Si u zhvillua shtypi në Shqipëri gjatë viteve 1914-1939

1058
Sigal

nga Aurenc Bebja

Gjatë mbretërimit të Princ Vidit, vetëm dy gazeta u botuan në Shqipëri :
– « Populli »
, që u shfaq në Vlorë nga 4 prilli deri në 19 gusht 1914 dhe pastaj u transferua në Shkodër, kur Vlora ra në duart e kryengritësve ;
– « Zana »
, revistë letrare dyjavore dhe e ilustruar, e drejtuar nga Zonja Lulo Malësori, e botuar në Bari (Itali) dhe e publikuar nga qershori deri në gusht të 1914 në Durrës.
Pastaj erdhi Lufta e Madhe, me largimin e mbretit Vid dhe pushtimin e Shqipërisë nga ana e trupave armike. Çështja shqiptare u gjend përsëri para botës dhe gazeta të tjera shqiptare u shfaqën jashtë kufijve të shtetit të vogël. Në Amerikë, pati një lëvizje të madhe, ku u krijuan gazeta si « The Albania » (në fillim në Denver, më pas në Chicago, 1915), « Illyria » (Boston, 1916), « Perparimi » (Watertown, Mass, dhe më pas në New York, 1916), « Yll’ i Mëngjezit » (Boston, 1917), « Shqiperia » (New York, 1918), The Adriatic Review (Boston, 1918). Në Lozanë (Zvicër) u themelua në vitin 1915 « L’Albanie », « organ dyjavor mbrojtës i interesave shqiptare », dhe në Romë, në korrik të vitit 1918 « Kuvendi », javore politike italo-shqiptare. Në Shqipëri, pavarësisht vështirësive të panumërta, patriotët trima arritën të krijojnë disa revista të reja :

« Posta e Shoqnies », javore politike e publikuar gjatë disa muajve në Shkodër që nga 5 dhjetori 1916 ;
« Gazeta e Korces », si fillim e përditshme dhe më pas tri-javore, e krijuar në Korçë me 12 tetor 1916 ;
« Zoja Shkoders Drita Shqypnis », periodik katolik i publikuar në Shkodër nga prilli i 1917 deri në korrik të 1919 ;
« Kopështi Letrar », revistë që u shfaq në Elbasan në gusht të 1918 deri në korrik të 1919.
Kur morën fund luftimet, gazeta të tjera u publikuan, për tu kujtuar kombeve që negocionin kushtet e paqes dhe ribënin hartat e Evropës, se Shqipëria nuk duhej harruar : « Agimi », « Koha e Re » dhe « Populli », të publikuara në Shkodër në fillim të 1919 ; « Opinga » dhe « Xgjimi i Shqipërisë », revista të themeluara në Paris po gjatë atij viti ; « Shqiperia e Re », në Bukuresht ; « La Rassegna italoalbanese » në Palermo, etj. Paqja u arrit më në fund. Me 9 nëntor 1921, Konferenca e ambasadorëve konfirmoi përfundimisht kufijtë e Shqipërisë dhe, me 21 janar 1925, u shpall republikë. Tashmë, gazetat do të zhvilloheshin normalisht, megjithëse pa pritur këtë moment, fleta të reja kanë mbirë, si kërpudhët pas shiut : mund të llogarisim më shumë se gjashtëdhjetë, të shfaqura mes 1920 dhe 1925, por zakonisht shuhen në lulen e jetës.  Ne do të përmendim ndër më të rëndësishmet, si për shembull :
 « Demokratia », javore e madhe e Gjirokastrës (1925) ;
– « Ushtimi i Vlorës » 
;
– « Zekthi »
, gazeta e parë satirike shqiptare (Korçë, 1922) ;
– « Fletorja Zyrtare »
, e themeluar në Tiranë në 1922 me titullin inicial « Dit e Re ».

Me 1 shtator 1928 u rivendos monarkia dhe presidenti në detyrë, Ahmet bej Zogu, u  ngjit në fron nën emri Zog I-rë. Sovrani i ri, që kishte jetuar për një kohë të gjatë në Konstandinopojë dhe në Vjenë, e njihte rëndësinë e shtypit dhe e favorizoi me aq sa mundi zhvillimin e saj. Gazeta kishin një mision për të përmbushur në mbretërinë e re : imponimin e autoritetit të qeverisë qendrore në fiset që jetonin në malësi për të cilët hakmarrja (kanuni) nuk i përkiste ende të kaluarës. Influenca e gazetave duhet të ishte akoma dhe më e madhe tek ata, sepse ishte i vetmi ushqim intelektual për popullsinë e shkolluar. Pikërisht për shkak të këtyre kushteve të veçanta, qeveria shqiptare mendonte se ishte më mirë që të ketë pak gazeta, por të mira, se sa shumë dhe mediokre ; ligji i 24 janarit 1931 vendosi që çdo editor (botues) duhet të ishte 25 vjeç e sipër dhe të kishte një dëftesë (diplomë) gjimnazi ; nevojitej gjithashtu një depozitë prej 5000 frangash ari. Dispozitat e këtij ligji, me më shumë se 60 artikuj, cënuan të drejtën e lirisë të shtypit dhe gjendja u rëndua më shumë prej dy dekreteve të 1 shkurtit 1937, sepse u eliminua një numër i rëndësishëm gazetash. Mbetën vetëm gazeta e « mëdhaja » por me baza të qëndrueshme : në prag të pushtimit të Shqipërisë nga italianët, kryeqendra e çdo krahine kishte gazetën e saj, shpesh të përditshme. Revistat, po ashtu, ishin të shumta, le të përmendim më të lexuarat :
revistën letrare « Minerva » ;
revistën pedagogjike « Normalisti » të Elbasanit ;
revistën shkollore « Vatra e Rinis » ;
– revistën fetare të myslimanëve « Zani i Nalte », etj.
Në një vend me 1.2 milionë banorë, gazetat periodike nuk mund të pretendojnë të shiten në masë, sepse ky vend ka ruajtur disa tipare orientale, ku gazetat e botuara kanë përballë tyre një konkurent të fortë, « shtypin e folur », i cili praktikohet në kafene dhe pazare. Gjithsesi, mund të konstatojmë se gazetat arrijnë shpejt deri në fshatrat më të izoluar dhe shohim shpesh, këto kohët e fundit, fshatarë të rinj, të cilët kishin sjellur prodhimet e tyre në treg, dhe të marrin gjatë rrugës së kthimit për në malet e tyre gazetat e gjithë javës. Pushtimi i Shqipërisë nga italianët ka shkaktuar zhdukjen e të gjitha gazetave të pavarura, duke përfshirë edhe « Dritën », gazetën e përditshme të Tiranës, e cila është zëvendësuar nga « Fashizmi », « organ i partisë fashiste shqiptare », numri i parë i botuar i përket datës 25 maj 1939. Faqja e gjashtë e kësaj gazete është në italisht, të tjerat në shqip. Është e vetmja gazetë që ekziston akoma në Shqipëri. Katër gazeta të tjera që botohen një apo dy herë në javë janë « Littorio Coritca », « 7 Prilli » (data e pushtimit), « Gazeta e këmishave të zeza » (Vlorë) dhe « Rinia Fashiste » (Shkodër). Janë të gjitha organ i partisë fashiste dhe botohen në italisht e shqip.