Tentativa e dështuar e ushtarakëte të Titos për ta kthyer shkollën “Skënderbej” në pjesë të sistemit ushtarak jugosllav

807
(Nga historiku zyrtar i shkollës “Skënderbej”)
Pjesë nga libri “Skënderbegasit ndër vite….”, i autorëve Kujtim Boriçi e Maksim Fejzulla që promovimi në kuadër të “Vitit të Skënderbeut” dhe 28 marsit, 73-vjetorit të hapjes së shkollës “Skënderbej”
(Vijon nga numri i kaluar)
Gjatë vitit 1947 dhe më tepër gjatë vitit 1948, në shkollë gjithmonë e më shumë filluan të ndërhyjnë oficerët jugosllavë. Duke parë rolin e madh që po luante shkolla “Skënderbej”, në përgatitjen e brezit të ri, të atij brezi që do të merrte stafetën e revolucionit në dorë, që po edukohej me besnikëri deri në vdekje ndaj mësimeve të Partisë e shokut Enver, ata mundoheshin me të gjitha mënyrat për të penguar edukimin e gjithanshëm të skënderbegasve me mësimet e partisë dhe donin t’i jepnin atij një drejtim pro-jugosllav nëpërmjet jugosllavizimit të shkollës. Ata u munduan që të ndryshonin programin, t’i zhvishnin ato nga partishmëria, duke sjellë anomali në zbatimin e programit mësimor. “Vendi kryesorë -thoshin ato, -duhet të zërë mësimi jugosllavishtes, si një gjuhe e domosdoshme për oficerin shqiptar”. Bënin propagandë për ushtrinë jugosllave, për udhëheqjen e Partisë Jugosllave e për Titon, por vigjilenca e komunistëve dhe organizatave të Partisë dhe krejt efektivit, nuk lejoi në asnjë drejtim që të kryesonte pala jugosllave. Me gjithë përpjekjet e oficerëve mësuesve jugosllavë, programi mësimor i stërvitjes dhe boshti i edukimit nuk i humbën për asnjë moment karakterin e tyre të drejtë dhe me partishmëri. Programi me 5 orë jugosllavisht në javë, me gjithë përpjekjet e partisë jugosllave, nuk u zbatua dhe oficeri jugosllav u nxor jashtë nga zyra si shkelës flagrant i rregulloreve dhe i ndërhyrjes brutale në punët e shkollës. Aty nga fillimi i gjysmës së dytë të vitit 1948, në gazetën “Zëri i Populli” u botua rezoluta e Inform-Byrosë “Mbi gjendjen e Partisë Komuniste Jugosllave”. Pas kësaj, në shtator të vitit 1948, dolën vendimet e Plenumit të KQPPSH ku dënohej veprimtaria tradhtare e revizioniste jugosllave dhe e agjentit të tyre Koçi Xoxes. Komiteti i Partisë dhe komunistët sqaruan efektivin e shkollës mbi qëllimin e armiqve dhe organizata e rinisë, e cila kurdoherë kishte qëndruar besnike dhe ndihmëse aktive e Partisë në shkollë, edhe këtë herë si një trup i vetëm, unanimisht dënoi me urrejtje të thellë revizionistët titistë e Koçi Xoxen dhe u zotuan se do të forconin edhe më shumë unitetin rreth Partisë, se do të vinin të gjitha forcat për të arritur rezultate sa më të larta në të gjithë procesin e edukimit. Të rinjtë skënderbegas premtuan se do të rrisnin vigjilencën dhe nuk do të lejonin asnjë të çarë ku të mund të depërtonte armiku. Mbas kësaj, nga shkolla u largua i gjithë elementi jugosllav. 
Në fillim të vitit 1948 erdhi komisar shkolle Koço Lako dhe drejtor shkolle u caktua Stavri Angjeli. Në këtë periudhë, një rëndësi të madhe iu dha diskutimeve për lidhjen sa më të ngushtë midis mësimeve dhe aktualitetit, kryesisht në shkencat shoqërore. Historisë iu ngarkua detyra e edukimit materialistë të nxënësve dhe një vend i rëndësishëm iu dha periudhës së Luftës Nacionalçlirimtare. Gjithashtu ajo duhej të ndihmonte në dhënien e njohurive të Artit Ushtarak. Gjeografia duhej të lidhej më tepër me topografinë dhe me rritjen e dashurisë për natyrën dhe terrenin e vendit tonë. 
Rezultatet e vitit shkollor 1947-1948, qenë të kënaqshme ku 100 nxënës, kishin notën ‘5’, 344 kishin “4 dhe 5” dhe kurse 203 kishin vetëm 1 ose 2 lëndë me “3” . 
Shkollës “Skënderbej”, asnjëherë nuk i ka munguar kujdesi i Partisë dhe i qeverisë. Ky kujdes shprehet nëpërmjet vizitave të herë pas hershme të udhëheqësve të Partisë e të pushtetit, shokut Hysni Kapo, Ramiz Alia, Shefqet Peçi. Shkolla u vizitua shpeshherë gjatë kësaj periudhe dhe nga delegacione të ushtrive të vendeve të demokracisë popullore dhe delegacioneve të partive Komuniste e Punëtore, të cilat shprehnin fjalët më të mira për shkollën ushtarake “Skënderbej”. 
PERIUDHA E FORCIMIT TË SHKOLLËS (1948-1953)
Fillimi i vitit shkollor 1948-1949, e gjeti shkollën në një gjendje më të mirë. Kishte ndryshuar raporti i fillimit, ku vendin më të madh e zinin nxënësit pa arsim, ose me arsim fillor, kurse tani ishte shtuar shumë numri i nxënësve të klasave të larta (gjimnazit). Në fillim të tetorit, organizatat bazë të partisë në shkollë zgjidhnin delegatët për në Kongresin e PKSH. Tre prej tyre ishin me vota deliberative, midis të cilave Koço Lako dhe 2 me të drejtë vote konsultative. 
Për ngritjen ideo-politike të skënderbegasve, ministria orientoi që të zhvillohej sipas një programi të caktuar, historia e PKSH. Ky program do të ishte për klasën e 7 dhe për vitin e parë gjimnaz e për klasat II dhe III të shkollës së mesme, do të ishte i veçantë. Organizimi i shkollës ishte në bazë kompanie. Nga fundi i vitit 1948 në shkollë vjen komandanti Ferit Radovicka dhe komisar Bedri Gjergji. Gjatë këtij viti 1947-1948 organizata e Partisë dhe ajo e rinisë, u mobilizuan kryesisht për të rritur nivelin e përgatitjes mësimore të nxënësve. Fryt i kësaj pune ishte ajo që në tremujorin e dytë të këtij viti shkolla mundi të siguronte një kalueshmëri prej 92. 33% dhe një notë mesatare prej 4. 1. “Atdheu ka besim të madh tek ne -thoshin skënderbegasit, -dhe ne duhet ta justifikojmë atë”. Krahas procesit mësimor, në pranverë të vitit 1949, shkolla filloi përgatitjen për parakalimin në paradën e 10 Korrikut. Puna e tyre e palodhur bëri që në këtë parakalim, shkolla “Skënderbej” të zërë vendin e parë ndër gjithë pjesëmarrësit. 
Pas pushimeve, skëndërbegasit vijnë për fushim në Pogradec. Vendi i fushimit ishte tek kazerma e regjimentit. Ngjarjet e 2 gushtit, indinjuan thellë skënderbegasit. Atmosfera e luftës zbriti aty deri në radhët e skënderbegasve. Në çdo rast priteshin e diskutoheshin lajmet nga fronti. Të gjithë ushtarakët e vegjël, me këmbëngulje, shprehnin vullnetin dhe gatishmërinë e tyre të madhe për të marrë pjesë efektivisht në luftë për të mbrojtur kufijtë e vendit tonë. Ata nuk mund të rrinin të qetë në një kohë kur po kërcënoheshin fitoret për të cilat shumë prej tyre kishin derdhur gjak. “Pse nuk na lejoni të shkojmë në kufi?, “-u thoshin ata përfaqësuesve të Ministrisë së Mbrojtjes Popullore që vinin herë pas here dhe i sqaronin skënderbegasit mbi ngjarjet në kufi. Ata entuziazmoheshin kur mësonin për grushtet e rënda që po merrnin monarko-fashistët grekë, për heroizmat e luftëtarëve tanë. Shpirtërisht skënderbegasit ishin në front. Megjithëse nuk morën pjesë direkt krahas vëllezërve të tyre më të mëdhenj, ata ndihmonin forcat tona të armatosura. Në mesin e fushimit të shkollës u ngrit një depo ushqimi nga ku ngarkoheshin ushqimet për në front. Rezervat ushqimore ruheshin dhe ngarkoheshin nga skënderbegasit. Në afërsi të Tushemishtit, ishte një depo municioni, e cila ruhej nga skënderbegasit dhe municionet e saj ngarkoheshin nga skënderbegasit dhe transferoheshin në fushën e luftimit. Gjatë kësaj kohe, ashtu si gjithë populli shqiptar, edhe shkolla “Skënderbej”, i dërgoi telegram Komandantit Suprem, shokut Enver Hoxha, ku shprehën gatishmëria për të marrë pjesë në veprimet luftarake dhe dënonin thellësisht aktin shovinistë të monarko-fashistëve grekë. 
Krahas ndihmës për luftën, skënderbegasit zhvillonin stërvitje për t’u përgatitur edhe më shumë. Mbas përgatitjes për qitje, zhvilluan qitje luftarake dhe për disa që ishin të vegjël, ishte hera e parë. Megjithëse mosha ishte e vogël, arma dukej një mjet i bindur plotësisht në duart e tyre të shkathëta, prandaj dhe rezultatet e qitjes ishin shumë të mira nga i gjithë efektivi. 
Mbas pushimit, skënderbegasit filluan vitin shkollor 1949-1950. Shkolla ishte shtuar me skënderbegas të rinj, që filluan mësimet në klasën e pestë të shkollës 7-vjeçare. Meqë efektivi i shkollës u rrit, shkolla u vendos në Laprakë, ku ambienti dhe pajisjet ishin më të përshtatshme për mësim. 
Ishte 28 marsi 1950. Shkolla feston 5 vjetorin e krijimit të saj. 5 vjet pune, kalitjeje, mësimi, 5 vjet lufte kundra analfabetizmit, armikut të klasës e ndërhyrjes jugosllave e monarko-fashistëve grek, 5 vjet fitore e suksese të shkëlqyera. Gjatë këtij 5-vjeçari, shkolla ishte bashkë me skënderbegasit. Ajo ndryshoi në rritje në të gjitha drejtimet, ishte përsosur më tej procesi i mësimit, stërvitjes dhe edukimit. Gjatë këtyre 5 vjetëve, morën dije e kulturë me qindra skënderbegas që hynë në shkollë analfabetë dhe që do të kishin mbetur të tillë po të mos ishte kujdesi i Partisë dhe i shokut Enver. Pjesa më e madhe e skënderbegasve të këtij 5-vjeçari kishin ardhur nga Lufta Nacionalçlirimtare. Lufta u kishte bërë plagë të rënda pionierëve. Dikush prej tyre ishte plagosur vetë, dikujt i kishte marrë babën apo nënën, kujt motrën apo vëllain. Por kjo plagë në zemrat e tyre i bënte ata më të fortë, i bënte për mos të harruar kurrë interesat e Atdheut, popullit e Partisë. 
-Skënderbegasit i forcuan edhe më tepër traditat e çmueshme të partizanëve. Ata formuan në shkollë një familje të madhe një shoqëri të fortë ushtarake dhe të gjithë bashkë frontalisht u bënë ballë të gjitha vështirësive dhe pengesave që u dolën përpara…
-Gjallëria, hovi revolucionar dhe pjesëmarrja aktive në problemet e kohës i karakterizonte skënderbegasit. Edhe gjatë pushimeve verore, ata merrnin pjesë në ndërtimin e vendit. Kështu disa skënderbegas morën pjesë vullnetarisht në tharjen e kënetës së Maliqit. Çdo skënderbegas kur vinte me leje nuk mbyllej në vetvete. Ai merrte pjesë në aktivitetet e organizatës së rinisë të terrenit, ndihmonte në eksperiencën e rinisë në shkollë, merrte pjesë në luftën kundër analfabetizmit. Gjithashtu, ata jepnin dhe ndihmën e tyre në kapjen e diversantëve. 
-Skënderbegasit e kësaj periudhe, sot janë në Postet drejtuese të ushtrisë dhe në organet e pushtetit. Kësaj periudhe i takojnë skënderbegasit Gëzim Shyri, Qemal Hata (Hero i Punës Socialiste), komisarë e komandantë repartesh të ushtrisë tonë popullore. Kësaj periudhe i takojnë gjithashtu dëshmorët si piloti Hektor Lako etj. 
-Me temp e gjallëri të madhe vazhdoi shkolla jetën e saj dhe në vitet pasardhëse. Dita e 28 marsit do të ngelet në kujtesën e ish-skënderbegasve për një kohë të gjatë. Që kur u shpall fushata për zgjedhjen e deputetëve për në Kuvendin Popullor, në shkollë filloi një aktivitet i gjerë dhe i gjithanshëm. Organizatat e Partisë, të rinisë e gjithë kolektivi i agjitatorëve bëri një punë të mirë propagandistike nëpërmjet konferencave, mbrëmjeve kulturore, bisedave dhe diskutimeve të organizuara në pikën e agjitacionit. Prandaj nxënësit kuptuan rëndësinë që kishin zgjedhjet në formimin e pushtetit Popullor. Ata i ndiqnin me interes dhe i gjithë efektivi mori angazhime për të dalë shkëlqyeshëm. Erdhi dita e votimit. Shkolla ishte zbukuruar si në ditë feste. Me flamurë të kuq dhe me portrete të udhëheqësve të partisë. Votimet filluan herët në mëngjes në mes këngësh dhe vallesh sipas motiveve të krahinave të ndryshme. Ata do të votonin për të ardhmen e tyre për më shumë kulturë dhe arsim. “Pushteti mi ka dhënë të gjitha mundësitë që të siguroj të ardhmen time të bukur dhe të bëhem një shtetas i vlefshëm për popullin”-shpreheshin skënderbegasit. Dhe për këtë jetë më të mirë dhe me këto mendime të qarta skënderbegasit votues, Ia dhanë të gjitha votat Frontit. 
Partia në shkollë, duke çmuar rolin e organizatës së rinisë, e cila përbën pjesën më të madhe të efektivit, i kushtoi një kujdes të madh punës me rininë. Detyrat e BRPSH në shkollë ishin të rëndësishme dhe nuk mund të kryheshin pa udhëheqjen dhe ndihmën e vazhdueshme të partisë. Prandaj Partia me durim mundi t’i futë ndjenjën e përgjegjësisë personale tek të rinjtë, ngjalli tek ata shpirtin e iniciativës e sakrificës. Burimi i sukseseve të organizatës së rinisë qëndronte në udhëheqjen e shëndoshë e të drejtë të organizatës së Partisë, në kontrollin dhe ndihmën e vazhdueshme që partia i jepte organizatës së rinisë. 
Në mbarimin e vitit shkollor 1951-1952, Partia e Komanda e shkollës, në bashkëveprim me organizatën e rinisë, morën masat e nevojshme organizative për të siguruar rezultate të larta në provimet përfundimtare të këtij viti mësimor. Çdo klasë u nda në grupe pune për të organizuar më mirë studimin. Muret e shkollës u zbukuruan me parulla të shumta që u bënin thirrje nxënësve që të mobilizoheshin sa më shumë për provimet. Në provimet vjetore thuhej në to – çdo nxënës do tregojë dashurinë e tij për mësimin, shkollën, prindërit, Partinë, shokun Enver” ose “Luftëtarët e parë për mbrojtjen e paqes janë ata nxënës e arsimtarë që do të dallohen rezultate të mira”. . Skënderbegasit punuan pa u lodhur edhe në frontin e përgatitjes për provime edhe në atë të përgatitjes të manifestimit sportiv të 10 Korrikut. Ata i vunë në jetë porosit e Partisë se kështu do të bëheshin më të vlefshëm për partinë dhe popullin. Në fund të provimeve të vitit 1951, shkolla siguroi një kalueshmëri 95%, me një notë mesatare 4. 37 dhe 20 % e efektivit dolën shkëlqyeshëm duke zënë kështu vendin e parë të të gjithë shkollave të Republikës. 
Suksesin e mbylljes së shkollës me rezultate të larta e pasoi dhe suksesi tjetër po aq i rëndësishëm në manifestimin e 10 Korrikut që u zhvillua në Stadiumin Kombëtar “Qemal Stafa”. Në këtë manifestim, pjesëmarrësit i treguan popullit shkallën e lartë të disiplinës dhe të përgatitjes së Ushtrisë sonë Popullore. Skënderbegasit, me ushtrimet e tyre, paraqitnin jetën e tyre të përditshme plotë gjallëri e dinamizëm, se si ata çohen, bëjnë gjimnastikën, si bëjnë punën politike, si stërviten dhe në fund me trupat e tyre shkruajnë: “Mbrojmë paqen”, duke treguar kështu qëllimin e edukimin e stërvitjes së tyre. 
Fillimi i vitit 1951 u bë në Vlorë. Aktiviteti kryesor këtu ishte përgatitja fizike dhe ajo ushtarake. Në këtë kuadër një rëndësi të madhe merr mësimi i notit. Gjithashtu dhe aktivitetet sportive ishin të shumta. 
Mbasi u kthyen nga leja, skënderbegasit filluan vitin shkollorë 1951-1952. Me programet e shkollës, një rëndësi të madhe mori përgatitja fizike pa “ulur rëndësia e lëndëve të tjera”. Edukimi bëhej i gjithanshëm. Gjithashtu, gjatë këtij viti u gjallërua shumë lëvizja kulturore dhe sportive. Skuadrat e volejbollit, basketbollit e futbollit ishin ndër skuadrat më të mira e shkollave të mesme. Zhvilloheshin në shkollë sportet e rënda, si boksi e mundja dhe skënderbegasit ishin pjesëtarë të ekipit të të rinjve të klubit sportiv “Partizani”. Ata siguronin gjithmonë vende nderi në kampionatet e ndryshme lokale e kombëtare. 
Edhe skena mori një përparim të dukshëm. U dhanë disa pjesë teatrale, koncerte me këngë e valle humoristike, të cilat patën një ndikim të rëndësishëm në edukimin ido-artistik të skënderbegasve. 
Si çdo vit edhe për mbylljen e vitit shkollor 1951-1952, shkolla ishte në festë. Skënderbegasit janë të gëzuar e krenarë për rezultatet e tyre të mira e për punën e tyre të lodhshme, por të bukur. “Sukseset që kemi arritur ne, -tha përfaqësuesi i komandës së shkollës, nuk janë të rastit, por fryt i një pune të madhe e të gjithanshme të organizatës së Partisë, komandës, drejtorisë, të rinisë e kuadrit oficerë dhe arsimtarë dhe fryt i përpjekjeve të vazhdueshme nga ana juaj për të arritur rezultate të shkëlqyera në të gjitha mësimet. Të 103 skënderbegasit që dolën shkëlqyeshëm në të gjitha mësimet, e meritojnë më së miri këtë gjë”. Këtë vit, shkolla “Skënderbej” vazhdoi të mbajë vendin e parë në të gjitha shkollat e Republikës.
Sukseset e këtij viti i shtoi dhe manifestimi i madh i 10 Korrikut 1952. Skënderbegasit, me uniformën e tyre sportive, hapën ushtrimet e manifestimit. Lëvizjet e tyre të shpejta e të sakta, tregonin për përgatitjen e lartë fizike dhe estetikën e tyre. Mbas ushtrimeve, me trupat e tyre, ata shkruan parullën ”Për Atdheun”, duke treguar kështu se dashuria për Atdheun i frymëzon gjithmonë skënderbegasit të punojnë pa u lodhur në të gjitha drejtimet. Pastaj ata formuan germat e emrit të Stalinit dhe të shokut Enver me katër yje në krye. Populli i Tiranës duartrokiti nxehtësisht skënderbegasit, duke treguar admirimin dhe simpatinë e madhe që ka pasur vazhdimisht për skënderbegasit. 
Mbas fushimit veror, skënderbeasit, me energji të reja, filluan vitin mësimorë 1952-1953. Në këtë vit mësimor, baza materiale për mësimin ishin pasuruar më shumë. U krijuan laboratorët e parë për fizikë dhe kimi. Një ndihmë të madhe në këtë drejtim ka dhënë mësonjësit: Agime Çela dhe Llazar Mreshtanaku. Gjithashtu u krijuan dy dhoma me vlera të mëdha për edukimin e skënderbegasve: Dhoma e historisë së Partisë dhe ajo e kulturës. Me pasurimin e dhomës së HPPSH-s, mori pjesë shoku Hysni Kapo. Midis të tjerash shoku Hysni Kapo, porositi skënderbegasit që të mësonin më së miri historinë e Partisë sonë të lavdishme, se ajo është në histori lufëtrash, përpjekjesh dhe fitoresh të mëdha. U krijua kabineti i zjarrit (armatimit) dhe u shtua baza materiale për lëndën e historisë dhe gjeografisë. Të gjitha këto ndikuan për një përvetësim më të madh të mësimit dhe për rezultate në mësim, rregull dhe disiplinë. Si për gjithë popullin shqiptar edhe për skënderbegasit, vdekja e Stalinit të madh shkaktoi një dhimbje të madhe shpirtërore. Lajmi i vdekjes së Stalinit i tronditi thellë zemrat e skëndërbegasve të vegjël dhe sytë e tyre, gjithmonë të qeshur e të gëzuar u mbushën me lot hidhërimi. 5 Marsi shënoi muaj zije dhe skënderbegasit nuk kryenin asnjë veprimtari. Në kohën kur shoku Enver Hoxha bënte betimin përpara monumentit të Stalinit, skënderbegasit bënë për 4 orë trup-roje nderi. Ky ishte një nder që u bëhej këtyre ushtarakëve të vegjël. 
(Vijon nesër)

Përgatiti faqet: Engjëll Musai, Drejtor i “Telegraf”

NESËR DO TË LEXONI:
-Manifestimi i madh festiv i 10 Korriku i vitit 1953-s. Vlerësimi i Enver Hoxhës për skënderbegasit dhe urdhri i tij për shpërblimin 4 dit me lejë pranë familjes.
-Vlerësimi zyrtar për rezultatet e shkëlqyera të shkollës në vitin mësimor 1953-1954. Kush janë skënderbegasit maturantë që merituan “Medaljet e Arta”.
-Takimi spontan i Enver Hoxhës me autokolonën e skënderbegasve që ktheheshin nga fushimi dimëror në Voskopojë, vlerësimet dhe porositë që u dhanë. 

SHËNIM: Njoftohen të gjithë ish-skënderbegasit, ushtarakët dhe të interesuarit e tjerë, se pas disa ditësh do bëhet në Tiranë promovimi i volumit të tretë të “Skënderbegasit ndër vite…”, aktivitet që bëhet rastin e 73-vjetorit të çeljes së shkollës “Skënderbej” dhe që përfshihet në aktivitetet zyrtare që zhvillohen në kuadër të “Vitit të Skënderbeut-2018”. Koha dhe vendi i promovimit do të lajmërohet dhe në gazetë.
Sigal