“Air Albania” nis fluturimet duke i zënë vendin “Turkish Airilines”. Ja manipulimet e kompanisë me çmimet e biletave

508
Sigal

Ja sa kushtojnë udhëtimet me kompaninë shqiptare dhe manipulimet që bëhen me çmimet

“Air Albania” nis fluturimet, duke i zënë vendin “Turkish Airlines”

Mbrëmjen e së premtes “Air Albania” kreu fluturimin e parë zyrtar nga Tirana për në Stamboll. Në faqen zyrtare të Aeroportit të Rinasit, në orarin e nisjeve u listua fluturimi me numrin “ZB 1003” që është dhe kodi ndërkombëtar i “Air Albania”. Sipas të dhënave ky nuk është një fluturim shtesë nga “Air Albania”, por ai zëvendëson itinerarin e “Turkish Airline”, duke qenë se ajo është aksionere tek kompania e shqiptare e fluturimeve. E thënë ndryshe, fluturimit drejt Stambollit i ka ndryshuar vetëm emri, pasi po t’i referohemi edhe çmimeve ato janë njësoj, pa ndonjë ndryshim nga tarifat që aplikon online kompania turke. Aktualisht, askush nuk mund të kryeje prenotime apo të bëjë një pagesë bilete drejt Stambollit nën emrin “Air Albania”. Sipas informacioneve nga Drejtoria e Aviacioni Civil, plani i fluturimeve është i njëjtë, çka do të thotë se do të ketë dy fluturime në ditë drejt Stambollit, një në mëngjes dhe një në mbrëmje. Se si do të vijojë në ditët pasardhëse, kjo mbetet për t’u parë, kur të behët efektive faqja online e kompanisë për t’u dhënë mundësi qytetarëve të presin biletat. Ndërkohë zyrtarë të ministrisë kanë pohuar se gjatë periudhës së verës pritet nisja e fluturimeve drejt destinacioneve si Romë, Milano, Bolonjë dhe më tej në Londër. Aktualisht sipas burimeve zyrtare qeveria është në fazën për gjetjen edhe avionëve të tjerë që do të vihen në dispozicion të kompanisë “Air Albania”. Procesi i krijimit të “Air Albania” nisi rreth një vit më parë, kur shoqëria “Air Albania” bëri pranë qeverisë shqiptare kërkesën për krijimin e një kompanie fluturimesh kombëtare.

Manipulimet me çmimet

Nëse një qytetar do të fluturojë për në Stamboll nga Tirana të martën, në datë 25 prill në sistem bileta e tij kushton 15,200 lekë. Nëse zgjedh datën 27, çmimi është vetëm për vajtje 46,976 lekë, sipas faqes zyrtare https://www.airalbania.com.al/en/. Nëse t’i zgjedh të fluturosh nga Tirana për në Stamboll në një udhëtim vajtje-ardhje në datat 25 prill – 30 prill çmimi total i biletës kushton 44 500 lekë. Në rast se nisjen e zhvendos në datë 30 prill dhe kthimin në dy maj mund të sigurosh një çmim më ekonomik, pasi nga Tirana në Stamboll çmimi është 18 106 lekë, kurse nga Stambolli në Tiranë vetëm 6000 lekë. Por, edhe pse duket një çmim ekonomik, pasi bën kthimi është 6000 lekë, në të vërtetë nuk ndodh kështu. Kur ti bën zgjedhjen e biletës dhe kalon në seksionin që duhet të të tregojë totalin nuk merr vlerën 24 106 lekë, por 35 279 lekë. Kjo do të thotë që çmimet që reflektohen nga kompania nuk përfshijnë taksat dhe këtë klienti e kupton vetëm kur ndodhet para rezervimit.