Autoriteti i Konkurrencës do të dalë me vendim për sjelljen e tregtarëve të mëdhenj të miellit

225
Sigal

Autoriteti i Konkurrencës do të shprehet së shpejti me një vendim nëse prodhuesit kryesorë të miellit në vend po vazhdojnë të ndjekin një marrëveshje të ndaluar, me qëllim fiksimin e çmimeve.

Përmes një njoftimi zyrtar, ky institucion bëri sot të ditur se me anë të vendimit nr. 700, datë 24.07.2020 ka konstatuar sjelljen e bashkërenduar midis ndërmarrjeve Agro Blend SHPK, Miell Tirana SHA, Bloja SHA, Atlas SHA dhe Atlas Mills SHPK, në tregun e importit të grurit, importit, prodhimit dhe tregtimit të miellit, pasi këto ndërmarrje kanë bashkërenduar sjelljen, duke caktuar çmimet e shitjes dhe duke kontrolluar prodhimin në tregun e miellit për shkak të integrimit vertikal. Sipas vendimit, kjo sjellje përbën shkelje të ligjit “Për mbrojtjen e konkurrencës”.

Në vendimin e vitit të kaluar, AK iu vendosi ndërmarrjeve të hetuara detyrimin Të mos caktojnë, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, çmimet e blerjes ose të shitjes, apo çdo kusht tjetër tregtimi; të mos kufizojnë ose kontrollojnë prodhimin, tregjet, zhvillimin teknik ose investimet; të mos ndajnë tregjet ose burimet e furnizimit; të raportojnë çdo 3 (tre) muaj pranë AK-së të dhëna mbi blerjet dhe shitjet në përmbushje të detyrimeve të dhëna sipas kësaj pike.

Pjesë e vendimit ishte gjithashtu monitorimi për një periudhë njëvjeçare e sjelljes së ndërmarrjeve të mësipërme.

Reagimi i AK erdhi pasi disa prej prodhuesve të bukës në vend kanë rritur çmimin e bukës masive me 10 lekë. Sipas subjekteve anëtare të Shoqatës të Prodhuesve të Bukës, rritja e çmimit të bukës ka ndodhur kryesisht për shkak të shtrenjtimit të miellit, por edhe rritjes së kostove të punës për shkak të emigracionit.

Nga ana tjetër, prodhuesit e miellit deklaruan për Monitor se shkaku kryesor i shtrenjtimit të këtij produkti është rritja e çmimit të grurit në tregjet ndërkombëtare, me rreth 65% në një vit. Arsyet janë rënia e prodhimit të shteteve më të mëdha prodhuese, por edhe për shkak të thatësirës dhe përmbytjeve në disa vende të Europës. Sipas tyre, kjo rritje është reflektuar vetëm në masën 10-12% në çmimet e miellit, por nëse kjo tendencë vazhdon, shtrenjtimi i mëtejshëm i miellit do të jetë i pashmangshëm. /Monitor.al