Ylli Kameri: Ndërmjetësimi është veprimtari jashtëgjyqësore

1561
Ndërmjetësimi është një prej metodave alternative që njerëzit t’i zgjidhin kontestet me ndihmën e ndërmjetësit neutral i cili është i trajnuar për të ndihmuar njerëzit për të tejkaluar dallimet e kontestuara.Një veçori e rëndësishme e ndërmjetësimit është se procesi i zgjidhjes së kontesteve mbetet brenda kontrollit të palëve në kontest dhe se zgjidhja është në duart e palëve. Parimi i autonomisë së palëve garanton vullnetin e lirë të palëve për përfshije në ndërmjetësim, kur të shkohet në ndërmjetësim dhe kush të zgjidhet si ndërmjetësues.Për të parë dhe kuptuar më nga afër këtë proces Z. Ylli Kameri avokat dhe ndërmjetësues pranë Dhomës Kombëtare të Ndërmjetësve flet për Gazetën “Telegraf”.
Sigal

Z.Kameri, cili është qëllimi i Ndërmjetësit Ligjor dhe si funksionon kjo si procedurë?

-Parimisht njerëzit janë qenie të arsyeshme dhe në gjendjen ideale nuk duhet të kenë konflikte e mosmarrëveshje. Ju besoj kujtoni që Adami dhe Eva jetonin në një botë ideale pa asnjë konflikt. Por kur këto ngjarje ndodhin, ata përpiqen që t’i zgjidhin me dhunë, me pushtet, me ligje, me marrëveshje, duke i harruar problemet, duke kryer ujdi, duke ndjekur rruge ligjore me gjyqe, me përmbarim, me kundërshtime përmbarimore.
Historia njerëzore është interesante dhe në kohët moderne qenia njerëzore po bazohet përditë e më shumë tek shoqëria dhe “kapitali” si element zhvillimi, dhe aktualisht jemi ne fazën ku zhvillimi ka të domosdoshme “qarkullimin e shpejtë të kapitalit”. Ne jetojmë ne kohën e “trenave super te shpejtë”, por edhe shoqëria edhe kapitali ka nevojë për super-shpejtësi, super-siguri dhe mbi të gjitha super-garanci. Mosmarrëveshjet e lindura tashmë është e nevojshme që të zgjidhen e të trajtohen me mënyra moderne efikase, transparente dhe të thjeshta dhe një mënyrë e tillë është ndërmjetësimi (që vjen nga fjala anglisht – mediation) dhe personi qe ushtron këtë profesion është ndërmjetësi (qe vjen nga koncepti i fjalës angleze –mediator). Më lejoni ta theksoj këtë prejardhje pikërisht për faktin që, të sqarojmë se ndërmjetësi ligjor nuk ka të bëjë me negociatorin, sekserin apo edhe ndërmjetësin që ka një kontratë civile të cilat në vetvete janë procese tregtare, nuk kanë nevojë për licenca profesionale, nuk janë profesione të rregulluara me ligj, mund të ushtrohen nga kushdo që ka një aktivitet tregtar dhe njëkohësisht nuk janë profesione të lira. Ka një historik te ndërmjetësimit ne Republikën e Shqipërisë dhe aktualisht ligji Nr.10 385, datë 24.2.2011 “Për ndërmjetësimin në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve”, përcakton edhe qëllimin e procedurat e ndërmjetësimit ligjor. Historia e ndërmjetësimit ligjor, e cila si procedurë është shumë e shkurtër, edhe pse ekziston një dëshirë e madhe për ta zgjatur ndër vite edhe në shekuj. “Ndërmjetësimi është veprimtari jashtëgjyqësore” edhe qëllimi i ndërmjetësit ka qëllim arritjen e një marrëveshje mes palëve kur ka lindur një konflikt ligjor e gjyqësor për të arritur një zgjidhje të pranueshme të mosmarrëveshjes dhe që nuk bie në kundërshtim me ligjin. Pra qëllimi parësor i ndërmjetësit nuk është element i kontratave tregtare. Nëse kjo ndodh atëherë nuk jemi para ndërmjetësimit ligjor të liçencuar. Ju me të drejtë pyesni si funksionon kjo proçedure¬?Ju përgjigjem që: kjo proçedurë zhvillohet, me parimet më të larta etike të garantuara paraprakisht me institucion nga Dhoma Kombëtare e Ndërmjetësve si institucion dhe e dyta të bazuara ligjërisht nga ligji organik i sipërcituar dhe Kodi i Etikës në Ndërmjetësim. 

Pyes nëse është klienti që ju gjen juve? 

-Jo nuk është e domosdoshme që klienti të gjejë drejtpërdrejt ndërmjetës ligjor. Sa herë që gjyqtari, avokatët, administratorët e shoqërive tregtare, prokurori, të cilët kanë filluar apo janë në fillim e sipër të një konflikti që ka gjasa të marrë zhvillime gjyqësore, e referojnë, ftojnë apo e dërgojnë çështjen tek një ndërmjetës –mediator, emri i të cilit ndodhet në Regjistrin Kombëtar të Ndërmjetësve.

Çfarë duhet të kihet parasysh kur je përballë një ndërmjetësi?

-Hapi fillestar për të filluar një ndërmjetësim është kontaktimi. Kontaktimi dhe sqarimet paraprake mund të bëhen me telefon ose me shkrim. Kushtet paraprake për të zhvilluar ndërmjetësimin janë: Caktimi i një orari, i vendit ku bëhet ndërmjetësimi, i pozicionit dhe uljes së palëve, i sekretarisë dhe kancelarive ndihmëse. Efektivisht ndërmjetësi parapërgatit një kontratë me të cilën fillon ndërmjetësimi. Në përputhje me këto kushte paraprake hapet seanca e pajtimit. Në seancën e hapjes ndërmjetësuesi duhet të tregojë kujdesin e tij në çdo sjellje, të jetë neutral, nuk është pjesë e konfliktit dhe nuk ka në dorë asgjë për të bërë, që të zgjidhë konfliktin. Ai respekton palët barabar, larg komplekseve dhe mirësjelljes së veçantë. Ndërmjetësuesi me neutralitet dhe respekt tregon vendosmëri për të përkrahur angazhimin e palëve për të zgjidhur një konflikt. Pasi palët janë akomoduar është radha e ndërmjetësuesit për të folur (me asnjë-anshmëri) dhe për të bërë të qarta kushtet që cilësohen më poshtë. Palët të cilat janë të përfshira në konflikt duhet të njohin, të pranojnë kushtet që vendos ndërmjetësuesi. Duhet të përmbushen para fillimit të proçesit të ndërmjetësimit këto kushte: 
– Palët të njihen me ndërmjetësimin si proçes. 
– Legjitimiteti i proçedurës, pra palët duhet të pranojnë që ato vetë janë të afta dhe të gatshme për të arritur një marrëveshje, janë të lira për të marrë dhe zbatuar vetë vendime dhe nuk ka palë të tjera të përfshira në këtë konflikt apo që janë të autorizuara për të marrë vendime për ta. 
– Vullnetarizmi i palëve në ndërmjetësim. Askush nuk e detyron ndërmjetësimin; ai është i detyrueshëm të kryhet mbi baza vullnetare. Të gjitha palët dhe ndërmjetësuesi do të jenë të lirë të mbyllin atë në çdo kohë. Por, palët janë të lutura të paraqesin formalisht arsyen e vërtetë të ndërprerjes së ndërmjetësimit.
– Besueshmëria e procesit përfshin ato rrethana ku ndërmjetësuesi sigurohet që detyrimi për të ruajtur besueshmërinë-konfidenciale siç përshkruhet në ligj, do të ndërmerret nga të gjitha palët, përfshi edhe palët e treta të cilat mund të ndërhyjnë apo të përfshihen në ndërmjetësim nga ndërmjetësuesi .
– Krijimi i klimës se bashkëpunimit ndërmjet palëve. Veç sa parashikohen me ligj palët ndërmarrin të dyja përballë me njëra tjetrën dhe të dyja me ndërmjetësuesin:
a. Që të shuajnë dhe të ndërpresin çdo akt apo gjest i cili mundet që seriozisht të ndërhyjë ose të ndërpresë ndërmjetësimin.
b. Që të jenë të parapërgatitura të dëgjojnë argumentet e njëra-tjetrës dhe të kërkojnë kompromise.
– Përfaqësimi dhe zbatimi i parimit të kontradiktoritetit. Palët mund të paraqiten vetë personalisht ose mund të ngarkojnë për këtë përfaqësues të posaçëm për ndërmjetësimin. Secila prej palëve i jep dhe i njeh përfaqësuesit të saj tagrin ligjor që në interes të saj të përgatisë të gjitha aktet ligjore të cilat mund të jenë të nevojshme që brenda kornizës së ndërmjetësimit të përfshijë brenda rregullimeve të marrëveshjeve dhe që këtë përfaqësim do ti duhet ta mbajë në konfidencë ashtu siç edhe parashikohet nga ligji. Një prokurë e posaçme, me shkresë mund të lëshohet edhe me kërkesën e ndërmjetësuesit, për t’i bërë të qartë përfaqësuesve autoritetin e lartpërmendur.
– Shpjegimi i rolit të palëve të treta, në kuptimin që, për të mbështetur sekretarinë e ndërmjetësuesit, ekspertë apo këshilltarë etj, me përjashtim të rastit kur shënimet e veprimet mbahen prej ndërmjetësit, mund të pranohet edhe një person që caktohet prej palëve apo ndërmjetësit për këtë qellim.
– Pagesa e ndërmjetësuesit, taksat kostot dhe shpenzimet që i takojnë personalisht secilës palë duhet të përcaktohen qartësisht në fillim të proçesit. Ndërmjetësi nuk duhet në asnjë mënyrë të krijojë konflikte të tjera mes klientëve, që rrjedhin nga veprimtaria e tij ekonomike financiare.
– Kushti i shpjegimit se si funksionon proçesi i ndërmjetësimit në lidhje me marrëveshjen përfundimtare dhe pavlefshmëria e marrëveshjeve paraprake. Palët duhet të kuptojnë e të pranojnë që, secila zgjidhje miqësore e konfliktit e arritur prej mënyrës ose mjeteve të ndërmjetësit do të duhet të rakordojë dhe të përfundohet me shkrim në një kontratë përfundimtare e cila do të përmbyllet për këtë qellim midis palëve. Secila kontratë qe do të bëhet mes palëve gjatë seancave të ndërmjetësimit do të jetë e detyrueshme në lidhje me atë që palët kanë rënë dakord reciprokisht dhe e kanë konkretizuar marrëveshjen rregullisht me shkrim. Në kërkim të marrëveshjes me shkrim, u kërkohet që palët pranojnë të përcaktojnë që marrëveshjet paraprake nuk kanë forcë detyruese, në qoftë se ndërmjetësimi është mbyllur pa përfunduar një marrëveshje përfundimtare ashtu siç edhe sqarova më sipër.
– Kushti i shpjegimit të konfliktit dhe konflikteve që do të rrjedhin më pas. Në qoftë se nga njëri prej konflikteve, rezulton një konflikt i ri, i cili nuk mund të zgjidhet me marrëveshjen përfundimtare, palëve u kërkohet që ta zgjidhin këtë në shkallën e menjëhershme sipas kuptimit të ndërmjetësimit, në përputhje të plotë me ligjet të cilat u theksuan në fillim të ndërmjetësimit.
Sa u shpjegua më sipër është një ligjërate e cila që në fillim të takimit të përbashkët mes ndërmjetësuesit dhe palëve, duhet të lektohet, në një mënyrë të qartë dhe të kuptueshme nga ndërmjetësuesi. Ndërmjetësuesi nuk duhet ta fillojë ndërmjetësimin pa qenë i bindur se palët i kanë kuptuar drejt kushtet edhe vetëm më pas nënshkruajnë kontratën dhe fillon ndërmjetësimin. 

Çfarë lloj çështjesh mund të ndërmjetësohen?

-Ndërmjetësimi zbatohet për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, në çdo kohë që palët në konflikt, me vullnetin e tyre të lirë, kërkojnë dhe pranojnë ndërmjetësimin si alternativë për zgjidhjen e mosmarrëveshjes, pavarësisht nëse mosmarrëveshja është paraqitur përpara organit të përcaktuar nga ligji për zgjidhjen e saj. Ndërmjetësimi zbatohet kur gjykata, apo organi përkatës shtetëror, pas vënies në lëvizje për zgjidhjen e mosmarrëveshjes, orientojnë palët drejt ndërmjetësimit për zgjidhjen e të gjitha mosmarrëveshjeve në fushën e së drejtës civile, tregtare, të punës dhe familjare, madje edhe në fushën penale zbatohet për mosmarrëveshjet që shqyrtohen nga gjykata me kërkesën e të dëmtuarit akuzues, ose me ankim të të dëmtuarit, sipas neneve 59 dhe 284 të Kodit të Procedurës Penale, si dhe në çdo rast kur ligji i veçantë e lejon atë.
Kur vihet në lëvizje për zgjidhjen e një mosmarrëveshjeje në fushën e së drejtës civile, tregtare, të punës apo familjare, gjykata ose organi përkatës shtetëror, brenda kompetencave të parashikuara në ligj, detyrimisht ftojnë palët për zgjidhjen me ndërmjetësim, veçanërisht, por pa e kufizuar vetëm në to, të mosmarrëveshjeve.
Gjykatat e kanë të detyrueshme të ftojnë palët për zgjidhjen me ndërmjetësim, tek ndërmjetësi, pasi çështja të regjistrohet ne gjykatë: në çështjet civile dhe familjare, kur ndërthuren interesat e të miturve, në çështjet e pajtimit, në rastet e zgjidhjes së martesës, të parashikuar nga neni 134 i Kodit të Familjes, me karakter pasuror me objekt padie deri në 500 mijë lekë, si dhe për paditë për kërkimin e sendit, për paditë mohuese e për paditë për pushimin e cënimit të posedimit.

A ka fuqi ligjore marrëveshja para një ndërmjetësi?

-Kur palët bien dakord për zgjidhjen e pranueshme të mosmarrëveshjes ndërmjet tyre, së bashku me ndërmjetësit, nënshkruajnë marrëveshjen përkatëse, në kuptim dhe në zbatim të kushteve, rasteve dhe të procedurave të parashikuara në këtë ligj. Kjo marrëveshje është e detyrueshme dhe e ekzekutueshme në të njëjtën shkallë me vendimet e arbitrazhit. Në rastin kur gjykata ka ftuar palët për ndërmjetësim, dhe është zgjidhur çështja me anë të ndërmjetësimit, organet gjyqësore vendosin, sipas rastit, miratimin e zgjidhjes me pajtim të çështjes civile ose pushimin e çështjes penale apo mos-fillimin e proçedimit penal, përveç rasteve kur arrihet në përfundimin se vërehet pavlefshmëri. Marrëveshja përfundimtare, përbën titull ekzekutiv dhe, në këtë rast, ngarkohet shërbimi përmbarimor për ekzekutimin e tij. Duhet pasur parasysh se ndërmjetësi nuk ka formimin juridik kompetent dhe në disa raste, kur marrëveshja e palëve bëhet në kundërshtim me ligjin, gjykata merr parasysh mënyrën e zgjidhjes me ndërmjetësim, por, gjithashtu, nuk ka pengesë ligjore për zgjidhje tjetër, në përputhje me ligjin.

Si është duke funksionuar ndërmjetësi ne Shqipëri?

-Sqaruam që ndërmjetësimi është “një pjesë moderne përbërëse e kapitalit që qarkullon në mënyrë të shpejtë, të ligjshme e të kontrolluar”. Kur në fushat e jetës që lindin mosmarrëveshje, si psh. familja, biznesi, liritë, jeta juaj të jetë moderne, atëherë zhvillohet edhe ndërmjetësimi. Pra ka probleme në perceptim modern njëlloj si edhe me fushat e tjera edhe në Shqipëri. 
Aktualisht ne kujdesin e Ministrisë se Drejtësisë është krijuar dhe funksionon Dhoma Kombëtare e Ndërmjetësve statuti është përcaktuar programi, projekt-programe, rregullorja e përkohshme dhe strategjitë afatshkurta dhe afatgjata, si edhe organe të rëndësishme të saj si kryesia, komisioni i ankimit, komisioni i zgjedhjeve. Po bëhen përpjekje për t’i dhënë forcë ligjore veprimtarisë së Dhomës Kombëtare nëpërmjet krijimit të Dhomave Vendore të Ndërmjetësimit. Janë plotësuar orientimet e kërkesat ligjore, është miratuar një plan veprimi afat-mesëm dhe afat-gjatë, janë përcaktuar partnerët strategjike, janë lidhur kontratat dhe mbi të gjitha janë trajnuar ndërmjetës me mbështetje nga partnerët për të realizuar trajnimet, të cilat janë të detyrueshme me ligj 20 ditë në vit. Ndihmesë të madhe kanë dhënë USAID dhe konkretisht programi JUST Albania, por edhe partnerë të ndryshëm nga Komiteti Europian ne përputhje me direktivën 2008/52/EC “Mbi disa aspekte të ndërmjetësimit në çështjet civile dhe tregtare”. Ndërmjetësit e licencuar tashmë kane krijuar njësitë e tyre ekonomike dhe po planifikojnë të krijojnë tregun e tyre. Biznesi i ndërmjetësve njeh vështirësi por konstatohet se ata e kanë marrë përsipër riskun, edhe janë larguar nga forma e organizimit të një organizate jofitimprurëse. Kemi probleme besueshmërie ne treg, sa i takon ndërmjetësimit, sepse ndërmjetësi nuk gjen klientë edhe pse është profesion i parapaguar, ai referohet nga të tjerë, siç e shpjeguam më lart. 
Theksohet se është rritur kohëzgjatja e trajnimeve fillestare për ndërmjetësit e rinj, nga 3 ditë në 20 ditë. Në këto kushte, bazuar në programin e trajnimit dhe të formimit profesional të ndërmjetësve, të miratuar nga Dhoma Kombëtare e Ndërmjetësve, ndërmjetësit ligjore janë ndërgjegjësuar, kanë krijuar standarte mbi mesatare etike dhe nuk janë me pasive. Tashmë sapo ndërmjetësit të ndërgjegjësohen që duhet që ta regjistrojnë në Dhomën Kombëtare të Ndërmjetësve në gjykatë çështjet e zhvillimit të këtij profesioni me shumë mundësi rigjallërohen.