“Ari digjital !” Bitcoin rritet me 160%, kap vlerën e 19 mijë dollarëve për herë pas 3 vitesh

266
Sigal

Çmimi i Bitcoin ka kapur 19,000 dollarë për herë të parë pas pothuajse tre vitesh, duke e çuar kriptovalutën më të njohur në botë pranë nivelit më të lartë të të gjitha kohërave, më pak se 20,000 dollarë.

Bitcoin është rritur me gati 40% në nëntor dhe është rritur rreth 160% këtë vit. Kriptovaluta arriti një kulm prej pak më pak se $ 20,000 në Dhjetor 2017, para se të rrëzohej në mënyrë spektakolare, duke humbur një të katërtën e vlerës së saj në një ditë të vetme.

Analistët dhe investitorët thonë se pandemia e koronavirusit ka çuar në një rivlerësim të vlerës së Bitcoin si një monedhë alternative, dhe madje edhe si një alternativë ndaj arit. Ndërsa dollari amerikan dhe monedhat e tjera janë dobësuar, më shumë investitorë po kthehen në kriptovalutë si mbrojtje ndaj inflacionit.

Që prej shpikjes së Bitcoin, shpërtheu një numër i madh i kriptovalutave në tregjet globale. Inxhinierë e financierë u angazhuan në projekte të fokusuara tek kriptovalutat si mjete pagese më efikase se paraja konvencionale, të pagjurmueshme dhe të pataksueshme.
Shpesh herë, kriptovalutat kanë dështuar në misionin e tyre, për shkak të luhatshmërisë së madhe të vlerës. Por nga ana tjetër ato kanë ndryshuar konceptimin e parasë për njeriun. Paraja është një mjet që njeriu përdor për lehtësimin e këmbimeve, për të ruajtur pasurinë si edhe për të matur vlerën e sendeve. Edhe pse kriptovaluta nuk arrin t’i përmbushë të trija funksionet e parasë, ajo i ka hapur rrugë shkencës për të teorizuar një para të mbrojtur nga inflacioni.

Përsa i përket qasjes së qeverive ndaj kriptovalutave, gjatë këtyre 10 viteve ka patur ndryshime të mëdha. Fillimisht qeveritë u treguan skeptike ndaj kriptovalutës duke e konsideruar si kërcënim për ekonomitë dhe investitorët. Por sot një numër qeverish po i mbështet kriptovalutat, një pjesë tjetër po punon për krijimin e kriptovalutave kombëtare ndërsa të tjera po përgatisin forma paraje të funksioneve të veҫanta.

Estonia po përgatitet të hedhë në treg kriptovalutën e saj si njësi matëse e pasurive dixhitale dhe regjistruese e transaksioneve të internetit.

Qeveria ruse ka marrë zotimin për krijimin e kriptorublës, një kriptomonedhë kombëtare e cila do t’i sjellë pavarësinë ndaj sisteme ndërkombëtare të pagesave si edhe do të bëjë të mundur taksimin e ekonomisë informale.

Organizata të ndryshme joqeveritare në botën e zhvilluar kanë nisur një sërë projektesh ambicioze të frymëzuara prej kriptovalutave. Këto projekte lidhen me krijimin e sistemeve monetare paralele, ku paraja konvencionale bashkëjeton me paranë e komunitetit, një mjet për të shpërblyer punën vullnetare, të bazuar mbi kohën e shpenzuar.

Kështu pas 12 vitesh Bitcoin nuk mund të konsiderohet domosdoshmërisht një sukses i pagabueshëm. Luhatjet e mëdha të vlerës së tij gjatë këtyre viteve kanë frenuar entuziazmin e investitorëve ndaj tij por nga ana tjetër i kanë hapur rrugë një tregu që nuk ekzistone më parë, atë të kriptovalutave. Me rreth 3000 kriptovaluta në qarkullim, sot digjitalizimi i financave po i jep kapitalizmit një fytyrë të re.