Si u organizua varrimi madhështor i Ismail Qemalit më 12 shkurt 1919

242
Sigal

Jani Minga dhe Qazim Kokoshi, mbajtën fjalim para trupit të patriotit të madh

Përgatiti Albert Z. ZHOLI

/Telegraf.al/ Dy muaj para vdekjes së Ismail Qemalit, më 28 Nëntor 1918, në përvjetorin e shpalljes së Pavarësisë Kombëtare, në Vlorë shpërtheu një demonstratë patriotike, gjatë së cilës Avni Rustemi dhe Bajram Hallkoja në fjalimet që mbajtën dënuan synimet imperialiste të Romës ndaj Vlorës (Sali Hallkokondi, “Historia e Shqipërisë së Re”, Vlorë 1923, fq. 241-242). Si pasojë e kësaj demonstrate, me dhjetëra qytetarë qenë burgosur dhe jo pak figura të shquara ishin internuar në ishullin e Sazanit. Në mënyrë të veçantë, komanda e trup-ekspeditës ushtarake italiane në Vlorë me në krye gjeneralin Settimio Piacentini druheshin se ardhja e arkivolit me trupin e Ismail Qemalit në Vlorë do të shërbente si shkëndijë për manifestime të reja patriotike. Si rrjedhim, ajo tregonte shumë kujdes në organizimin e procesionit të varrimit të trupit të Ismail Qemalit në vendlindje dhe në qytetin ku ai kishte shpallur Pavarësinë e Shqipërisë. Këshilli bashkiak i qytetit, ku mbisundonin patriotët, propozoi që varri i Ismail Qemalit të vendosej në sheshin qendror të qytetit, pranë selisë ku ishte shpallur më 28 Nëntor 1912 Pavarësia Kombëtare e Shqipërisë.

Por, komanda ushtarake italiane, duke u kapur pas projektit ende në studim të rregullimit të sheshit qendror të qytetit, nguli këmbë që trupi të vendosej në kalanë e Kaninës, të paktën përkohësisht, aty ku qenë vendosur stërgjyshërit e Ismail Qemalit, pinjollët e familjes Sinanaj apo të Sinanpashallarëve, gjatë shekujve të kaluar. Madje, ajo vetë mori përsipër organizimin e ceremonisë së varrimit, por vuri si kusht që gjatë procesionit të mos shpalosej asnjë flamur kombëtar shqiptar dhe të mos kishte shpërthime patriotike. Ajo kërkoi gjithashtu të censuronte dhe fjalimet e përmortshme që do të mbaheshin. Pas disa debatesh u arrit marrëveshja e komandës italiane me këshillin bashkiak shqiptar, që gjatë kortezhit vetëm arkivoli të ishte i mbuluar me flamurin shqiptar. Kryesia e bashkisë, nga ana e saj, me qëllim që t‘i kryente homazh të madh birit të shquar të Vlorës dhe të Shqipërisë, një homazh të madh pa incidente, të cilat mund të prishnin varrimin, u lëshoi një thirrje qytetarëve dhe fshatarëve të zonës së okupuar që të merrnin pjesë në varrim jo me flamurin kombëtar në dorë, por ta nderonin në heshtje patriotin e madh me praninë e tyre sa më të shumtë gjatë ceremonisë së varrimit.

Në të vërtetë, kështu ndodhi. Nga Peruxha, trupi i pajetë i Ismail Qemalit, i cili fill pas vdekjes u balsamos, i shoqëruar nga djemtë e tij, u nis drejt Brindisit. Aty u vendos mbi luftanijen italiane “Alpino” dhe arriti në Vlorë në mbrëmjen e 10 shkurtit 1919. Atë natë arkivoli u vendos në komandën ushtarake italiane, që ndodhej në skelë. Aty qëndroi dy ditë.

Ceremonia e varrimit u krye dy ditë më pas, ditën e mërkurë më 12 shkurt 1919. Përcjellja e trupit nga skela filloi në orën 10.00 paradite. Aty qenë të grumbulluar gjithë popullsia e Vlorës, si edhe reparte ushtarake italiane me bandën e tyre muzikore. Kortezhin e prinin 12 kurora lulesh të dërguara nga populli i Vlorës, organet e qarkut e të krahinës së Vlorës, shkollat fillore të qytetit, qyteti i Fierit, shoqëria “Djelmoshat e Vlorës”. Një nga kurorat ishte e gazetës “Kuvendi”, në të cilën thuhej: “Ismail Qemal Vlorës! Diplomatit të vlerët”. Edhe në këtë formulim shihej censura italiane, e cila lejonte që Ismail Qemali të nderohej jo si patriot, as si Ati i Pavarësisë së Shqipërisë, por si “diplomat i vlerët”.
Kur kortezhi u nis nga skela për në qytet, në krye qëndronin anëtarët e shoqërisë “Djelmoshat e Vlorës”, që mbanin kurorat. Pas kurorave vinin anëtarë të tjerë të “Shoqërisë djaloshare”. Pas tyre vinte banda ushtarake, e cila ekzekutonte melodinë e përmortshme “Jone” të kompozitorit italian Petrella.

Më tutje, një grup ushtarësh të regjimentit të 86, si dhe një repart italian mitraljerësh. Pas tyre vinte karroca, që mbante arkivolin e mbështjellë me flamurin kombëtar. Karrocën e tërhiqnin gjashtë kuaj të murrmë. Anës karrocës ecnin dy rreshta ushtarësh. Më pas vinin hoxhallarët. Pas tyre tre djemtë e Ismail Qemalit. Pastaj vinte gjenerali Settimio Piacentini, kundëradmirali Lubetti, autoritetet ushtarake e civile të krahinës, parësia e qytetit dhe e qarkut, qytetarët, nxënësit e shkollave fillore të qytetit dhe një tufë ushtarësh kalorësie.
Duke ecur me hap të ngadalshëm, kortezhi i përmortshëm arriti në qytet. Atë ditë, thotë korrespondenti i gazetës “Kuvendi”, Vlora ishte në zi. Tregu ishte mbyllur. Në dyqane qenë ngjitur letra nekrologjie me rrip të zi anash, ku ishte shkruar: “Zi kombëtare për të madhin patriot Ismail Qemalin.” Duket se flamurin kombëtar të ndaluar nga komanda e pushtimit, qytetarët vlonjatë e zëvendësuan me nderimin nëpërmjet shpalljeve nekrologjike për Ismail Qemalin, “patriotin e madh”.

Nëpër dyert dhe dritaret e shtëpive, shkruante korrespondenti, kishin dalë gra dhe vajza, për të nderuar “Plakun e Shqipërisë”, disa nga të cilat e kishin njohur në rini. Kur arriti në tregun e qytetit kortezhi u ndal. Aty u mbajtën dy fjalime të përmortshme. Mbi ceremoninë e varrimit kemi dy burime historike – një nga autoritetet ushtarake italiane të pushtimit, tjetrën nga kujtime qytetarësh vlonjatë të atyre kohëve.
Në lidhje me këtë ceremoni, gjenerali S. Piacentini i raportonte Ministrisë së Jashtme të Romës po atë mbrëmje: se anija luftarake “Alpino” arriti në skelë mbrëmjen e ditës së hënë më 10 shkurt 1919; dhe më 12 shkurt ora 10.00 paradite u krye ceremonia e varrimit. Arkivoli me trupin e Ismail Qemalit u nis nga skela në orën 10.00 paradite; se sipas programit të parashikuar, mori pjesë batalioni i këmbësorisë së ushtrisë italiane me muzikë e flamuj.

Ai nënvizonte se nuk pati “asnjë flamur shqiptar, përveç atij që mbulonte arkivolin. U mbajtën dy fjalime nga paria shqiptare, të cilat, theksonte gjenerali italian, më ishin bërë të njohura më parë (sigurisht për t‘i censuruar – F. B.). Pjesëmarrja ishte e madhe. Rregulli qe maksimal. Nuk pati asnjë incident.”

Autori R. Fallaschi, i cili ka botuar relacionin e S. Piacentini-t, shënon nga ana e vet se “mbushesh me hidhërim mbi varrimin e Ismail Qemalit, kur mendon se në qytetin e tij të lindjes, ku vetëm gjashtë vjet më parë patrioti i madh shpalli Pavarësinë e Shqipërisë me entuziazmin e kombit dhe me pëlqimin e Italisë, tani ai nderohej jo nga ushtarë të vendit të tij, por nga trupat ushtarake italiane e qe i vetmi flamur shqiptar i pranishëm ishte ai që mbulonte arkivolin e tij.” Pjesë nga ditari i komandës italiane në Vlorë.

Edhe pse mungonte aty ushtria shqiptare, në orën e varrimit tërë popullsia e qytetit dhe e rrethit qe rreshtuar anës rrugës nga skela në Kaninë nga do të kalonte arkivoli, ndërsa fshatarët mbushën dhe kodrat. Sipas dëshmitarëve nga mizëria e fshatarëve kodrat dukeshin si koshere bletësh.

Gjenerali italian nuk na thotë se cilët qenë dy personalitetet që mbajtën fjalimet e përmortshme në tregun e qytetit. Emrat e tyre i njofton korrespondenti i gazetës “Kuvendi”. Ata qenë Jani Minga dhe Qazim Kokoshi, dy delegate, që kishin marrë pjesë bashkë me Ismail Qemalin si përfaqësues të Vlorës në Kuvendin Historik, që shpalli Pavarësinë Kombëtare, më 28 Nëntor 1912. Madje, ai na jep edhe fjalimet e tyre.

Jani Minga tha ndër të tjera: “Popull i përzishëm!

Shumë të brengosur dhe shumë të vrenjtur të shoh sot!
Vallë ç‘gjëmë e tmerrshme të ka ngjarë e ç‘mandatë të zezë ke dëgjuar? Pyes me pikëllim shpirti. Pyes me zemër të dridhur. Po mjerisht kudo ku rrotulloj sytë, kudo ku mbaj veshët një zë përgjigjet për çdo anë, nga çdo fytyrë e venitur dhe e shkëmbyer e juaja del një zë i helmueshëm dhe i shëmtuar dëgjohet “Vdiq Ismail Qemali! Vdiq Plaku i Vlorës! Plaku i Shqipërisë!” Heu! Thuaj më mirë o i mjerë popull “vdiq burri më i madh i Shqipërisë, luftëtari më i fortë i mendjes, i ndjenjave dhe i mendimeve kombëtare, vdiq mburoja më e fortë dhe më e madhe e kombit, vdiq politikani ynë më i madh dhe diplomati ynë më i dëgjueshëm në fushë të politikës e të diplomacisë europiane.”

Nga fjala që mbajti Qazim Kokoshi përpara trupit të Ismail Qemalit, shkëputim këto rreshta: “Helmi dhe dëshpërimi që goditi gjithë bashkatdhetarët nga kjo gjëmë ishin aq të mëdha sa na pëlqente në ditën e shpalljes së Pavarësisë Kombëtare, që të mos ta besonim, donim të shpresonim që lajmi të mos ishte i vërtetë dhe Ismail Qemali të mos kishte vdekur që kësisoj ai me gjalljen e tij të mund të kryente plotësisht qëllimin e shenjtë që kishte filluar që në kohën e djalërisë dhe për të cilin kishte marrë në sy pësimet e mërgimin me shumë rreziqe, me shumë vuajtje e të këqija. Qazim Kokoshi. Por, mjerisht, këto shpresa nuk u vërtetuan pse thonjtë e tmerruar të vdekjes e rrëmbyen Ismail Qemalin. Një e tillë humbje, sidomos në një kohë kur atdheu i tij priste shërbimin më të madh, priste nga fuqia e mendjes së tij kurorëzimin e të drejtave dhe të dëshirave kombëtare, një e tillë mynxyrë, në një kohë të tillë, kur fati i të gjorit komb shqiptar është duke u shqyer përjetë, na duket se e shton helmin e dëshpërimin tonë më shumë se çdo herë.”
Qazim Kokoshi e mbylli fjalën e tij kështu: “Ismail bej!

Të përunjemi dhe të sigurojmë që Shqipëria, ndonëse e vogël, e varfër dhe e paditur, të çmon dhe kujtimin tënd do ta ketë si rrënjë të idealit të saj.”

Pas fjalimit të tyre, ushtria italiane i bëri nderimin e fundit Ismail Qemalit, duke ekzekutuar himnin mbretëror, sigurisht të Italisë. Që këtej reparti i kalorësisë italiane së bashku me të parët e fesë, parësinë e qytetit e një masë e madhe qytetarësh vlonjatë e shoqëruan arkivolin drejt e në Kaninë, ku u varros. Në këtë mënyrë mori fund dhe ceremonia e varrimit.

Ikja në përjetësi

Sipas të birit, Et‘hemit, kur Ismail Qemali, pasi kishte ngrënë drekë doli para gazetarëve që po e prisnin, sapo filloi të fliste u zverdh dhe filloi të dridhej e të belbëzonte. Ali Asllani, kryetari i Bashkisë së Vlorës, tregon se Ethemi i kishte thënë që Ismail Qemali “kërkoi ta shoqëronin në banjë. Atje e mbyti shkuma e të vjellët”. Pas tri ditë sëmundjeje ai vdiq më 26 janar 1919.

Vdekjen e tij e njoftoi, ndër të tjera, me një komunikatë të veçantë gazeta italiane “L‘Unione Liberale”, organ i Partisë Liberale të Italisë, e qendrës së djathtë, me këto fjalë:

“Dje në mbrëmje, më 26 janar, në orën 23.30 pushoi së jetuari në hotel ‘Brufani‘ mysafiri i shquar i qytetit, Ismail Qemal Bej Vlora.

Ai përfaqësonte denjësisht një familje të madhe dhe të lashtë nga Vlora. Meqenëse ishte patriot i flaktë, mik i Italisë sonë, i frymëzuar nga parimet e lirisë dhe drejtësisë, shihej me sy të keq nga qeveria turke, e cila e kishte dënuar dhe detyruar të kërkonte shpëtim në mërgim.
Ishte 75 vjeç, ruante mendimin e kthjellët dhe fuqinë trupore, i palodhur në punë, sikur të ishte i ri dhe i përzemërt me të gjithë.

Hemorragjia cerebrale e goditi më 23 janar dhe si pasojë paralizimi. Për të përballuar sëmundjen nuk patën dobi as mjekimi më i kujdesshëm i mjekut që e kuroi, doktor Leone Pernossi dhe të konsulentëve, prof. Silvestrini dhe prof. Righetti dhe as prania e dhembshur e djemve, të cilëve po u dërgojmë me zemër të pikëlluar ngushëllimet tona”.