70 vjetori i lindjes së inxhinierit tw pyjeve Prof. Mihallaq Kotros

1294
Sigal

Më shumë se një mesazh për Ditëlindjen!

Gjon FIERZA*

 Pesëdhjetë vitet e fundit, për inxhinierin e pyjeve, Prof. Mihallaq Kotron, çdo pylltar, i moshuar apo që sapo ka filluar punë, çdo pedagog apo dhe student në Fakultetin e Shkencave Pyjore, nuk do e kishte të vështirë të shkruante diçka. Jeta dhe veprimtaria e tij e lidhur me pyjet dhe brezat e studenteve, të mundësojnë të thuash e të bësh vlerësimet më të mira për të.

Mihallaq Kotro u lind në Gjirokastër me 27 gusht 1943. Arsimin fillor e shtatëvjeçar i mori në shkollën “Koto Hoxhi”, ndërsa atë të mesëm në gjimnazin “Asim Zeneli”, i njohur për edukimin e dhjetëra brezash, shumë prej të cilëve kishin bërë emër. Në vitin 1966, Mihallaq Kotro mbaroi studimet në Fakultetin e Pyjeve me rezultate të shkëlqyera dhe po atë vit filloi punë në Sharrat e Pukës, në Fushë-Arrëz. Djaloshi gjirokastrit 23 vjeçar deri në vitin 1972 do të punonte në sektorët e shfrytëzimit të pyjeve të kësaj ndërmarrje, më e madhja në vend e llojit të vet. Një mjedis dhe një jetë e re, larg vendlindjes, mjaft e ndryshme nga ajo studentore, e panjohur dhe me disa vështirësi fillonte për inxhinierin e pyjeve. Jeta dhe profesioni në pyjet dhe me sharrtarët pukjanë, sigurisht do të kishin ndikim të madh në formimin njerëzor e profesional të inxhinier Kotros. Ndoshta kjo periudhë qe një universitet i dytë për të. Ato çfarë mësoi e realizoi, vështirësitë dhe pengesat në, do t’i shërbenin fuqishëm profesorit të ardhshëm të pylltarisë, si mësimdhënës e kërkues shkencor për gati 40 vite e në vazhdim në Fakultetin e Pyjeve. Sigurisht, si student i shkëlqyer dhe puna e mirë që beri në Pukë, nuk do të ishin jashtë vëmendjes së profesor Treskës dhe stafit tjetër akademik të Fakultetit të Pyjeve. Ai do të thirrej në fakultet për të qenë pjesë e trupës akademike, që kishte nevojë për njerëz të rinj e të vullnetshëm për punë.

Rreth 10 vite më pas, pata fatin të jem në atë ndërmarrje ku kishte punuar inxhinier Mihali (kështu e thërrisnin më lehtë në Fushë-Arrëz). Në ato mjedise teknike e punëtore të Sharrave u ndesha me emrin dhe ato çfarë kishte realizuar ai. Disa prej të cilave paraprakisht i kisha mësuar në leksione e praktika si student. Ishin plane tekniko-ekonomike, modele të skemave teknologjike të shfrytëzimit të ngastrave, bazat e normimit teknik, mbërritshmëria e ngastrave pyjore, mekanizimi i proceseve të transportit të brendshëm të lëndës drusore, etj., të realizuara si projekte dhe si studime nga inxh. Mihallaqi në vitet ‘70. Ishin të pakët ata qytetarë të Fushë-Arrëzit e punëtorë të Sharrave, që nuk përmendnin emrin e profesor Mihallaqit, të tregonin se si ai punonte e komunikonte, si kishte arritur të fitonte respektin e tyre si njeri dhe si specialist. Gjatë kohës në Fushë-Arrëz kam njohur shumë familje dhe individë pukjanë që e konsideronin dhe vazhdojnë edhe sot ta kenë siç i thonë ata “Mik shpie” inxhinierin Mihallaq Kotro.

Ishin këto disa cilësi më shumë, pasi unë profesor Mihallaqin, më parë e kisha njohur nga afër që student (1978-1983) si pedagog i disa lëndëve kryesore dhe me të kisha realizuar temën e diplomës pas emërimit tim në Fushë-Arrëz. Ato vite, inxhinier Mihallaqi drejtonte Katedrën e Shfrytëzim – Përpunim – Drurit, veprimtaria e secilës spikaste në Fakultet. Jo më kot thoshte me humor Prof. Qendro: “Jemi anëtarë të denjë të një katedre të denjë”. Brezi ynë i studentëve në ato vite e vlerësonte Prof. Kotron si njërin ndër pedagogët më të mire; si lektor po dhe si zhvillues i praktikave në terren. E kujtojmë për komunikimin korrekt, gjithnjë mbështetës e dashamirës. Kjo na bënte jo vetëm që të vlerësonim e përgatiteshim seriozisht në lëndët e tij, po të kishim respekt të veçantë për të, gjë që e ruajmë edhe sot.

Vitet do të kaloni, në Fakultetin e Pyjeve, profesor Kotro me ndjenjë të lartë përgjegjësie, kërkues dhe këmbëngulës, do të ishte një ndër personalitetet kryesore akademike në Fakultet dhe në Institutin e Lartë Bujqësor. Ai do të ishte drejtues i këtij institucioni për shumë vite. Specialistët e bazës, mbanin lidhje me Fakultetin e Pyjeve, me stafin e tij e veçanërisht Prof. Kotron.

Ai veçohet edhe si pjesëmarrës aktiv në grupet kryesore të punës, që kanë funksionuar kryesisht pas viteve ’90, që lidhen me hartimin e politikave të zhvillimit të këtij sektori në kushtet e reja. Ka kontribuar si anëtar i grupit të punës në hartimin Strategjisë së Zhvillimit të Pyjeve e Kullotave, e para strategji e këtij sektori hartuar në Shqipëri. Profesor Kotro, është autor i hartimit të Fjalorit të Terminologjisë Pyjore – 2000, i pari i botuar tek ne. Ai, ka kontribuar me shkrime të ndryshme problemore për pyjet dhe shërbimin ndaj tyre në shtypin periodik. Gazeta “Kurora e Gjelbër”, që në numrat e parë të saj dhe në vazhdim e ka Prof. Kotron, ndër bashkëpunëtorët kryesorë të saj.

Sigurisht për Prof. Kotron mund të shkruhet gjatë. Është thënë pak, nga shumëçka ai meriton të thuhet, si një nder personalitetet e arsimit pyjor dhe pylltarisë shqiptare në këtë gjysmë shekulli. Urimin e qindra kolegëve dhe mijëra dashamirësve e bashkëpunëtoreve kudo në Shqipëri po e formulojmë: “Jetë të gjatë e të lumtur profesor Kotro, gjithnjë të paçim në gjirin tonë, të ri në mendime e veprime, si Njeri me vlera të spikatura në mes gjeneratave të pylltarëve shqiptarë”.

*Inxhinier pyjesh

Arsimimi dhe kualifikimi shkencor

1961-1966       Diplomuar “INXHINIER PYJESH ”, me rezultatin “Shkëlqyeshëm”

1984                Grada Shkencore “Kandidat i Shkencave”

1986                Titulli Shkencor “Docent”

1994                Grada shkencore “Doktor i shkencave”

1995                Titulli shkencor “Profesor”

 Veprimtaria profesionale – pedagogjike dhe funksionet

1966-1972       Inxhinier Shfrytëzimi Pyjesh, Ndërmarrja e Sharrave, Fushë-Arrëz, Pukë

1972-1999       Pedagog në Fakultetin e Shkencave Pyjore – Tiranë

1976-1985       Përgjegjës i Katedrës së Shfrytëzim – Përpunimit të Drurit

1985-1988       Inspektor dhe Kryetar i Degës Mësimore – Shkencore, në I LB – Tiranë

1988-1993       Dekan i Fakultetit të Pyjeve

1991-1992       Zëvendës Rektor i Universitetit Bujqësor të Tiranës.

1993-1994       Përgjegjës i Katedrës së Ndërtimeve Pyjore

1994-1998       Përgjegjës i Seksionit të Shfrytëzimit Pyjor

1998 -2007      Dekan i Fakultetit të Shkencave Pyjore

2008 -2011 Pedagog, në Fakultetin e Shkencave Pyjore

2011 – …… Pedagog i jashtëm, në Fakultetin e Shkencave Pyjore