Ilir Harxhi: Kinokomedia është një gjini e vështirë që dështimi nuk të falet

755
Sigal

INTERVISTA/ Flet regjisori Ilir Harxhi: Enver Petrovci është një nga aktorët më profesionistë që kam njohur

Kinokomedia “Daja” e realizuar ditët e fundit nga regjisori Ilir Harxhi ka pasur shumë vlerësime. Në rolin kryesor apo rolin e dajës ai kishte marrë aktorin e mirënjohur Enver Petrovci, i cili në fillim e refuzoi për vetë vështirësinë e gjuhës, dialektin tiranas. Por me punë dhe bashkëpunim korrekt filmi i xhiruar në Shqipëri dhe Greqi doli me sukses. Sipas Harxhit, kinokomedia është gjinia më e vështirë e të bërit film, por duke pasur parasysh se ai kishte realizuar më parë një kinokomedi me metrazh të vogël, tashmë hodhi hapin e dytë për një kinokomedi me metrazh të mesëm. Kam shumë drama në sirtar thotë Harxhi pasi Qendra Kombëtare e Filmit nuk ka funksionuar në mënyrë të rregullt, por në mënyrë klienteliste.

 Si ju lindi ideja për këtë film me titull interesant “Daja”?

Ky film e ka zanafillën nga tregimi i një ngjarje reale që një nga aktorët, kryesor Sokol Angjeli (që ishte në rolin e Liut në film), ma tregoi mua. Dua të them se, Sokolit këtë ngjarje ia kishte treguar një shofer, i cili ishte ndodhur në një rast të tillë. Merr inspirim më tha, se mua më duket interesante kjo ngjarje. Unë e mbajta shënim këtë ngjarje dhe fillova ta ripunoj si skenar. Mu duk një ngjarje tipike Ballkanike. E shkrova disa herë, por e pashë që në fund nuk më pëlqente. Atëherë thirra për bashkëpunim, skenaristin Duri, të cilit ja dhashë dhe formën time të skenarit. Ai e pranoi dhe iu duk temë interesante. Kur e mbaroi e çova për konkurrim në Qendrën Kombëtare të Filmit. Në seleksionimin që u bë ish- drejtori Artan Minarolli e skualifikoi. Atë kohë dihet debati që kam pasur me këtë njeri, i cili e kishte monopolizuar këtë institucion dhe i priste shpata sa majtas djathtas dhe nuk e financoi. Dihet se si ka vepruar ky drejtor sa ishte në krye të këtij institucioni.

 Ju nuk keni as miqësi me këtë drejtor, pse tashmë keni këto rezerva?

Rezerva kam pasur jo vetëm unë, por shumë regjisorë, pasi ai vepronte dhe operonte si klientelistë dhe më shumë ishte boksier se sa drejtor, pasi shumë regjisor që e kundërshtonin ua kërciste me grusht. Një veprim të tillë bëri dhe ndaj meje, ku unë u tregova i matur se grushti ndaj tij ishte grusht ndaj institucionit.

Atëherë si e realizuat filmin, i cili është me metrazh të mesëm. Është vështirë të realizosh një film artistik me metrazh të mesëm?

Atëherë vendosa që filmin ta financoja vetë dhe ta zbatoja vetë.

  Ku konsistove në përzgjedhjen e personazheve dhe pse këmbëngulët tek Enver Petrovci?

 Në rolin e Dajës unë kisha disa kandidatura. Moralisht kur ja kërkova këtë rol Enver Petrovcit, ai më tha Ilir të lutem është shumë gjuhë, apo dialekt i vështirë për mua. Një dialekt që kërkon shumë punë dhe së dyti këto kohë jam i angazhuar në një film gjerman. Por unë këmbëngula që këtë rol ta luante vetëm ai, pasi i shkonte jashtë mase. Gjetëm emëruesin e përbashkët dhe ramë dakord. Në tavolinë ne punuam shumë me gjuhën. Këtu ishte pika e dobët e këtij roli. Nga raundi i parë deri tek raundi i dhjetë i tavolinës pashë se Enveri tashmë e kishte kapur këtë element. Madje, kemi punuar edhe në Prishtinë. Së fundi pamë që Enveri solli një Dajë origjinal, puro tiranas. Këtu dua të theksoj se kam pasur fatin të punoj me një nga aktorët më profesionistë që kam njohur unë si regjisor.

 Kush ishte pjesa më e vështirë e këtij filmi për ju? Sigurisht në realizim?

Ishte pjesa, ku daja pëson atakun kardiak dhe kjo pjesë duhej sa më e besueshme. Me ato pak mjete që kisha në dispozicion, duhej që skenën ta sillja të besueshme. Aq më tepër që ishte kinokomedi dhe në këtë rast nuk qeshet vetëm me intonacione zëri, apo me batuta, por edhe me veprime reale dhe të pasuruara. Këtu ishte dhe loja e aktorëve, që e ngritën shumë cilësinë e lojës së tyre, gjë që bëri, që skena të dilte e plotë dhe shumë e besueshme. Kryesore ishte që të kisha tre karaktere të ndryshme.

Beson se ja dole mbanë?

Absolutisht që po, absolutisht që e realizuan madje, dhe e pasuruan rolin. Jo vetëm që ishin të bindur në regjinë, por futën dhe pjesë nga eksperienca e tyre që mua më pëlqyen. Pra punuam në grup.

 Pse more përsipër kinokomedinë, kur është gjinia më e vështirë?

Është e vërtetë që është e vështirë, por e kam pasur ëndërr të futesha në këtë sferë. Është një gjini që kërkon shumë profesionalizëm dhe këtu duket dhe roli i regjisorit dhe vlera e tij. Janë shumë regjisorë që nuk kanë mundur të realizojnë një kinokomedi në jetën e tyre profesionale dhe pse e kanë pasur ëndërr. Në këtë aspekt mund të them se mora një nismë të vështirë, por unë kisha dhe një eksperiencë të mëparshme po me kinokomedi dhe mu duk pak më e lehtë, pas një eksperiencë të parë. Njëkohësisht u mora shumë me zgjedhjen e karaktereve, sepse pa dashur dua të theksoj atë shprehjen se filmi mbi të gjitha është karakter, karakter, karakter. Pra, pa karakter nuk ke film. Pa atë të veçantën, margaritarin në guaskë ti nuk mund të jesh i suksesshëm në komedi.

 Për realizime të tilla kush është e domosdoshme?

Përvoja dhe puna. Unë kisha një përvojë të mëparshme, por ne punuam sikur loznim një film të veçantë, sikur se kishim parë një karakter të tillë në secilin rol. Pra të tre karakteret ishin afërisht të njëjtë, pra në rol dhe luajtën në mënyrë bindëse dhe jetësore. Pra luajtën sikur të ishin një trup, me një lidhje harmonike me njëri- tjetrin.

 A ka pasur ngjarje të tilla në Greqi gjatë kohës që luajtët kinokomedinë?

Po, si për çudi. Në kohën që ne xhironim ndodhi një ngjarje e tillë, ku një grua vdiq papritur dhe të afërmit në pamundësi që të bënin një transport me funeral, për shkak se ishin të varfër ndoqën të njëjtën rrugë. Me këtë rast unë falënderoj z. Arqile Garro, i cili ka një studio filmime në Janinë, i cili na ndihmoi në këtë nismë. Njëkohësisht një falënderim për Stefan Pingulin që na dha po këtë ndihmë. Një falënderim dua t’i jap dhe Drejtorit të Përgjithshëm të Kufirit, z. Pëllumb Nako për lehtësimet që na dha për realizimin e filmit dhe personelin e policisë së Kakavijës.

 Çfarë të veçantash kanë kinokomeditë dhe pse zgjidhni gjininë më të vështirë?

 Kam shumë drama që flenë në sirtarin tim që nuk kanë gjetur ndihmë nga Qendra Filmike. Janë drama të vërteta njerëzore. Për realizimin e kinokomedisë duhet edhe tek roli i figurantit të zgjedhësh aktorë profesionistë, pasi kanë tjetër plastikë, tjetër finesë edhe pse role episodike, sekondare. Kjo është e veçanta e kinokomedisë që duhet të kesh kujdes deri tek figuranti. Por në këtë rast nuk kishte figurant të mirëfilltë pasi secili fliste, pra aktronte dhe me fjalë.

 A mund të ngecë filmi në rast se këta figurantë stonojnë?

Posi. Edhe një fjalë po stonoi diçka nuk ecën mirë. Këta figurantë në detyrë, ose me role sekondare në momente të caktuar kanë peshë që nuk kalon në harresë.