Ekonomia dhe financat në kolaps, milionat e taksapaguesve shkojnë për PPP dhe patronazhistët, fuqia punëtore merr rrugët e Europës

72

Buxheti 2024 parashikon rreth 65 mln euro taksa të reja shtesë nga akciza dhe profesionet e lira

Sigal

Nga Paketa Fiskale 2024, me propozime, të cilat gjenerojnë të ardhura shtesë në zërin e Akcizës. Tatimin mbi të Ardhurat nga Profesionet si dhe nga Taksat nacionale parashikohet të mblidhen 7 miliardë lekë më shumë, ose 65 milionë euro.

Në vitin 2024, në buxhetin e shtetit pritet të arkëtohen 674.7 miliardë lekë, sipas relacionit të projektbuxhetit. Krahasuar me të pritshmin e vitit 2023, të ardhurat totale të buxhetit rriten +19.5 miliardë lekë, ndërkohë që të ardhurat tatimore nga tatimet, doganat dhe kontributet, pa marrë në konsideratë të ardhurat one off (që merren vetëm një herë) të vitit 2023, programohen të rriten rreth +8.25% ose +45 miliardë lekë. Sipas financave, Të ardhurat tatimore dhe doganore, përfshirë kontributet e sigurimeve janë projektuar bazuar në analizën e trendit historik shumëvjeçar të tyre, realizimit të pritshëm në vitin 2023 dhe faktorizimit të të gjjithë elementëve, që do ndikojnë në të ardhurat e vitit 2024 përfshirë efektet nga: rritja ekonomike, indeksi i çmimeve, politikat e reja fiskale, si dhe të ardhurat shtesë nga miradministrimi. Ky parashikim është analizuar dhe korrektuar me efektet e mundshme të faktorëve të tjerë relevantë përfshirë koefiçientin e elasticitetit, tipologjinë e çdo lloj takse e tatimi etj.

Faktorët që janë marrë në konsiderate, të cilët ndikojnë në rritjen e të ardhurave për vitin 2024 përfshijnë:

-Nga Paketa Fiskale 2024, me propozime, të cilat gjenerojnë të ardhura shtesë në zërin e Akcizës, Tatimin mbi të Ardhurat nga Profesionet si dhe nga Taksat nacionale parashikohet të mblidhen 7 miliardë lekë më shumë, ose 65 milionë euro. Të ardhurat që do gjenerohen në formën e të ardhurave nga paga dhe kontributet si rezultat i zbatimit nga Qeveria të reformës në fushën e pagave, ku në vitin 2024 do ekzekutohet pjesa kryesore e kësaj reforme, nëpërmjet fondit të planifikuar nga buxheti prej 29 miliardë lekësh për rritjen e pagave të mjekëve, infermierëve, mësuesve, policëve, ushtarakëve, dhe niveleve të mesme dhe të ulta të administratës qëndrore dhe lokale.

Të ardhura shtesë nga reforma e pagave parashikohen në 12 miliardë lekë.

-Në kuadrin makroekonomik për vitin 2024 ku është parashikuar rritja e Prodhimit të Brendshëm Bruto prej 3.8%, dhe indeksi i çmimeve 3%. Këta tregues janë analizuar të kenë efekte në mënyrë të integruar me faktorë të tjerë për çdo taksë në veçanti, të ndërlidhur me të dhënat historike dhe projeksionet e çmimeve në tregjeve ndërkombëtare tek taksat ad-valorem si Tatimi mbi Vlerën e Shtuar, Renta Minerare dhe Taksa Doganore. Në projeksion janë përfshirë, faktorë që lidhen edhe me kursin mesatar të pritshëm të këmbimit EUR/ALL dhe USD/ALL, si dhe çmimet e vlerësuara të bursës për mineralet, nënproduktet e naftës etj. Nga rritja ekonomike parashikohen 15 miliardë lekë shtesë të ardhura dhe nga rritja e çmimeve 4 miliardë lekë.

-Të ardhurat e projektuara që do gjenerohen nga përmirësimi në administrimin e tatimeve, taksave dhe detyrimeve të kontributeve, hapa të cilat janë parashikuar edhe në kuadër të hartimit të Strategjisë Afatmesme të të Ardhurave. Të ardhura shtesë nga përmirësimi në administrim do të jenë 7.5 miliardë lekë.

Shpenzimet

Totali i shpenzimeve publike për vitin 2024 programohet në nivelin 735.9 miliardë lekë ose 30.2% e PBB. Sipas relacionit, Investimet Publike për vitin 2024 janë planifikuar në masën 5.3% e PBB ose 128.5 miliardë lekë (duke përfshirë këtu dhe fondin e rindërtimit në shumën 7 miliardë lekë).Në planifikimin e investimeve për vitin 2024 janë mbajtur në konsideratë të gjitha detyrimet kontraktuale për projektet e investimeve me financim të huaj dhe të brendshëm dhe do të ketë përparësi financimi i projekteve në vazhdim. Defiçiti buxhetor për vitin 2024 planifikohet të jetë në nivelin 2.5% të PBB nga rreth 2.2% i pritshëm për vitin 2023.

Biznesi vazhdon/ Miliarda lekë për koncesionet që janë shpallur afera korruptive me vendim gjykate

Edhe pse norma e koncesioneve të vendosura nën hetim, që kanë rezultuar afera korruptive është 100 për qind, qeveria do të vazhdojë të pompojë miliarda lekë të taksapaguesve për kompanitë koncesionare edhe gjatë 2024, do të paguajë 135 milionë euro

Edhe pse norma e koncesioneve të vendosura nën hetim, që kanë rezultuar afera korruptive është 100 për qind, qeveria do të vazhdojë të pompojë miliarda lekë të taksapaguesve për kompanitë koncesionare edhe gjatë vitit të ardhshëm. Sipas relacionit të projektbuxhetit 2024, qeveria do të paguajë 14.3 miliardë lekë ose 135 milionë euro për kontratat koncesionare gjatë vitit që vjen.“Për vitin 2024, pagesat vjetore neto që parashikohet të kryhen nga njësitë e qeverisjes së përgjithshme për kontratat koncesionare/PPP, kapin vlerën rreth 14.3 miliardë lekë,”- thuhet në relacionin e projektbuxhetit 2024.Të dhënat tregojnë se krahasuar me vitin korrent, pagesat për koncesionet do të rriten me 1.2 miliardë lekë ose 10 milionë euro për vitin e ardhshëm. Në krye të listës, si koncesioni që do të marrë më shumë para nga buxheti qëndron rruga e Arbrit. Për vitin e ardhshëm qeveria do të paguajë 3.5 miliardë lekë për kompaninë koncesionare Gjoka Konstruksion, e cila ndërtoi rrugën që lidh Tiranën me Dibrën me fondet e veta. Krahasuar me këtë vit, pagesa për koncesionin e rrugës së Arbrit rritet me 25 për qind ose 700 milionë lekë më shumë. Në vendin e dytë, renditet një tjetër koncesion i shumëpërfolur. Bëhet fjalë për kontratën koncesionare të laboratorëve. Për vitin 2024, qeveria do të paguajë 1.85 miliardë lekë për bashkimin e kompanive koncesionare të shërbimit laboratorik, që kryesohet nga Labopharma e Janis Karathanos. Më poshtë në vendin e tretë renditet një tjetër kontratë e shpallur si aferë korruptive me vendim gjykate. Bëhet fjalë për koncesionin e sterilizimit, i cili vitin e ardhshëm do të paguhet plot 1.76 miliardë lekë ose rreth 16.7 milionë euro. Për këtë koncesion ka tashmë zyrtarë të arrestuar, ndërkohë që është nën hetim edhe ish ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj. Në vendin e katërt dhe të pestë renditen koncesioni i skanimit në dogana dhe ai i inceneratorit të Tiranës, të cilat do të marrin respektivisht nga 1.67 miliardë dhe 1.27 miliardë lekë. I pari është dhënë nga ish qeveria e Partisë Demokratike, ndërsa koncesioni i dytë i dhënë nga socialistët është shpallur zyrtarisht si një aferë korruptive me vendim gjykate.

Bonus në fundvit për pensionistët; rishpërndahen 46 miliardë lekë, pjesën kryesore e merr Rindërtimi

46 miliard lekë janë rishpërndarë, por në këtë vendim nuk parashikohet një bonus shtesë për pensionistët, sikundër ishte parashikuar në fillim të vitit. Paratë shtesë të mbledhura nga qeveria vijnë për shkak të rritjes së ndjeshme të çmimeve. Pjesën më të madhe të parave të mbledhura qeveria po i kalon për të financuar rindërtimin, që nuk ka përfunduar edhe pas 4 vitesh.

Komisioni i ekonomisë miratoi ndryshimet në buxhet, ku 46 miliard lekë janë rishpërndarë, por në këtë vendim nuk parashikohet një bonus shtesë për pensionistët, sikundër ishte parashikuar në fillim të vitit. Parashikimi lidhet me pagesat shtesë që do të merrte qeveria nga fitime e rritura të kompanive të energjisë elektrike.

Ministri i Financave, Ervin Mete, i pyetur nga opozita lidhur me këtë fond, konfirmoi se do të ketë një bonus vetëm në fund të vitit.

Fondi ishte 8.3 mld lekë, një pjesë e tij është ndarë me këstin, që morën pensionistët. Ajo që mund t’ju them është se në fund të vitit do të kenë bonusin e radhës. Ndërkohë indeksimi i pensioneve ka kapur një faturë që rëndon në shifrën prej afro 20mld lekë në vite, – u shpreh Mete.

Paratë shtesë të mbledhura nga qeveria vijnë për shkak të rritjes së ndjeshme të çmimeve, të cilat edhe këtë vit kanë qenë ndër kërcënimet kryesore të jetesës për familjet. Por pjesën më të madhe të parave të mbledhura qeveria po i kalon për të financuar rindërtimin, një proces i cili jo vetëm është kompleks, por po shtrihet shumë në kohë dhe nuk ka përfunduar edhe pse kanë kaluar 4 vite.

1- E kemi parashikuar edhe në buxhetin e 2024 që të bëjmë rialokime të vazhdueshme drejt rindërtimit, në mënyrë që të mos ketë ngecje të këtij procesi, – tha ministri Mete.

2- Fondet e parashikuara si dhe procedurat e ndjekura të prokurimeve, mungesa e transparencës po bën që ky proces t’i lërë për të paktën tre vitet e ardhshme detyrime të prapambetura buxhetit. Fakti që dhe sot vijoni jepni ende para tregon se ky proces është menaxhuar keq, -tha Jorida Tabaku në komisioni e ekonomisë.

Bie propaganda me buxhetin, qeveria jep 217 mln për pagat e administratës dhe heq 78 mln për shkollat dhe spitalet

217 milionë do të shkojnë për xhepat e qeveritarëve dhe militantët e “rilindjes” si pasojë e rritjes së pagave me 60-70%. Ndërsa projekteve për shkolla, çerdhe, spitale, infrastrukturë u janë hequr 78 milionë euro që parashikohet nga projekt-buxheti. Rritja e pensioneve është në vlerë qesharake.

 

Kryeministri Edi Rama do të zhvillojë një tur në të gjitha qarqet e vendit për t’u hedhur hi syve shqiptarëve në lidhje me projekt-buxhetin 2024. Sipas burimeve nga brenda mazhorancës, mësohet se Rama do të ndërmarrë tur në të gjithë Shqipërinë për të “shpjeguar projekt-buxhetin”. Kjo lëvizje e tij vjen pasi opozita është organizuar dhe po ia bën të vështirë propagandimin dhe mashtrimin në Kuvend të buxhetit. I frikësuar nga një reaksion zinxhir, pasi populli po kupton që paratë e taksave të tyre nuk po kthehen në shërbime për ta, Rama vendos që të dalë të amortizojë skandalet e projekt-buxhetit, ku 1.2 miliardë lekë i ka parashikuar për inceneratorin e sekuestruar të Tiranës. Mësohet se takimi i parë do të zhvillohet në qytetin e Fierit të enjten ose të premten. I panikosur nga lëvizjet e opozitës, padobia e pengut të tij Basha (pasi është vetëm s’ka as deputetë, as elektorat) për t’i dhënë një dorë në propagandë siç ka bërë ndër vite, Rama do të dalë vetë të mashtrojë shqiptarët se gjoja paratë e buxhetit po ua jep atyre.

Ulet financimi për shkolla rritet për plehrat

Nga 290 milionë euro, 217 milionë do të shkojnë për xhepat e qeveritarëve dhe administratës publike si pasojë e rritjes së pagave me 60-70%. Ndërsa projekteve për shkolla, çerdhe, spitale, infrastrukturë u janë hequr 78 milionë euro; parashikohet nga projekt-buxheti. Rritja e pensioneve është në vlerë qesharake. Sikur të mos mjaftonin këto taksat e shqiptarëve nuk po përdoren si shërbime për qytetarët, por si qoka për militantët e “rilindjes”. Nga 85 mijë të punësuar në 2013, shifra në 2020 ka arritur në mbi 185 mijë persona. Kur këto miliona me të cilët paguhet administrata e fryrë mund të ishin përdorur për hapjen e vendeve të punës dhe ndalimit të ikjes së trurit.

Shifrat kokëforta

Në vend që të ndërmeren politika rregulluese, qeveria për shkak të papunësisë dhe varfërisë ekstreme, nxiti emigrimin masiv të popullsisë dhe familjeve shqiptare! Ashtu si popullsia e vendit, numri i familjeve shqiptare po pëson rënie shumë të shpejtë. Në vitin 2022, në të gjithë vendin numëroheshin 758,973 familje, ose 6,578 më pak se në vitin 2021. Seksioni i FDI Intellegence në Financial Times, përllogariti se Shqipëria bashkë më 9 vende afrikane kishin nivelin më të lartë të emigrimit të trurit edhe në vitin 2022. Në 10 vite kanë emigruar, 1 në 4 mjekë, 6,2 në 10 studentë, 4 në 5 infermierë. Arsyeja paga, korrupsioni, ryshfeti, nepotizmi dhe pasiguria.