Niko Thomo-Profesor i Mirësisë

1296
Sigal

Ngrihu fisnik, një valle pri!

U nda këto ditë nga jeta prof. Niko Thomo, personalitet i veçantë akademik në fushën e fizikës, personazh i dashur dhe i respektuar për të gjithë studentët që kanë pasur fatin ta kishin pedagog; përfaqësuesi më i shquar dhe më i denjë i shkollës shqiptare të fizikës që ka punuar e krijuar me tri gjenerata: profesorët, moshatarët e studentët e tij, duke mbetur miku, mbështetësi dhe modeli i tyre, modeli i intelektualit, njeriut me vlera që siç thoshte Ajnshtajni “Vlera e një njeriu do të shihet qartë tek ajo se sa jep dhe jo tek ajo se sa ai është në gjendje të marrë”. E, prof. Niko Thomo më shumë ka dhënë, sesa ka marrë. Këtu qëndrojnë vlerat e tij si njeri. Ndaj i jam mirënjohës për gjithçka na ka dhënë me ngrohtësi dhe dashuri këtij “Mjeshtri të madh të punës”. Burrë i gjatë, i pashëm, me leshra të shpupuritura e të thinjura, kaçurrel, trupmadh me një shikim të ëmbël, gjithnjë i natyrshëm, asnjëherë pozant dhe kërcënues, tepër i sjellshëm kur përshëndeste, asnjëherë i nervozuar, i papërtuar për të ndihmuar çdokënd – i tillë ishte prof. Niko Thomo, i cili bëri një ikje të natyrshme deri në momentin e fundit si pedagog pranë një studenti, një ikje si një ëndërr e bukur. Ikje fizike, por jo shpirtërore.

Nuk është e lehtë, përballë një portreti të tillë të bukur dhe fisnik të flasësh, të shkruash, të gjesh të veçantën, origjinalen, individualen, pse jo dhe intriguesen.

Ky njeri, prej shumë vitesh, e ka kaluar shumë e shumë herë pikën e mbingopjes së një personi, personazhi dhe personaliteti me kaq e kaq të veçanta, sa e ke të vështirë që ta selitësh si duhet fjalën tënde të gjetur e të mençur, për ta hedhur në letër mençurinë e tij, idealizimin, modestinë e ndershmërinë, paksa të vjetruar për kohën, erudicionin e tij, përkushtimin e tij atdhetar, atë përcjellje të traditës së mirëfilltë korçare, të paktën, kur ai këndonte serenatat në rrugicat e bukura të Korçës, në vitet e rinisë. Këto cilësi, ai i ka rrezatuar vetë, por ua ka dhënë edhe studentëve të tij, familjarëve dhe miqve.

Pasioni, vullneti, dashamirësia, elokuenca dhe kultura e gjerë në Fizikë dhe Matematikë e këtij profesori të nderuar dhe respektuar kanë motivuar breza të tërë mësuesish e fizikanësh në të gjithë Shqipërinë.

Njeriu, i cili aq shumë ka bërë për të ngritur kulturën tonë në fizikë, gjithmonë i papërtuar, i gatshëm në çdo moment për të ndihmuar me ide, këshilla, vërejtje, sugjerime, literaturë. Ky njeri është dhe do të mbetet model i pedagogut dhe mësuesit të urtë e të mirë, i cili rrezatonte tek studentët dashamirësi, humanizëm, kulturë, sinqeritet, komunikim e mbi të gjitha të impononte me personalitetin e tij intelektual e shkencorë të padiskutueshëm.

Përveçse diturisë, që përcaktonte tek studentët, prof. Niko falte mirësi, respekt e dashuri për njeriun, jetën. Ai, si ajo bleta, që aq bukur thur hojet e mjaltit në koshere, dinte të ndërtonte marrëdhënie shembullore me njerëzit, studentët, kolegët. Tek të gjithë emetonte dritësimin brilant të dashurisë njerëzore, madje të bënte përshtypje se ai mbante mend gati të gjithë emrat e studentëve të cilët e takonin me shumë respekt e mall, gjë që jo gjithmonë ndodh me pedagogët e sotëm.

Po, kush ishte prof. Niko Thomo?

Lindi në 24 dhjetor 1933 në Korçën e bukur. Profesor Niko Vasil Thomo, ka mbaruar studimet e larta në degën Matematikë-Fizikë në 1955 me rezultate të larta dhe po atë vit është emëruar pedagog në Katedrën e Fizikës, në fillim në Universitetin Politeknik dhe me krijimin e Universitetit të Tiranës më 1957, në këtë Universitet. Më 1992, me krijimin e Universitetit Politeknik, kalon në Departamentin e Fizikës së këtij Universiteti deri më 1998, vit në të cilin del në pension. Vazhdoi të aktivizohet si pedagog pranë Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë si dhe si pedagog i jashtëm në Universitetin Politeknik të Tiranës.

Profesor Niko Thomo i takon një brezi të talentuarish, që në gjysmën e dytë të viteve ‘50 iu bashkuan grupit të pedagogëve më të vjetër e të nderuar të Shkencave të Natyrës si S. Kuneshka, K. Popa, P. Pilika, K.Fundo, A.Minga etj.. Kjo periudhë përkonte me krijimin e Universitetit të Tiranës. Ajo shtroi si detyrë parësore përpjekjet për t’u dhënë fizionomi të denjë universitare shkollimit tonë të lartë dhe për të hedhur bazat e kërkimit shkencor të këtij institucioni.

Profesor Niko Thomo ka një aktivitet shumë të gjatë pedagogjik e shkencor në fushën e arsimit të lartë, plot 60 vjet. Ai ishte një nga pedagogët e parë të Fizikës në universitet që ka vënë themelet e mjaft lëndëve të reja moderne, të domosdoshme për ngritjen e nivelit të shkollës së lartë. Firmën e tij e mbajnë leksionet e para në Kristalografi, në Fizikën e atmosferës, në Mekanikën e lëngjeve, në Mekanikën Kuantike, në Fizikën e trupit të ngurtë e në Fizikën teorike. Aktiviteti i tij i shumanshëm pedagogjik ka kontribuar në përgatitjen e brezave të tërë specialistësh të fizikës e inxhinierisë, ashtu si dhe në udhëheqjen e 15 doktorantëve. Në vitin 1974 ka marrë titullin “Docent”, ndërsa në 1994 titullin “Profesor”.

Për disa vjet rresht, prof. Niko Thomo u dallua për këmbëngulje, zell e vullnet në procesin shumë intensiv e kolektiv të një kualifikimi të thelluar dhe plotësimi të spektrit të kulturës fizike me arritjet me disiplina që përbënin indin themelor të fizikës bashkëkohore. Vetëm mbi këtë bazë solide mund të fillonte diversifikimi i interesave sipas degëzimeve të mëdha të fizikës. Profesor Niko Thomo me kulturë matematike solide, zgjodhi Mekanikën Kuantike, ku shfaqi potencialin e vet intelektual.

Profesor Niko Thomo ka bërë një sërë specializimesh në fushën e Kristalografisë me pedagogë të huaj; në vitin 1960 për një periudhë 4 –mujore është specializuar për rritjen e kristaleve në Budapest pranë Universitetit Teknik dhe në vitin 1971 në Kinë, për gjysmëpërçuesit.

Mjaft e shquar është prodhimtaria botuese e shkencore e prof. Niko Thomos. Ai është autor i 11 teksteve të reja universitare, monografive, 15 artikujve shkencore, 11 studimeve shkencore. Ai është një nga iniciatorët më të suksesshëm të aplikimit të fizikës së trupit të ngurtë në prodhim. Studimi i tij në fushën e gjysmëpërçuesve në vitin 1977 u vlerësua me çmimin e “Republikës së Klasit të Parë”. Për veprimtarinë e shquar mësimore dhe shkencore është dekoruar dy herë me dekoratat “Naim Frashëri III” dhe “Naim Frashëri II”.

Prof. Niko Thomo, jo vetëm që ka një emër të nderuar dhe një vepër dinjitoze, të cilës do t’i referohen vazhdimisht brezat, por mbi të gjitha ai ishte modest e i ndershëm. Jetonte thjesht, në një apartament të vogël, ku kishte improvizuar në kuzhinën 15m2 “studion” e tij: një tavolinë e vogël mbushur me librat që përdorte, dy divane të thjeshta, një raft si “bibliotekë” që zinte dy faqe muri plot me libra, kompjuteri dhe televizori.

Sa futeshe në shtëpi, pas përshëndetjeve, zonja e shtëpisë Nini, bënte qerasjet e rastit dhe pastaj ulej dhe ajo për të dëgjuar. Një grua elegante, me kulturë, shumë dashamirëse, shumë e kujdesshme me prof. Nikon, aq sa me shaka i thoshim: “Në pëllëmbë të dorës të mban Nini” – dhe ai pohonte me kokë dhe buzëqeshte. Dhe me të vërtetë, sa herë prof. Niko vinte në Universitetin e Vlorës për të dhënë mësim, Nini mund të merrte pothuajse çdo orë në telefon për t’u informuar për gjendjen shëndetësore të tij. Me këtë dashuri e përcolli deri në fund duke i ndenjur tek koka gjithë natën me përpjekjet e saj për ta nxjerrë nga gjendja e komës. Ky ishte mjedisi dhe familja e këtij profesori të madh që nuk ishte as politikan, as biznesmen e as deputet, sepse ai kishte ideale të caktuara të cilat përcaktonin drejtimin e sjelljeve dhe gjykimeve të tij. Ai asnjëherë nuk i ka parë qetësinë dhe lumturinë si qëllime në vetvete. “Një ideal i tillë unë e quaj më të përshtatshëm për një ruajtës derrash. Idealet që më kanë ndriçuar në rrugën time dhe kohë mbas kohe më kanë dhënë kurajë për ta pritur jetën me gëzim, kanë qenë e Vërteta, Mirësia dhe Bukuria”. Këto fjalë të Ajnshtajnit janë adekuate për prof. NikoThomon!

Një emër me prestigj të lartë, një autoritet shkencor e didaktik. Jo çdokush mund të arrijë një profil të tillë. Ndërtimi i personaliteteve të tilla nuk është i rastësishëm: bëhet i tillë ai, që i ka të dhënat fillestare për të ecur në fushën e vet, bëhet i tillë ai, që investon kohën dhe jetën e vet, bëhet i tillë ai, që lidh mësimdhënien me punën e tij hulumtuese e kërkimore e shumë gjëra të tjera. I tillë ishte Prof. N. Thomo! Personalitete të tilla akademike, që vendi ynë i varfër i ka me pakicë, janë pasuria e tij dhe kjo pasuri është mirë të trajtohet ashtu siç meriton dhe siç duhet për të mirën e vendit.

Prof. Thomo si mësimdhënës e si koleg

Si mësimdhënës, ai kishte aftësi dhe cilësi të veçanta që t’i paraqiste çështjet në mënyrë të atillë që të bëheshin interesante, edhe kur nuk ishin të tilla. I ngadalshëm në të folur, gjithmonë në këmbë pranë dërrasës së zezë, duke folur dhe shkruar gjithë ato formula të gjata me “psi” dhe “ksi”- të e Mekanikës Kuantike. Ato që shqiptonte ai, studentët përpiqeshin t’i përpinin. Në pamjen dhe sjelljen e tij kishte diçka madhështore që të tërhiqte e të bënte për vete. Leksionet e tij, ndoshta të vështira, ishin të kuptueshme. Në to sundonte analiza logjike, argumentimi, thjeshtësia dhe qartësia. Në marrëdhëniet me ne, na trajtonte sikur të ishim të barabartë. Ai të krijonte kushte dhe të aftësonte për të mësuar. Dhe këtë e bënte me shumë ngrohtësi dhe profesionalizëm. Të mësonte me zemër dhe jo me libër, të mësonte se si duhet të mësosh, të tregonte sekretin e punës, çelësin e efektivitetit – metodën shkencore – mënyrën për të eliminuar jo thelbësoren, rrugën më të shkurtër të studimit. Më tepër sesa detyra shtëpie të jepte gjithmonë diçka për të menduar më thellë dhe më tej. E këtë ai e konsideronte, jo si detyrë thjesht pedagogjike, por si një detyrë qytetare, prindërore dhe edukative. Prandaj, edhe e respektonin të gjithë studentët e të gjithë brezave që ai u ka dhënë mësim, që nga Konispoli e deri në Vermosh, kudo, dyert i kish të hapura, si asnjë tjetër. Respektohej dhe nderohej. Sepse në këtë respekt dhe nderim përfshihej autoriteti dhe jo forca, toleranca dhe jo abuzimi, afërsia komunikuese, dashuria, ngrohtësia, barazia e mbi të gjitha drejtësia. Për ne, Departamentin e Fizikës në Universitetin e Vlorës, prof. Niko ka qenë dhe mbetet një mik, mbështetës e model i veçantë. Prej vitit 2007-2011, ai ka qenë pedagog pranë departamentit tonë. Studentët e Matematikë-Fizikës së Universitetit të Vlorës nuk do t’ju harrojnë, por gjithmonë do t’ju vlerësojnë për leksionet tuaja, për udhëheqjen e diplomave e për të gjitha këshillat dhe mendimet racionale që ju përçonte atyre në auditor. Por jo vetëm studentët! Por, edhe pedagogët e Fizikës, Matematikës, Kimisë etj., që ju u bëtë miku dhe udhëheqësi i tyre duke i ndihmuar për çdo problem. Të kujton me respekt prof. Spiro, prof. Bilali, Silvana, Astriti, Valbona, Petriti, Petraqi, e shumë të tjerë. Ju ishit një vlerë për Universitetin e Vlorës. Dhe vlerat i vlerëson vetëm ai që është i ditur, i mençur, human e mbi të gjitha intelektual. I tillë ishte Rektori i këtij universiteti prof. Tanush Shaska, i cili propozimin e Departamentit të Fizikës për “Doktor Honoris Causa” e realizoi menjëherë duke treguar se ikonat e arsimit duhen vlerësuar për së gjalli dhe jo pas vdekjes. Dhe të gjithëve u kujtohet ceremonia e bukur e organizuar atë ditë të dhënies së titullit “Dr.Honoris Causa” prof. Niko Thomos. Aq sa poeti Albert Abazi i kushtoi edhe një poezi të merituar me titull:

“I Falem Diturisë”

E bukur kjo festë na del

Si stafetë për të tjera

Një zambak i freskët çel

Shtatëdhjet’ e shtat’ pranvera!

 

U lind në Korçën me emër,

Emër në Tiranë bëri,

Dritare me drit’ të kthjellët

Në Vlorë ndihet i tëri.

 

Nxënës i Sotir Kuneshkës

Ndezi prushin për studentët,

U dha flak’ nga zjarr’ i shkencës

Ia shpërblejnë sot komponentët.

 

Fizik’ e trupit të ngurtë,

Mekanika Kuantike

I thonë Nikos: Të lumtë,

Se ndër shoqe lart na ngrite!

 

Mësues për profesorë

Niko Thomo Profesori,

Me dinjitet vjen në Vlorë,

As martiri, as shenjtori…

 

Nikon – Universiteti

Honoris Causa e ka,

Rruazë sinqeriteti

Me fisnikëri e mban.

 

Profesor Niko, respekt

Do kesh përherë në Vlorë,

Se në Universitet

Vure skeptër e kurorë.

 

Dhe rrezaton mirësi

Për ne në kët’ festë Vlore.

Ngrehu fisnik, një valle pri,

Merre Mençurinë për dore!

Respekt dhe mirënjohje Profesor Niko! Respekt dhe mirënjohje si mësues, respekt dhe mirënjohje si udhëheqës shkencor, respekt dhe mirënjohje si model qytetarie! Në qoftë se do të ndërtonim, si në çdo fushë, grafikun e shpërndarjes spektrale të pedagogëve sipas vlerave do të merrnim: pedagogët mediokër – që vetëm flasin; të aftët – që shpjegojnë; të shkëlqyeshmit – që demonstrojnë dhe madhështorët – që të frymëzojnë. Prof. Niko hyn tek këta të fundit: tek Madhështorët!

 Dr.Jorgo Mandili

Prof.Assoc i Fizikës

Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë

 

Prof. dr. Fatos Klosi: Niko Thomo, profesori më afër studentëve

 Niko Thomo ka qenë vërtet një profesor i përkryer nga pikëpamja profesionale. Ne e kemi patur profesor në disa lëndë dhe ai ka qenë nja nga profesorët më të qartë në procesin mësimor, ndërkohë që ka qenë nga profesorët më afër studentëve. Ka patur edhe këtë parametër, që ne e vlerësonim shumë. Ai ka qenë një profesor, mik i studentëve, te ai ne i qanim hallet, gjenim mbështetje.

Prof. dr. Kastriot Islami: Shqipëria humbi një shkencëtar

 Sot mbushet një javë, kur u nda nga jeta profesori im i dashur Niko Thomo. Një talent në Fizikë, një pedagog i shkëlqyer, një shkencëtar… Njeri i mrekullueshëm, i dashur me studentët dhe kolegët… I dekoruar me medaljen e Mirënjohjes nga Presidenti i Republikës…

E kujtoj gjithmonë me dashuri e mirënjohje! I paharruar, kujtimi i modelit të njeriut të pasionuar me shkencën! U prehsh i qetë, Profesor i Nderuar!