Bashkim Koçi/ Akademiku Mentor Përmeti, si një diamant për bujqësinë shqiptare

634
“Nëse veprimet tuaja i frymëzojnë të tjerët të ëndërrojnë më shumë, të mësojnë më shumë, të bëjnë më shumë dhe të bëhen më shumë, atëherë meriton që je lider”. E kam lexuar diku këtë thënie të mendimtarit John Quincy Adam, por kur “guxova” të shkruaj diçka, të portretizoj dhe të mund të gjeja përcaktimin e duhur, ashtu si e kam njohur profesorin tim, Akad. Mentor Përmeti, mu duk se fjala “lider” është ajo që duhej për këtë gjigand të shkencës të fushës së bujqësisë shqiptare. Nuk mundet dhe për më shumë nuk e kam “të skanuar” të gjithë veprimtarinë akademike të prof. Përmetit, por meqë ai për pesë vjet ka qënë rektori im, pedagogu im dhe petagogu kujdestar i grupit tim, duke lënë mënjanë modestinë, besoj se di, kam koservuar diçka nga puna e tij si mësimdhënës, edukator, si shkencëtar. Nëse u bashkangjis këtyre viteve edhe leksionet që ai na jepte ne të gjidhëve, specialistë e drejtues të bujqësisë, nëpërmjet shkrimeve të botuara në literaturën shkencore të kohës, e them me bindje se Prof. Përmeti kishte vlera të mëdha, meriton të cilësohet si një “diamant” për atë çka ai i dha bujqësisë për kohën kur punoi si i tillë.
Sigal

Studenti i shkëlqyer në Bullgari

Çdokujt ia cakton fatin karakteri i vet. Prof. Mentori, i cili mbajti për mbiemër Përmeti, të qytetit të tij të dashur, rrjeshtohej tek ai grup njerëzish, të cilët qëndrojnë gjatë gjithë jetës “në rrjesht”, të papërmbajtshëm për të mësuar, të hekurt në disiplinën e përditëshme të punës, vizionar në shikimin e së ardhmes. Mund të pranojmë se atij i trokiti fati, kur iu dha mundësia të studjonte në një nga Universitetet më të mirë të Bullgarisë për bujqësinë, në Sofje. Por nëse ky djalë i ri do të kishte preferuar më shumë jetën mondane, nëse do të sillte në vendin e vet vetëm bukuritë mahnitëse të plantacioneve të trëndafilave të qytetit të Pllovdivit, atëhere emri i tij nuk do të merrte, nuk do të kishte shkëlqimin që ia dha puna e tij për më shumë se gjysmë shekulli. Studenti Mentor u kthye nga Sofja me diplomën e agronomit, të shoqëruar me listën me nota të shkëlqyera, ndër më të dallueshimit midis qindrave të tjerë që përmbyllën studimet në atë vit të largët, 1951. Shkenca dhe teknika janë në shërbim të njeriut dhe s’ekziston asnjë shkak serioz për t’u trembur prej tyre. Rreziku nuk është te shkenca dhe ngritja e një bote sipas shkencës. Rreziku është te injoranca, pavetëdijshmëria dhe shmangia nga marrja e përgjegjësisë! Mentor Përmeti nuk iu shmag, madje u qëndroi ballazi të gjitha problemeve të kohës të shtruara për zgjidhje për bujqësinë. Jo me punë fizike, por me dituri, me pasion të pashoq për të sjellë të përparuarën, shkencën, duke i qëndruar besnik porosisë të marrë në auditorët ku studioi se “arritjet e mëdha vlerësohen gjithmonë sipas mënyrës që janë arritur”. Në këtë kënd vështrimi Profesori nuk njohu botë tjetër, nuk u bë kurioz të eksperimentonte qorrazi, por “në mënyrën e vet” mundi t’i jepte emër konceptit shumë hërë të gabuar, se bujqësia në radhë të parë ishte shkencë, shkencë për të dyfishuar e trefishuar prodhimet nëpërmjet çudisë në punën me seleksionimin e farërave të të gjitha kulturave bujqësore. Prof. Mentor Përmeti ishte i mendimit, të cilin ne studentëve na i përsëriste shpesh, se teoria dhe praktika janë fenomene që gjënden në kundërshtim të vazhdueshëm me njëra tjetrën. E vetmja gjë që mund t’i bashkojë është puna, na këshillonte ai, duke na kujtuar se këtë sentencë e kishte lexuar diku në librat e Gëtes.

Një jetë e lidhur me shkencat bujqësore

E gjithë jeta, të gjithë vitet ku punoi dhe drejtoi Mentor Përmeti, ishin pazgjidhmërisht me shkencat bujqësore, me eksperimente, me ekipe pune që u paraprinin zhvillimeve që sillnin hope në rendimentet bujqësore e blegtorale, me institucione të larta ku udhëhoqi mjeshtërisht përgatitjen e specialistëve, të cilët, jo pak, u bënë studjues e shkencëtarë si vetë ai. Janë më mijra kuadro të bujqësisë, anë e mbanë vendit, diploma e të cilëve mban firmën e Prof. Mentor Përmetit. Vitet 1967-1971 ai ishte rektor i Institutit të Lartë Bujqësor, një ndër institucionet arsimore më të suksesëshme në mbarë vendin. Një ndër mbi një mijë studentë të atyre viteve jam edhe unë, shkruesi i këtyre rradhëve. Diploma që mbaj si ndër dokumentin më të shënjtë të jetës time, mban firmën e Akademikut Mentor Përmeti. Sigurisht nuk është vendi për të sjellë kujtime e mbresa personale për këtë figurë të madhe të shkencës buqjqësore shqiptare, por, meqë paskësha qënë me fat ta kisha për disa vjet edhe si professor kujdestar te grupit ku isha si student, e kam për detyrim moral të them vetëm këto dy rrjeshta të huazuara nga Tagora: Balta mund t’i përlyejë diamantet, por nuk mund t’i kthejë kurrë në baltë. Mentor Përmeti ishte dhe mbeti diamant edhe pse valët e jetës e ulën dhe e ngritën, e graduan dhe e ç’graduan, furtuna të cilat ai, vetëm ai, diti të përballet e të mund të mbetej jashtë e brënda, qelibar. Lumturia e vërtetë është të menduarit aktiv. Profesori im dhe i disa brezave të tjerë, bënte pjesë tek grupi i intelektualëve aktivë, i cili bëri kombinimin më të suksesshëm midis teorisë dhe praktikës, midis Akademikut dhe bujkut të thjeshtë, midis laboratorit ku eksperimentohej dhe fushës ku prodhohej, midis mikrobotës dhe makrobotës. 

Mendjendritur dhe i thjeshtë

Ata specialistë që iu dha mundësia të kishin si udhëheqës shkencor, apo udhëzues për të kryer shërbimet më të rëndomta në punët e përditëshme bujqësore, kujtojnë me nostalgji mendjen e tij të ndritur, thjeshtësinë dhe artin e komunikimit për të patur sukses të padiskutueshëm. Sepse Prof. Mentor Përmeti nuk është se mbeti brenda administratës të institucioneve të larta shtetërorë ( Zv/Ministër i Bujqësisë), auditoreve studentore (Rektor i Institutit të Lartë Bujqësor), apo laboratorëve e ngastrave të tokës ku eksperimentohej (Drejtor në Institutin e Kërkimeve Bujqësore, Lushnjë). Jo. Akademiku i fushës së bujqësisë zbriti edhe shkallët më të fundëme, të fundit fare. Nga Rektor i Institutit të Lartë Bujqësor, në kryeagronom, si drejtues i ndërmarrjes bujqësore më të madhe të kohës, siç ish ajo e Lushnjes. Sigurisht ky nuk ishte pozicioni që mund të meritonte një shkencëtar që ishte në kulmet e shkëlqimit, siç ishte Mentor Përmeti, por dokumentat e kohës kanë rregjistruar se ky personalitet, ky intelektual potencial për ata vite, u “gremis” keqas për shkak të bashkëshortes, të gruas së mirë Nadja, bullgares që i qëndroi pranë jo vetëm si shoqe jete, por edhe si bashkëpuntore, ndihmëse reale për të kryer e përfunduar eksperimente me vlera të mëdha në fushën e shkencës bujqësore, të cilat, tashmë, dihen nga të gjithë. Gëzimi nuk është asgjë tjetër përveç fundi i brengës. Nëse ka personalitet shkencor në vendin tonë që e ka shijuar deri në fund “kupën” e kësaj thëniejeje, është akademiku Mentor Përmeti. Ai vërtet u brengos, u fye dhe në një farë mënyre u telendis për shkak të asaj që iu gatua në emer të “qarkullimit të kuadrove në bazë”. Vërtet e degdisën fushave të Myzeqesë, por ai diti dhe zgjidhi mënçurisht pozicionin që iu dha si specialist, duke mbetur në ndërgje e në shpirt krijues dhe zbulues i pashembullt në shkencat bujqsore. Çfare dimë është një pikë, çfarë nuk dimë është një oqean, këshillonte profesori vartësit e tij me qëllimin e mirë që asnjëherë të mos tërhiqeshin për të gërmuar në pafundësinë e zbulimeve gjenetike për rritjen e kapacitetit prodhues bujqësor. Shkencat janë të dobishme me aq sa na e garantojnë lumturinë dhe na lartësojnë në vlerat njerëzore. Për Akademikun Përmeti duhet thënë se ai, për punën që bëri dhe kontributin që i dha bujqësisë shqiptare, i garantoi që të dyja këto synime të larta për jetën e njeriut; edhe lumturinë, edhe vlerat e larta njerëzore. 

Intelektual i klasit të parë

Besoj se numërohen me gishtat e dorët autoritete me vlera kaq të larta e të merituara si Prof. Përmeti. Ai diti të përvetësonte mësimet e mendjeve të ndritura të kaluar dhe bashkëkohës, por edhe të përcillte tek pasadhësit, sidomos tek studentët, kolegët dhe vartësit, se arritjet e mëdha kërkojnë përpiekje të mëdha. Hallet jane si lavatriçet, na thoshte shpesh profesori mëndjendritur dhe po aq modest: na sjellin rrotull, na shtrydhin dhe na bëjnë për ujë të ftohtë. Por prej tyre dalim më të pastër, më të mirë dhe më të sprovuar se më parë. Mentor Përmeti i kish provuar të gjitha, ish rrahur me vaj e me uthull, siç thotë populli. Por gjatë gjithë kësaj rruge, në të gjithë këtë itinerar vrapimi për mbetur dikushi në shkencat bujqësore, kish mësuar sesi të mund të përgatiste pasardhës të denjë, të zotë, për t’u bërë më me zë se vet ai, ashtu si dëshironte dhe përsëriste shpesh që “nxënësi të bëhet më i mirë, duhet t’ja kalojë profesorit”. Akademik Mentor Përmeti i ka lënë bujqësisë shqiptare një pasuri të vyer e me vlerë shumë të madhe në fushë të shkencës. Tashmë në Bibliotekën Kombëtare dhe në bibliotekat e institucioneve të ndryshme shkencore gjënden mbi dyzetë tituj librash me vlera të mirëfillta, të zbulimeve “Made in Mentor Përmeti”. Mes këtyre mund të përmëndim “Kultura e grurit”, “Kultura e sojës”, “Linjat bazë të misrit”, “Problemet e mutigjenezës së grurit të butë e të fortë”, Tërfili Aleksandrin në Shqipëri”, “Livadhet artificiale dhe llojet përbërëse”, “Konvejeri i gjelbërt për brezin e tokave bregdetare të Shqipërisë” etj. Meqë jam specialist i fushës së bujqësisë më lind e drejta të pyes: janë në përdorim, e dinë studentët e sotëm se është edhe një minierë e pafundme ku mund të nxirren përvoja, nga përfundimet shkencore të këtij akademiku të madh? Pyetjes që bej mund t’i përgjigjem edhe vetë sepse të gjithë e dimë sesi është katandisur bujqësia shqiptare, se në ç’shkallë degradimi ka zbritur përgatitja e specialistëve të bujqësisë. Prof. Osja, nxënës dhë bashkëkohës i Prof. Përmetit, ka kohë që ngre zërin deri në ulërimë, se këtë vend mund ta shpëtojnë gërma A dhe B. Fjala është për arsimin dhe bujqësinë. Prof. Ahmeti, ashtu si dhe Prof. Elezi, Prof. Shundi, Prof. Salillari, Prof. Shima, Ismet Boka, Enver Isufi, dr. Çobani, Jorgji Muzaka e me dhjetra të tjerë, të cilët pa asnjë mëdyshje janë pasadhës të denjë të Prof. Përmetit, i qëndrojnë idesë të Ibsenit: Komuniteti është si një anije; të gjithë duhet të jenë të përgatitur të marrin timonin. Fatkeqësisht dy dekadat e fundit bujqësia është në ditët më të vështira, më të zeza, ka arritur shkallën më të lartë të degradimit. Sepse “timoni” i asaj që po e konsiderojmë si një anije në lundrim, ka rënë në duar të pasigurta, është degraduar në kufij ekstremë. Në këtë gjëndje, e qënë apo e mosqënë, kontributi që kanë dhënë shkëncëtarët tanë të bujqësisë, siç është Prof. Përmeti, bën thirrje për të reflektuar, për t’iu afruar sadopak asaj që u arrit duke mësuar e punuar. Akademik Përmeti ka pak muaj që është ndarë nga jeta. Por edhe pse i vdekur ai meriton më shumë lule se në të gjallët sepse, ashtu si thuhet në kësi rastesh për profesorin, pendesa është më e fortë se mirënjohja.