Dëshira Subashi: Karriera në gjyqësor është e lidhur me vendimarrjen e politikë!

567
Sigal

Dëshira Subashi, ish nënkryetare e KQZ-së, por edhe me një përvojë të gjatë në gjyqësor, në intervistën për gazetën “Telegraf”, shprehet se prioritet i kësaj maxhorance duhet të ishte reforma në drejtësi. Dhe sipas zonjës Subashi, pa një reformë të KLD-së, nuk mund të bëhet reformë në drejtësi. Konfliktualiteti institucional sot dhe përherë midis Presidentëve dhe Kuvendit e mazhorancës në përgjithësi, reflektohet edhe në gjyqësor. Zonja Subashi pohon se karriera profesionale e çdo gjyqtari varet nga politika, dhe këtu qëndron varësia e plotë e gjyqësorit ndaj politikës. Ata që vuajnë padrejtësinë e drejtësisë, shprehet zonja Subashi, janë “të vegjlit”, shtetasit e këtij vendi, është ekonomia dhe janë të drejtat themelore të njeriut. Ajo që duhet të ndryshojë, sipas zonjës Subashi është që politika të ndryshojë raportet me gjyqësorin.

Zonja Subashi, si e shpjegoni, që ndonëse reformat e drejtësisë dhe gjyqësorit kanë qenë kushtet kryesore të BE ndaj Shqipërisë, ende ato janë kaq problematike?
Prej disa vitesh drejtësia në Shqipëri ka humbur kredibilitet besueshmërie në perceptimin e publikut. Besueshmëria tek sistemi i drejtësisë është një nga tipar madhor i saj, në një shtet demokratik. Drejtësia është e anatemuar fort, veçanërisht vitet e fundit. Gjyqësori ka qenë në fokusin kryesor të politikës, veçanërisht asaj opozitare dje, sot në qeverisje. Drejtpërdrejt mbi drejtësinë kanë rënduar paragjykimet për vendimarrjet e tyre, shpesh të ndikuara politikisht, në dëm të interesave të shtetasve dhe të vetë shtetit. E rëndë që drejtpërdrejtë drejtësia të akuzohet se ka dhënë vendime të padrejta! E thënë me zë të fortë nga politikanë e pushtetarë të lartë. Një dëm i madh për demokracinë e një vendi! E besuar nga publiku, që nuk ka mekanizëm të drejtpërdrejtë për të ndryshuar sistemin, apo atë që beson se nuk funksionon brenda një sistemi. Mekanizmi i vetëm i publikut për të ndryshuar diçka është “vota” për të ndryshuar qeverisje, me shpresën e ndryshimit. Mekanizmat reale të ndryshimit të një sistemi i ka politikë në vendimarrjet e saj ligjvënëse dhe ekzekutive. Ndryshimin politik e zgjodhi populli në 2013, por sot jemi dy vite më pas dhe drejtësia, unë besoj se nuk ka ndryshuar. Kanë ndryshuar ndoshta disa ndjesi pa vlerë, për të ndikuar në një perceptim ndryshe për drejtësinë. Qytetarët presin dhe kërkojnë shumë nga pushteti gjyqësor, si garanti i vetëm në mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Çdokush ka shpresën e vetme për të drejtën e tij themelore, tek gjyqësori. Ndaj nevoja për konsolidimin e një drejtësie të pavarur është në dobi të qytetarëve dhe të vetë institucioneve të një shteti. Në këtë kontekst vlen të rikujtoj një sentencë të George Washingtonit: “Një administrim i vërtetë i drejtësisë është shtylla më kryesore e një mirëqeverisje”.

Derisa është kaq e rëndësishme kjo reformë, si shpjegohet që është kaq problematike?
Unë kam besuar se për nga rëndësia, reforma në drejtësi do të ishte e para, së paku në këtë maxhorancë që e kishte në programin e saj. Aspak nuk mendoj se vonesa është një tërheqje për këtë reformë. Ajo që realisht duhet të jetë në këtë vonesë është se reforma në drejtësi kërkon një angazhim politik maxhorancë + opozitë, për të qenë afatgjatë, ashtu siç edhe Komisioni i Jashtëm i PE, edhe pse me përbërje të ndryshme politike, ka rënë dakord në konstatimet për drejtësinë në Shqipëri. Tek e fundit, përgjegjësia është e maxhorancës, që iu besua një qeverisje ndryshe. Dëmi në vonesën e kësaj reforme rëndon te shtetasit e këtij vendi dhe tek imazhi i vendit.

Shumë vendime të gjyqësorit, (të çdo shkalle, deri te Gjykata e Lartë dhe ajo Kushtetuese) kohët e fundit kanë dhënë vendime që kanë shkaktuar reagime dhe kanë ulur edhe më shumë besueshmërinë ndaj tyre. Përse ndodh kjo?
Është publik fakti midis politikës dhe pushtetit gjyqësor kanë ekzistuar raporte jo normale, shpesh edhe të tensionuara. Kjo situatë jo vetëm vazhdon të jetë penguese për një reformë të qenësishme në drejtësi, por është kthyer edhe në një mjet për të ndikuar në uljen e besueshmërisë së drejtësisë tek publiku. Shumë vendime të gjyqësorit shihen e vlerësohen herë-herë si shërbim politik. Normalizimi i marrëdhënieve institucionale do të rriste përgjegjshmërinë e drejtësisë për misionin e saj, njëkohësisht në sytë e publikut do të kishim një besueshmëri tjetër, të pritur e dëshiruar, gradualisht. Ju flisni në pyetjen tuaj për vendime të Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese edhe pse konkretisht nuk përmenden. Unë besoj se kjo kundërshti ka rrjedhën tek konfliktualiteti institucional. Nuk plotësohen vendet vakante në Gjykatën e Lartë , nuk vlerësohen nga Kuvendi zgjedhjet e Presidentit te Republikës për gjyqtarë të lartë, Presidenti i Republikës nuk plotëson vakancat në KLD, Ministri i Drejtësisë është i pakënaqur, besoj, me funksionet e tij me KLD-në dhe gjyqësorin, etj, etj. Situata konfliktuale institucionale, është e pamundur të mos ketë reflektim edhe brenda sistemit gjyqësor . E thënë hapur, kjo situatë, në gjykimin tim, vjen si “luftë të fortësh e të mëdhenjsh” në kurriz të drejtësisë. Ata vetë nuk vuajnë nga vendimarrjet e drejtësisë për çështjet e tyre private, apo institucionale. Ata që vuajnë padrejtësinë e drejtësisë janë të “vegjlit”, janë shtetasit e këtij vendi, është ekonomia, janë të drejtat themelore të njeriut. Ndaj jam e mendimit se problematika e këtyre raporteve, për aq sa ekziston, duhet të trajtohet dhe të gjenden zgjidhjet nëpërmjet normalizimit të marrëdhënieve ndërinstitucionale, respektimit të përgjegjësive të ndërsjella të çdo pushteti, pranimit të sfidave të përbashkëta dhe ndërtimin e shtetit juridik .

A duhet të kemi një tjetër institucion kushtetues gjyqësor, që të gjykojë vetë gjyqësorin?

Pavarësia e gjyqësorit është një nga parimet thelbësore të së drejtës për gjyqësorin. Pavarësia e gjyqësorit në vendimet e saj është detyrim që buron nga Kushtetuta dhe ligjet e vendit e ato ndërkombëtare.

Por çfarë i duhet një gjyqësori që të marrë vendime të pavarura?

Fare thjeshtë. Të zbatojë ligjin dhe vetëm ligjin, pa asnjë ndikim të jashtëm, të brendshëm apo emocion çfarëdo në marrjen e vendimit. Kjo, natyrisht ndodh. Unë e besoj këtë, por ajo që sërish unë besoj është se kjo pavarësi nuk ndodh gjithnjë, nuk ndodh në mënyrë të barabartë, që do të thotë se ligji nuk zbatohet njësoj për të gjithë. Të vepruarit në këtë mënyrë kanë cënuar imazhin e dhënies së drejtësisë në mënyrë të pavarur. Ne kemi një drejtësi të ndërtuar në bazë të Kushtetutës, pra institucionet e drejtësisë janë institucione kushtetuese dhe kanë të gjitha hapësirat ligjore për t’u korrigjuar dhe kontrolluar brenda sistemit. Drejtësia nuk vuan nga mungesa e standardit të ligjeve, por nga cilësia e zbatueshmërisë së tyre. Drejtësia në Shqipëri është e organizuar në mënyrë të tillë, që vendimet e gjykatave më të ulëta të kontrollohen në gjykatat më të larta, në tri shkallë gjykimi. I mjaftueshëm për t’ u vetëkorrigjuar.

Këtu problem është te (pa) aftësia profesionale e gjyqësorit, të mënyra e përzgjedhjes së tyre, apo është diçka tjetër?
Problemi i mirëfunksionimit të drejtësisë është kompleks për të dhënë prerë një gjykim lidhur me aftësitë profesionale, apo mënyrën e përzgjedhjes së gjyqtareve. Unë besoj se sistemit gjyqësor nuk i mungojnë gjyqtarët e aftë profesionalisht. Të paaftët sistemi duhet t’i nxjerre jashtë sipas mekanizmave ligjore, por fatkeqësisht nuk di të jetë etiketuar ndonjë largim gjyqtari si i paaftë. Ndëshkimet në numër jo të pakët të gjyqtarëve janë motivuar me moszbatimin e drejtë të ligjit, që më shumë se paaftësi, kanë marrë ndëshkimin e shkeljeve të ligjit me dashje, pra një çështje më së paku etike. Në fakt lidhur me përgjegjësitë për problemet e gjyqësorit mendoj se më së shumti është problematike e keq menaxhimit nga KLD-ja. Përgjegjësia e emërimit, përgjegjësia e evidentimit të aftësive apo paaftësive profesionale të gjyqtarit, organizimi i gjyqësorit janë përgjegjësi e KLD-së. Reforma në këtë pjesë të drejtësisë është domosdoshmëri dhe urgjencë, që të mund të kërkosh të fillojë puna për reformën në drejtësi.

Cili është mekanizmi që prokurorin dhe gjyqtarin e mban të “lidhur ”politika?
Politika është e plotfuqishme mbi të gjithë drejtësinë. Mjafton që gjyqtari e prokurori të mendojnë në një vendim apo një tjetër se a do të pëlqehet apo jo nga politika, fakti përbën ndikim në humbjen e pavarësisë së vendimarrjes. Pa thëne se çdo karrierë në gjyqësor është e lidhur me vendimarrjen e politikës. Pa pëlqyeshmëria e vendimeve nga politika, përbëjnë të nesërmen e pasigurte për karrierën e çdo gjyqtari të ndërtuar me mund. Shembuj ka shumë. Jam me plot fakte për këtë keqpërdorim, që politikisht figura të larta të shtetit janë hakmarrë, kanë diskriminuar gjyqtarë e prokurorë në të drejtat e tyre të ligjshme.

Sipas jush, përse edhe kjo maxhorancë, po zvarrit kaq shumë reformën e premtuar në Drejtësi dhe gjyqësor?
Besoj se nuk është përgjigje për mua. Unë më sipër thashë se kisha shpresuar se reforma në drejtësi do të ishte në reformat e para që do të ndodhte, në këtë mxhorancë.

Ndjesia kryesore që kanë shqiptarët, është se edhe (çdo) maxhorancë dhe opozitë (së bashku) nuk duan që drejtësia dhe gjyqësori të jenë të pandikuar nga politika. Sipas jush, përse?
Një drejtësi e pandikuar nga politika është një drejtësi e vërtetë dhe drejtësia e vërtetë bëhet në një shtet që udhëhiqet nga zbatimi i ligjit. Besoj se e gjithë intervista ka në boshtin e saj synimin për një drejtësi të vërtetë, që bëhet dhe zhvillohet paralelisht me çdo institucion tjetër të shtetit. Drejtësia e vërtete të vë dy këmbët në një këpucë, siç thuhet një fjalë e urtë popullore. Drejtësia e vërtetë ndikon në qeverisjen e vendit. Ndoshta nga njohja e pasojave të një gjyqësori të fortë, vjen reagimi për të mos humbur pushtet. Nuk janë të pakta vendimet gjyqësore në momente të rëndësishme që kanë ndikuar në jetën politike të vendit, të përdorura politikisht.

Pa një drejtësi dhe gjyqësor të pandikuar nga politika, të paprekur nga korrupsioni, a mund të luftohet krimi dhe korrupsioni, si fenomene dominuese në Shqipëri sot?
Një drejtësi e standardeve ndërkombëtare, që përmban pavarësinë, prestigjin profesional është një ogur i mirë për çdo fenomen negativ në një shoqëri.

Cili është mekanizmi politik, ligjor, që do të mundësojë vërtet një drejtësi dhe gjyqësor, që të fitojë besueshmërinë te shqiptarët dhe te ngrihet mbi politikën?
Është një pyetje e bukur. Së pari: Drejtësia vetë duhet të luftojë për rritjen e imazhit të saj. Çdo element i drejtësisë duhet ta ndjejë përgjegjësinë dhe krenarinë e detyrës së lartë që mban. Kjo ka të bejë me personalitetin dhe integritetin e funksionareve! Jashtë këtyre kërkesave etike vetë sistemi nuk duhet të funksionojë. Së dyti: Politika duhet të ndërtojë një raport ndryshe me gjyqësorin.

Jeni optimiste se kjo do të ndodhë shpejt edhe në Shqipëri?
Sigurisht që drejtësia në Shqipëri duhet të reformohet realisht shumë shpejt. Është një sistem që nuk pranohet gjerësisht për nivelin që pasqyron. Unë besoj që arritja e këtij objektivi realisht do të jap një hop të gjithë zhvillimeve në Shqipëri. Një drejtësi e vërtetë sjell një qeverisje më të mirë, sjell e politika zhvilluese në vend, ndryshon jetën, ndaj besoj se kjo reformë do të ndodhë.