24 mijë banorë të zonave rurale dalin nga skema e sigurimeve

605
Sigal

Kriza e vetëpunësimit – Banorët e zonave rurale rrezikojnë të përballen me një varfëri ekstreme në të ardhmen

24 mijë të vetëpunësuar dolën nga skema e sigurimeve, më 2018-n

Vetëpunësimi ka një peshë të lartë, rreth 35% në totalin e punësimit në Shqipëri, por vitet e fundit, numri i të vetëpunësuarve po bie me shpejtësi edhe si rrjedhojë e ndryshimit të strukturës së ekonomisë, ku shitjet e pakicës po shkojnë drejt njësive më të specializuara, si qendrat tregtare dhe supermarketet. Sipas të dhënave zyrtare nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore, në vitin 2018, numri i vetëpunësuarve që paguan sigurime shoqërore shënoi 86 mijë e 796 persona nga 110,477 persona që ishin më 2017, duke shënuar rënie me 23,676 persona, ose 21% më pak se një vit më parë. Vetëpunësimi dominohet nga sektori i tregtisë dhe shërbimeve, për vite me radhë ka qenë promotori i punësimit në vend, teksa ekonomia e centralizuar u shemb për t’u orientuar drejt tregut. Por vitet e fundit, avancimi i supermarketeve dhe qendrave tregtare, bashkë me aksionet kundër informalitetit i kanë vënë në vështirësi të vetëpunësuarit që kishin si avantazh kryesor informalitetin. Kështu nga viti 2015, që kur nisi një aksion kundër informalitetit, numri i të vetëpunësuarve u rrit, por më pas ata nuk mundën të mbijetonin, ndaj numri i këtyre po bie me shpejtësi.

Shqipëria, vendi me normën më të lartë të vetëpunësimit në Rajon

Në krahasim me vendet e rajonit, Shqipëria ka një normë shumë të lartë të vetëpunësimit. Në rajon, pas Shqipërisë renditet Kosova, ku norma e vetëpunësimit ndaj totalit të të vetëpunësuarve, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës për vitin 2017, përllogaritet 23.5%. Në vend të tretë, për normë të lartë vetëpunësimi, renditet Serbia, ku përqindja e të vetëpunësuarve llogaritet të jetë 21.4%, sipas Zyrës Statistikore të Republikës së Serbisë. Gjysma e të vetëpunësuarve në Serbi janë në sektorin e bujqësisë. Mali i Zi e ndjek me një diferencë të vogël për sa i përket vetëpunësimit, i cili llogarit se 19.1% e të punësuarve janë të vetëpunësuar, sipas Zyrës Statistikore të Malit të Zi. Maqedonia dhe Bosnja kanë një normë më të ulët të vetëpunësimit me përkatësisht 12.8% dhe 12.7%, sipas statistikave zyrtare. Shqipërisë i mungojnë ndërmarrjet e mëdha. Vetëm 41 kompani kishin më shumë se 500 punonjës, sipas renditjes së 100 punëdhënësve më të mëdhenj, të publikuar me Tatimet. Ndërsa rreth 100 kompani kanë më shumë se 250 punonjës, (në Shqipëri ka rreth 108 mijë ndërmarrje aktive në fund 2017). Për krahasim, Maqedonia, sipas statistikave zyrtare, ka 233 kompani me më shumë se 250 të punësuar, nga të cilat 70 janë në sektorin e industrisë përpunuese (në Maqedoni kishte gjithsej 71.5 mijë ndërmarrje në fund të 2016-s, sipas statistikave zyrtare).

Banorët e fshatit në krizë të thellë

Ata që jetojnë aktualisht në fshat rrezikojnë të përballen me një varfëri ekstreme në të ardhmen, për shkak të rënies së produktivitetit të punës që po reflektohet në shmangien e pagesës së sigurimeve. Sipas të dhënave zyrtare nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore, vitin e kaluar, numri mesatar i kontribuuesve ruralë në skemë ishte 58,940 persona, me vetëm 414 kontribuues më shumë se një vit më parë. Teksa të ardhurat nga kontributet u rritën me 5% gjatë vitit të kaluar, të ardhurat nga kontributet e të vetëpunësuarve në bujqësi u rritën vetëm 0.5% në raport me vitin 2017. Gjithsej u grumbulluan 2.1 miliardë lekë, duke zënë vetëm 2.3% të totalit të të ardhurave nga kontributet. Sipas të dhënave nga anketa tremujore e forcave të punës, në fund të vitit të kaluar, u numëruan 456 mijë të punësuar në bujqësi, duke zënë 38.2% të totalit në punësim. Por, nga të dhënat e Institutit të Sigurimeve, vetëm 59 mijë fermerë paguan sigurimet shoqërore më 2018, ose 12.7% e atyre që qeveria numëron si të punësuar në bujqësi./Monitor