Analizë nga Elona Shehu/ Rritja ekonomike duhej të jetë objektiv i Bankës së Shqipërisë, por BQ është e shkëputur nga misioni i saj dhe është kthyer thjesht një bankë të zakonshme. Ja praktika bankare në 31 vende të botës që nuk po ndiqet nga Banka e Shqipërisë

976
Sigal

Rritja ekonomike të jetë objektiv edhe i Bankës së Shqipërisë

                                                           

Elona Shehu (Shahini) – Pedagoge Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë

 

Banka e Shqipërisë në asnjë rast nuk është ngarkuar me përgjegjësi për mosrealizimin e rritjes së parashikuar të ekonomisë, ajo vazhdimisht flet për realizimin e objektivit të saj kryesor, i cili është i realizueshëm për mendimin tim edhe pa politikat monetare të aplikuara deri tani nga kjo bankë. Banka e Shqipërisë të kontribuojë dhe mbajë përgjegjësi për rritjen e ekonomisë, për stabilitetin e tregut monetar dhe të monedhës shqiptare. Kjo të kthehet me ligj në objektiv të sajin, duke hequr dorë nga objektivi që ka sot ky institucion. Objektivi që ka sot kjo bankë është një objektiv, inekzistent në kushtet e ekonomisë shqiptare, që është huazuar nga Banka Qendrore Evropiane, pa asnjë përqasje me shkallën e zhvillimit të ekonomisë shqiptare në raport me vendet që mbulon tregu monetar i saj.

Objektivi kryesor i Bankës së Shqipërisë për arritjen dhe ruajtjen e stabilitetit të çmimeve është vendosur në 1997, ai nuk ka qenë nga 1992 deri në vitin 1997. Në vendosjen e tij nuk janë marrë në konsideratë objektivat e bankave qendrore të vendeve të ndryshme të botës por është marrë në konsideratë vetëm BE dhe banka gjermane. Në vitin 1997 u miratua ligji për Bankën e Shqipërisë. Në atë periudhë ekonomia e vendit nuk kishte marrë tiparet e një ekonomie tregu. Kështu e parë në disa aspekte, në aspektin e ligjshmërisë, në aspektin e privatizimit, në aspektin social dhe atë ekonomik themi se një Ligj i tillë për kohën dhe kushtet e Shqipërisë ka qenë i nevojshëm. Privatizimi i ekonomisë duhej të shoqërohej edhe me privatizimin e sistemit bankar. Por,ky ligj duhej të hartohej duke marrë në konsideratë kushtet konkrete të ekonomisë shqiptare. Këtë e them sepse në hartimin e tij u morën si shabllon ligjet e Bankave Qendrore të vendeve të zhvilluara evropiane dhe jo ato të vendeve në zhvillim, të Azisë, Amerikës apo Afrikës. Vendet që u morën në konsideratë operonin në produkt potencial dhe nuk kishin probleme me ritmet e rritjes ekonomike dhe me normën e papunësisë. Objektivi i tyre kryesor ishte stabilizimi i nivelit të çmimeve. Këto vende politikat e tyre monetare i vendosin në shërbim pikërisht të këtij treguesi pa harruar që nëpërmjet tij të sigurojnë ritme të larta rritjeje të ekonomisë. Është kjo arsye që Ligji për Bankën Qendrore nuk duhej marrë dhe aplikuar pa përshtatje në kushtet e ekonomisë shqiptare.

Cili ishte objektivi kryesor i Bankës së Shqipërisë?

NENI 3.

  1. Objektivi kryesor i Bankës së Shqipërisë është të arrijë dhe të ruajë stabilitetin e çmimeve.
  2. Banka e Shqipërisë, në përputhje me objektivin e saj kryesor dhe mbi bazën e tregut të brendshëm bankar, nxit dhe mbështet zhvillimin e regjimit dhe të sistemit të këmbimeve valutore, tregun e brendshëm financiar, sistemin e pagesave, si dhe ndihmon në përmirësimin e kushteve monetare e kredituese, në mbështetje të stabilitetit dhe të zhvillimeve ekonomike të vendit.
  3. Objektivat e tjerë të Bankës së Shqipërisë, të kushtëzuara nga objektivi kryesor i saj, duhet të nxisin ruajtjen e likuiditetit, aftësinë paguese dhe funksionimin normal të sistemit bankar të bazuar në parimet e tregut.

Detyrat kryesore të Bankës së Shqipërisë janë si më poshtë:

  1. a) të hartojë, të miratojë dhe të zbatojë politikën monetare të Republikës së Shqipërisë, në përputhje me objektivin e saj kryesor;

b)të hartojë, të miratojë dhe të zbatojë regjimin e këmbimit valutor, si dhe politikën e kursit të këmbimit të valutave në Republikën e Shqipërisë;…c)…ç)…d)…dh)….

  1. Çdo objektiv dhe detyrë tjetër që i caktohet Bankës së Shqipërisë kushtëzohet me arritjen e objektivit të saj kryesor.

Siç shihet BQ është e shkëputur nga përgjegjësia e rritjes së ekonomisë shqiptare, ajo është kthyer thjesht në një bankë e zakonshme që nuk ka ndonjë lidhje direkt me ekonominë reale.

Banka e Shqipërisë nuk kishte ndonjë arsye thelbësore ekonomike që të kishte për objektiv arritjen dhe ruajtjen e nivelit të çmimeve. Ajo më së pakti duhej të njihej me objektivat e bankave të vendeve të ndryshme të botës nga Azia e deri në Amerikë. Pasi t’i analizonte të vendoste objektivin e saj në kushtet e ekonomisë shqiptare.

 

Cilat janë disa nga Objektivat e Bankave Qendrore të 31 vendeve të botës?

 

 Objektivat e Bankave Qendrore të 31 vendeve të botës duke përfshirë edhe Bashkimin Evropian i kemi marrë në konsideratë dhe i kemi grupuar në 7 grupe për të parë pozicionin e Shqipërisë në lidhje me këto Banka.

Grupi i parë. Me objektiv stabilitetin e çmimeve. Vendet e Bashkimit Evropian që janë vende të zhvilluara, pavarësisht se në këtë grup janë përfshirë edhe një sërë vendesh të ish bllokut lindor si Polonia, Bullgaria, Rumania, Hungaria, Sllovenia etj. Objektivi kryesor i BQE-së është përcaktuar pa u përfshirë këto vende. Kur u përcaktua ky objektiv vendet ekzistuese ishin rreth produktit potencial që problem kishin ruajtjen e inflacionit dhe jo rritjen ekonomike dhe rënien e papunësisë. Përfshihen edhe Turqia, Azerbajxhani, Çekia, India dhe Zelanda e Re. Azerbajxhani objektiv sekondar ka mbështetjen e bankave dhe stabilitetin e pagesave, Çekia të mbështesë një rritje të qëndrueshme ekonomike. Këto vende nuk mund të krahasohen me ekonominë shqiptare. Ato janë më të zhvilluara. Ato janë më të zhvilluara se ekonomia shqiptare.

Grupi i dytë. Kanë si objektiv kryesor stabilitetin e monedhës. Në këtë grup përfshihen vende të ish bllokut lindor që kaluan nga ekonomia e centralizuar në atë të tregut si Kroacia, Moldavia, Rusia, Ukraina, në lindje Kina, Mongolia dhe Hong-Kongu. Objektiva sekondarë kanë: zhvillimin e ekonomisë, stabilitetin e çmimeve, stabilitetin financiar. Ekonomia shqiptare i përafrohet këtij grupi pasi ka të njëjtat dinamika zhvillimi si ish anëtare e bllokut të lindjes.

Grupi i tretë. Ku përfshijmë Bosnjë-Hercegovinë, Armeni, Bjellorusi, Nigeri, Pakistan, Peru dhe Jordani. Ka për synim stabilitetin monetar. Vendet që përfshihen në këtë grup nuk janë vende të zhvilluara por janë vende në zhvillim ose vende që kanë pasiguri ekonomike dhe politike. Si objektiv sekondar këto vende kanë përgjithësisht rritjen ekonomike dhe stabilitetin e inflacionit. Jordaninë e kemi theksuar më shumë sepse BQJ ka detyra identike me ato të BSH-së ndërsa objektivi ndryshon kryekëput. Është objektiv kompleks: stabilitetin monetar, ruajtjen e kursit të këmbimit, nxitjen dhe ruajtjen e qëndrueshmërisë ekonomike.

Grupi i katërt. Kanë si synim stabilitetin e çmimeve dhe të monedhës. Në këtë grup kemi Malajzinë dhe Indonezinë. Ekonomia e tyre nuk krahasohet me atë të ekonomisë shqiptare sepse përfshihen në vende të zhvilluara.

Grupi i pestë. Stabilitet të çmimeve në funksion të rritjes së qëndrueshme ekonomike. Janë vende që kanë objektiv kryesor kompleks. Janë nga vendet më të zhvilluara të Azisë dhe botës(Japoni, Koreja e Jugut, Singapor, Filipine dhe Tajlandë).

Grupi i gjashtë. Ka si objektiv kryesor Stabilitetin e çmimeve dhe ulja e normës së papunësisë. Përfshihet vetëm Australia e cila është një vend i zhvilluar, rreth produktit potencial që nuk ka problem rritjen ekonomike dhe papunësinë.

Grupi i shtatë. Synojnë stabilitetin financiar dhe atë të çmimeve. Në këtë grup përfshihen Kosova, Serbia dhe Mali i Zi. Vende të ish bllokut komunist lindor. Me këtë grup ngjason edhe ekonomia shqiptare. Objektiva sekondar kanë rritjen ekonomike.

Siç shihet shumë pak vende kanë si objektiv kryesor “arritjen dhe ruajtjen e stabilitetit të çmimeve. Vendet e zhvilluara e kanë këtë objektiv kryesor por të shoqëruar me objektiva të tjerë shoqërues ku predominon mbështetja e rritjes së qëndrueshme ekonomike. Vendet e grupit të dytë dhe të shtatë, prej të cilave katër janë vende të rajonit, me ekonomi të ngjashme me ekonominë shqiptare kanë si objektiv kryesor, stabilitetin financiar, stabilitetin monetar dhe stabilitetin e monedhës.

Një objektiv të tillë duhet të kishte edhe Banka e Republikës së Shqipërisë.“Stabilitetin financiar në funksion të rritjes së qëndrueshme ekonomike”.

 

Banka e Shqipërisë krahas shembullit të bankave të përmendura më sipër ka edhe një sërë arsyesh, pse duhet ta rishikojë objektivin e saj kryesor

E para, sepse ajo ka lënë të pa mbrojtur lekun shqiptar në raport me euron dhe dollarin që qarkullojnë njësoj si monedha zyrtare shqiptare. Aplikimi i kursit fleksibël ka bërë që një pjesë e mirë e valutës të largohet nga Shqipëria pasi kurset nuk paraqesin gjendjen reale të ekonomisë shqiptare. Valuta që futet në territorin e Shqipërisë nga eksportet është shumë e ulët në krahasim me burimet e tjera, si remitancat, investimet e huaja, borxhet e marra apo nga rrugë informale. Në këtë mënyrë hyrjet e saj do të vijnë vazhdimisht duke u shterur dhe duke lënë burim të vetëm eksportet. Ndërprerja e burimeve të tjera do të jetë me pasoja të rënda për ekonominë shqiptare sepse leku shqiptar do të zhvlerësohet në mënyrë të menjëhershme dhe në përmasa të larta. Ky zhvlerësim do të ndikojë drejtpërsëdrejti në rritjen e shkallës së çmimeve dhe në rënien e menjëhershme ekonomike.

E dyta, sepse ajo nuk e kontrollon dot normën e inflacionit. Inflacioni në përgjithësi në Shqipëri është i importuar dhe politikat monetare ndikojnë shumë pak ose aspak në nivelin e tij. Pra ka humbur efekti i transmisionit të politikave monetare të Bankës Qendrore në Bankat Tregtare. Ndikimin e politikave monetare në nivelin e inflacionit ne e shikojmë në lidhjen midis dy treguesve, normës së inflacionit dhe normës bazë të interesat (REPO).

Vitet 2008 2009 2010 2011 2012 2013 2014 2015 2016 2017 2018
PBB real në % 7,5 3.35 3.71 2.55 1.4 1 1.8 2.1 3.4 3.8 4
Papunësia % 12.5 13.8 14.2 14.3 13.9 16.1 16.2 15.5 15.6 14.1 12.5
Inflacion % 3.4 2.3 3.6 1.7 2.4 1.9 0.7 2.06 2.18 1.8 1.8
REPO % 6.25 5.25 5 4.75 4 3 2.5 2 1.25 1.25 1

 

Të dhënat e tabelës tregojnë se nuk ka kurrfarë lidhje midis këtyre treguesve. Koeficienti korelacionit midis REPO-ve dhe Inflacionit është 0.595. Është me të njëjtën shenjë dhe i ulët, kjo do thotë që politikat monetare nuk kanë asnjë lloj ndikimi në normën e inflacionit. Lidhja midis rritjes ekonomike dhe REPO-ve është -0.172. Shenja është normale por madhësia e treguesit të korelacionit tregon se lidhja është e papërfillshme. Në këtë mënyrë politika monetare nuk ka ndikim as në rritjen e ekonomisë dhe as në stabilitetin e inflacionit. Efektet e politikave monetare shihen edhe në treguesit e depozitave, të kredive dhe të agregateve të tjerë monetarë.

 

Treguesit e depozitave në Mld All 2008-2018

Treguesit e kredive në Mld All 2008-2018

Agregatë monetarë në Mld All 2008-2018

Konkluzioni është i thjeshtë, politikat monetare ekspansioniste të BQ-së kanë ndikuar në rënjen e depozitave, stanjacionin e kredive dhe rritjen e parave jashtë bankave.

E treta, sepse kursi i këmbimit është fleksibël dhe në këto kushte leku është i pa mbrojtur. Kursi i këmbimit duhet të jetë fiks me një kufi të poshtëm dhe të sipërm, ashtu siç e ka sot edhe Banka Qendrore e Republikës së Kinës. Valuta të bëhet monopol i Bankës Qendrore dhe të mos përdoret për blerje të zakonshme. Blerjet brenda territorit të Shqipërisë të kryhen vetëm në lekë. Në këtë mënyrë do forcohet leku dhe efektet e politikave fiskale dhe monetare do jenë reale në rritjen e ekonomisë. Këtu vlen të theksojmë se MEMORANDUMI BASHKËPUNIMIT Ndërmjet MINISTRISË SË FINANCAVE dhe BANKËS SË SHQIPËRISË dhe AUTORITETIT TË MBIKËQYRJES FINANCIARE PËR ZGJERIMIN E PËRDORIMIT TË MONEDHËS KOMBËTARE NË SISTEMIN FINANCIAR DHE NË EKONOMINË SHQIPTARE nuk ka pasur ndonjë arritje të dukshme. Mbivlerësimi i LEKUT nuk është tregues i rritjes së ekonomisë shqiptare, nuk tregon mbrojtje të lekut, përkundrazi ai është i lidhur me frenimin e rritjes ekonomike.

E katërta, sepse nuk ka asnjë bankë tregtare me kapital shtetëror që të mbështesë politikat e Bankës Qendrore. Prandaj duhet të çelet një Bankë Tregtare me kapital tërësisht shtetëror. Kjo do shërbejë për kreditimin e bujqësisë, turizmit dhe ekonomisë në përgjithësi. Do shërbejë njëkohësisht edhe si mbështetëse e politikave monetare të Bankës Qendrore. Nëpërmjet kësaj banke do rritet efekti politikave monetare në ekonomi.

Kjo analizë bazohet në të dhëna konkrete të publikuara nga Banka e Shqipërisë dhe tregon për efektin e politikave të saj monetare.