Sigal

Dr. Asllan Zemani

Festa e Flamurit dhe shqetësime të qeverisë

Ditën e Flamurit, kryeministri Fan S. Noli nuk e la pa e festuar. Ishte një rast që ai po manifestonte fuqinë dhe autoritetin e qeverisë së vet. Kështu në sheshin kryesor, nën tingujt e bandës frymore u organizua një paradë ushtarake. Para kryeministrit dhe ministrave të qeverisë parakaluan disa kompani fanterie dhe artilerie. Populli duartrokiste duke iu gëzuar forcës së shtetit. Me këtë gëzim, Noli përgëzoi në fund komandantin e paradës dhe ushtarët. Por në të vërtetë për këtë ushtri nuk ishte arritur të krijohej, qoftë dhe një shtab i vogël që t’i dilte përpara situatës. Veç kësaj, qeveria bëri pak dhe, me sa duket, e bindur për popullaritetin e vet la pas dore edhe parakujdesjen elementare të riorganizimit dhe të forcimit të ushtrisë. Të gjitha këto, po vijonin edhe pas zbulimit të grupit për grusht ushtarak në gjirin e ushtrisë që donte rrëzimin e qeverisë. Në krye të këtij ishte Kolonel Kasem bej Radovicka dhe Kapiten Sami Koka. Pra hallkat e ndryshme të shtetit nuk ishin në duar të sigurta. Shefi i Shtabit të Përgjithshëm Bajram Fevziu mbante lidhje të fshehta me Zogun, njohje dhe bashkëpunim, qysh nga zgjedhjet parlamentare të vitit 1921, kur të dy ishin deputetë të Dibrës. Ndërkaq, kriza brenda vendit thellohej gjithnjë e më shumë, kurse nga jashtë po fillonte intervencioni për rrëzimin e qeverisë. Në kufijtë veriore situata rëndohej çdo ditë e më tepër. Provokacione, incidente, kalime të paligjshme. Agjentët zogiste me lehtësi të madhe vepronin në tërë vendin dhe me anën e premtimeve dhe të shpërblimeve ata riorganizuan krerët konservatorë të brendshëm, të cilët mezi prisnin të rivendosej pushteti i mëparshëm. Këto përgatitje tronditën thellësisht qarqet demokratike, aq më tepër kur vetë qeveria e Tiranës me pasivitetin e saj krijoi përshtypjen se tashmë ditët i kishte të numëruara.

Autoriteti i shtetit dhe i Nolit

Shumë nëpunës i kish kapur paniku i kthimit të kryeministrit të rrëzuar. Autoriteti i shtetit sa vinte e binte, e bashkë me të dhe popullariteti i Nolit. Mungonin masat serioze dhe efektive. Ndërsa një pjesë e popullit ishte e shqetësuar dhe lypte veprime energjike, aparati shtetëror s’ishte gjëkundi. Kish një përgjumje dhe shkrehje të përgjithshme. Gjithsesi një përpjekje për blerje armësh në Itali. Megjithatë, Italia ishte e gatshme t’i bënte bisht neutralitetit qëkurse mendoi t’i ofronte Nolit mjete luftarake. Kjo qe me shumë rezultat i përfitimeve të mëdha që mund të arrinte Italia, se sa ndjenjë besnikërie ndaj Nolit. Duke filluar nga mesi i dhjetorit, shqiptarët autorizuan Legatën në Romë të punonte për një marrëveshje të fshehtë armësh. Bisedimet qenë të gjata dhe të lodhshme, por në ditët e para u duk se qeveria italiane autorizoi transferimin e armëve. Më 18 dhjetor Z. Mborja shkruante se po bëheshin të gjitha përpjekjet për të shpejtuar transportin dhe se të gjitha formalitetet e nevojshme ishin afër plotësimit. Më 19 dhjetor ai njoftoi Ministrinë e Jashtme se Ministria e Jashtme Italiane nuk ishte kundër uljes së çmimit të armëve, por nuk do t’i jepnin falas. Më tej Z. Mborja vinte në dukje se koha ishte vendimtare dhe se duhet të dërgoheshin menjëherë 500.000 lireta.

Organizimi i kontingjenteve me mercenarë

Në Jugosllavi Zogu kishte arritur të organizonte një kontingjent të rëndësishëm mercenarësh me një ndihmë që nuk iu kursye nga autoritetet jugosllave. Në dokumentet diplomatike që u referohen burimeve jugosllave, bëhet fjalë edhe për një marrëveshje të fshehtë që Zogu lidhi me Beogradin përpara se të kalonte kufirin. Ajo është cilësuar si një marrëveshje e mirëfilltë politike, në bazë të së cilës Zogu angazhohej se do të mbante lidhje të privilegjuara me Jugosllavinë. Kjo do të thoshte se ai do të orientohej nga Beogradi në politikën e jashtme. Nga zhvillimi e mëtejshëm i ngjarjeve nuk del që Zogu t’i ketë qëndruar kësaj marrëveshjeje edhe sikur ajo të ekzistonte. Si do të shihet, ndodhi krejt ndryshe kur Zogu u rikthye në pushtet. Zogu përpunoi një plan të kujdesshëm, duke shpresuar të përfitonte prej elementit të befasisë. Një sulm në dhjetor do të bënte të mundur që Noli të kapej i papërgatitur, pasi ai priste që Zogu ta fillonte sulmin në pranverë. Sidoqoftë, një sulm në fund të vitit paraqiste një numër vështirësish të mëdha, të cilat rridhnin kryesisht prej kushteve jo të favorshme të motit. Atë vit dimri kishte qenë jashtëzakonisht i egër, me temperatura tepër të ulëta dhe reshje të mëdha dëbore, që i kishin bërë të pakalueshme shumë prej shtigjeve të mushkave që do të përdoreshin në kalimin e kufirit dhe në zbritjen drejt zonës fushore të Shqipërisë së Mesme dhe të Jugut. Ekzistonte rreziku i moçalosjes nëpër male, sikurse kishte ndodhur edhe me ushtrinë serbe gjatë vitit 1915. Megjithatë, Zogu arsyetoi se përfundimisht këto rreziqe ekzistonin edhe për trupat e Nolit. Në këtë drejtim, Zogu gëzonte disa përparësi, pasi komunikimi në anën shqiptare të kufirit ishte shumë i vështirë sesa komunikimi mëtanë tij. Gjithashtu, matjanët e Zogut ishin të mësuar me një terren të tillë. Një problem shumë serioz që shqetësonte si Zogun ashtu dhe Beogradin ishte përshtypja që mund të bënte në opinionin e brendshëm dhe të jashtëm artileria jugosllave në tokën shqiptare. Për këtë u morën masa të shumta për të fshehur sa të ishte e mundur pjesëmarrjen e Beogradit. Ushtarët jugosllave u veshën me petka karakteristike shqiptare dhe u vendos që operacionet e tyre ushtarake të kufizoheshin vetëm në fazën e parë të invazionit. Ata morën udhëzime të mos depërtonin shumë thellë në truallin shqiptar. Në Podgoricë të Malit të Zi, e tani ishte në Jugosllavi u mblodhën gjithë personat e ikur nga Shkodra dhe Malësia. U krijua një Komision për të koordinuar veprimet. Komisioni i Podgoricës ishte i përbërë nga Ceno beg Kryeziu, Musa Juka, Malo beg Bushati, Kasëm Lluja, si dhe një klerik katolik dhe një zotëri që nuk identifikohet. Përgatitjet e qeverisë në “mërgim” e Iliaz Vrionit u arritën kur dy anëtarët e Këshillit të Naltë, Xhafer Ypi dhe Refik Toptani që ishin edhe këto të larguar aprovuan vendimin e Kryeministrit Iliaz Vrioni që kishte emëruar, Ahmet Zogun komandant të operacionit kundër rebelëve që kishin uzurpuar në mënyrë ilegjitime institucionet e shtetit shqiptar.

Nga ana e Hotit u nisën në drejtim të Shkodrës Musa Juka, Gjelosh Toma i Triepshit, Llesh Marashi, Kol Zefi i Grudës, Gjon Nik Luçi i Hotit, Malo Beg Bushati, Zef Shuk Serreqi, Gjek Marashi, Vat Marashi, Zef Prendushi i Shkrelit, Luigj Shantoja si dhe nga ana e Anës së Malit, Hasan Beg Bushati dhe Hasan Isufi shoqëruar me dhjetëra besnikë. Armët u siguruan në Itali tek vëllezërit Punji, dhe me që Roma nuk pranonte të angazhohej në këto ngjarje ato kaluan në Francë prej nga erdhën në Jugosllavi. Ndërmjetësi shqiptar ishte Jak Koçi ndërsa ndërmjetës italian ishte deputeti fashist Aleksandër Lesona. Ndërsa flitej se shoqëria anglo-persiane kishte hequr shpenzimet në para. Nuk ka dyshim se Ahmet Zogu, i cili vuri emrin e vet në së paku 15 vjet të historisë shqiptare, përbën një figurë komplekse dhe problematike, me kontribute, por edhe me qëndrime e veprime, të cilat në një gjykim objektiv kanë qenë në dëm të Shqipërisë. Nuk mund të mohohet roli që mund të ketë në konsolidimin e shtetit shqiptar, në forcimin e institucioneve, në përgatitjen dhe miratimin e kodeve themelore, në zgjerimin e rrjetit shkollor fillor dhe hapjen e shkollave të para të mesme laike etj. Por kur flitet për Ahmet Zogun, nuk mund të shumohen, madje nuk ka arsye për të fshirë nga historia e tij ngjarje apo episode që përfaqësojnë njolla, në qëndrimet ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve. Duke lënë mënjanë aktin e pakuptimtë të vetëshpalljes si mbret të shqiptarëve, braktisjen e vendit në kohën e pushtimit nga Italia fashiste, në prill të vitit 1939, vjen ndër mend menjëherë pazarllëku i tij me Nikolla Pashiçin, për shitjen dhe shpërdorimin e Shqipërisë në çdo kuptim të kësaj fjale.