Ram Çeka – burri ku prehte shpirtin virtyti

795
Sigal

Nga Muharrem Dardha

… Ati im mbi plisa ecte

Me shpirt të madhërishëm,

Tokës, shpirt me shpirt i jepte

Nga shpirti i çuditshëm.

Dritëro Agolli

Në ditën e përkujtimit të Heroit

Sa herë shkoj në Pezën e Madhe përjetoj emocione të veçanta. Ajo luginë magjike, e qëndisur si me dorë dhe e rrethuar në dy krahët nga një varg kodrash gjithëblerim, më sjell jehonën e viteve të zjarrta të luftës partizane, sakrificat mbinjerëzore dhe trimërinë e pashoq që tregoi populli i kësaj krahine martire i udhëhequr nga biri i saj legjendari Myslym Peza për çlirimin e vendit nga pushtuesit nazi-fashist. Por rrugëtimi për në Pezë atë ditë të tetorit që kaloi ngërtheu tek unë edhe një emocion tjetër të veçantë. Do të merrja pjesë në eventin përkujtimor të 95-vjetorit të lindjes së një figure të mirënjohur të kësaj treve, të Heroit të Punës Socialiste Ramazan Çeka. Heronjtë, të Luftës apo të Punës qofshin, mbeten të pavdekshëm në kujtesën e popullit. Kjo është një sentencë e patjetërsueshme dhe e përjetshme. I tillë ka mbetur edhe Ram Çeka. Këtë e pashë, e ndjeva dhe e përjetova nga afër edhe në atë sallë të madhe të Shtëpisë së Kulturës në Pezën e Madhe, ku mbi 300 burra e gra, të rinj e të reja, veteranë e bashkëkohës e përkujtuan me nderim e veneracion birin e tyre, njeriun e punës, brigadierin-flamur dhe kampion të arritjeve të pabesueshme të kulturave bujqësore në rang republike në 3 dekadat e fundit të shekullit që shkoi. Në ligjërimin e tyre, çdokush e kujtoi dhe e solli Ramën ashtu siç ka qenë, një burrë i mençur e fisnik, që puna dhe vetëm puna e rriti dhe e ngriti në lartësinë e një Heroi. Atë ditë edhe Ai kuvendoi sikur të ishte gjallë me miqtë, shokët, trashëgimtarët e tij të dashur dhe me të gjithë njerëzit që e deshën dhe i deshi aq shumë. E kujtuan atë me respekt e mirënjohje përfaqësues të Organizatës së Veteranëve, të Shoqatës “Myslym Peza”, shokë të punës dhe të idealit, fëmijët e tij, deri edhe nxënës të shkollave të zonës… Ajo ditë do të mbetet gjatë në memorien time si dita e bashkëbisedimit me të paharruarin Ramazan Çeka, dita kur folëm gjatë për jetën, punën dhe mirësitë e pafund që ai na ka lënë.

Kështu do të kujtohet gjithmonë Ram Çeka.

Si e kam njohur Ram Çekën

Mund të ketë qenë fundi i vitit 1974, kur jam takuar për herë të parë me Ramazan Çekën. Ishte fare rastësi. Asokohe e shtrenjta nëna ime jetonte ende në Lagjen e Re të Ndroqit, ndërsa unë që shërbeja si oficer në ishullin e Sazanit do kaloja Vitin e Ri bashkë me të. Në qendër të Ndroqit takova djalin e xhaxhait, Idajet Dardha, i cili ishte aty me disa të tjerë. Pasi u takuam, së bashku shkuam në klubin e Llanit për një kafe. Mbaj mend se ishin të gjithë kuadro drejtues të kooperativës bujqësore “Myslym Peza”. Midis të tjerëve njihja Xhemal Çurrin, Hamit Rekën… Tjetrin nuk e njihja, por shpejt Idajeti, pasi i futi krahun, e afroi nga unë duke folur:

– A e njeh Ram Çekën?- dhe shtoi: – Ramë, ky është djali i xhajës tim…

Ramazani buzëqeshi lehtë dhe më zgjati dorën. Ishte një burrë me flokë të kreshpëruar rreth të pesëdhjetave, më një fytyrë paksa të gjatë eshtake, me sy plot gjallëri, ndërsa mustaqet e shkurtra nën hundën e drejtë e bënin portretin e tij mjaft simpatik.

Nuk fola. Për të dhe brigadën pararojë që ai drejtonte kisha dëgjuar jo pak, madje kisha lexuar edhe artikuj në shtypin e kohës, ku pasqyrohej shembulli dhe përvoja e këtij brigadieri pararojë. E para gjë që më erdhi ndërmend ishte shpallja e tij “Hero i Punës Socialiste” në prag të festave të nëntorit, për të cilën, pse ta fsheh, isha ndjerë krenar edhe unë si bir i asaj treve që shërbeja në një pikë të largët të atdheut, siç ishte Sazani… Ndërsa ngjisnim shkallët drejt klubit, gjeta momentin dhe e urova për titullin e lartë që i kishte akorduar Kuvendi Popullor. Ai, me një modesti të dukshme, u mjaftua me një “faleminderit” dhe më pas as që u zu me gojë ky fakt jo i zakonshëm. Biseda nuk zgjati shumë, pasi ata do vijonin një mbledhje pune në zyrat e kryesisë së kooperativës, por edhe në ato pak minuta unë pata fatin të njihja Ramazanin, Heroin e Punës së zonës sonë. Gjatë, shumë gjatë më mbeti në kujtesë urtësia, kthjelltësia dhe zgjuarsia e bisedës së tij. Kujtoj se ai fliste rrallë, me zë të qetë, por që dëgjohej me shumë vëmendje dhe respekt nga të gjithë bashkëbiseduesit në atë tavolinë. Më pas nuk m’u dha mundësia ta takoja përsëri nga afër, por për punën, kontributin dhe vlerat e veçanta të këtij njeriu mësova dhe dëgjova shumë, si një bujk dhe brigadier i famshëm, si një kultivues i suksesshëm dhe kampion i arritjeve të larta të kulturave bujqësore. Brigada e tij kishte arritur të merrte deri edhe ne 120 kuintal misër për hektar, duke u bërë e njohur në të gjithë vendin. Ky ishte Ram Çeka, modeli i njeriut të punës. Dhe i tillë mbeti!

I gdhendur si me daltë në një monografi

Në vigjilje të vitit 2019, Xheladin Çeka, mjek, pedagog dhe profesor i njohur në Universitetin e Mjekësisë, na ftoi të pinim një kafe bashkë me mikun tim të vjetër, ish-deputetin e dy legjislaturave të Kuvendit të Shqipërisë, Hasan Hoxha. Xheladini është i biri Ram Çekës, një trashëgimtar i denjë, në gjen dhe në shpirt i babait të tij të nderuar.

– Ju kam sjell nga një dhuratë, – na tha Xhela sapo zumë vend në një tavolinë, duke na ofruar nga një libër. Ishte libri që ai i kushton babait të tij, me një titull të shkurtër, sinjifikativ dhe shumë domethënës: “Me tim Atë“. E mora me kënaqësi në duar librin. Fisniku Ram Çeka, aty në krye të kopertinës më dukej sikur ishte gjallë dhe na uronte Vitin e Ri që po trokiste…

– E kisha si një obligim të madh, por nuk di sesa ia kam arritur, – u shpreh pas pak Xhela.

– Ndoshta edhe si një borxh, – e ngacmova duke qeshur dhe si për ta motivuar ndërhyrjen time i kujtova diçka nga fjala që ai mbajti në 95-vjetorin e lindjes së babait të tij.

“Unë di që babai im nuk ka lënë borxhe në këtë jetë, por edhe nëse i ka lënë ndonjërit, ju lutem të trokas në derën time, sepse kështu më pat thënë babë Rama para se të largohej nga kjo botë”… Kështu iu drejtua atë ditë njerëzve të mbledhur në Pezën e Madhe i biri i të Atit të mirë dhe të gjithë në atë sallë të mbushur plot u ngritën në këmbë duke duartrokitur…

Ram Çeka ka lënë pas vetëm duartrokitje, dashuri dhe mirënjohje nga të gjithë!

Ç’është e vërteta, në këtë kohë paksa konfuze është bërë si modë botimi i librave – monografi për njerëz të shquar, por edhe për njerëz të zakonshëm që kanë lënë pas një emër të mirë. Kam lexuar jo pak libra të tillë, por për fat të keq jo pak prej tyre bien në një steriotip që ngjajnë shumë njëri me tjetrin, në formë dhe në kronologji, ndaj dhe bëhen shpesh jo atraktiv. Por librin e Dr. Xheladinit e lexova me një frymë. Jo vetëm se ishte jeta e Ram Çekës, por edhe sepse më befasoi nga origjinaliteti i tij, krejt i veçantë. I shkruar me një merak të dukshëm dhe i përshkruar nga një frymë dashurie të pafund dhe gati mistike ndaj heroit të tij, me një stil dhe një gjuhë të pastër e të bukur artistike, me një narracion sa të rrjedhshëm aq edhe të mbushur plot detaje dhe motive jetësore… Por, pa dashur të merrem gjatë me vlerësimin e këtij libri të mrekullueshëm, po veçoj dy-tre momente, ku përmes rrëfimit të sinqertë dhe mjaft elegant del madhërishëm figura e Ram Çekës.

Ram Çeka mbi të gjitha ishte një baba i dashur dhe i dhembshur deri në pakufi. Janë të shumta dhe të shprehura me fjalë zemre kujtimet e pesë fëmijëve të tij. Njëri më i dhimbshëm se tjetri, gjithçka e besueshme dhe plot dashuri. Po nënvizoj vetëm një detaj nga rrëfimi i Arjanës, vajzës së fundit të Ramës. Ishte dita e martesës së saj, dita që do të largohej nga shtëpia e babës dhe do të niste një jetë tjetër në “folenë e saj të re”. “Moment i vështirë dhe shumë prekës për mua do të mbetet dita kur u martova, – tregon Arjana. – Kisha veshur fustanin e bardhë të nusërisë, kur dëgjoj një zë që aq shumë e njihja. – Ku është nusja? Ishte babai. U ndjeva shumë ngushtë, nuk mund t’i dilja përpara, dridhesha e tëra. Ai m’u afrua dhe tha: – Sa e bukur je bërë, bija ime! Pastaj më përqafoi dhe më puthi në ballë. Në sytë e tij pashë të ndrisnin bulëza lotësh… O Zot! Shpërtheva në dënesë”…

Një baba i dhembshur deri në pakufi ishte Ram Çeka!

 

Ramazan Çeka, një burrë i urtë, shpirt njeriu, që sa ishte gjallë dhuroi vetëm mirësi, ndihmoi njerëzit e pamundur, të varfër. Në libër, por më së shumti mes njerëzve të thjeshtë nga të gjithë fshatrat e Ndroqit dhe të Pezës, edhe sot gjen pafund mirësinë dhe shpirtmadhësinë e këtij njeriu zemërbardhë e të dhembshur. Po nënvizoj një detaj që i biri i tij, Xhela, e tregon modestisht në librin e vet. Është momenti kur Ram Çeka po përcillej aty ku sot prehet i qetë, në strehën e përjetshme. Njerëz pafund, të prekur e të trishtuar për këtë ndarje njerëzore, kishin mbushur pothuajse të gjithë hapësirën e varrezave aty në Pezë të Vogël. Teksa arkivoli kalonte dorë më dorë, një djalë i ri e kapi arkivolin te koka dhe nuk e lëshoi deri aty ku do të bëhej falja e xhenazes, siç e kishte lënë amanet vetë Rama. Ishte Bujar Çeka, një banor i fshatit. “Na ka rritur xha Rama, – kishte folur me lot ndër sy ai, – ishim shumë fëmijë në familjen tonë dhe kishim vështirësi të shumta ekonomike, por ishte xha Rama që na u bë një prind i dytë për mua, vëllezërit dhe motrat e mija. Nuk mund ta harrojmë kurrë këtë burrë fisnik dhe zemër flori”…

Ja, a ka gjë më të bukur, më njerëzore sesa mirënjohja e këtij djaloshi të thjeshtë, që u shfaq aq spontane pikërisht në çastin e fundit të jetës së Ram Çekës mbi tokë!?… Dhe raste të tilla mirësie, kujdesi dhe dhembshuria për njerëzit Ramazan Çeka ka lënë pafund…

Ndaj dhe Xheladini, djali i tij i mirë, nuk do të rresht së treguari për babain e tij, Ram Çekën, këtë simbol të punës dhe të ndershmërisë. Por edhe Rama, ky burrë i rrallë, ku virtyti gjente strehë dhe jetë, nuk do të vdes kurrë. Kjo sepse, siç thotë një fjalë e urtë, babai që len djalin e mirë pas, nuk vdes!

Ky ishte Ram Çeka, heroi dhe krenaria e Pezës dhe Ndroqit!