Bankat e nivelit të dytë po bëjnë pastrim parash

805
Sigal

Open Data Albania/ Transaksione të dyshimta të pastrimit të parasë, viti 2013 me 558 raste

 Gati 34% e rasteve të dyshimta për pastrim paraje në vitin 2013 kanë të bëjnë me transfertat me jashtë. Janë 189 transferta të kryera me jashtë, të dyshuara për aktivitet të pastrimit të parasë. “Derdhje me para në dorë me shuma të konsiderueshme” me 96 raste të dyshuara është një tjetër kategori transaksioni për verifikime; “Veprime jashtë profilit të klientit” 60 raste; “Përdorimi i llogarisë individuale për qëllime biznesi” 44 raste; “Blerje pasurish të paluajtshme me burim të panjohur të fondeve” 29 raste etj.. Këto të dhëna vijnë në sajë të analizës së publikuar nga Open Data Albania për vitin 2013, lidhur me raste të raportimit dhe kontrollit të transaksioneve në cilësinë e të dyshuara për burim jo të pastër financiar. Në studimin e ODA-s ajo që vihet re në vitin 2013 ёshtё shfaqja e aktivitetit “Veprime të kryera nga persona të dyshuar të përfshirë në vepra kriminale”.

 Në harkun kohor 2010-2013 totali i rasteve të kontrolluara për aktivitet të dyshimtë është rritur nga 211 në 558 të tilla, pra ka pasur një rritje me 2.64 herë. Në vitin 2013 ndryshe nga vitet e mëparshme 2010 – 2012 nuk është ushtruar asnjë verifikim sipas përshkrimit “Përfshirja e personave të ekspozuar politikisht në transaksione” apo për transaksione të parashikuara si “Blerje pasurish të luajtshme me burim të panjohur të fondeve”.

    Raportimi i transaksioneve të dyshimta të pastrimit të parasë 2006-2013

 Raportimi i transaksioneve të dyshimta bëhet nga subjekte që kanë detyrim të evidentojnë transaksionet që duhen inspektuar. Subjektet raportuese të aktivitetit të dyshimtë të pastrimit të parasë janë: Institucionet Bankare; Drejtoria e Përgjithshme e Doganave; Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve; Zyrat Noteriale; Shoqëri të Transfertave; Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme; Zyrat e Këmbimit Valutor; Shoqëri të Qiradhënies Financiare (Leasing) etj. Viti me raste më të shumta të aktiviteteve financiare të dyshimta është viti 2007, ku shënohen 748 raste.

Gjatë vitit 2013 janë raportuar 558 raste të transaksioneve të dyshimta të pastrimit të parasë, nga të cilat janë marrë 13 masa administrative bazuar në shkeljet e mosdeklarimit të konstatuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parasë. Nga këto masa 6 i drejtohen zyrave të këmbimit valutor, 5 noterëve dhe 2 bankave të nivelit të dytë. Vlera në total e gjobave për këto subjekte shënon vlerën e 15 milion e 900 mijë lekëve.

Raste kur parregullsitë mbartin element të veprimtarisë kriminale, autoriteti i kontrollit ka detyrim të referojë rastin në Polici dhe në Prokurori për hetime konkrete. Në vitin 2013 nga 558 raste të dyshuara për pastrim paraje 248 janë vlerësuar problematike dhe me element që përbëjnë vepër penale. Këto raste janë referuar pranë strukturave të hetimit penal si Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit. Ndërsa 35 raste janë referuar drejtpërdrejt në zyrën e krimit ekonomik në prokurori.

Rastet e dyshimta të dërguara në DPPSH dhe në Prokurori 2009-2013 (tabela)

Viti 2009 2010 2011 2012 2013
Referuar ne Prokurori 59 64 51 34 35
Referuar ne Polici 135 137 160 171 248

 Masat administrative për transaksione të parregullta – pastrim Parash sipas subjekteve 2013

 Në tre vitet e fundit numri i masave administrative të marra për pastrimin e parasë ka ardhur duke u ulur. Në vitin 2011 janë marrë 26 masa administrative, në vitin 2012 janë marrë 22 masa në vitin 2013 nga 13 masa ndëshkimore për parregullsi në transaksione.

Peshën kryesore të raportimeve të kryera si raste të aktivitetit të dyshimtë e zënë bankat e nivelit të dytë. Në vitet e fundit vihet re një rritje e rasteve të raportuara nga subjektet që kanë detyrim raportimi me ligj. Nëse në vitin 2008 ishin 142 raste të raportuara nga Bankat dhe 5 raste nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave,në vitin 2013 Bankat kanë raportuar 420 raste dhe Doganat 36 raste. Pra, ka një rritje me 3.67 herë më shumë raste të raportuara në harkun kohor të 6 viteve.