Struga përkujtoi Qazim bej Qemal Vlorën në 60- vjetorin e vdekjes

644
Sigal

Me rastin e shënimit të 60-vjetorit të vdekjes së Qazim bej Qemal Vlorës, djalit të Ismail Qemal bej Vlorës, i cili njëherit ishte edhe sekretar i tij personal dhe shef i kabinetit të Qeverisë së Shqipërisë së pavarur të vitit 1912, për herë të parë u falën pranë varrit të këtij patrioti edhe pinjollët e trungut të familjes së Ismail Qemal bej Vlora, – mbesa e nipi i djalit më të vogël të Ismail Qemalit, Qamil bej Qemal Vlora, Ariana Ismail Vlora dhe Qamil Ismail Vlora si dhe mbesa e nipërit e fëmijëve të birësuar të Qazim bej Qemal Vlorës, Mira Edip Ohri, dr. Arben Dashman Ohri, Roland Dashman Ohri dhe Emil Kalimeri- djali i Edibe Ohrit, të gjithë me banim në Tiranë si dhe Myzhgjane Qoku-Kadiu e shumë të tjerë nga Shkupi, Ohri Struga etj..

 Shënimi i 60-vjetorit të vdekjes së Qazim bej Qemal Vlora u organizua dhe u realizua nga Shoqata e Historianëve Shqiptarë në Maqedoni, dega në Strugë, me mbështetjen e Komunës së Strugës dhe në këtë  kuadër u zhvilluan disa aktivitete përcjellëse pas tubimit përkujtimor që u mbajt në hotelin “Drin” në Strugë, si p.sh. u bënë homazhe pranë varrit të Qazim bej Qemal Vlorës dhe u vunë kurora me lule nga familjarët dhe strukturat e komunës dhe veteranët e arsimit, u vendos dhe u shpalos një pllakë përkujtimore në shtëpinë ku ka jetuar dhe ka ndërruar jetë Qazim bej Qemal Vlora.

 Paraprakisht, Kryetari i Komunës së Strugës, Ziadin Sela, priti familjarët dhe të afërmit e familjes së Ismail Qemal bej Vlorës dhe të fëmijëve të birësuar të Qazim bej Qemal Vlorës- Edibe Ohri docente e Universitetit të Kamzës,  Edip Ohri, gjeneral në pension, ish -komandant i aviacionit shqiptar dhe të ndjerit Dashman Ohri, ish- komandant i Flotës Detare shqiptare, me të cilët në një bisedë të ngrohtë e vëllazërore shprehu kënaqësinë dhe krenarinë e Strugës që së paku ruan eshtrat e varrin e Qazim bej Qemal Vlorës, me synim që në të ardhmen për shumë shqiptar Struga të bëhet destinacion turistik që të vizitojnë këtë varr dhe shtëpinë ku ka jetuar ky  personalitet  i historisë së shqiptarëve dhe të Shqipërisë.

 “Janë këto vlera që janë edhe një udhërrëfyes i mirë për të gjithë ne, që të ndjekim rrugën e tyre dhe të punojmë në të mirë dhe interes të vendit dhe të popullit tonë. Duke nderuar veprën e familjes së Ismail Qemalit, nderojmë të kaluarën, të tashmen dhe

të ardhmen tonë. Ne do të vijojmë të vlerësojmë këtë figurë, sepse në të njëjtën kohë vlerësojmë kontributin e të gjithë atyre struganëve për pavarësinë e Shqipërisë, të cilën e ideoi Ismail Qemali, që nuk përkon me atë të tanishmen të dalë nga konferenca e ambasadorëve të Londrës”,- theksoi Ziadin Sela, pranë varrit të Qazim bej Qemal Vlorës, në varrezat myslimane në Strugë.

 Myftiu i Myftinisë së Strugës, Mr. Salim Sulejmani, në fjalën e tij të rastit në emër të Myftinisë mes tjerash theksoi: “Është moment i rëndësishëm që shënohet ky përvjetor, sepse  kujtohet një figurë me kontribute të larta për kombin shqiptar.  Struga, është e nderuar siç jemi edhe ne të nderuar që mbart këtë figurë në barkun e saj. Sado që mendojmë që këto figura harrohen, vjen iniciativa dhe atë përkujtohen apo ngjallen në zemrat tona, në shumë dimensione duke parë historikun dhe jetën e tyre. Ne duhet t’i vlerësojmë figurat për kontributet në të mirë të kombit tonë”,-përfundoi myftiu Mr.Salim Sulejmani.

 Më pas, në shtëpinë ku ka jetuar dhe ka ndërruar jetë Qazim bej Qemal Vlora, u vendos dhe u zbulua pllaka përkujtimore nga Komuna e Strugës, në prani të familjarëve dhe shumë qytetarëve të komunës së Strugës, të cilën e bënë bashkërisht kryetari i komunës dhe familjarët.  Familjarët e trungut të Ismail Qemal bej Vlorës, vizituan edhe ambientet e brendshme të shtëpisë ku ka jetuar Qazim bej Qemal Vlora dhe dukshëm u emocionuan, duke kujtuar Qazim bej Qemal Vlorën.

 Ariana Vlora, pas vizitës së ambienteve të shtëpisë, ku ka jetuar Qazim bej Qemal Vlora në një prononcim u shpreh: “Ndjehemi shumë të emocionuar njëherit edhe shumë të lumtur gjithashtu, sepse  ka njerëz që i duan këta njerëz. Unë e kam gjakun tim dhe për mua është një vlerësim i madh”,-tha Ariana Vlora, mbesa e Qamil Bej Vlorës.

 Ndërkaq, e bija e gjeneral  Edip Ohrit, Mira Ohri, poashtu me plot emocione përshkroi momentin e vizitës së shtëpisë, ku ka jetuar Qazim bej Qemal Vlora me fjalët: “Struga dhe Ohri janë vatra të shqiptarizmit, janë firmëtarë të Pavarësisë së Shqipërisë dhe nuk është e rastit që martesa e gjyshes time me Qazim Bej Vlorën, sepse vinte nga një miqësi familjare dhe ju gjend gjyshes time në një moment shumë të vështirë që ngeli e vetme në Tiranë. Nga vizita unë pash shtëpinë ku ka jetuar Qazim Bej Vlora, ku ka jetuar gjyshja ime, ku ka lindur dhe babai im, xhaxhai dhe hallat e mija dhe për këtë ndjehem krenare që jam strugane”, është shprehur Mira Ohri.

 Më pas, në sallën e konferencave në hotelin “Drin”, u mbajt tubimi përkujtimor kushtuar 60- vjetorit të ndarjes nga jeta e Qazim bej Qemal Vlorës, në prani të familjarëve dhe shumë të pranishmëve nga Struga, Ohri, Tirana etj..

 Referatin kushtuar Qazim bej Qemal Vlorës, për jetën dhe veprën e tij, e sidomos për vitet e tij në Strugë, e ka përgatitur dhe prezantuar prof. Zejnulla Qyra, i cili mes tjerash theksoi: “Nga viti 1900 deri më 1919 Qazim beu gjithmonë qëndroi pranë të atit, kur edhe helmohen që të dy në Romë më 1919. Qazimi e përjetoi helmimin kurse i ati ndërroi jetë. Ndodhej me të atin kudo, në çdo mbledhje, takim apo perpjekje për lirin e vendit të tij. Në periudhën e viteve 1910-1912 zhvilloi një aktivitet të gjerë për furnizimin e kryengritësve me armë, për çka bën fjalë edhe informacioni i konsujve të huaj në Vlorë, më 12 gusht 1910, ku mësohet se, “akuzohet një shoqëri gjoja klandestine e cila gjendet nën drejtimin e Qazim beut që ndër të tjera përfshinë edhe  persona  të komprometuar, mbasi mbledh të holla  për tu ndihmuar shqiptarëve të veriut kundër trupave osmane…”

Me 1913 e shoqëroi të atin në Londër… Ishte i përkushtuar gjatë kohës së qeverisë së Vlorës pa marrë parasysh asnjë rrezik.

Më 1921, hodhi kandidaturën për deputet të Vlorës, çuditërisht nuk fitoi. Kohët e fundit i kaloi me pensionin të lidhur nga qeveria.

Në dhjetor 1953, para 60 vjetësh në një vetmi të madhe ndërroi jetë djali i kryetarit të shtetit shqiptar Qazim bej Vlora në moshën 83-vjeçare. Varrimi i tij bëhet nga një rreth shumë i ngushtë struganësh, të cilët i kanë ditur vlerat e tij. Personi, i cili ka lënë në trashëgimi vendin ku ka qenë varri i tij është Belul Kadiu, i cili i ja ka shënuar vendin dhëndrit të tij mësuesit Remzi Qoku, i cili në vitet e demokracisë pati guximin të na informon për këtë lokalitet.

Më 27 Nëntor 1997 Shoqata e Historianëve Shqiptarë dega në Strugë pas shumë gjurmimesh dhe verifikimesh e shënoi varrin e tij, vendosi një gurë jo vetëm në varrin e tij por edhe në historinë e Strugës. Sa për sqarim për opinionin e gjerë, por edhe për vizitorët e rastit. Në varrin e të ndjerit në vitin 2004 “Forumi i Intelektualëve Shqiptar” vendosi pllaka graniti të reja, ose më mirë me thënë bënë rishënim. Ne si shoqatë nuk shohim asgjë të keqe nëse dikush kësaj figure i ngre edhe lapidar, por çka të bëjmë me datën e zbulimit, pse jo edhe me autorësinë. Do të ishte më mirë shënimi i vitit 1997 të mos hiqeshe pasi ky është edhe viti i zbulimit i këtij varri  asgjë kundër pllakave të reja nëse në ato do të shënohej 27 nëntor i vitit 1997.

Me nga një fjalë rasti, përshëndetën Kryetari i Komunës së Strugës, Ziadin Sela, Ariana Vlora, në emër të trungut të familjes së Ismail Qemal bej Vlorës, Mira Ohri dhe dr.Arben Ohri në emër të fëmijëve të birësuar të Qazim bej Qemal Vlorës, ndërsa me një poezi u prezantua Dreni Dervishi, kurse Sihana Reçi, studente e Akademisë së Arteve të Muzikës  performoi me violinë një pikë muzikore.

Mehmet Latifi