Sulçe Çela: Historia e rrallë dhe fati dramatik i Partizanit dhe antifashist të shuqar Saliko Sulo Velça

1626
  • Kryetari i Komitetit Ekzekutiv të Rrethit Vlorë, Kristo Papajani më dha bursë vetëm se isha nga fshati i Saliko Sulos!
  • Tetor 1969, ushtar në repartin ushtarak 5906 Fier, ministri i Mbrojtjes, Beqir Balluku: Oooo! Qenke nga fshati i Saliko Trimit!
  • Në shtëpinë e Beqirajve, Hysni Kapo e Sadik Premte: E keni kthyer shtëpinë e Beqirajve në bazë të Luftës!
  • Hysni Kapo: Me patriotë si kjo familje do ta fitojmë Luftën!
Sigal

Nga Sulçe Çela

Fati dramatik i SALIKO SULO VELÇA, një antifashisti të shquar

Në jetën tradicionale të Labërisë, përgjatë shekujve, kanë nxjerrë krye luftëtarë të dëgjuar popullorë, kapedanë trima të çartur, të cilët ende janë gjallë në kujtesën popullore, pasi bëmat dhe trimëritë e tyre kanë lënë gjurmë e ringjallen herë pas here në rrëfime e këngë popullore. Autori Sulçe Çela,ashtu si në botime e monografi të tjera, dëshmon qartë edhe në faqet e këtij libri kushtuar Saliko Sulos se, veçse është këmbëngulës për të nxjerrë në dritë veçoritë dhe kontributin e këtij personazhi të njohur të Velçës e të Labërisë, nëpërmjet gjurmimeve e përshkrimeve të tij na e gdhend me mjeshtëri portretin e tij jetësor e historik,nëpërmjet një varg dëshmish, detajesh, ngjarjesh e bëmash dhe lexuesit i duket sikur udhëton nëpër kohë së bashku me Saliko Sulon. Jeta e Saliko Sulos në monografinë e Sulçe Çelës është një përmendore trimërie,ku shpalosen traditat dhe zakonet e Velçës e të Labërisë, me të cilat u mëkua dhe u rrit Ai nëpër kohët historike të Shqipërisë. Rrënjët e fisit të tij,edhe pse i rrahën shqotat e kohës si lisin përballë furtunave, bleroi përherë nëpër hapësirat shqiptare dhe ngjarjeve të mëdha të fateve të Atdheut. Babai i Saliko Sulos, Sulo Beqiri, na shfaqet si një nga kapedanët e Labërisë në fillim të shekullit të 20-të në kryengritjet antiturke 1911-1912 me një shpirt të rrallë luftarak,në Kuvendin e Drashovicës në muajin korrik 1911, në përkrahje të Memorandumit të Gërçes për autonominë e Shqipërisë e më pas në shpalljen e Pavarësisë Kombëtare, në mbështetje të qeverisë së Ismail Qemalit. Edhe pse Sulo Beqiri kreu shkollën e mesme ushtarake në Selanik dhe, më pas, për ekonomi agrare në Stamboll, shërbeu si kajmekam në Prevezë dhe Prilep,po – për shkak se ndihmonte mëmëdhetarët në përhapjen e gjuhës dhe të librit shqip – u pushua nga puna në vitin 1909. Përherë në jetën e tij ai ishte shfaqur me një shpirt të thellë liridashës e atdhedashës. Në jetën e tij kishte njohur mjaft mëmëdhetarë të zjarrtë në Stamboll, Janinë, Manastir e Prevezë, si: Ismail Qemalin, Nexhip Dragën, Hamdi Ohrin, Orhan bej Pojanin, Ahmet Demin, Shahin Kolonjën, Namik Delvinën, me të cilët u lidh e bashkëpunoi ngushtë për pavarësinë e Atdheut. Në këtë vatër familjare lindi Sulo Beqiri, ndaj edhe u bë krahu i djathtë i vëllait të tij, Ali Beqirit, një figurë e shquar historike në trevën e Vlorës, në Shpalljen e Pavarësisë Kombëtare dhe në Luftën e Vlorës të vitit 1920 kundër pushtuesve italianë. Ashtu si bijtë e tjerë të Labërisë,i lindur dhe i rritur në këtë familje me tradita të larta,Saliko Sulua u burrërua mes këtyre historive dhe burrave të Velçës dhe të Labërisë. Fjalëpak, trim e hokatar. Në Shkollën e Mesme Tregtare në Ujë të Ftohtë, vatër e Lëvizjes Antifashiste Nacionalçlirimtare për Vlorën. Ai në atë shkollë u njoh me një botë tjetër që i përkonte me ndjenjat e tij atdhetare. U njoh dhe u miqësua me Petro Markon nga Himara, Rebi Alikajn nga Kuçi, Shefqet Musarajn nga Smokthina, Sazan Xhelon nga Tërbaçi, Cane Ramën nga Shkoza dhe me mjaft antifashistë të tjerë të kohës. Autori Sulçe Çela,duke na përshkruar fëmijërinë dhe rininë e Saliko Sulos,pastaj përfshirjen e tij në rrjedhat e rezistencës antifashiste, takimet me Hysni Kapon, Sadik Premten, Mynyr Xhindin, Pajo Islamin,Vehbi Hoxhën,na e jep të qartë formimin e tij prej luftëtari,prej udhëheqësi lufte e më tej. E filloi si komandant i Çetës së Velçës“Islam Shanua”; pjesëmarrja në betejat kundër nazifashistëve në Drashovicë, Selenicë, Gjorm, Mavrovë e gjetkë i japin një dritë të re portretit të tij antifashist. Një përmasë tjetër heroike portreti i Saliko Sulos merr gjatë Luftës së Dytë Botërorë me pjesëmarrjen e tij në radhët e Brigadës së 5-të Sulmuese, Brigadës së 25-të Sulmuese si dhe në Brigadën e 3-të Sulmuese. Komandant brigade me urdhër të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare në dy brigada: komandant i Brigadës së 25-të dhe komandant i Brigadës së 3-të Sulmuese. Në krye të këtyre formacioneve Saliko Sulua përsëri u shqua dhe shtegtoi vetëm në fitore kundër nazifashistëve deri në tokën e bekuar të Kosovës. Figura të tilla jetësore si Saliko Sulua na jepen nga autori Sulçe Çela në gjithë kompleksitetin e vet:miqësinë dhe shoqërinë e kohës, dritëhijet në një jetë të re,vatrën familjare,udhëheqjen e shumë detyrave në fushën civile si kuadër drejtues,gjurmët që ka lënë në jetën e Pasçlirimit, duke na shfaqur kështu edhe sfondin historik të kohës të përballshëm me ligjet e pushtetit të ri të dalë nga lufta; si dhe me dramat shpirtërore të personazhit. Prof. Dr. Bardhosh Gaçe.

Shtator 1957, përballë kryetarit të Komitetit Ekzekutiv të Rrethit Vlorë, Kristo Papajani

Kisha përfunduar shkollën unike(shtatëvjeçare) në fshatin Ramicë të Vlorës. Kërkova të vazhdoja shkollë të mesme,ku të më jepej mundësia, me një bursë shteti. Me shumë vonesë dhe me përpjekje të shumta të babait tim,kërkesa ra në dorë të vetë kryetarit të Komitetit Ekzekutiv të Rrethit Vlorë, Kristo Papajani. Në zyrën e tij,pa e ditur se ai ishte më i madhi i pushtetit në rreth,babai, pati hyrë me rrëmbim dhe i shqetësuar. Kishin filluar shkollat në gjithë vendin. Unë jo. Dhe përsëri, me gjithë ngulmimet dhe qarjehallet e tim eti, kryetari i pati kthyer përgjigje negative. Nuk dihet se çfarë mërmëriti nëpër dhëmbë im atë, por fjalët e tij që i ktheu, i përcolli deri tek unë:

– Mirë, a biri i xhait, kur të plotësoni interesat tuaja, kujtohuni edhe për ne, të varfrit…

– Nga je ti, xhaxha? – e pyeti kryetari.

-E ç´më do?! Nga Velça jam. Ne, fukarenjve, na rroftë parmenda e hosteni. Kristo Papajani, ai inxhinier i talentuar e shok lufte i heroit të këtij libri, ishte ngritur në këmbë dhe:

– Pa dale, nga fshati i Saliko Sulos je ti? Nga fshati i atij burri që i ka dhënë kaq shumë Luftës! Prit… Si i ka notat djali? Shikoi dëftesën. – Qoftë edhe një bursë e vetme të na vijë shtesë nga Ministria e Arsimit,atë do ta marrë djali yt(presim shtesa). Që atëherë njoha një vellot që kishte hapur shtigje në luftë dhe në liri

Tetor 1969, ushtar në repartin ushtarak 5906 Fier, takimi me Beqir Ballukun

Daktilografist në sekretarinë sekrete të korpusit. Zhvillohej një stërvitje ushtarake me vendkomandë në Margëlliç. Unë dhe Zydiu (nga Shkodra, marinar dhe ky) qëndruam në dispozicion të Ministrisë së Mbrojtjes në një ambient në mes të Fierit. Në katin e tretë. Pas një mesnate,rreth orës 03.00 na hapet dera dhe hyri brenda një burrë që diku e kisha parë. Unë bashkë me shef Gorin u ngritëm në këmbë. Ishte ministri i Mbrojtjes, Beqir Balluku. Na foli me shumë dashamirësi,”na qau hallin” dhe na pyeti se nga ishim.- Po ti,ushtari i vogël,nga je? -Nga Velça e Vlorës,- iu përgjigja.

-Oooo!Qenke nga fshati i Saliko Trimit!E kam njohur që komandant të Brigadës së 3-të Sulmuese. Trim i rrallë ishte. Dha porositë për të na mirëtrajtuar, na dha dorën, mua edhe duke më përkëdhelur, dhe u largua. Dhe mbeti Saliko Sulo Velça një emër që më hapte dyert kudo ku “nuk çaja dot ballëpërballë”. Mblodha e mblodha vlerësimet e gjithë atyre që shok lufte e kanë pasur Saliko Sulon dhe e vlerësonin atë si kuadër të shquar të saj. Për vlerat e larta që ka ky djalë e burrë i velçot, për mirënjohje ndaj tij dhe të gjithë atyre që Velçës ia kanë ngritur kokën lart,vendosa të shkruaj…

Fëmijëria dhe rinia

Velçotë në një çetë u mblodhën, Komandant Ti u zgjodhe. Nëpër luftë plagët të rrodhën, Nëpër plumba vallen hodhe!

Salikua përfshihet ndër ata djem velçotë që lindën të tillë dhe që u qëndruan besnikë virtyteve më të mira të fshatit dhe të familjes, të gjakut e të fisit, gjatë një jete të tërë. Figuron i datëlindjes 1919. E lindi dhe e rriti nënë Lejka nga Kanina. Të tillë do të njihni edhe në kujtimet shumë të ndjeshme të Teki Mukës, i cili ka përjetuar çastet e fundit të përcjelljes së personazhit tonë. Fëmijërinë e kaloi herë në fshatin e lindjes e herë në qytetin e Vlorës. U njoh me shumë e mësoi shumë prej tyre. Shkollën fillore e mbaroi në Velçë, katër klasë. Pasi ishin shpërngulur familjarisht në Vlorë, Salikua ndoqi mësimet në shkollën plotore. Koha, por edhe aftësitë e tij e lidhën me shumë të rinj qytetas, punëtorë e zanatçinj, ndër të cilët edhe me ata që në ditët e mëvonshme do të bëheshin promotorë të luftës për liri e do të mbeteshin edhe dëshmorët e parë. U kalit dhe mësoi shumë për situatën e krijuar dhe për fatet e atdheut sidomos në Shkollën e Mesme Tregtare,atje ku djalëria vlonjate dhe ajo shqiptare mbruhej me idetë revolucionare e përparimtare të kohës. Idetë e Halim Xhelos ishin bërë mish e gjak për të gjithë të rinjtë që ishin bërë pjesë e mësimnxënies së kësaj shkolle me emër. Mënyra se si e priti rinia vlonjate (edhe velçote) pushtimin e Shqipërisë më 7 prill 1939,bën që edhe në shpirtin dhe mendjen e Saliko Sulos të ndizej urrejtja për pushtuesin. Edhe djemtë e Beqirajve, si shumë të tjerë të fshatrave të Lumit të Vlorës,e gjetën vendin dhe zunë pozicionet e një marshimi të gjatë për shpëtimin e atdheut nga pushtuesit.

Të penës,të pushkës,në luftë për liri Janë djemtë e tu,krenare,moj Velçë. Djemtë e Beqire bënë histori,

Në luftë Salikua, Kujtimi në shkencë!

Më 14 dhjetor 1941 qe krijuar në Vlorë Komiteti Qarkor i PKSH-së. Salikua, si shumë të rinj,ishte përfshirë në rrethin e veprimtarive që po udhëhiqte PKSH-ja. Vetë Salikua bashkë me tre djem velçotë qenë përfshirë në veprimet e njësiteve guerile që vepronin me shumë dinamizëm në qytet e në fshat. Më 4 dhjetor 1942 u krijua Çeta Plakë e Vlorës,në të cilën u bënë pjesë lufte shumë të rinj e burra nga Velça. Përmendet në Velçë e gjetkë edhe sot një debat i Salikos me të ungjin (xhaxhanë), Aliun:

– Duhet ta mbrojmë atdheun e do ta mbrojmë me çdo kusht, i nderuari xhaxha ,shtëpinë dhe vendin tonë. Prandaj kërkojmë edhe përkrahjen tuaj që e kini eksperiencën e një lufte. E mba mënd se çfarë kërkove më 1920? Apo të kthehemi ta bëjmë siç t’u përgjigj Eqrem beu, kur të thosh “lei rehat italianët,se do të na i bëjnë bytym pallate“? Ne s’jemi duartharë, i ngremë vetë shtëpitë tona! Bashkë me Salikon ishin rreshtuar në këtë lëvizje edhe burra të tjerë nga fshati i Salikos, si: Dasho Rustemi, Lilo Dushan Nuraj, Malo Beqari, Muço Maska, Micol Kokaj, Dino Sulua, Shano Islami, që vepronin herë bashkë e herë veç e veç. Ishin bashkë kur hodhën në erë depot e municionit të italianëve në fushën e Mavrovës. Në dhjetor 1941 ishte përfshirë, siç e përmendnin “zyrtarisht“ Salikon, në Luftën Antifashiste Nacionalçirimtare. Në shtëpinë e Beqirajve në ato vite kishin shkuar për takim udhëheqësit e luftës së re: Hysni Kapo e Sadik Premte,duke e kthyer edhe shtëpinë e Beqirajve në një bazë lufte. Në muajin maj 1943 Saliko Sulua pranohet në radhët e PKSH-së.

 

Në luftën e Gjormit, Selenicës dhe Drashovicës

Në qershor 1943 në fshatin e Velçës,në vëndin e quajtur Qafa e Hamzait,midis Bregut të Kolajve dhe Bregut të Gjivelajve, te ullinjtë e Koçajve, u formua për herë të parë një njësi luftarake e armatosur e fshatit me tridhjetë djem e burra. Të gjithë me armë të rrëmbyera armikut. Çetës i vunë një emër trimi,emrin “Islam Shanaj“. Njëzëri velçotët zgjodhën komandant Saliko Sulon dhe komisar Malo Beqarin. Po këta të dy u caktuan edhe komandant e komisar të batalionit të Shullërit. Morën pjesë në luftimet në Selenicë,në Drashovicë dhe në Gjorm. Saliko Sulua e njihte mirë atë terren,ndaj dhe veproi me zgjuarsi e dinamizëm në të gjitha luftimet. Më 14 Shtator 1943 në betejën e parë frontale kundër nazistëve mori pjesë gjerësisht batalioni i Shullërit, ku udhëhiqnin me qartësi e trimëri edhe djemtë velçotë komandantë e komisarë. Mes luftimeve që zgjatën rreth një javë, u vra dhe një tjetër djalë velçot, Shefit Matua. Çeta e Velçës, komanduar nga Saliko Sulua, pas luftimeve të përgjakshme ku la edhe dëshmorët e parë, kaloi në kombinacione luftarake të përbashkëta me batalione të Brigadës së Parë Sulmuese dhe me batalione vullnetare si: “Halim Xhelo“, “Ismail Qemali“ etj. Para se të fillonte Operacioni armik i Dimrit 1943-1944, çeta e Velçës ishte përfshirë në luftime në Mavrovë, Hysoverdh dhe Vajzë, Beun, Brataj, Velçë. Saliko Sulua luftoi e komandoi luftimet në Mavrovë, Mallkeq, Ploçë, Beun, Dushkarak. Ishte bashkë me batalionin “Halim Xhelo“ duke luftuar më 28 nëntor 1943. Në qarkun e Vlorës përgatitej një njësi e madhe luftarake që të krijohej në zemër të Labërisë, në Lumin e Vlorës. Pikërisht në këto situata të reja,nën komandën e Saliko Sulos,ishte orientuar edhe çeta e Velçës dhe batalioni “Halim Xhelo“ e “Ismail Qemali“të lëviznin e të bëheshin pjesë e një faze të re luftimesh për çlirimin e vendit.

Përgatiti për botim Albert Z. ZHOLI

Nesër do të lexoni:

01-Saliko Sulua në formacionet partizane të Brigadës V, XXV, III Sulmuese

02-Në Brigadë u futën 30 partizanë nga qyteti i Vlorës, 21 nga Vranishti,18 nga Tërbaçi,12 nga Tragjasi, 8 të rinj smokthinjotë,15 mavronjotë, 13 nga Sevasteri

03- Në krye të Brigadës së 5-të Sulmuese shin komandant Abaz Shehu, komisar Hyni Kapo dhe zv. komisar Manush Myftiu.

04- Si e vlerësuan Hysni Kapua,Kadri Hazbiu, Reiz Malile, Zaho Koka, Rahman Perllaku, Halim Ramohito, Bejto Isufi, Hysen Çino- Saliko Sulon

05–Si veproi Brigada V në ruajtjen e Kongresit legjendar të Përmetit, roli i madh i Saliko Sulos

06-Si u plagos Saliko Sulua, ditën e 29 majit 1944 në Përmet