Si ia vodhën Enver Hoxhës biblotekën e pasur disa demokratë me pushtet

881
Sigal

Flet ish-Shefi i Gatishmërisë së Republikës, Sefer Pasha/ Të pathënat e ujdive të Mehmet Shehut dhe Kadri Hazbiut që nuk donin socializmin që pretendonte të ndërtonte Enveri. Bisedat intime me kuzhinierin Allamani, i cili ishte i vetmi që i thërriste në emër dhe si u vodh arkat me libra me firmën e tij që çoi në pushkatimin e një prej figurave të bllokut. Letra drejtuar Vita Kapos dhe puçet për ta rrëzuar

Flet ish Shefi i Gadishmërisë së Gardës së Republikës Sefer Pasha: I vetmi peng nga ajo periudhë është se nuk bëra dot një fotografi me Enver Hoxhën

– Si Mehmet Shehu dhe Kadri Hazbiu nuk e donin socializmin, që pretendonte ta ndërtonte Enveri

-Në bllokun e udhëheqësave nuk është asnjë i lumtur më tha Sulo Gradeci

– Dasmat e fëmijëve të Enver Hoxhës gjithçka qenë, por dasma jo! Ceremonitë qenë fare të thjeshta

– Vetëm kuzhinieri Shani Allamani, nga Borja e Kukësit i ka folur komandantit në emër, Enver!

– Një miku im Gjelosh Ukcama nga Lekbibaj me ndihmën e Sulo Gardecit e bëri një foto krah për krah me Enver Hoxhën

-Pas përmbysjes mërgoi në Amerikë dhe me atë foto gjeti punë

– Syzet e zeza nuk i hiqte kurrë dhe asnjë roje nuk përshëndeste ku bënin përjashtim ata oficerë që shërbenin në hollet brenda shtëpisë

– Skënder Alika shërbeu tek dera e dhomës ku flinte Enver Hoxha 15 vjet.

– E kujtoj në ato momente kur e shikoja me libra në duar nëpër bibliotekën e madhe

– Në vitet e demokracisë një pushtetar me pushtet të madh mbushi arkat me libra pa ju trembur syri

– Nga biblioteka e Enverit “vodha” librin ‘’Dëborërat e Kilimanxharos’’ të Heminguejt, që kishte firmën e tij, librin e ruaj në bibiotekën time

– Një berber nuk kishte mundur që ta qethte, me gërshërë në dorë i vinte rrotull Enver Hoxhës dhe dridhej

– Për Ramiz Alinë, Sulo Gradeci volli vrer ishte kokë kauçku, frikacak

    Albert Z. ZHOLI

-Sefer Pasha ish Shefi i Gadishmërisë së Gardës së Republikës ka shërbyer për shumë vite në kufi, por edhe në Gardën e Republikës.Ai ka qenë roje pranë ish-ushëheqësit Enver Hoxha për të cilin ruan shumë kujtime. Por jo vetëm për të. Në detyrën që kishte ai njihte thuajse gjithë ish-anëtarët e Byrosë Politike dhe me disa kishte shkëmbyer edhe fjalë.Por për jetën e Enver Hoxhës ai ka shumë kujtime por edhe shumë dyshime. Jeta e Enverit pas vdekjes së Hysni Kapos u bë shumë e mbyllur. Ai thuajse rinte i vetmuar dhe e kalonte kohën e lirë mes librave.

 

  • Është folur shumë për Enver Hoxhën, madje flitet dhe sot. E kanë etiketuar me lloj lloj emra dhe dhe pseudonimesh. Personalisht si e keni njohur ish-udhëheqësin komunist dhe çfarë mendimi keni për jetën dhe veprën e tij?

Pranë Enver Hoxhës kam shërbyer qysh në ditët e para të karierës ushtarake.Ishte e pamundur që Enver Hoxhën të mos e shihja një herë në ditë.Unë nuk kisha asnjë lloj funksioni.Isha thjesht një roje i Gardës së Republikës.I vetmi peng nga ajo periudhë është se nuk bëra dot një fotografi me Enver Hoxhën.Një miku im Gjelosh Ukcama nga Lekbibaj me ndihmën e Sulo Gradecit e bëri një foto krah për krah me Enver Hoxhën. Pas përmbysjes mërgoi në Amerikë dhe me atë foto gjeti punë. Dhe nga kush? Nga ata që ishin arratisur.

Pothuajse çdo ditë shkoj nga ish Blloku tek është vila 31, ku jetoi Enver Hoxha. Dikur kur bëja shërbim me tre turne dhe ndonjëherë dhe me dy turne numëroja pllakat e rrugicave, të koridorit dhe të tortuarit rrotull lulishtes. Për të shtytur kohën numëroja gjithashtu vazot me lule, trëndafilat, bredhat, manjolat, plepat dhe të vetmin lis, i cili u shkul kur u ndërtua shtëpia e re e Enver Hoxhës.Nuk lija pa i bërë ’’inventarin’’ dhe skulpturës në këndin e lulishtes.Ajo skulpturë është dhe sot. Natyrisht brenda lulishtes. Vitet e fundit, dhjetë metra më tej, u vra bankieri Santo, që ishte gjithashtu dhe poet.Enver Hoxha më kalonte tek këmbët kur isha në vendrojet fikse.Cepi i palltos së tij të zezë më ka prekur në një rast. Tani që jam thinjur e sjell në mendje. Atëherë ai qe i ri. I gjatë.I drejtë. Me ballin sa një gjysëm hëne që rrezatonte dritë. Mbante disa lloje kapelash.Më së shumti mbante një barsolinë të zezë.Këpucët e preferuara qenë në ngjyrën e mjaltit.Kur nisej në mëngjes në këmbë për në Komitetin Qendror vështronte përpara.Syzat e zeza nuk i hiqte kurrë.Asnjë roje nuk përshëndeste. Bënin përjashtim ata oficerë që shërbenin në hollet brenda shtëpisë. Skënder Alikës, që tani është 96 vjeç i thoshte tek dera e dhomës ku flinte: – ’’Skënder! Je mirë?Të futa një herë në burg.Besoj se të ka bërë mirë’’.Skënder Alika shërbeu tek dera e dhomës ku flinte Enver Hoxha 15 vjet.

-Pra e shikonit çdo ditë. Çfarë vinit re në figurën e tij?Ndonjë të veçantë që të tjerët vetëm e imagjinojnë?

Enver Hoxhën e kam parë nga disa kënde.Nuk i harroj ato momente kur e shikoja me libra në duar nëpër bibliotekën e madhe.Më ka qëlluar që të futem dhe në bibliotekë.Ika nga Garda dhe u ktheva kur Enver Hoxha kishte vdekur.Isha Kryetar dege kur pashë barbarët që nisën ta plaçkisin bibliotekën e Enver Hoxhës.Hajdutët me pushtet mbushën arkat me libra pa ju trembur syri.Një “personalitet’’ e kishte shtëpinë afër Presidencës. Me urdhërin e tij bashkë me dy kolegë ngarkuam makinën me libra dhe i ngjitëm në katin e dytë të banesës. Pushtetari që mori librat ishte bërë funksionar i lartë.Kishte botuar nja 30 libra.E kishim frikë.Të përzinte nga Garda e të flakte në rrugë.Ne të papunë kishim qenë. E mbaj mend kur nga njera arkë ra një libër tek dera. I ’’madhi’’ qe futur brenda banesës së tij. E mora librin dhe e futa nën sqetull.Ishte libri ‘’Dëborërat e Kilimanxharos’’ të Heminguejt.Ishte dhe firma Enver Hoxhës.Librin e ruaj në bibiotekën time.

Po të mblidhen të gjitha vogëlimat e jetës së Enver Hoxhës do të delte një mal me libra.

 

-Pse e thua këtë? Aq shumë enigmë ishte?Kaq shumë mistere kishte rreth vetes?

Kur e kam pyetur Sulo Gradecin për botën e Enver Hoxhës ai më tregoi një ngjarje.Zgjodhëm një kuzhinier nga Kukësi tregonte Sulo Gradeci.Sa ishte kthyer nga Franca. Kuzhinieri ishte nga fshati Borje e zonës së Gorës dhe quhej Shani Allamani. Kishte bërë emër të mirë në Drejtorinë e Pritjes.Për këtë arsye e kishin dërguar në Francë që të specializohej.Ata të Parisit kuzhinieri i kishte mahnitur.Filloi punën si kuzhinier në vilën 31 ku banote Enver Hoxha me gjithë familjen.Qysh në fillim gatimet e ’’gegës’’ nga Borja e Kukësit i pëlqeu Enver Hoxha. Një drekë ’’gega’’ i shërbeu vet Enver Hoxhës. Kur mbaroi pjata e parë me supë ’’gega’’ i thotë Enver Hoxhës: -Enver! Po të hedh dhe një lugë tjetër.E kam ’’kripur’’ me erëza nga të malit të Shishtavecit.Enver Hoxha qe çuditur.Askush nuk kishte guxuar t’i fliste atij në emër.I gjithë personeli i druhej. Bile një berber nuk kishte mundur që ta qethte. Me gërshërë në dorë i vinte rrotull Enver Hoxhës dhe dridhej.Gërshërët nuk i ’’urdhëronte’’ dot. Më në fund Enver Hoxha qe ngritur pa u qethur. Kurse një kuzhinier i ri pa ju trembur qepalla guxoi t’i thoshte ’’Enver’’ sikur t’i kishte prerë kërthizën. Kështu thoshin anetë në Gjirokastër.Nexhmije Hoxha që gjithashtu po hante drekë kishte mbledhur vetullat.Enver Hoxha veproi siç i tha ’’gega’’.E hëngri dhe pjatën e dytë me supë.Pastaj Enver Hoxha e kishte pyetur sesi ishte bërë kuzhinier kaq i mirë. Dhe ’’gega’’ i Borjes i qe përgjigjur shkurt: – Enver! Unë e kisha vëllanë e madh kuzhinier në Shtëpinë e Oficerëve në Kukës.Baba më dërgoi pranë tij që të mësoja zanatin.Ashtu bëra.Por unë nuk e dëgjoja vëllanë.Një ditë vëllai u mërzit.Ai mori hanxharin dhe më qëlloi mes për mes ballit.Vështoje Enver! Edhe tani plaga e hanxhairit ngjan si Përroi i Gurit të Shqipes në fshatin tim Borje. Qëndrova gjashtë muaj në Spitalin Ushtarak. Qysh atëherë vura mend. Dhe u bëra kuzhiner më i mirë se vëllai. Enver Hoxhës ky detaj i kishte bërë përshtypje. Dhe ndonjëherë kur hante drekë e ulte në tavolinë ’’gegën’’ dhe bisedonte me të si dy miq. Bukën kuzhineri e përgatiste me thekërr nga e fshatit Tërshana pas malit të Gjallicës.E dinte që Enver Hoxha ishte me diabet.

  • Pra mijëra orë i gdhive nëpër vendroje dhe sigurim rruge kur Enver Hoxha lëvizte nëpër Shqipëri. Çfarë dëgjove dhe nuk dëgjove?
  • Një gjë po e shkruaj me gërma të mëdha. Në Bllokun e udhëheqjes vinin shpendë që nga veriu i Evropës. Baçet e udhëheqësve qenë plot me nuselale, kunadhe e ketra. Në Pallatin e Brigadave për shkak të pyllit ’’këndonin’’ tufat me dhelpëra. Çudia qëndron se aty ku është Kasollja e Bujkut u pa dhe një ujk. Askush nuk e shpjegon dot se si e kapërxeu ujku murin e Pallatit të Brigadave. Egërsirat e ndjenin ’’lumturinë’’ se i mbronin rojet e Gardës. Dhe kishin ushqim të bollshëm. Por në familjet e Bllokut lumturia nuk u pa kurrë. E pyeta Sulo Gradecin tek po mblidhja të dhëna për Doktor Ibrahim Dervishin, në duart e të cilit kishte dhënë shpirt Nako Spiro, nëse qe i lumtur Enver Hoxha. Një m. . . m’u përgjigj ai në shtëpinë e tij. I kisha shkuar për vizitë pasi ai doli nga burgu. Për Ramiz Alinë Sulo Gradeci volli vrer. Kokë kauçku qe frikacak tha ai. Dasmat e fëmijëve të Enver Hoxhës gjithçka qenë, por dasma jo. Ceremonitë qenë të thjeshta. Nuk u thye një qelq. Vetë Enver Hoxha as këndoi, as u ngrit në valle dhe as ngriti ndonjë dolli. Rrinte i menduar përpara gotës së rakisë. Të mos bëhet zhurmë porositi ai. U prishim qetësinë qytetarëve të Tiranës së Re.

Disa nga miqtë e mi nuk po i botojnë kujtimet e atyre që ja njohin dhimbjet Enver Hoxhës. Kështu profesor – doktor Përparim Lika po i mban në sirtar kujtimet e të atit, Halim Zanos, i cili i ka shkruar rrëfimet me dorën e tij.Halim Zanua qëndroi pranë Enver Hoxhës 30 vjet.Janë mbi pesëqind faqe. Halim Zanua tregonte në Drizar të Mallakastrës, ku kishte vendlindjen, se ai kishte parë në studjon e Enver Hoxhës, nën xhamin e tavolinës ku punonte, të shkruar me shkrimin e tij të dorës atë që i tha në Dragobi në 7 maj të vitit 1970 malësori Ali Shabani se: – ’’Shqiptarinë nuk e ka lindur Lokja prej barkut, por huta prej çarkut’’.

Nëpër arkiva hulumtojë dhe silloisem.

-Si i kujton ato vite kur tek Enver Hoxha ishe thjesht një roje?Pra tek e shikoje, që dilte në mëngjes dhe kthehej në drekë? Çfarë ndryshonte tek ai?

 

Në sytë e mi Enver Hoxha ishte tjetër njeri në mëngjes, tjetër në drekë e tjetër në orët e vona. Isha i ri dhe në mendjen time prej fshatari gjykoja se udhëheqësi ishte vet Zoti lart. Vitet rrodhën.Unë u largova nga Garda dhe Enver Hoxhën e kam parë vetëm në ekrane.Kur vdiq erdha nga veriu dhe bëra homazhe.

Shumë ngjarje dramatike ndodhën në Shqipëri.Komplote, gjyqe, vrasje, internime e drama të panumërta.Nuk kam pse ta fsheh.Zhgënjimet kanë qenë të mëdha.Çfarë më mbetet nga ai ’’aktori’’ i dikurshëm i Bllokut?Përgjigjet janë të verbëra. Në dy hektar Bllok u pushkatuan pesë Anëtarë të Byrosë Politike. Dhe shtatë Anëtar të Komitetit Qëndror.Vetëm nga Blloku janë internuar dhjetë familje udhëheqësish.Jashtë Bllokut shifrat janë dhe më të tmerrshme.Analiza e imët më bën gur. Dhe duke gërmuar nëpër arkiva e pyes veten?- Ç’u bë ai ’’Enveri’’ me libra në duar, ku poshtë dritares unë bëja roje? Idhulli im shkërmoqet.Megjithëse bëri punë e vepra të mira ai mbetet një përbindësh enigmatik, që duhet studjuar.

Studjuesi që gjurmon nëpër arkiva shpesh ndodhet në mes të katër udhëve.Për një personazh të historisë ato që mbledh nëpër humnerat e arkivave shpesh janë të pavërteta.Për fatin e njeriut kjo është e tmerrëshme.Prej vitesh qëmtoj për një nga figurat misterioze siç është ajo e Kadri Hazbiut.Në jetë qe lule me erë në malin e Korabit. Por krejt papritur e përlau cikloni i luftës për pushtet dhe atë e pushkatuan. Fundi qe i llahtarshëm.

-Si e kujtoni Kadri Hazbiun? Po pushkatimin e tij?Si ndodhi?

Në çastin kur më 14 tetor të vitit 1982 i hodhën hekurat Kadri Hazbiut ja shkulën të 36 dhëmbët dhe dhëmballët. Kishin frikë se mos ai për të mos treguar veprimtarinë agjenturore me dhëmbët gjysëm të florinjtë kafshonte gjuhën, e përtypte atë si bërxollë dhe vdiste duke krijuar një enigmë të madhe. Shefi i hetuesisë që kishte qenë 30 vjet vartës i Kadri Hazbiut me ta ulur në karriken e hetuesisë i thotë:-’’Ose trego veprimtarinë agjenturore ose unë të q… nënën!’’ Kjo shprehje gjendet në Arkivin e Shtetit. Është një letër e gjatë që Kadri Hazbiu me dhëmbët e shkulur ja shkruan Enver Hoxhës. Tani përditë vitrinat e librave dhe faqet e gazetave mbushen me legjenda nga jeta e këtij njeriu të jashtëzakonshëm. Pyetja shtrohet: – A ishte Kadri Hazbiu agjent i zbulimeve të huaja? Po e them me gojën plot se Kadri Hazbiu nuk ka qenë agjent i ndonjë zbulimi të huaj.Natyrisht që ka bërë krime.Nuk kishte si të ndodhte ndryshe.Të gjithë ministrat e brendshëm u pushkatuan.Edhe fati i tij s’mund të ishte i tjetërllojtë.

Gërmimi në mijëra faqe në Arkivin e Shtetit dhe në Arkivin e Ministrisë së Brendshme për të gjetur ndonjë thërmijë nëse Kadri Hazbiu u shërbente agjenturave na çoj në një hiç. Nuk gjendet asnjë provë e vetme që ta vërtetojë akuzën e Enver Hoxhës. Një gjë del si drita e diellit. Si Mehmet Shehu dhe Kadri Hazbiu nuk e donin socializmin, që pretendonte ta ndërtonte ai që e kishin si shpatë mbi kokë. Kadri Hazbiu i varrosi tre gjeneralët, Beqir Ballukun, Hita Çakon dhe Petrit Dumen në Vranisht të Lumit të Vlorës pa e njoftuar fare Enver Hoxhën. Pas vdekjes së udhëheqësit dhe ndyshimit të regjimit Kadri Hazbiu(po tw ishte gjallw) do t’i zhvarroste miqtë e tij me ceremoni. Dosja e Kadri Hazbiut është qepur sipas urdhërit të Hekuran Isajt dhe të tjerëve.Enver Hoxha e thotë shpesh se veprimtarinë agjenturore të puçistëve e ka zbuluar partia.Broçkulla.Partia nuk ishte në qiell.Dhe vetë Enver Hoxha nuk ishte agjenturist. Në përplasjen e parë me Enver Hoxhën, Kadri Hazbiu, i thotë shefit të tij: – ’’Asnjë sekret nuk ju mbaj shoku Enver!’’. ’’Teme Sejkon e kanë mbytur Rexhep Kolli me Mihallaq Ziçishtin’’. I nervozuar Enver Hoxha e kërcënon:-‘’’Do të varesh ti Kadri!’’. Dhe ja përgjigja e Kadri Hazbiut: – ’’Po mirë o, le të varem!’’, ’’Jo të shtrëmbërohen gjërat shoku Enver!’’. Edhe nëse i kam thënë Feti Smokthinës, ’’O gomar!’’, kjo nuk është veprimtari armiqësore. ’’Nuk është e vërtetë se jam vënë në shërbim të zbulimit jugosllav nga Dushan Mugosha!’’.

Në dy mijë e ca faqe që shfletova nëpër arkiva del se e gjithë kjo katrahurë u bë në luftën për pushtet. Në mbledhjen e Pleniumit të 5 -të të Komitetit Qendror të vitit 1982 Enver Hoxha i thotë Kadri Hazbiut: -’’Do të arrestojmë!’’. ’’Partia ime më arreston’’ i përgjigjet Kadri Hazbiu.Të gjitha janë marrëzira.Partia nuk është prokurori.Po i tillë ishte diktatori.Nuk ka si ai. Edhe Lenini i tha Trockit: -’’Juda Trocki!’’’. Por nuk e eleminoi.E mbajti ministër të luftës.Kurse Enver Hoxha nuk lëshonte pe.Të gjithë i shkoi në hellin e plumbit.

  • Pra pyetja shtrohet: – Përse e gjithë kjo tragjedi në kupolën e Komitetit Qendror ?Përgjigja nuk është shumë e zorshme. Pas infraktit të parë që pësoi Enver Hoxha filloi me makth lufta për t’i zënë vendin. Megjithëse ka shumë kundërshtime që nga vetë Enver Hoxha hijenat e luftës për karrigen thanë se e hoqën qafe Hysni Kapon si njeriun më besnik. Në të vetmen çështje Enver Hoxha i beson shkencës dhe raportit mjekësor që erdhi nga Franca. Enver Hoxha i zbërthen dhëmbët dhe dhëmballët Vita Kapos. Në arkiv është dhe letra që ai i ka shkruar. ’’Rri urtë’’ i shkruan Vitos. ’’Hysni Kapua vdiq nga kanceri’’. Intrigat filluan ta enjtin. Në mendjen e tij filloi të prodhoheshin fantazma me komplotistë. Por nuk kishte asnjë provë dhe dëshmi. S’kishte asnjë të dhënë nga Sigurimi i Shtetit. Grimca. Enver Hoxha nuk ka pasur asnjë fakt kur ka shkruar tek ’’Tabloja Sinoptike’’ se ’’Mehmet Shehu është takuar me Titon, me Çurçillin dhe me Hari Fulzin gjatë udhëtimit me vaporin anglez,’’Kuin Elizabet’’. Nuk ka qenë fare e vërtetë. Gjatë debateve me Enver Hoxhën, Kadri Hazbiu ia thotë shqeto: -’’Këto nuk janë gjë tjetër veçse shpifje monstruoze’’. Kadri Hazbiu e ka hedhur poshtë me neveri atë që i kishin thënë Enver Hoxhës se ’’puçistët’’ do të rrethonin me tanke Komitetin Qëndror. Gjoja do të bëhej ’’stërvitje’’. Edhe për vrasjen e Alush Lleshanakut, Kadri Hazbiu është i qartë. Ai i ka thënë Enver Hoxhës: -’’ Për vrasjen e Alush Lleshanakut kam evidencuar tek ministri i brendshëm si diçka që vlen të sqarohet gjatë zhvillimit të hetuesisë’’. Por Enver Hoxha nuk takohej me asnjë drejtues të Sigurimit të Shtetit, të policisë, hetuesisë apo të zbulimit të jashtëm.
  • Nesër do lexoni:
  • Flet ish Shefi i Gadishmërisë së Gardës së Republikës Sefer Pasha:

-Pas vdekjes së Hysni Kapos Enver Hoxha u vetizolua

– Krimet më të mëdha të asaj periudhe i kanë bërë hetuesit jo Enveri, ata e gënjenin

-Enver Hoxha dhe dosja e Kadri Hazbiut, misteri i valixhes së Mehmet Shehut,

– “Aksidenti’’ i Kujtim Spahivoglit dhe fotot e Çe Gue Varës

-Në hetuesi Fiqirete Sheu tha shumë të pavërteta

– Është e vërtetë ajo që Kadri Hazbiu i tha Fiqirete Shehut gjatë ballafaqimit në hetuesi se: – ’’Ti i zbathe brekët’’

– Kadri Hazbiu: -’’Kur u bë Radjoloja qendra e zbulimit amerikan pyeti se ku ndodhej Beqir Balluku, Liri Belishova dhe Koço Tashko. Për këtë kam bërë njoftimet përkatëse’’