Timo Luto: Në Festivalin e 11, Todi Lubonja solli këngë moderne dhe prezantuese që thyen tabutë

1437
Kujtimet e gazetarit Timo Luto, janë tejet interesante. Gjithë jeta e tij në RTSH ka bërë, që ai, të akumulojë një përvojë të jashtëzakonshme në mënyrën e përcjelljes së lajmit, në të vetmin institucion të medias vizive siç ishte TVSH, në sistemin monist. Në tërë jetën e tij si gazetar, në kujtimet e tij, Timo Luto rrëfen në mënyrë të sinqertë, koncize, pa paragjykim dhe n.q.s i lexon me kujdes të gjitha këto kujtime, thua me bindje se ai është dhe një letrar pasionant. Mënyra e rrëfimit, mënyra e të shkruarit, të bën të besosh se je duke lexuar një roman jetëshkrimor dhe jo një libër publicistikë të zakonshëm. Në tërë rrëfimin e tij ka ngjarje, analiza, aksion, dialog, që të mbërthen dhe të impresionon. Në shkrimet e tij ai nuk është statik, i ngurtë dhe anakronik, por është tepër kurajoz dhe me ide të qarta për çfarë shkruan dhe mesazhin që do të përcjellë. Kjo pjesë e rrëfimit të tij që ka të bëjë me ndryshimet në RTSH, në periudhën pas Festivalit të 11-të, pasqyron me vërtetësi dhe me elegancë ato ngjarje të tmerrshme që nuk mund të kuptohen sot. Dhe pse kam marrë në intervistë mbi 70 personalitete të RTSH, të periudhave të ndryshme, mënyra e përjetimit dhe e përcjelljes së kujtimeve tek lexuesi e Timos ka një natyrshmëri të habitshme deri një çiltërsi fëminore. Personalisht dhe pse jam marrë shumë me këto figura e them me bindje, që në këto kujtime njoha shumë boshllëqe dhe përcaktime individësh, që pa këto kujtime do ti kisha të zbehta. Kjo pjesë që përcillet sot për lexuesit e “Telegraf” për mua është një nga pjesët më kryesore të gazetarit të mirënjohur Timo Luto.
Puna në Radio
Atë vit që fillova punë në radio u bënë lëvizje në drejtimin e institucionit. Drejtori i Përgjithshëm Thanas Nano u zëvendësua nga Todi Lubonja që vinte nga Korça ku kishte punuar sekretar në Komitetin e Partisë. Ishte fundi i muajit janar të vitit 1972. Largimi i Thanas Nanos dhe ardhja e Todi Lubonjës u prit mirë nga shumica e punonjësve. Për Thanasin thuhej se ishte tepër autoritar por nuk e mohonin se ishte dhe mjaft i përgatitur dhe njohës i mirë i propagandës me të cilën ishte marrë qysh në vitet e luftës. Për Todin ata që e njihnin thoshin se ishte liberal, i komunikueshëm dhe dashamirës i artit dhe letërsisë. Tregonin se në Korçë rrinte në shoqëri me artistët e këtij qyteti dhe nuk mungonte në shëtitjet e mbrëmjeve në bulevard në shoqërinë e tyre, sjellje që e vazhdoi edhe në bulevardin e madh të Tiranës. Todi Lubonja solli një frymë të re në RTV. Për të orari i punës nuk ishte gjithçka për mbarëvajtjen e punës. Ai stimulonte më shumë liri për krijuesit, për më tepër frymëzim që sipas tij do të sillte më shumë arritje në krijimtari. Në një mbledhje të përgjithshme që zakonisht bëheshin një herë në muaj, duke mos e prishur qysh në fillim këtë traditë, Todi Lubonja në njërën prej tyre tha se krijimtaria e mirë arrihet me frymëzim dhe jo me detyrim.
Për më tepër lexoni gazetën Telegraf
Sigal