Dr. Kristo Qendro/ Inxhinieri i njohur Telemak Nushi dhe kontributi i tij në pasurinë pyjore

700
Sigal

Nga kuadri inxhiniero-teknik i Ndërmarrjes së Pyjeve të Fierit, të viteve 60-të, që udhëhoqi, instruktoi dhe angazhoi të 300 punëtorët e ndërmarrjes, jo vetëm për të mbrojtur me ndershmëri e pa asnjë kompromis pyjet e rrethit, por edhe për t’i lënë banorëve të rrethit Fier (në fshat e në qytet) një trashëgimi të pa përsëritshme e të jashtëzakonshme pyjesh të rinj të pyllëzuar me një sërë sakrificash, Kryeinxhineri i ndërmarrjes Telemak Nushi ishte dhe vazhdon të mbetet një nga figurat më të  respektuara e më të paharruara jo vetëm për kolegët e punëtorët po, në mënyrë të vëçantë për banorët e Semanit, Pishë-Poros, Ndërnënasit, Ballshit e Fratarit.  I porsa emëruar në Ndërmarrjen Pyjore të Fierit, mbas diplomimit në Fakultetin e Pyjeve, të Institutit të Lartë Bujqësor të Tiranës, Ai me dashurinë e madhe për hapësirat e pafundme të bregdetit, vendlindjes së tij, për brigjet e lumenjve Seman e Vjosë, dhe kodrinat e zhveshura që rrethonin qytetin, filloi me dëshirë të madhe që të zbatonte në praktikë njohuritë e marra në Fakultet si edhe rekomandimet dhe planet e hartuara të asaj kohe, për t’i kthyer ato në pyje, që në të ardhmen do t’i ngjanin në mënyrë të habitshme pyjeve natyralë. Pyllëzimet e zonës së bregdetit, që nisën pas viteve 60, lindën si nevojë e domosdoshme për të stabilizuar ranishtet bregdetare, për evitimin e erozionit të shkaktuar nga erërat jug-perëndimore të detit, që shoqëroheshin nga rëra e imët dhe lagështia ajrore dhe e kripur që pengonin zhvillimin e mirë të kulturave bujqësore, si dhe për plotësimin e nevojave të komunitetit për  prodhimet e pyllit dhe rritjen e turizmit bregdetar. Me zgjuarsinë, autoritetin e Kryeinxhinierit të ndërmarrjes  dhe me miqësitë e tij të krijuara në vite me banorët e fshatrave Seman, Libofshë, Pish-Poro, Levan e me punonjësit e SMT-ve e të UMB-së së asaj kohe, e veçanërisht me punonjësit e fidanishtes prej 11 hektarësh të ngritur për ato objektiva në hyrje të qytetit të Fierit. Ai me një shkathtësi të jashtëzakonshme, me autoritet e mirëkuptim të të gjithëve, me dëshirën e madhe për realizimin me sukses të këtij brezi pyjor, arriti që hapësirat e pamasë të bregdetit që shtrihej me një gjatësi prej 15 km, nga grykëderdhja e Vjosës deri tek ajo e Semanit, të punoheshin/plugoheshin, duke i zhvendosur ferrat e drizat në një hapësirë gjigande, e duke i ndryshuar plotësisht ato në hapësira të gatshme për t’u pyllëzuar.  Me njohuritë e tij mbi kushtet më të përshtatshme për pyllëzimet, ai së bashku me kolegët inxhinierë e teknikë që udhëhiqte, për evitimin e lagështisë së atyre hapësirave që i emërtonin shpesh si “Pllashtira”, zbatoi një teknikë që u konsiderua nga Drejtoria e Përgjithshme e Pyjeve si një teknikë e veçantë, bazë kjo për organizimin e një simpoziumi për marrje eksperience, me pjesëmarrjen e të gjithë inxhinierëve dhe teknikëve të ndërmarrjeve të pyjeve të të gjithë Republikës.  Teli, siç e thërrisnin kolegët kryeinxhinierin e tyre, ka meritën e madhe se qe zbatuesi më këmbëngulës për pyllëzimin e brezit mbrojtës bregdetar. Me hapjen e kanaleve të thellë, paralelisht me bregun e detit, dhe me lënien e brezave të paprekur midis këtyre kanaleve, me përmasat e nevojshme, ai dhe kolegët e tij krijuan kushtet për një përmirësimin e cilësisë së tokës duke realizuar ç’ kripëzim të këtyre hapësirave. Me mbjelljen më pas të brezave me fidanë të prodhuar nga fidanishtja, ditë për ditë, në formën e aksioneve, u krye pyllëzimi nën udhëheqjen e inxhinier Telemakut, i cili me motocikletën që nuk i ndahej, i pa përtuar e gjithmonë i entuziasmuar arriti që të krijonte brezin mbrojtës përgjatë vijës bregdetare. Bregdeti i Pish Poros dallohej per një sipërfaqe të gjerë të dunave bregdetare të cilat pas vitit 1970 deri në 1980 u pyllëzuan me pisha bregdetare si Pinus Halepensis, Pinus Penea dhe Pinus Mariçima, duke krijuar një brez rreth 770 ha. Kjo zonë gjithashtu ka qenë një nga pyjet më të pasura me faunë, ku shquhej prezenca e fazanit. Po në këtë zonë funskionoi me suksese për më shumë se 15 vjet një fazaneri artificiale. Ky brez mbrojtës mund të themi se është sot për vendin tonë një nga punët më mbresëlënëse të Ing. Telit dhe kolegëve të tij. Prof. Ilia Nako, Kryeinxhinier i Drejtorisë së Përgjithshme të Pyjeve të Shqipërisë e vlerësonte brezin mbrojtës të bregdetit të Semanit si një nga më të mirët e zonës bregdetare të vendit tonë.  Për realizimin e këtij aksioni të madh e të rëndësishëm, përveç punëtorëve të ndërmarrjes, u aktivizuan me punë vullnetare të dielave të gjithë anëtarët e kooperativave bujqësore por edhe të rinjtë e shkollave të fshatit dhe të qytetit. Kësaj nisme iu bashkuan edhe aksionistë nga ndërmarrjet e ndryshme deri dhe tek ushtria e asaj kohe. Personeli inxhiniero–teknik i Drejtorisë së Pyjeve në Fier merrej me organizimin e gjithë kësaj veprimtarie, ku binte në sy shkathtësia dhe aftësia drejtuese dhe komunikuese e Ing. Telit. Ai shpesh thoshte: “të punojmë me shumë profesionalizëm, për të krijuar pyje të rinj që të plotësojnë rolin dhe funksionin që ka pylli”.

 Meritë tjetër e veçantë e tij  është edhe mirëmenaxhimi perfekt i këtij masivi pyjor të krijuar, të Pishë-Poros dhe Semanit, që përfaqësojnë një nga bukuritë e rralla të natyrës bregdetare të vendit tonë, me grumbujt pyjor të përbërë kryesisht nga llojet e haloreve me  mbizotërim të pishave mesdhetare dhe me nën pyll shkurresh të po  kësaj zone. Për pyllëzimet e kryera me pishën e butë dhe pishën e detit, me rezultatet e tyre më se të kënaqshme, mund të themi pa frikë se ato janë në stacionet e veta natyrore. Deri në vitin 1990 në këtë rezevat grumbulloheshin për çdo vit edhe rreth 35 – 40 ton rrëshirë për eksport, kërmij, lepuj etj. Prodhoheshin gjithashtu rreth 130 ton mersinë, 150 ton hala pishe për prodhimin e esencave si dhe mbi 55 ton boçe pishash. Për mirëmenaxhimin e kësaj perle të bregdetit kanë dhënë kontributin e tyre shumë inxhinierë e teknikë të pyjeve, të cilët kujtojnë me respekt dhe dashamirësi punën e çdokujt që nuk jeton më.

Përveç kësaj, Teli pati kurajën profesionale të provonte pyllëzimin me marina që deri në atë kohë mendohej si e pamundur. Por ai arriti të  tregojë se kur punon me dashuri ke edhe sukses të padiskutueshëm.

Kontributi i tij i vlerësuar është edhe përpjekja për të menaxhuar në mënyrë sa më praktike aq  edhe shkencore rezervatin e gjuetisë me dimensionet e mirëfilltë natyrorë dhe vlerat eko-turistike. Ky pyll tashmë i ruajtur, filloi të administrohej nga shteti kryesisht për vlerat e tij biologjike e turistike. Natyra e bukur, ndërthurja e pejsazhit pyll-kënetë-det, larmia biologjike e llojeve të florës dhe faunës, veçanërisht e drurëve të lartë e të dendur të  pyllit të Pish-Poros, me pisha të egra e të buta, vidha, frashër, plep të bardhë dhe dëllinja e bënë më të njohur emrin dhe aktivitetin e këtij rezervati edhe për shumë vite të tjera. Sot ky brez pyjor përveç vlerave biologjike e ambientale promovon edhe vlera te shumta turistike te kësaj zone.  Pyllëzimet e argjinaturave të lumenjve Seman e Vjosë, jo vetëm që krijuan katër shirita të gjelbër, të gjatë me kilometra nga të dy anët e lumenjve, duke ruajtur tokat bujqësore nga përmbytjet, por ndryshuan gjithë pamjen e Myzeqesë, duke ja shtuar vlerat turistike komunave Seman e Libofshë në vecanti, por edhe komunave të tjera në rrethin të Fierit. Punimet në pyllëzimin e Cakranit, Ballshit, Fratarit, etj që sot zbukurojnë e përmirësojnë klimën e këtyre zonave, mbajnë gjithashtu kontributin e Kryeinxhinier Telemakut. Është evident dhe shumë çlodhës i gjithë ky brez pyjor për të gjithë ata që gjatë sezonit veror dhe jo vetëm, zgjedhin për të pushuar ose kaluar kohen e lirë në bregdetin e Semanit ose të Povelcës në rrethin e Fierit. Telemaku ishte, nga ana tjetër, një i ri që gëzonte dashurinë dhe respektin jo vetëm të gjithë punëtorëve e të kolegëve të tij, por edhe të të gjithë administratorëve dhe banorëve të qytetit të Fierit dhe zonave ku ai punoi. Kushdo që e ka njohur, që ka studiuar e punuar me të, mban sot kujtimet më të mira.

Gjithashtu, ne kolegët dhe bashkëpunëtorët e tij, kujtojmë dhe vlerësojmë edhe dimensionin familjar të Telemakut, për të cilën ka qenë vazhdimisht i përkushtuar dhe i kujdesshëm në veçanti për edukimin dhe shkollimin e fëmijëve e tij, Edmondit një drejtues i suksesshëm në administratën publike dhe në sektorin privat dhe Anilën një stomatologe profesioniste dhe e respektuar.