Akademik Jorgaq Kaçani/ Zgjerimi ndërkufitar i rrjetit të eksporteve të Europës Juglindore

487
Sigal

Në kuadrin e programit të bashkëpunimit ndërkufitar për Europën Juglindore, me mbështetjen e Bashkimit Europian, që prej më shumë se një viti ka filluar dhe po vazhdon me sukses faza e dytë e projektit me titull “Zgjerimi ndërkufitar i rrjetit të ECOPORT 8”, TENECOPORT, pjesë e aksit prioritar 2: Mbrojtja dhe Përmirësimi i Mjedisit.

Në fazën e parë të projektit ndërkufitar, “ECOPORT 8”, u përfshinë Universiteti Politeknik i Barit dhe Konsorciumi Universitar i Trajnimit dhe Inovacionit “Universus” Itali,  Insituti Ndërkombëtar i Meteorologjisë dhe Hidrologjisë së Akademisë së Shkencave Bullgare, Universiteti Politeknik i Tiranës, Shqipëri, Instituti Kombëtar i Gjeologjisë Detare dhe Gjeoekologjisë të Rumanisë, Instituti i Biologjisë Detare të Universitetit të Malit të Zi, dhe Instituti i Edukimit Teknologjik të Epirit Greqi si edhe gjashtë porte të këtyre vendeve. Në fazën e dytë zgjerimi i rrjetit përfshin edhe porte të tjera të rajonit të Europës Juglindore, duke arritur në dymbëdhjetë porte: Porti i Barit, Monopoli, Barleta ( Autoriteti Portual i Levantes), Porti i Brindizit,  Porti Patrës dhe Igumenices, Porti  i Burgasit dhe Varnes, Porti i Kostancës, Porti i Tivarit dhe Porti i Durrësit.

Hartimi i eko-hartave

Misioni i projektit është të punohet së bashku për krijimin e ekorrugëve detare dhe të shkohet drejt zhvillimit të qëndrueshëm të zonave portuale, me vizion t’u ofrojë vendimmarrësve mjetet dhe politikat e duhura për planifikimin e modeleve për rritjen e eficencës së rrjetit të korridoreve ndër-europiane.

Metodologjia e përdorur për këtë qëllim është hartimi i eko-hartave. U realizuan dhjetë eko-harta duke çuar në krijimin e një inventari të praktikave dhe problemeve, nëpërmjet vëzhgimit mjedisor në vend, grumbullimit të informacionit për situatën aktuale, duke përdorur fotot dhe të dhëna që mundësojnë palët e interesuara të përfshihen dhe të marrin pjesë në procesin e menaxhimit mjedisor, si ndotja e ajrit, ndotja e ujit, ndotja e tokës, menaxhimi i mbetjeve ( të ngurta dhe të lëngëta), konsumin e energjisë dhe burimeve natyrore, zhurmat etj. Krijimi i eko-hartave siguron një platformë diskutimesh të vazhdueshme midis palëve të interesuara të cilat mblidhen rregullisht, sipas çështjeve kritike mjedisore, në të ashtuquajturat grupe pune lokale ose tavolina të rrumbullakëta. Binjakëzimi midis porteve që kanë probleme të ngjashme mjedisore është një objektiv tjetër i projektit i cili po realizohet me sukses midis portit të Barit dhe portit të Durrësit.

Synimet e binjakëzimit

Synimet e këij binjakëzimi janë; zvogëlimi i shkarkimit ilegal të të gjitha llojeve të mbetjeve, krijimi i protokolleve dhe procedurave të përbashkëta për menaxhimin e mbetjeve të anijeve dhe përmirësimi i sistemit të menaxhimit, duke promovuar praktikat e grumbullimit të veçuar të mbetjeve sipas llojit. Metodologjia e ndjekur në portet e përfshira, duhet të përhapet edhe në portet e tjera jo të përfshira deri tani, me synim e rritjes e performancës mjedisore në zonat portuale dhe përreth.                                                                                                                           Gjithashtu projekti do të shërbeje për të ofruar studime fizibiliteti, në menaxhimin mjedisor të operatorëve të portit, dhe për të krijuar një task-force ndërkufitare që do të lidhë platformat vendore. Rezultatet dhe përvoja e përftuar  në portet e përfshira, nuk i shërben vetëm porteve, por mbron edhe cilësinë e mjedisit të qyteteve portuale, zonave bregdetare dhe ujërave detarë.

Konferenca

Në kuadër të fizibilitetit dhe promovimit të projektit një nga aktivitetet e parashikuara është zhvillimi i dy konferencave ndërkombëtare me fokus në zhvillimin e qëndrueshëm të korridoreve detare. Universiteti Politeknik i Tiranës në bashkëpunimin me Autoritetin Portual Durrës pati kënaqësinë e organizimit të Konferencës së parë Ndërkombëtare për  Zhvillimin e Qëndrueshëm të Korridoreve detare dhe Ujërave Bregdetarë, e mbajtur në 3 Prill 2014, pranë ambienteve të Universitetit. Konferenca zgjoi interesin e shumë specialistëve, profesorëve dhe punonjësve të institucioneve të ndryshme që operojnë në këtë fushë, vendas dhe të huaj. Si rezultat në konferencë u prezantuan  referime të  studimeve mjedisore të kryera për portet dhe zonat bregdetare, të cilat do të botohen së shpejti. Pjesëmarrja e përfaqësuesve të qeverisë, përkatësisht ministritë që lidhen ngushtësisht me zhvillimin e qëndrueshëm të transportit detar, ishte një vlerë e shtuar për konferencën. Zv. Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës Z.Ylli Manjani përshëndeti këtë iniciativë dhe nënvizoi në fjalimin e tij punën e madhe që është kryer gjatë projektit në sajë edhe te kontributit të çmuar të Universitetit Politeknik të Tiranës dhe nxori në pah problemet të cilat duhet të zgjidhen në të ardhmen, duke kërkuar ndihmën e Universitetit.  Gjithashtu Zv Ministrja e Mjedisit Znj. Oljana Ifti në fjalimin e saj parashtroi problematikat mjedisore në zonën bregdetare të vendit dhe përshëndeti projektin. Zv Ministri i Jashtëm Z. Alqi Puli, në përshëndetjen e tij vlerësoi bashkëpunimin frytdhënës midis institucioneve të Europës Juglindore të përfshira në këtë projekt, duke propozuar që në të ardhmen ky bashkëpunim të zgjerohet dhe të forcohet.  Të tre zëvendës ministrat dhanë dhe intervista për shtypin e huaj. Përfaqësuesi i ESPO (Organizata  e Porteve të Deteve  Europiane),  Dr. C. Wooldridge  mbajti një fjalim të gjatë  mbi politikat e sektorit të porteve Europiane drejt zhvillimit të qëndrueshëm, aplikimin e mjeteve dhe metodologjive të Eko porteve, dhe përgëzoi organizimin me sukses të  kësaj konference  me pjesëmarrje kaq të gjerë. Konferenca shërbeu edhe për shkëmbimin e eksperiencave me projekte të tjera të ngjashme, të cilat u prezantuan sipas programit të parashikuar.