Skënderbeu, strateg e komandant legjendar

1153
Sigal

Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj

Libër me vlera për artin ushtarak të Skënderbeut

Vite më parë Prof. Dr. Shahin Leka botoi librin “Skënderbeu, strateg e komandant legjendar”, që përshkruan taktikën dhe strategjinë ushtarake të Skënderbeut, duke u bërë objekt studimi dhe nga këndvështrimi i mirëfilltë i historisë ushtarake, veçanërisht nga studiues të akademisë ushtarake. Libri është një përpjekje dhe autori ka arritur të bëjë një punim përgjithësuese e sintetizues për vlerat ushtarake të Skënderbeut, si strateg e si komandant, vlera që e vendosin atë në vendin e një personaliteti krijues në fushën e artit ushtarak, një personalitet që i imponohet historisë së këtij arti dhe opinionit me autoritet ushtarak, jo vetëm të kohës së tij. Libri për vetë natyrën e veprës së tij, ka material edhe në aspektin ushtarak, duke na dhënë veprën ushtarake shumëplanëshe të Skënderbeut, që nuk është vetëm një nevojë e historisë ushtarake, por edhe një nevojë e përvojës mësimdhënëse në kuptimin strategjik e taktik, jo vetëm në rrafshin kombëtar shqiptar. Në shek. XVIII gjenerali i njohur anglez, Xhejms Uollf, theksonte se do të ishte një punë e paçmueshme (prej së cilës do të nxirreshin njohuri e mësime të mëdha për artin ushtarak), po të mund të sigurohej një përshkrim i mjaftueshëm i bëmave ushtarake të Skënderbeut, sepse ai shkëlqen midis gjithë gjeneralëve të kohëve të vjetra dhe të sotme si udhëheqës i madh i një ushtrie të vogël. Kjo vërejtje e Xhejms Uollfit është reale ndoshta edhe sot. Në përgjigje të këtij imperativi, të cilin luftëtarët dhe ushtarakët shqiptare e kane ndjerë prej kohësh, këto dhjetëvjeçarët e fundit luftërat e Skënderbeut filluan të të studiohen dhe të botohen në nivelin e artikujve, kumtesave apo të ndonjë teksti mësimor. Ende nuk kemi një monografi, që të na japë historinë ushtarake të luftërave të popullit shqiptar gjatë shek. XV, nën udhëheqjen e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut. Ndaj në këtë libër bëhen përpjekjet e para për të analizuar vlerat dhe meritat e Skënderbeut si strateg dhe komandant, si organizator dhe udhëheqës i drejtpërdrejtë i një vargu betejash, ku shpaloset një mjeshtëri mahnitëse luftarake. Arti ushtarak skënderbejan, lindi, u provua dhe u pasurua në zjarrin e luftërave dhe të betejave të mëdha, qe ai, ushtria dhe kapedanët që komandonte, i përballuan me fitore, kundër një ushtrie pushtuese, më e fuqishmja dhe më modernia e asaj periudhe historike.

Strateg dhe komandant i luftës së rregullt

Skënderbeu ishte një komandant shumë i zoti i luftës guerile, por ai ishte njëherazi strateg dhe komandant po kaq i zoti i luftës së rregullt. Analiza e luftërave dhe betejave të zhvilluara tregon qartë se Skënderbeu, duke qenë një njohës i thellë i artit ushtarak, kombinoi me mjeshtëri luftën e rregullt me luftën guerile. Për t’u ndeshur me kundërshtarin jo vetëm me metodat e luftës partizane, por edhe me beteja në fushë të hapur, Skënderbeu i duhej së pari të ndëshkonte një ushtri të rregullt. Ushtria e Skënderbeut me mundësi mobilizimi prej 15-20 mijë luftëtarësh e aftë të përhapej me shpejtësi në fushën e luftës, përbëhej nga garda pretoriane, repartet e kufirit dhe forcat ndihmëse. Strategjia e Skënderbeut vlerësoi drejt sasinë dhe cilësinë e ushtrisë si në pikëpamje të cilësisë e morale, ashtu edhe të aftësive taktike e profesionale. Për kompletimin e ushtrisë Skënderbeu vendosi parimin “burrë për shtëpi” dhe hartoi listat e rekrutimit. Ky sistem që ka tiparet e shërbimit të detyrueshëm ushtarak, ishte mjaft i përhapur për kohën. Ai jepte mundësi për realizimin me shpejtësi të mobilizimit të përgjithshëm të popullit në luftë. Skënderbeu krijoi kështu i pari në Evropë në periudhën e mesjetës ushtrinë e përhershme dy vjet para Karlit XII në Francë, i cili, vetëm në vitin 1445 krijoi një lloj ushtrie të përhershme. Kjo ushtri, me tipare të plota të një ushtrie të rregullt hedh vetëm themelet për të përdorur në fushën e luftës si taktikën partizane, ashtu dhe atë të luftës së rregullt, konkluzione më të qarta mund të nxjerrim nëpërmjet një analize të argumentuar të betejave të ushtrisë shqiptare të komanduara nga Skënderbeu. Lufta e rregullt në periudhën e ushtrisë së Mesjetës kryhej nëpërmjet ndeshjes në fushë të hapur të masës kryesore të forcave të të dy palëve, të cilat mund të jenë rreshtuar përballë njëra-tjetrës ose fillojnë luftimin me afrimin në fushën e betejës. Të kësaj natyre janë një varg i tërë betejash të zhvilluara ndërmjet ushtrisë shqiptare të udhëhequra nga Skënderbeu dhe ushtrisë osmane. Po ndalemi në një trajtesë të shkurtër të 2-3 betejave, betejës së Torviollit dhe asaj të Albulenës ku tiparet e luftës së rregullt shfaqen qartë. Në fushën e Torviollit, ku u zhvillua dhe beteja e parë në qershor të vitit 1444, ishin përhapur përballë njëra-tjetrës forcat turke me një efektiv prej 25.000 vetësh (këmbësorë e kalorës) dhe ato shqiptare, 9.000 luftëtarë në fushë të hapur dhe 6.000 të tjerë (kalorës e këmbësorë) të vendosur në mënyrë të fshehtë, në shpinë të rendimit luftarak. Pas luftimesh të ashpra të të dy palëve, në një moment të vështirë Skënderbeu futi në luftim rezervën e maskuar, e cila përcaktoi dhe fatin e betejës. Pas goditjesh të befasishme e të rrufeshme të rezervës, beteja përfundoi me shpartallimi e plotë të ushtrisë osmane. Beteja e Torviollit e zhvilluar në fushë të hapur ku të dy palët ishin rreshtuar përballë njëra-tjetrës, përmbushte të gjitha kriteret e një beteje sipas modeleve të luftës së rregullt. Kjo betejë farkëtoi me tej bashkimin luftarak të popullit shqiptar, si dhe forcoi simpatinë dhe besimin e tij te Skënderbeu dhe për ushtrinë e re shqiptare të komanduar prej tij. Ajo pati jehonë të madhe edhe jashtë Shqipërisë dhe i bëri fuqitë evropiane të drejtojnë vëmendjen e tyre përsëri te Shqipëria.

 

Skënderbeu shfaqi nivel të lartë strategjik

 

Gjatë viteve në vijim betejat e rregullta ndjekin njëra tjetrën, si beteja e Drinit dhe Oranikut në vitin 1448, beteja e Pologut e vitit 1453, ajo e Oranikut e vitit 1456 e shumë të tjera. Por beteja në të cilën Skënderbeu shfaqi largpamësi, aftësi mahnitëse dhe nivel të lartë strategjik, ishte beteja e Albulenës e zhvilluar në verën e vitit 1457. Ajo ishte ndër betejat më të mëdha mësymëse të zhvilluara në fushat e Evropës gjatë shekujve XV-XVI. Veprimet luftarake filluan me një tërheqje të thellë strategjike mashtruese të ushtrisë shqiptare, nga brezi kufitar në drejtim të Lezhës, duke synuar të krijojë te komanda turke bindjen e gabuar se forcat shqiptare ishin të paorganizuara e të paafta për të përballuar ushtrinë e madhe turke, çka e detyroi të kërkonte ndihmë te Venediku. Vijoi pastaj një heshtje e plotë prej 4-5 javëve e forcave të Skënderbeut, që e bëri mashtrimin tërësisht të besueshëm. Në të tilla rrethana si vigjilenca e komandës, ashtu dhe disiplina e gatishmëria luftarake e forcave turke të përhapura në mënyrë të çrregullt në fushën e Albulenës, po shkonin drejt rënies. Shthurja disiplinore dhe vapa e madhe e gushtit e kishin dobësuar aftësinë luftarake të kësaj ushtrie. Ideja e mashtrimit e Skënderbeut ishte realizuar me shumë sukses. Në momentin e përshtatshëm në mesditën e 7 shtatorit, formacionet shqiptare, të cilat kishin zënë në mënyrë të befasishme lartësitë në lindje të fushës së Albulenës, kaluan në mësymje të vrullshme e të fuqishme duke e gjetur në befasi të plotë ushtrinë osmane. Humbjet e para për turqit të tmerruar e në panik, ishin shumë të mëdha. Mbas përpjekjeve për t’u organizuar, luftimi mori tërësisht pamjen e një beteje të rregullt, por zotërimin e gjendjes dhe epërsinë morale i kishin forcat shqiptare. Veç humbjeve të shumta që forcat turke pësuan në fushën e betejës, grupime të çrregullta trupash asgjësoheshin nga pritat e ngritura në rrugët e tërheqjes. Fitorja ishte mahnitëse. Ushtria e vogël shqiptare për 17.000 luftëtarësh mundi ushtrinë e madhe turke prej 50.000 vetësh. Humbjet ishin të pallogaritshme, rreth 20.000 të vrarë ne fushën e betejës, veç shumë të tjerëve gjatë rrugëve të tërheqjes. Fitorja e Albulenës ishte rrjedhojë e manovrës së thellë strategjike, e cila bëri të mundur; së pari, mashtrimin e armikut dhe së dyti, nxjerrjen e forcave në kushte të përshtatshme, si në pikëpamje të terrenit, ashtu dhe të befasisë së goditjes. Një manovër me përmasa të tilla e me një ide kaq të qartë, nuk njihej atëherë, jo vetëm nga ushtritë e vogla të vendeve të Evropës, por edhe nga ushtria e madhe turke. Po kështu, ndërtimi i formacionit të luftimit, mënyra e zhvillimit të mësymjes dhe rezultatet që arriti, i japin betejës së Albulenës tiparet e një beteje fushore të përmasave të mëdha, e zhvilluar sipas të gjitha kërkesave të luftës së rregullt. Është një ndër ato beteja kulmore të historisë së luftërave që mund të arrihet nga strategë e komandantë të mëdhenj, me vizion e personalitet të veçantë e që gëzojnë adhurimin e besimin e plotë të ushtrisë. Beteja e Albulenës vlerësohet si një mësymje masive rezultative dhe me një manovrën strategjike e ushtrisë shqiptare. Perandoria Osmane në planet e saj të zgjerimit kishte drejtime strategjike tepër të rëndësishme por, pa dyshim një nga këto drejtime ishte edhe ai i Shqipërisë. Kujtojmë këtu se Skënderbeu dhe ushtria e tij u ndeshën dhe fituan kundër dy sulltanëve më të mëdhenj të perandorisë dhe 15 gjeneralëve, ndër më të zgjedhurit e saj. Këto dhe të tjera përshkruhen në këtë libër, që do të ishte në nderin e ushtrisë që në këtë vit të Skënderbeut, të ishte bërë një përpjekje për ribotim dhe për një njohje më të gjerë të artit ushtarak të Skënderbeut. Ky libër do t’i bënte nder vendit po të botohej dhe në anglisht, duke u pasuruar me foto, skema të betejave dhe të kalave të Skënderbeut etj. Ribotimi i librit do të ishte dhe një vlerësim për profesorin e nderuar që tashmë është në pension, por edhe një kontribut me vlera i një ushtaraku që në vite me veprimtarinë iu përkushtua artit ushtarak shqiptar.