Aeroporti i Vlorës, dorëzimi i ofertës dhe ndikimi te Rinasi

1843
Sigal
Pista dhe terminali do të ndërtohen në zonën e Akërnisë. Kush janë bizneset turke që do të angazhohen dhe si preket koncesioni i “Nënë Terezës”
Kryeministri Edi Rama njoftoi dje mbërritjen e një kërkese zyrtare për ndërtimin e aeroportit kombëtar të Vlorës. “Kemi kërkesën zyrtare për investimin e madh strategjik të aeroportit të ri kombëtar të Vlorës. Deri në qershor hapja e kantierit”, u shpreh shefi i qeverisë. Gjithashtu, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë bëri me dije se një konsorcium me tre kompani në përbërje të tij ka dorëzuar një ofertë për ndërtimin e Aeroportit të Vlorës. Sipas njoftimit, tashmë do të vijohet me fazën e radhës së vlerësimit nga ana e dy ministrive, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe ajo për Financat dhe Ekonominë. Në njoftimin zyrtar, Ministria e drejtuar nga Gjiknuri, bën me dije se kompanitë kanë marrë përsipër të bëjnë investimin me fondet e tyre dhe jo përmes buxhetit të shtetit. “Në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë është paraqitur shprehja e interesit për projektin e Aeroportit të Vlorës. Sipas propozimit, aeroporti mendohet të ndërtohet në zonën e Akërnisë. Oferta është paraqitur nga një konsorcium i tre kompanive ndër më seriozet, të cilat janë: “Cengiz Construction”, “Kalyon Construction” dhe “Kolin Construction”. Me marrjen e ofertës, do të ngrihet një grup i posaçëm me përfaqësues nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë që do të shqyrtojnë aspektet teknike të propozimit dhe do të ndjekë hapat e mëtejshëm në përputhje me përcaktimet ligjore”, thuhet në njoftimin zyrtar.

Aeroporti i Vlorës është cilësuar nga qeveria si një nga projektet më të rëndësishme në sektorin e transportit ajror. Ai është lidhur direkt si një projekt me ndikim në turizëm dhe zhvillimin e rajonit në Jug të vendit. Jo rastësisht, ndërtimi është vendosur në zonën e Akërnisë, pasi aty është një aeroport ekzistues, bazë ushtarake.

Efektet te Rinasi
Nisja nga puna e një aeroporti të ri, veç atij të Kukësit, do të prekë edhe marrëveshjen koncesionare për aeroportin e Rinasit. Në shtesën e kontratës të bërë në vitin 2016 theksohet edhe fakti se për çdo aeroport të ri të hapur do të zgjatet afati i koncesionit të Rinasit. Data e fillimit të kësaj marrëveshjeje koncesionare është 23 prill 2005. “Koncesioni jepet për një afat kohor prej 22 vitesh, duke filluar nga data e fillimit (Afati i koncesionit). Në rast se ndonjë aeroport apo aeroporte, përveç Aeroportit të Kukësit, fillon operimin (për fluturime tregtare (që për këtë qëllim do të thotë data në të cilën kryhet fluturimi i parë tregtar) në Republikën e Shqipërisë përpara datës 23 prill 2025 (operimi i një aeroporti të ri tregtar), afati i koncesionit do të zgjatet si më poshtë (zgjatja e afatit të koncesionit nuk do të tejkalojë limitin maksimal prej 4.5 (katër pikë pesë) vite në total)”, theksohet në ndryshimet e vitit 2016. Pra koncesioni i Rinasit do të zgjasë deri më 2027 dhe në varësi të fluturimit të parë nga Vlora do të shtyhet sërish. Nëse fluturimi i parë nga Vlora do të bëhet brenda vitit të ardhshëm, atëherë koncesioni i Rinasit do të mbyllet vetëm në vitin 2030. “Zgjatja e afatit të koncesionit (sipas tabelës) do të aplikohet për rastin e parë të operimit të një aeroporti të ri tregtar, pavarësisht numrit të aeroporteve të tjera, të cilat mund të fillojnë operimet brenda këtij afati kohor”, theksohet në marrëveshjen e 2016-s të qeverisë “Rama” me koncesionarin. Marrëveshja koncesionare dhe monopoli i fluturimit nga Rinasi janë vlerësuar edhe arsyet kryesore të çmimeve të larta të biletave për udhëtarët që dalin nga Shqipëria. 

Viti në të cilin aeroporte të tjera vihen në funksion Zgjatje e afatit të koncesionit në vite:
2016 4.5
2017 4
2018 3.5
2019 3
2020 2.5
2021 2
2022 1.5
2023 1
2024 0.5
2025 0
Pjesë nga marrëveshja për Rinasin
“Qeveria e Shqipërisë do të sigurojë se gjatë afatit të koncesionit, përveç aeroporteve të përjashtuara, nuk do të licencohet, autorizohet dhe as operohet aeroport tjetër, për fluturime ndërkombëtare tregtare (kargo dhe pasagjerë), në një rreze prej 100 km (ajrore) nga Tirana International Airport “Nënë Tereza”, me përjashtim të uljeve emergjente. Asnjë kusht i kësaj kontrate nuk do të kufizojë përdorimin e ndonjë aeroporti në Republikën e Shqipërisë për qëllime të ndihmave humanitare ose të ndihmave emergjente në kohë katastrofash ose emergjencash civile në Republikën e Shqipërisë ose në territoret fqinje”.
NOA