Më 4 prill 1939, në Korçë, pasdreke u organizua një demonstratë e madhe me pjesëmarrjen e rreth 15.000 vetave.
– Që në 5 prill, të rinjtë dhe punëtorët u regjistruan në forcat vullnetare që të luftonin për mbrojtjen e Atdheut.
-Më 7 prill demonstrata u bë akoma më e madhe dhe demonstruesit iu vërsulën kazermave që të merrnin armë.
– Në Drenovë, u përqëndruan trupat e divizionit “Lupo di Toskana” dhe më pas “Alpinët”, me ushtarë të specializuar për luftë në terrene malore
-Në datën 24 korrik 1942, u krye me sukses ky aksion mbarëkombëtar për prerjen e linjave telefonike.
–Si ju vendos gabimisht bomba drejtorit të radios Gjergj Bubani poshtë makinës?
Albert Z. Zholi
Sulejman Basha
Ekskluzive për Telegraf.al/ Todo Bojdani lindi në fshatin Drenovë të Korçës më 12 mars 1914. Babai i tij, Jovani, ishte me origjinë nga Drenova, ndërsa nëna, Petrina, nga Boboshtica. Përpara se të shkruajmë për jetën e Todos, le të hedhim një vështrim mbi Drenovën dhe Boboshticën, të cilat ndodhen pranë Korçës, por që kanë një histori dhe culturë të veçantë. Në vitet ‘30, gjendja ekonomike në Shqipëri ishte e mjerueshme. Idetë e barazisë, që u përhapën me shpejtësi në të gjitha vendet, edhe në Shqipëri, u përqafuan nga shtresa e vegjëlisë dhe e in- telektualëve, pasi ajo nënkuptonte eliminimin e vuajtjeve ekonomike të një shtrese shumë të gjerë të popullit. Korça ishte qytet i punëtorisë, i zhvilluar, me ide progresive, komuniste e jo ko- muniste, por ishte edhe si qytet i iluminizmit dhe i ideve revolu- cionare demokratike. Atje u krijua terreni i duhur për përhapjen e ideve komuniste dhe më pas lindjen e GKK. Lëvizja e GKK, e rriti veprimtarinë duke zgjeruar radhët e saj. Pjesëtarë të saj u bënë intelektualë të njohur. Todo studioi në shkollën industriale të Korçës ku mësimi bëhej në gjuhën italiane, ndaj në përbërje të saj kishte profesorë italianë. Sipas shënimeve të Todos: “Në këtë kohë, në shkollën industriale të Korçës u bë një protestë kundër profesorëve fashistë, e cila u organizua nga GKK”. Në vitin 1933, Todo e përfundoi këtë shkollë duke kryer 5 vite të plota. Atij iu akordua një bursë meqënëse kishte dalë me rezultate të mira. Po në vitin 1933, ai filloi shkollën e mesme teknike të Dakos, ku edhe atje mësimi bëhej në gjuhën italiane. Mbyllja dhe shtetëzimi i shkollave të huaja, i detyroi shumë të rinj të ç’vendoseshin në Tiranë për të vazhduar studimet në Institutin Teknik të Tiranës. Përveç Todos, në këtë shkollë do të vinte edhe Pandi Kërëku, Ilo Panduku dhe Pandi Kristo, të cilët Todo i njihte qysh në Korçë. Todo ka rënë në kontakt me idetë revolucionare nga dy drejtime: në Institutin Teknik me shokët e lartëpërmendur, por edhe nëpërmjet Pilo Peristerit, me të cilin, si do e shpjegojmë më vonë, ishte krijuar një lidhje familjare e veçantë. Në vitin 1936, Todo, bëhet anëtar i grupit të parë komunist, atij të Korçës, me kryetar celule Pilo Peristerin. Todo në janar të vitit 1938, filloi një kurs 3-mujor në fermën bujqësore në Xhafzotaj për t’u përgatitur si agjent bujqësor. Në përfundim të këtij kursi, më 1 prill 1938, ai emërohet agjent bujqësor në Drashovicë të Vlorës. Rikthehet sërish në Drenovë, në dhjetor të vitit 1938, ku merret me punët bujqësore në tokat e familjes. Todo filloi një kurs për radio pranë Radio-Tiranës në fillim të vitit 1939. Ai për një kohë të shkurtër arriti të përvetësojë bazën e teknikës së radios. Në tetor të vitit 1939, emërohet operator në Radio-Tirana. Kjo ishte një ngjarje e shënuar për jetën e Todos.
Pushtimi i Shqipërisë nga Italia fashiste
Pushtimi i Shqipërisë nga Italia fashiste ishte një ngjarje, që pritej të ndodhte. Më 4 prill 1939, në Korçë, pasdreke u organizua një demonstratë e madhe me pjesëmarrjen e rreth 15.000 vetave. Populli kërkonte armë për të luftuar kundër okupatorit fashist. U mbajtën fjalime antifashiste dhe u hodhën parulla si: “Do të mbrojmë vendin. Poshtë Italia fashiste!”, etj. Demonstrata vazhdoi edhe në ditët në vijim. Që në 5 prill, të rinjtë dhe punëtorët u regjistruan në forcat vullnetare që të luftonin për mbrojtjen e Atdheut. Më 7 prill demonstrata u bë akoma më e madhe dhe demonstruesit iu vërsulën kazermave që të merrnin armë. Në rrugët e sheshet e Korçës dëgjohej kënga patriotike “Eja mblidhuni këtu, këtu/Bashkë me ne!” Më 7 prill 1939, Italia fashiste pushtoi Shqipërinë. Familja Bojdani, ashtu si i gjithë populli shqiptar, e priti këtë ngjarje me dëshpërim. Dhimitri, Zisi, Todo dhe Ilo, ishin shumë aktivë në demonstratat e organizuara në Korçë. Pushtimi i Shqipërisë nga Italia fashiste solli rritjen e aktiviteteve të grupeve komuniste, që kishin si qëllim mobilizimin për çlirimin e vendit. Italianët e parë që shkelën në Drenovë, ishin borsalierët, të cilët dalloheshin se mbanin në pjesën e poshtme të kapeles pendë të zeza dhe në anë të saj, varej një xhufkë. Më vonë, në Drenovë, u përqëndruan trupat e divizionit “Lupo di Toskana” dhe më pas “Alpinët”, me ushtarë të specializuar për luftë në terrene malore.
Radio Tirana transferohet në rrugën “Kont Urani”
Në fund të vitit 1939, Radio-Tirana do të transferohej në rrugën e Kavajës (rrugica “Kont Urani”) ku sot njihet si ish-Radio- Tirana e vjetër. Kjo godinë u kompletua me aparatura të kohës dhe instalimet u kryen nga specialistë italianë, ndër të cilët spikaste inxhinieri Antonio Galeaci, ndihmuar nga teknikët shqiptarë Todo Bojdani, Xhafer Zavalani, Kadri Brahimaj, Ibrahim Dibra dhe Ndoc Saraçi. Radiostacioni dhënës u instalua në Laprakë. Në nëntor të vitit 1939, Todo figuron në listën e rrogave të personelit teknik. Në bordero ai është cilësuar si operator me një pagë mujore 150 fr.shq., ndërsa një muaj më vonë, me një pagë prej 180 fr.shq. Më 15 prill 1940, Radio-Tirana filloi të transmetojë me valë të shkurtra 22.22 m. për Tiranën dhe për qytetet e afërta, ndërsa me valë të mesme 200 m. për qytetet e largëta të Shqipërisë. Koha e transmetimit të emisioneve të Radio- Tiranës u rrit në 7 orë në ditë. Gjatë kësaj kohë ajo transmetonte dhe emisionin për mësimin e gjuhës italiane.Kishte ardhur koha që të instaloheshin transmetues difuzivë edhe në qytete të tjera. Qyteti i parë u përzgjodh Korça. Në fillim të vitit 1940, u gjet ambienti ku do të vendosej studioja e Radio Korçës, si edhe transmetuesi së bashku me antenën. Todo mori pjesë gjatë të gjitha procedurave deri edhe në instalimin e pajisjeve. Më 27 prill 1940, u inaugurua radiostacioni i Korçës.
Todo Bojdani-krijues i njësisë së parë të ndërlidhjes në Ushtrinë Nacionalçlirimtare.
Ky radiostacion, mbas atij të Radio-Tiranës, ishte i dyti që montohej në Shqipëri. Radiostacioni do të fillonte transmetime lokale, por do të kishte lidhje edhe me Radio-Tiranën, edhe me Radio-Romën, dy herë në ditë. Ja si e tregon Vasil Dishnica në kujtimet e tij, ardhjen e këtij radiostacioni: “Në prill të vitit 1941, Ministria e Kulturës dhe Radio-Tirana, sollën në Korçë një radiostacion me fuqi 250ë. Radiostacioni ishte shumë i mirë. Ai u vendos në një ambient afër xhamisë. Njëra anë e antenës u lidh në kulm të minares së Xhamisë, ndërsa ana tjetër, te Kulla e Sahatit, e cila ishte 20 metra e lartë. Studioja u vendos fillimisht në një ndërtesë që ishte e kalbur fare, dhe shumë pranë shtëpive të qytetarëve, aq sa, kur këndonte këndezi te komshia, dëgjohej pastër në transmetim në radio. Atje qëndruam disa muaj, pastaj morëm me qira një ndërtesë që ishte pronë e familjes Filo. Radiostacioni i montuar kërkonte specialistë me eksperiencë, prandaj Drejtoria e Radio-Tiranës vendosi që në Korçë të shkonte Todo Bojdani. Kështu në maj të vitit 1941, Todo u emërua kryeteknik i Radio-Korçës. Ai krijoi shumë shpejt një shoqëri pune të sinqertë. Ja si e kujton Vasil Dishnica, ardhjen e Todos: “Todo u transferua nga Radio-Tirana në Radio-Korça. Unë e njihja Todon qysh përpara, por me ardhjen e tij në Korçë u miqësuam akoma më shumë pasi na u puq edhe karakteri. Shtëpia ime ishte pranë studios së Radio-Korçës, ndaj Todo vinte shpesh në shtëpi. Shpesh e gjeja duke biseduar me Stefin, vëllain tim, apo me prindërit e mi. Ai ishte bërë si djali i shtëpisë”. Todo kishte leje qarkullimi nga drejtoria e Radio-Tiranës, gjë që mundësonte lëvizjet që ai do të bënte për nevojat e punës ilegale. Celula e Partisë ku ai merrte pjesë, drejtohej nga Petro Papi. Disa ditë pasi Todo ishte transferuar në Korçë, Petro i kërkoi Todos që të çonte në Drenovë një shoqe. Ja si e përshkruan Todo këtë rast:“Shoqen Eleni Kaçaku, në maj të vitit 1941, mbasi kishte të dhëna se ajo do të arrestohej nga italianët, e nxora nga Korça për në Drenovë, mbasi në Korçë kishte shtetrrethim. Unë në këtë kohë isha shef teknik i Radio-Korçës dhe isha i pajisur me fletë-qarkullimi”. Gjatë kohës së Luftës Nacionalçlirimtare, shtëpia e Bojdanëve në Drenovë u bë një nga bazat më të rëndësishme të rrethit të Korçës. Atje hynin e dilnin ilegalë dhe luftëtarë, që vinin nga Korça për të shkuar te formacionet partizane, por edhe ata që do të hynin në Korçë. Shtëpia e Bojdanëve ishte jo vetëm bazë e sigurtë, por edhe një vend dominues, pasi që andej shihej qyteti si dhe gjithë fusha e Korçës. Ajo kishte tri dyer dhe një oborr të madh, i cili kufizohej me disa shtëpi, gjë që lehtësonte largimin në rast të një situate të rrezikshme. Në fund të shtatorit 1942, në shtëpinë e Zisi Stavres, bëhet mbledhja e përbashkët e rinisë së fshatit, ku merrnin pjesë rreth 40 vetë. Ishte ditë e dielë. I deleguar i Qarkorit të Rinisë ishte Vangjo Vangjeli. Mbledhjen e drejtoi Ilo Bojdani dhe në fund nxori detyrat ndërmjet të tjerave një detyrë për të organizuar dhe shpërndarë trakte të shkruara në gjuhën italiane, të destinuara për t’u hedhur nëpër kazermat e italianëve. Ky aksion iu ngarkua të rinjve, ndër të cilët ishte edhe Kiço Grabocka. Mbas kryerjes së aksionit, Kiçoja ishte diktuar nga fashistët, të cilët ia rrethojnë shtëpinë dhe e arrestojnë. Gjatë pyetjeve ndër tortura, ai tentoi të arratisej, por u plagos rëndë dhe kapet sërish nga forcat italiane në qendër të fshatit, dhe ekzekutohet prej tyre. Atje sot është ngitur lapidari dedikuar dëshmorit Kiço Grabocka. Me iniciativën e Todos, në pranverën e vitit 1942, pra më shumë se një vit para formimit të Shtabit të Përgjithshëm, filloi puna për ndërtimin e një radiostacioni, i cili do të shërbente për ndërlidhjen e formacioneve luftarake.
Todo ka shkruar:
“Unë, Thanasin e kam njohur së afërmi në fillim të vitit 1942, kur ai punonte së bashku me Jorgji Babon në një laborator të vogël radioteknik. Ky lokal kishte dy të ndara, në pjesën e parë ata prisnin klientët dhe riparonin radiot civile, ndërsa në ndarjen e dytë, kishim filluar të ndërtonim një radiostacion transmetues për nevojat e Luftës Nacionalçlirimtare, duke ia arritur qëllimit. Radiostacioni dëgjohej mirë edhe në Pogradec, Bilisht, Ersekë dhe Leskovik….”.“Lokali i laboratorit shërbente edhe si qendër për shpërndarjen e trakteve dhe të komunikatave. Të diktuar nga spiunët dhe nga një kontroll, që i bënë shokut të tij, Jorgji Babos, i gjetën një komunikatë; kështu që në qershor 1942, i arrestuan të dy dhe i dërguan në kuesturë. Dyqani u vulos. Unë, me të marrë këtë lajm, bashkë me Llambi Kudrën, organizuam dhe morëm në fshehtësi aparaturën e radios, se ishte kompromentuese për Thanasin në qoftë se do t’ia gjenin. Nxjerrja e saj u bë duke hyrë në dyqan nga penxherja; pajisjet i futëm në një thes dhe i çuam në një bazë të sigurt të Luftës Nacionalçlirimtare…”.“Thanasin dhe Jorgjin i futën në birucë ku i torturuan. Gjithsesi, ata qëndruan të vendosur dhe nuk treguan. Pas tri ditësh, ndërsa ishte natë e errët, Thanasi shkallmoi tavanin, doli në çatinë e burgut dhe u arratis së bashku me Jorgjin, u hodhën prapa kuesturës, në një bahçe ku thaheshin lëkurët. Së këtejmi kaluan lumin dhe zbritën deri në fabrikën e lëkurëve, ku morën rrugën për në një bazë, në katundin Vinçan. Mbas disa ditësh Thanasi vjen ilegal në shtëpinë time në Drenovë, ku vazhduam punën e ndërtimit të radiostacioneve… Qysh në këtë kohë, Thanasi konsiderohet i dalë në ilegalitet, sepse kërkohej nga bashkëpunëtorët dhe spiunët e pushtuesit italian.” Organizuar nga Todo, në fillim të verës të vitit 1942, njësitet guerrile të Drenovës dhe Boboshticës kryejnë aksionin e shkatërrimit të linjës telefonike, që lidhte Boboshticën me Bigllin e Dardhës. Bazuar në eksperiencën e krijuar nga aksioni i mësipërm, Todo propozoi një aksion në rang kombëtar për prerjen e linjave telefonike në të gjithë Shqipërinë. Ky aksion kërkonte një organizim dhe përfshirjen e shumë specialistëve. Në këtë aksion në Korçë morën pjesë njësitet guerile të qytetit të Korçës dhe të disa fshatrave. Kështu, në datën 24 korrik 1942, u krye me sukses ky aksion mbarëkombëtar.
Bomba Gjergj Bubanit
Thanas Mërtiri kishte filluar të prodhonte bombat me sahat. Atij i shkoi në mëndje të bënte një aksion individual, pra me iniciativën e tij, duke i vënë një bombë të tillë drejtorit të Radio-Tiranës, Gjergj Bubani. Thanasi mendonte që drejtori i Radio-Tiranës ishte në shërbim të pushtuesit! Thanasi e vendos bombën në makinën e Gjergjit, ndërsa ai kishte ardhur në Radio-Korça, mirëpo bomba plasi përpara kohës së parashikuar, kështu që fatmirësisht Gjergji shpëtoi. Kjo ngjarje bëri bujë të madhe në qytet. Ishte një ngjarje e rëndë dhe e palejueshme që binte ndesh me disiplinën. Todo, i shqetësuar, duke ndjerë përgjegjësinë, pasi Thanasin e kishte shok, nuk mund të lejonte që të vriteshin njerëz në këtë mënyrë. Kjo do të ishte konsideruar një ngjarje kriminale, mund t’i shkaktonte shumë dëm lëvizjes… Todo i kërkoi Thanasit që një ngjarje e tillë të mos përsëritej kurrë më! Në korrik 1943, u mbajt Konferenca e Labinotit. Ajo mori vendim për formimin e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare, ndërsa 10 korriku 1943, u shpall të jetë festa e Ushtrisë. Todo ka qenë i inkuadruar pranë Shtabit të Përgjithshëm.