Persona nën hetim, pronarë koncesionesh në Shqipëri

337
Sigal

Këta shtetas të huaj, kanë marr “OK” nga qeverisja e kaluar, në një kohë që ishin nën hetim nga organet e drejtësisë në vendet e tyre

Skandalet që janë bërë, por dhe po zbulohen me koncesionet e Portit të Durrësit, dhe koncesione të tjera, tashmë janë kthyer në objekt i detyrueshëm i punës për organet e hetimit. Privatizimet dhe koncesionet e kryera gjatë qeverisjes së para 23 qershorit, në shumicën e tyre u kryen në favor të  kompanive të huaja, apo edhe individëve, që kanë rezultuar me probleme me drejtësinë. Persona dhe kompani të tilla, janë zbuluar te koncesioni i kërkimit të naftës në det, dhënë një shtetasi  izraelit dënuar nga gjykata e Jeruzalemit, apo rasti i firmës që fitoi monopolin e prodhimit të pullave fiskale, e cila është në gjyq në Filipine për  vepra  penale. Edhe Lotaria Austriake është nën hetim në Austri për dhënie ryshfeti funksionarëve publikë, po ashtu firma franceze “Sazhem”, që mori monopolin e prodhimit të pasaportave biometrike dhe të kartave të identitetit në Senegal dhe në Nigeri për një kontratë 214 milionë dollarësh për karta identiteti nigeriane, është në gjyq për ryshfete, evazion fiskal etj. Kjo firmë po ashtu është në gjyq për vjedhje patente, e paditur nga firma “Nokia” në Gjykatën e Dyseldorfit.

-Koncesioni i terminalit të portit dhe personat e penalizuar

Ndërkohë dhënia me koncesion e terminalit (kalatës lindore) në portin e Durrësit gjatë fushatës elektorale të 23 qershorit, sërish shihet me dyshim nga organet  kompetente të kontrollit dhe hetimit. Sipas një shkrese zyrtare nr. 2091/3 datë 9 maj 2013 të Ministrisë së Punëve Publike dhe Transportit, informohet drejtori i ish-Autoritetit Portual Durrës, Eduard Ndreu se “ka hyrë në fuqi kontrata koncesionare “Për operimin, menaxhimin dhe mirëmbajtjen e Terminalit Lindor në Portin e Durrësit”. Por kjo kontratë kishte hyrë në fuqi, që në datën 6 maj 2013 dhe mbante firmën e drejtorit  ekzekutiv të Autoritetit Portual Durrës Eduard Ndreu, dhe përfaqësuesit të kompanisë koncesionare “EMS Shipping & Trading GMBH”, me pronar z. Heiko Luikenga. Nga pikëpamja juridike dhe nga pikëpamja ekonomike, ky koncesion ka paraqitur probleme të shumta ligjore, nga humbja financiare e shtetit shqiptar, tek diskriminimi i Shqipërisë dhe dëmi ekonomik që i shkaktohet operatorëve që do të shfrytëzojnë Portin e Durrësit për operacione importi-eksporti  apo tranziti. Një tjetër problem me këtë koncesion është edhe siguria kombëtare e Shqipërisë dhe siguria  e aleatëve tanë të NATO-s. Sipas një investigimi nga organet kontrolluese dhe hetimore, rezultoi se personi që ka fituar koncesionin një shtetas i huaj, ka pasur probleme me drejtësinë amerikane për  trafik ndërkombëtar armësh, ku faksimilet e dokumenteve gjyqësore janë botuar edhe nga shtypi amerikan. Në vitin 1992, bashkë me 9 të shtetas të tjerë, gjermanë, polakë dhe amerikanë, ata  akuzoheshin për vepra penale nga gjykata amerikane e distriktit të Nju- Jorkut. Ndër akuzat që i bëheshin të pandehurve të tjerë ishte “konspiracioni për t’i shitur armë kontrabandë me vlerë 96 milionë dollarë regjimit të Sadam Huseinit”. Ndër armët, që do t’i shiteshin asokohe Irakut ishin 73,000 copë automatikë kallashnikovë të prodhimit polak tip AKM ose KBK-AK47; 1,000 copë raketa kundërajrore MANPAD “Strela 2” dhe 4 000 bazuka (armë kundërtanke). Që në janar të vitit 1991, nëpërmjet një operacioni të llojit “blerje e stimuluar”, doganat amerikane kontaktuan grupin e të pandehurve, ku bënte pjesë edhe pronari koncesionit të terminalit H.L. Doganierëve amerikanë, të maskuar si kontrabandistë armësh, iu ofruan për shitje nga këta trafikantë edhe uranium, ndezës  për armë atomike, madje edhe bomba atomike taktike. Kundrejt një pagese prej 43,000 dollarësh, trafikantët dërguan në Amerikë 100 copë kallashnikovë si mostra, dhe 100 kallashnikovët u dërguan me avion nga Bullgaria në Roterdam (Holandë) dhe në Nju Jork, të futur në arka druri me mbishkrimin “pajisje teknike”. Pikërisht  kjo sasi kallashnikovësh u shtoi të pandehurve edhe akuzën për konspiracion për të futur armë luftarake kontrabandë në territorin e SHBA-së. Në grupin e të pandehurve bënin pjesë figura të larta të ish-regjimit komunist të gjeneralit polak Jaruzelski: përkatësisht dy-ish zëvendësministra; një gjeneralmajor, ish-zëvendës shef shtabi i Forcave të Armatosura të Republikës Popullore të Polonisë etj. Ky episod kontrabande armësh është i përfshirë edhe në librin “Russian Organized Crime Neë Threat” të autorit Phil Ëilliams. Qoftë gjatë  seancave gjyqësore, qoftë në artikuj të ndryshëm të botuar në mediet amerikane theksohet fakti se gjatë viteve tetëdhjetë të shekullit të kaluar z. Luikenga kishte transportuar disa herë armë kontrabandë në portet egjiptiane dhe pakistaneze. Pra koncesionari i një terminali të rëndësishëm në portin më të madh të Shqipërisë është një ish-kontrabandist armësh me përvojë të gjatë me probleme me drejtësinë amerikane që në fillim të viteve 90-të. Ortakët e tij në të këtë kontrabandë armësh janë ish-gjeneralë, ish-zyrtarë dhe ish-spiunë të rangut të lartë të Polonisë komuniste. Një qeveri e djathtë, me profil të spikatur antikomunist, me një ministër, që vetë kishte hequr të zitë e ullirit nga terrori komunist i jepte një koncesion të tillë një firme me një pronar të tillë problematik!!! Theksojmë, dokumentet që ilustrojnë artikullin tonë janë tërësisht nga burime të hapura informacioni lehtësisht të aksesueshme nga organet kompetente shqiptare (SHIK, Ministri e Punëve të Brendshme, Prokurori e Përgjithshme, Ministri e Transporteve dhe Infrastrukturës etj). Është çudi tipike shqiptare se si nuk arritën një batalion nëpunësish të shtetit, që paguhen nga taksapaguesit shqiptarë, të zbulojnë të kaluarën prej kontrabandisti armësh të z. Heiko Luikenga. Normalisht bëhet pyetja këta nëpunës shteti janë budallenj, që nuk i panë këto të dhëna nga burime të hapura informacioni, apo janë maskarenj, që kundrejt pagesës mbyllën sytë ndaj këtij kërcënimi potencial për sigurinë kombëtare të Shqipërisë dhe aleatëve të saj të NATO-s? Në Shqipëri kemi kontrabandistë armësh të famshëm ndërkombëtarisht, që janë bërë personazhe të faqeve të para të gazetave nga “Nju Jork Taims”-i e “Majemi Nju Tajms”-i deri te “Sabah”-u turk apo “Kjev Post”-i ukrainas. Kur kemi kontrabandistët tanë të armëve, të cilët kanë edhe mjetet e nevojshme financiare për të bërë investimet e duhura në terminal, pse duhet t’ia japim me koncesion terminalin një kontrabandisti armësh nga Gjermania? Ne kemi kontrabandistët tanë, prandaj thjesht për arsye patriotike nuk duhet t’ia kalonim koncesionin gjermanit. Me këto rreshta plot sarkazëm, ne duam thjesht të nxjerrim më në pah absurditetin e një koncesioni të tillë dhe të hedhim hipotezën nëse fshihet ndonjë shqiptar apo grup shqiptarësh mbrapa këtij investitori gjerman, ish-kontrabandist armësh. Në këtë koncesion na tërheq gjithashtu vëmendjen edhe këmbëngulja e z. Luikenga për të pasur cikël të mbyllur të shfrytëzimit të Terminalit Lindor d.m.th ai të kontrollojë jo vetëm koncesionin, por edhe agjencinë detare, agjencinë doganore, firmën e ngarkim shkarkimit, sigurinë (security) në terminal etj. Pra, sa më pak sy dhe veshë problematikë, sa më pak hundë-futje në terminal!!! Madje edhe dalja nga terminali bëhet nëpërmjet një porte të veçantë, që nuk është nën kontrollin e përhershëm të doganierëve të drejtorisë së doganës Durrës, as nën kontrollin e ekipeve të antikontrabandës të dërguara nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave. Në terminal nuk ka zyra (madje as zyrë-kontejner), ku të punojnë doganierët. Në rastin më të mirë prezenca e doganierëve në terminal do të jetë sporadike, kjo gjë duhet parë gjithnjë në kuadrin e pasjes sa më pak syve dhe veshëve të bezdisshëm në këtë terminal. Në këtë kontekst, është për të ardhur keq që Kryeministri Rama, kur inspektoi doganën e Durrësit, i qau hallin doganierit, i cili kishte blerë karrigen e zyrës me paratë e xhepit të vet, apo punonte në një zyrë-kontejner të ndryshkur, që premtoi se do të ndërtoheshin zyra moderne të standardeve evropiane për doganën e Durrësit etj., etj., por nuk u mor fare me problemet e mprehta të sigurisë dhe të luftës antikontrabandë, që shkaktohen nga porta e terminalit lindor, e paruajtur nga dogana. Një portë e tillë automatikisht e shndërron Portin e Durrësit në një han me porta të shqyera.

I kujtojmë miqësisht Kryeministrit Rama se padituria e tij proverbiale për sa u përket problemeve të sigurisë kombëtare, nuk është justifikim i mjaftueshëm për të mos e çmontuar këtë koncesion të dhënë nga administrata në ikje e sipër e ish-Kryeministrit Berisha. Çmontimi i këtij koncesioni, qoftë edhe vetëm për arsye të sigurisë kombëtare, është plotësisht i justifikueshëm. Nga ana tjetër, është tejet e habitshme që ambasada gjermane në Tiranë nuk njeh këtë anë të errët të biznesmenit bashkatdhetar, ndonëse shërbimet sekrete kanë sinjalizuar. Ligjet gjermane janë të rrepta dhe për investimet që bëjnë shtetasit e vet jashtë vendit. Jo vetëm kaq, diplomatët kanë ndikuar që t’i jepet “certifikatë virgjërie” z. Heiko Luikenga, duke përdorur një zyrtar të lartë të qeverisë gjermane si z. Burgbacher, gjë që përbën skandal për vetë Bonin, po të publikohet ky rast. Sikurse është bërë e ditur, një delegacioni i biznesit gjerman, i udhëhequr nga Ernst Burgbacher, sekretar parlamentar në Ministrinë Federale të Ekonomisë dhe Teknologjisë, vizituan, së bashku me ambasadorin gjerman në Shqipëri, Z. Helmut Hoffmann paraditen e 3 tetorit 2013 – Ditën e bashkimit të Gjermanisë – portin e Durrësit (shih foton). Në fjalën e tij të përshëndetjes Ernst Burgbacher tha: “Jam në dijeni që këtu operojnë edhe disa kompani gjermane përmes investimit të tyre dhe shpreh vlerësimin tim për këtë marrëdhënie të ndërsjellë, zhvillimi të ekonomisë. Do të keni mbështetjen tonë edhe me tej”. Delegacioni gjerman zhvilloi një vizitë dyorëshe edhe në terminalin lindor, duke përgëzuar koncesionin dhënë një ish-trafikanti armësh!Bie në sy fakti që lidhur me këtë vizitë z. Burgbacher, i pyetur nga radioja gjermane “Dojçe Vele” se nëse është gjetur një zgjidhje lidhur me pakënaqësitë e palës gjermane për faktin që për asistencën e dhënë për Shqipërinë kërkohen që të paguhen edhe taksa doganore, tatime apo tarifa të tjera, kur kjo shkon në kundërshtim me marrëveshjet kontraktuese, ai u përgjigj: “Gjermania është donatori më i madh në vend përllogaritur për frymë popullate. Edhe ka pasur probleme në këtë kontekst, të cilat janë adresuar dhe trajtohen hapur. Kemi marrë sinjale që këto çështje do të zgjidhen në periudhën më të shkurtër të mundshme, që është dhe sinjal konkret për investitorët gjermanë në kushtet për të bërë biznes në Shqipëri”. Nisur nga citimet e mësipërme, mund të spekulohet se Gjermania do të japë OK-in për pranimin e Shqipërisë në BE nëse nuk anulohen koncesionet në portin e Durrësit.  Edhe pas 10 vjetësh nuk është nxjerrë mësim nga skandali i “aferës së vizave”, kur u vu në shënjestër të drejtësisë gjermane selia diplomatike në Tiranë (shih faksimilen e gazetës gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung” e 20 shkurtit 2004). Në pritjen e vitit të ri, më 22 janar 2014, në ambasadën gjermane në Tiranë, përfaqësuesit e biznesit gjerman në Shqipëri i dorëzuan një letër pozicionimi (nënshkruar nga presidenti i DIHA-s Rolf Castro-Vasquez drejtuesi i Tirana International Airports dhe zëvendëspresident Jens Strober, i zgjedhur më 17 qershor 2013, “mëkëmbës” i z. Heiko Luikenga në terminalin lindor, shih faksimilen në fund të faqes), nën moton “20 hapa për ekonominë shqiptare. Përveç zëvendëskryeministrit të Republikës së Shqipërisë, z. Niko Peleshi, kjo letër iu dorëzua edhe z. Arben Ahmetaj (Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes), z. Damian Gjiknuri (Ministri i Energjisë dhe Industrisë) dhe z. Edmond Haxhinasto (Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës), të pranishëm në pritjen e dhënë. Në fjalën e tij përshëndetëse, ambasadori z. Hellmut Hoffmann  u shpreh se “kompanitë kanë nevojë të sigurohen se vendimet politike, gjyqësore e administrative, që lidhen me klimën e investimeve, janë korrekte dhe transparente. Pala gjermane do të dëshironte të mbështeste Shqipërinë, për të përmirësuar imazhin e saj si dhe për të tërhequr investime të reja. Kusht  parësor për këtë mbetet gjithsesi, përvoja që krijojnë ata investitorë që janë tashmë në Shqipëri”. Një fakt mbetet pozitiv dhe shpresëdhënës për një vendim të drejtë edhe nga organet e drejtësisë, ai i ministrit Haxhinasto, i cili në atë takim  kërkoi “mirëkuptim lidhur me nevojën e pashmangshme për kontrolle në koncesionet ekzistuese”, pra  la të nënkuptohej se, premtimi për hetimin e tyre do të jetë realitet. Ajo që mbetet e paimagjinueshme, është fakti se si kanë mundur këta shtetas të huaj, të marrin “OK” nga qeverisja e kaluar, në një kohë që ishin nën hetim nga organet e drejtësisë në vendet e tyre. Këtë mbetet ta zbardhë drejtësia shqiptare.

Nga Behar Hoxha