifikimin si një fazë vendimtare për punën audituese. “Analiza e Riskut” në punimet e ditës së parë nuk u shtrua vetëm në trajtën e një “paragjykimi” ndaj subjekteve apo fushave të ndryshme, porse u analizua edhe në formën e një vetëvlerësimi për SAI-t, siç do të trajtohej nga z.Jacek Jazierski, Këshilltar i Presidentit të SAI-t të Polonisë, në punimin e tij me temë “Risqet etike në Auditim”. Ish-Presidenti i NIK Polak evidentoi risqet e sjelljes jo-etike, të konfliktit të interesit, të përfshirjes në abuzim dhe korrupsion, etj. Z. Jezierski solli eksperiencen e pasur të grumbulluar nga procesi i rishikimit dhe përmirësimit të Kodit të Etikës (ISSAI 30) të INTOSAI-t.
Kontribute të tjera në konferencë

Risku u analizua edhe në këndvështrimin e sistemit bankar, nga znj.Natasha Ahmetaj, zv/Guvernatorja e Bankës së Shqipërisë, e cila prezantoi temën “Sistemi bankar dhe mbrojtja nga risqet”. Znj.Ametaj vuri në dukje se në kushtet e peshës kryesore të sektorit bankar në sistemin financiar, kontributi i tij është i rëndësishëm për stabilitetin financiar në tërësi, ndaj kanë prioritet njohja e rreziqeve sistemike që ai prodhon dhe ndërtimi në kohë i instrumenteve mbrojtës prej tyre. Në vijim të konferencës, “Analiza e Riskut” u trajtua nën optikën akademike të Prof. Dr. Skënder Osmanit dhe Dr. Bujar Leskaj, në kumtesën me temë “Performanca, Sistemi, Risku dhe vendimmarrja Fazi në grup me shumë kritere”. Ky punim shkencor trajton problemet e auditimit, veçanërisht për performancën, riskun, vendimmarrjen dhe adresimin e tyre duke zbatuar metodat Fazi si interes praktik për optimizimin e burimeve, në kushtet e përdorimit masiv të teknologjisë së informacionit. Nga Kryetari i Këshillit Kombëtar të Kontabilitetit, Prof. Dr. Jorgji Bollano “Analiza e Riskut” u elaburua në këndvështrimin e transparencës së munguar në procedurat e auditimit, si faktorë risku në menaxhimin e shoqërive publike. Transparenca, theksoi Prof. Dr. Bollano, është një nga shtyllat kryesore të auditimit. Pas pyetjeve dhe diskutimeve që shoqëruan mbylljen e panelit të parë, të moderuar nga Dr. Milan Dabović, nisi punimet panelit i 2-të, moderuar nga z. Jacek Jezierski, ku referuan personalitete të shquara të botës akademike. Akademiku Dr. Omer Stringa prezantoi në këtë konferencë punimin shkencor me temë “Vlerësimi i riskut në auditimin e pasqyrave financiare”. Dr. Stringa theksoi se kushti i parë që duhet plotësuar për të pasur një auditim me cilësi është përqasja me bazë riskun, e cila i lejon audituesit të përqendrohet në kontrollin e atyre “zonave të nxehta”, të cilat kanë mundësinë më të lartë për të patur pasaktësi. Auditimi me bazë risku, vuri në dukej akademiku i shquar, përforcon transparencën, llogaridhënien dhe qeverisjen e mirë në sektorin publik. Studimi akademik i riskut vijoi më pas me referimet e Prof. Dr. Hysen Çelës, kryetar i Bordit IEKA, Prof. Ass. Dr. Adriatik Kotorrit dhe Dr. Bujar Ramajt për të përfunduar me një studim të Prof. Dr. Aurela Anastasit, ku për herë të parë risku u analizua në këndvështrimin e reformimit të sistemit ligjor. Punimet nxitën diskutime konstruktive mes pjesëmarrësve dhe dita e parë e konferencës u mbyll me konkluzionet e Dr. Igor Šoltes, i cili bëri një sintezë të kumtesave dhe e konsideroi Konferencën tepër produktive në qëllimin e saj, duke shprehur dëshirë për të vijuar bashkëpunimin në zhvillimin e strategjive dhe praktikave më të mira. 

Dita e dytë e konferencës

Axhenda e ditës së dytë përfshinte analizimin e riskut nga akademikë dhe profesorë të shquar të Fakultetit të Gjeologji-Minierave, anëtarë të shoqërisë civile dhe lektorë nga fakultetet e ndryshme të universiteteve private dhe shtetërore. E moderuar fillimisht nga znj. Özlem Özcelik, dita dytë u çel me punimin shkencor të Prof. Dr. Thoma Korinit dhe Prof. Dr. Skënder Osmanit, me temë: “Zbatimi i metodës TOPSIS Fazi, si alternativa më e mirë në përzgjedhjen e burimeve njerëzore dhe projekteve”. Prof. Dr. Korini në konkluzionet e tij theksoi se përdorimi i teknikave bazuar në logjikën Fazi duhet të gjejë gjithmonë e më shume vend në menaxhimin efikas të burimeve. Një tjetër risi e konferencës ishte punimi i Prof. Dr. Niko Panos, Prof. Dr. Gudar Beqirajt dhe Prof. Dr. Salvador Bushatit ku u trajtuan efektet mjedisore dhe ekonomike që shkakton veprimtaria njerëzore në sistemin liqenor të Prespës, i cili përbën një komponent të rëndësishëm hidrik të Kaskadës Hidroenergjetike të lumit Drin, respektivisht për 2 hidrocentrale të ndërtuar në Maqedoni (Glloboshica dhe Spile) si dhe 4 hidrocentrale të ndërtuara në Shqipëri (Fierzë, Koman, Vau i Dejës dhe Ashta). Punimi u përshëndet nga eurodeputeti, Dr.Igor Šoltes, i cili tha se kjo kumtesë do të trajtohet nga Parlamenti Europian në një forum që do të ketë në fokus lumenjtë e Ballkanit ndërsa kryetari i KLSH-së, Bujar Leskaj, duke e cilësuar veprimtari anti-shqiptare çdo dëmtim që i bëhet mjedisit, theksoi se Kontrolli i Lartë i Shtetit do të kryejë një auditim performance duke shfrytëzuar ekspertizën e profesorëve përkatës për të adresuar këtë problematikë. Nga shoqëria civile, Prof. Dr. Sazan Guri prezantoi punimin me temë “Taksat ndaj Komunitetit- Performancë shërbimi apo risk menaxhimi”, i cili nxori në pah se shqiptarët paguajnë disa taksa për shërbime që nuk i marrin. “Analiza e Riskut” u shtjellua me profesionalizëm nga Dr. Gafur Muka i cili referoi mbi rolin e hartave të riskut në sistemet e menaxhimit”. Dr. Muka trajtoi rastet e rajonizimit të riskut në nivel ndërmarrjesh dhe në nivel sektorësh duke u fokusuar tek gjeometria e paraqitjes. Problemet e përmbytjeve në zonën bregdetare u trajtuan në këndvështrimin e analizimit të riskut nga Prof. Dr. Sherif Lushaj dhe Prof. Dr. Ago Nezha, të cilët rekomanduan që menaxhimi i faktorëve të riskut në mjedis, mund të jetë objekt auditimi për të parë efektivitetin e investimeve, si janë menaxhuar faktorët gjatë procesit të planifikimit të fondeve, implementimit të projekteve dhe ç’risk përmbajnë.

Kontratat koncensionare

Nën moderimin e Dr. Verica Akrap, audituese nga SAI kroat, si fushë me risk të lartë u trajtuan kontratat koncesionare në kumtesën e Dr. Zef Preçit, i cili referoi mbi problemet kryesore të koncesioneve, duke dhënë ndër rekomandime të tjera edhe auditimin periodik nga ana e KLSH të koncesionareve dhe procedurave specifike të këtij procesi. Në fushën e sigurimeve shoqërore, risku u analizua nga Drejtori i Përgjithshëm i ISSH-së, z.Astrit Hado. Në kumtesën e tij, z.Hado theksoi se ulja e lindshmërisë dhe ndikimi politik përbëjnë ndër faktorët kryesorë të riskut në sektorin e sigurimeve shoqërore. Gama e studimeve mbi bazë risku u shtri me tej në Strategjinë e Sigurisë Kombëtare, trajtuar nga Prof.Dr Pajtim Ribaj, në efektet e kursit të këmbimit mbi bilancin tregtar nga Prof. Dr. Tonin Kola dhe Prof. Assoc. Dr. Elida Liko, në kërkimin e naftës nga Prof. Dr. Irakli Prifti, në vlerësimin e rreziqeve natyrore në “Rrugën e Kombit” nga Prof. Dr. Gjovalin Gruda dhe në analizimin e riskut në performancën e investimeve publike nga Dr. Aulent Guri dhe Marianthi Guri. Në vazhdën e saj, Konferenca u moderua nga Prof. Dr. Sazan Guri dhe studimi i riskut u pasua nga punimet e Sekretares së Përgjithshme të KLSH, znj.Luljeta Nano, Drejtorit të Departamentit të Auditimit të Performancës, Dr. Rinald Muça për të vijuar më tej me kumtesat e Prof. Ass. Dr.Arbi Agalliut dhe Msc. Megi Kurishit, Dulian Zeqirajt dhe Esmeralda Zeqos si dhe në analizimin e faktorëve të riskut shëndetësor nga mjekët Juliana Gjerazi, Jul Bushati dhe Bilbil Hoxha. Punimet nxitën diskutime konstruktive mes pjesëmarrësve dhe dita e dytë e konferencës u mbyll me konkluzionet e z.Wojsciech Kutyła, i cili bëri një sintezë të kumtesave duke shprehur vlerësimin e tij më të lartë për traditën që ka krijuar KLSH në Shqipëri në organizimin e përvitshëm të konferencave shkencore. 

Dita e tretë e konferencës

Punimet e ditës së tretë u zhvilluan në sallën e Akademisë së Shkencave, nën moderimin e Kryetarit të KLSH-së, z.Bujar Leskaj, ku në axhendën e punimeve u përfshinë kumtesat e audituesve të KLSH-së dhe të audituesve të Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm të Kosovës (ZAP). Ekspertet dhe audituesit e ZAP-it të Kosovës, pjesëmarrës në Konferencë ishin të shumtë dhe sollën disa tema interesante si “Përgatitja e planit të auditimit bazuar në risk”, “Vlerësimi i riskut në planifikimin e auditimit”, ‘menaxhimi i riskut korporativ në organizatat e sektorit publik në Kosovë”, “Risqet në shëndetin buxhetor të qeverisjes lokale të Republikës së Kosovës”, etj.. KLSH u përfaqësua me punimet e Prof. Ass. Dr.Manjola Naços dhe Kozma Kondakçiut, Luljeta Nanos dhe Aulona Jonuzit, Alush Zaçes dhe Dr.Idlir Dervishit, Albana Agollit dhe Dr. Edvin Stefanit, Sali Agajt dhe Pëllumb Beqirajt, Gjovalin Preçit dhe Andi Buzos si dhe nga punimi i Bajram Lamajt ndërsa ZAP-i nga punimet e audituesve Fikret Ibrahimi dhe Evetar Zeqiri, Ardita Salihut, Aida Podrimaj, Muhamed Balaj dhe Ramadan Gashit. Në përfundim të konferencës, Kryetari Bujar Leskaj bëri një përmbledhje të konkluzioneve të punimeve të paraqitura, duke u shprehur se KLSH do t’i studiojë ato dhe do t’i bëjë pjesë të rekomandimeve të saj. Në funksion të kësaj, Kontrolli i Lartë i Shtetit do të publikojë një komentar mbi Analizën e Riskut dhe do të hartojë hartat e riskut për vitet 2017-2018. 

Promovimi i librit të Nuredin Skrapari “Tragjedia e Inteligjencës së Naftës”. 

Konferenca u mbyll me ceremoninë e promovimit të librit të z.Nuredin Skrapari “Tragjedia e Inteligjencës së Naftës”. Z.Skrapari ndau me pjesëmarrësit e konferencës historinë tragjike të tij dhe grupit elitar të inxhinierëve që u burgosën nga regjimi komunist. KLSH e përzgjodhi këtë libër për dy arsye. Së pari për të sjellë në vëmendje se forcimi i kujtesës historike eliminon çdo risk për rikthimin diktaturës dhe se rekomandimet e z.Skrapari janë të njëjtat me rekomandimet e dhëna nga KLSH në raportin e auditimit për Agjencinë Kombëtare të Burimeve Natyrore dhe Ministrinë e Energjisë dhe Industrisë, si rishikimi i marrëveshjeve koncesionare dhe ringritja e Institutit Shkencor të Naftës. Konferenca përcolli mesazhin qendror që, duke qenë se kemi një përvojë modeste në fushën e analizës së riskut, shkak themelor në prapambetjen e vendit dhe në cilësinë e dobët të menaxhimit dhe vendim-marrjes publike, institucionet kryesore të Shtetit, në bashkëpunim me partnerët e tyre europiane, duhet të organizojnë takime pune, tryeza të rrumbullakta, seminare dhe konferenca për shkëmbimin e përvojave të përparuara, si dhe të metodave dhe teknologjive të reja që përdoren në analizën e riskut, në auditim dhe në përditësimin e bazës së të dhënave për një vendim-marrje profesionale dhe koherente. Përgjatë ditëve të Konferencës, pjesëmarrësit u njohën me librat e Prof. Dr. Skënder Osmanit si dhe me librat e kolanës së KLSH-së të botuar dy vitet e fundit. Punimet e konferencës do të pasyrohen të plota në botimin e KLSH-së: “Konferenca e IV Shkencore Vjetore: Analiza e Riskut”. Konkluzionet dhe rekomandimet e konferencës, së shpejti do të përcillen për të gjithë pjesëmarrësit dhe të interesuarit. Në një variant të përmbledhur përgjatë ditës së dytë dhe të tretë u përcollën për pjesëmarrësit në konferencë nga Kryetari i KLSH-së dhe bashkëdrejtuesit e konferencës Dr. Igor Šoltes dhe nga z.Wojsciech Kutyła.
Sigal