58 vjet organizata e lavdishme e veteranëve të LANÇ

949
Më 20 Korrik mbushen 58 vjet nga dita kur u krijua organizata e lavdishme e veteranëve të LANÇ, më 20 Korrik 1957. Në këtë ditë të shënuar, e cila tashmë, me vendim të Komitetit Kombëtar të Organizatës së Veteranëve të LANÇ të popullit shqiptar, u shpall “Dita Kombëtare e Veteranëve të LANÇ”, organizata e veteranëve, gjithë veteranët e pasardhësit shprehin mirënjohjen e tyre të thellë ndaj atyre burrave të nderuar, luftëtarëve të orëve të para, atyre ish- komandantëve legjendarë të formacioneve të mëdha partizane, të cilët organizuan e drejtuan organizatën e veteranëve për vite me radhë, duke u dhënë mundësi gjithë atyre ish luftëtarëve, tashmë të dalë në pension, që të përfshiheshin në këtë organizatë, për të vazhduar misionin e tyre të lartë atdhetar, atë të mbrojtjes së vlerave e të idealeve të LANÇ, propagandimin dhe përcjelljen e tyre në breza. Në të njëjtën kohë, në këtë datë historike, organizata e veteranëve në shkallë vendi, nga qendra në bazë, nga Komiteti Kombëtar, departamentet përkatëse dhe redaksia e gazetës “Kushtrim brezash” e deri në Komitetet e Veteranëve në rrethe, në blloqeve, në lagje, zonat e qyteteve e atyre të fshatrave, bëjnë bilancin e veprimtarisë së tyre, arritjet dhe kërkesat që shtron koha, duke dalë me konkluzione e përgjithësime, se si duhet vepruar më tej për t’i ngritur ato në një shkallë e nivel më të lartë, në të gjithë treguesit kryesorë të veprimtarisë së vet.
Nga lartësia e këtyre 58 viteve, veçanërisht pas festimeve të 50-55 vjetorit të themelimit të organizatës, disa drejtime të rëndësishme, patën një ndryshim cilësor, të tillë qenë ai i forcimit të jetës së brendshme të organizatës, i përsosjes më tej të organizimit e të drejtimit nga strukturat drejtuese të saj, i përtëritjes me pasardhës të rinj, të shtrirjes së organizatave në territor, në organizimin më të mirë të veprimtarive përkujtimore e me pjesëmarrje më të gjerë, të një bashkëpunimi më të organizuar me organizatat simotra e veçanërisht me pushtetin qendror e vendor, të gjitha këto e të tjera u vunë mbi baza më të shëndosha e me rezultate më të larta. Kjo gjendje më e mirë u vërejt edhe gjatë vitit të kaluar në kuadrin e 70-vjetorit të çlirimit, ku pati një gamë të gjerë veprimtarish, por dhe gjatë këtij viti në fushatën për zgjedhjet në organizatat e veteranëve të terrenit, ku u evindentuan tregues në rritje të numrit të pasardhësve si dhe në ngritjen e organizatave të reja, në ato lagje, fshatra e zona ku ato mungonin. Gjithashtu, është rritur numri i shoqeve pasardhëse si dhe vërehet një përtëritje në strukturat drejtuese me shokë e shoqe të aftë e të përkushtuar. Por, kushtet e krijuara, pas ndarjes së re territoriale, sidomos me zgjedhjet e pushtetit lokal, në të cilat organizata e veteranëve në shkallë vendi dha një kontribut të rëndësishëm për fitoren e koalicionit për “Shqipërinë evropiane”, të së majtës progresive me PS në krye, organizata e veteranëve, gjithë strukturat e saj, sidomos Komitetet e Veteraneve të rretheve e këshillat zonale të tyre, pasi të kostituohen Këshillat Bashkiake dhe të fillojnë nga funksionet ato dhe kryetarët e rinj të bashkive, duhet që drejtuesit e organizatës së veteranëve të marrin kontakte me ta dhe t’iu parashtrojnë nevojën për një bashkëpunim më të organizuar e më të planifikuar. 
Kjo, për të gjitha problematikat që kanë jo vetëm për aktivitete që duhen zhvilluar, por dhe për problemet e restaurimit të simboleve të LANÇ, korrigjimin dhe vënien në vend të atyre vendimeve të padrejta që kanë hequr nga rrugët emrat e heronjve e dëshmorëve duke vendosur emra kolaboracionistësh, rregullimin e varrezave të dëshmorëve, ato për krijimin e kushteve më të përshtatshme në trajtimin e organizatës së veteranëve dhe të anëtarëve të saj etj. Natyrisht, të zgjedhurit rishtas, janë para shumë problemeve që duhen të zgjidhin ata. Prandaj dhe kërkesat tona nuk mund të jenë për një zgjidhje të menjëhershme. Prej tyre, në radhë të pare, të kërkohet vullnet për t’i zgjidhur dhe pastaj evidentim e programim që do të çonte në zgjidhjen e tyre graduale. Kjo festë e organizatës së veteranëve, na shërben jo vetëm për të parë e reflektuar mbi punën e veprimtarinë tonë, por dhe si një rast fatlum për të forcuar dhe më tej solidaritetin shoqëror, unitetin e kompaktësinë, mirëkuptimin dhe frymën e shëndoshë në marrëdhënie me njëri-tjetrin, midis veteranëve e pasardhësve, për të rritur dashurinë vëllazërore dhe respektin reciprok, pse jo edhe për t’u mbledhur, për të festuar së bashku me gëzim, këngë e mesazhe urimi, si një familje e madhe, që përçon veç dashuri, harmoni e atdhetarizëm, në mbrojtjen e vlerave të larta historike të LANÇ-it, virtyte këto që frymëzojnë të gjithë. Në këtë vështim, “Dita Kombëtare e Veteranëve”, është festë jo vetëm për veteranët e pasardhësit. Ajo është e duhet të jetë festë për të gjithë popullin shqiptar, sepse aspiratat e organizatës së veteranëve, objektivat e veprimtaria e saj i përkasin dhe mbarë shoqërisë shqiptare. Por, për të arritur këtu, kërkohet që nga ana jonë, kjo festë duhet t’u bëhet e njohur e të popullarizohet në të gjitha format, në biseda, mbledhje e takime, në shtyp e në media televizive, në botime të ndryshme, veçanërisht biseda të organizuara ne komunitete të gjëra, në shkolla të niveleve të ndryshme, në institucione e shoqata atdhetare kulturore etj. Duke e bërë këtë ditë e festë sa më të gjerë, me siguri që do të detyrohen më në fund edhe organet përkatëse shtetërore e Parlamenti Shqiptar, që ta vendosin zyrtarisht 20 Korrikun e çdo viti, festë kombëtare, sikurse e ka edhe e gjithë bota e qytetëruar, Shtetet e Bashkuara të Amerikës e të tjerë në Europë. (Kryesia e Komitetit Kombëtar)
Sigal