Sigal

Vangjel KASAPI

Leonard VEIZI

(Vijon nga numri i kaluar)

“Mihali më gjeti në Kinë si Atashe Tregtar, për të luajtur rol në marrëdhëniet e reja që po merrnin udhë me RPK pas zbehjes me BS. Kriza ideo-politike po shtrihej në minimizimin e ndihmave, ndërsa bilanci me tregun kinez nisi të marrë frymë, pa e ditur se një ditë bëhej burimi kryesor për Shqipërinë. Kina njihej pak, po shpejt, me lidhjet dhe veprimtarinë e riaktivizuar përmes Ambasadës, me emërimin e M. Priftit, ne kuptuam e i transmetuam Tiranës ç’ishte ai realitet i pa zbuluar. RPK e RPSH u puqën në pikëpamje e qëndrime përkundrejt BS. Shqipëria i vari shpresat te Kina ndërkohë që RPK siguroi një aleat të sigurt mbështetës. Qeveria e RPSH rezultoi partizania më e flaktë rreth pranimit të RPK në OKB. Kjo fitore shumë e rëndësishme për Kinën korrespondoi me Ambasadorin Mihal në Pekin. Kinezët e vlerësuan jashtë mase kontributin tonë dhe nuk do të kurseheshin për gjithçka. Ambasadori me 2 diploma nga BS krijoi shpejt lidhje dhe u prit me radhë nga autoritetet e larta kineze: Me Kryetarin e Asamblesë së Madhe Popullore, Li Shao Çi, me Kryeministrin e ministër i PJ, Çu En Lai deri me Kryetarin Mao. Si rezultat i trokitjeve të forta, i shpjegimeve të urta e prekëse, diplomati i regjur sensibilizoi shefat në Pekin mbi nevojat urgjente për Shqipërinë. Nisi ardhja e delegacioneve nga Shqipëria të të gjitha rangjeve dhe fushave. Kam fiksuar bashkëpunimin me Mihalin etj., shokë për formimin e Shoqatës së Miqësisë “Shqipëri-Kinë”, të Agjencisë së Përbashkët të Lundrimit Durrës-Shangai e kthim me flamur shqiptar në oqeanikët “Vlora”, “Internacional” etj., me qendër në Durrës dhe drejtor shqiptar (Kina nuk gëzonte të drejtë lundrimi sepse s’ishte në OKB-VK). U ftua një delegacion i rangut të lartë të Kuvendit Popullor (qershor 1960). Takimet, bisedimet e vizitat e tij në Kinë, u dhanë një impuls marrëdhënieve shtetërore dhe miqësisë mes popujve. Po, ato, sollën edhe keqkuptime në qëndrimet jo të prera dhe pa ekuivoke rreth pikëpamjeve të Moskës. Bisedimet politike dhe fjalimet publike të delegacionit tonë na hapën goxha punë e mjaft shqetësime me përgjegjësi serioze. Pikërisht në këto momente delikate, që cenonin marrëdhëniet e njësuara të dy partive, Mihali u shfaq më tepër se një ambasador. Ai shoqëronte me mjaft maturi bashkëkryetarët e delegacionit, Lleshin e Belishovën, u kujtonte aspekte të mentalitetit kinez e të traditave historike, ato protokollare etj, jepte e merrte çdo natë-ditë drejtpërdrejt me Enverin, Kryeministrin e ministrin e Jashtëm. S’më takon të bëjë skopinë e asaj vizite e të rezultateve. Por ç’veprimesh rrodhën, që artificialisht, u lidhën edhe me M. Priftin? Ndërgjegjja s’ma lejon t’i anëkaloj e as të rëndoj, por i them ashtu siç ndodhën. Sepse në politikën serioze fitojnë e vërteta dhe arsyeja. Pas analizave të Partisë për pozicionet e mbajtura nga Liria në bisedimet me udhëheqjen kineze, fjalimeve në publik dhe sjelljeve me ambasadën e BS, andej-këndej përzihet edhe M. Prifti. Mandej, kur pas 1 viti (qershor, 61) atë e transferojnë nga Pekini në Shkodër, hamendësohej sikur kjo lëvizje ishte pasojë e vizitës të atij delegacioni, më saktë lidhej me figurën e Belishovës. Unë jam në dijeni të plotë e të saktë për itenerarin, vendet, kohën dhe me cilët u takua Liria. Brenda atyre ngjarjeve, lëvizjeve dhe qëndrimeve të M. Priftit nuk më ra në sy dhe as formova ndonjë përshtypje të tij me veprimet e të tjerëve. Madje as në parti s’përmendet gjëkundi emri i tij. Atij padrejtësisht i ndërronin profilin nga diplomacia në arsim, ndonëse po i nderuar e me detyrë fisnike. Tek shkaqet, me sa nuahata, dyshimi më çonte te klane të caktuara dhe smira për t’ia ndërprerë atij karrierën e mëtejshme të suksesshme. Ai lloj spostimi, në pikun e pjekurisë së një personaliteti të diplomacisë shqiptare, bëhej i pa pranueshëm. Sepse ajo figurë e lartë e diplomacisë dhe politikës së jashtme, u doli zot idealeve të shenjta të Atdheut e të popullit. Midis Mihalit e Lirisë dhe dy familjeve kishte miqësi të rregullta. Sikurse Prifti pati njohje e lidhje të pakufishme me anëtarë të KQ, të Byrosë, deputetë e ministra gjer me punonjës të thjeshtë. Bota e tij e madhe dhe funksionet e larta kishin prodhuar rreth tepër të gjerë miqësor e shoqëror. Nga largësia e viteve ’60 të shek. XX transmetohen lloj-lloj marrëzira, duke i zbrazur si patllake letre në sakatllëkun mediatik shqiptar. Sa jam ende fllad, Mihali u angazhua tej mase në ndjeshmëritë e kinezëve mbi paralajmërimet që ata bënë se do të botonin në shtyp pjesë të fjalimeve publike të kryesuesve të delegacionit. Pasi ato përmbanin doza pro sovjetike, duke rënë ndeshë me pikëpamjet e kinezëve. E di shumë mirë se Mihali i specializuar në kësi lojërash, njoftonte menjëherë e për gjithçka, por brenda caqeve etike zyrtare, pasi kompetenca s’ia lejonte që të informonte për dy eprorët e tij, titullarë të delegacionit në bashkëbisedimet dy palëshe. Për sa Shefi më ngarkoi dhe bashkëpunuam ato ditë të ngarkuara me veprimtari dhe shqetësime, Ministri Fuqiplotë i llogariti e i plotësoi përpikëmërisht lëvizjet shoqëruese. Ai i kishte përvetësuar normat strikte të kinezëve në marrëdhëniet miqësore e protokollare. Atij s’i shpëtonte kurgjë. Mihalit i ra si bombë kur në mbrëmjen e madhe, shtruar nga Kryetari i Asamblesë L. Sh. Çi, Liria foli çuditërisht rusisht, ndonëse në krah kishte përkthyesin nga shqipja në gjuhën kineze. Ai gjeti çastin e volitshëm për t’i komunikuar urdhrin e prerë të Hoxhës që në Shangaj të flitej me shumë kujdes, duke iu përmbajtur porosive të KQ, për të ndrequr gafat e lëshuara në Pekin. Ndërkaq Mihali i vogël në trup po tepër i shkathët në ndërhyrje, i dha G. Nushit notën nga Enveri që në seancën folëse të Sindikatave Botërore të mos përzihej me pozicionet e sovjetikëve apo të kinezëve për lëvizjen sindikale, por t’i përmbahej Kushtetutës së RPSH. Njëri nga dy të mëdhenjtë e delegacionit, natën shkoi në Ambasadën Sovjetike dhe Mihali s’ishte në dijeni mbi këtë vajtje të papritur në mesnatë. Për pasojë ç’mund të thoshte? Për paraqitjen e tij prudente, ndihmuese dhe informues, Tirana nuk pati asnjë vërejtje. Zhvillimet me atë delegacion qenë një provë e madhe për ne, kryesisht për Priftin. Ajo vizitë për Mihalin qe një tersllëk në karrierën e tij brilante. Ambasadori u thirr në Tiranë e u takua me Enverin. Ai e informoi hollësisht mbi gjendjen në Kinë, rreth qëndrimeve të shokëve kinezë kundrejt Shqipërisë, si po plotësoheshin marrëveshjet e ndihmave dhe furnizimeve për ekonomin dhe mbrojtjen e vendit etj., detaje me interes për Udhëheqësin. Enveri, nga fundi i dha vlerësime pozitive dhe e uroi, por edhe i kujtoi se duhej të informonte më shpejt e më gjerë për Lirinë. Hoxha  çmonte se prania e Priftit në Kinë kishte shënuar ndryshime dhe rezultate. Ky sukses hapte shanse për ndonjë “kat më të lartë”, kurse lëvizja e parakohshme solli të kundërtën. Për atë Mihal të pashoq si ambasador i  madh i një vendi të vogël. Kështu, p.sh, kur Nikita Hrushovi, udhëheqësi Nr.1 i BS, kthehej nga vizita në SHBA për në Kinë, në aeroportin e Pekinit u rreshtuan titullarët e përfaqësive të huaja. Sipas radhës Hrushovi i dha dorën edhe ambasadorit shqiptar. Si askujt majtas e djathtas, Nikita qëndroi dhe i foli vetëm Mihalit rusisht: “Zoti Prifti. Ja, u takuam përsëri, po tashmë në Kinë”. Përpara se të largohej ne u mblodhën për ta përcjellë. Një brengë e brendshme na pllakosi. S’gjenim fjalë për t’i thënë diçka. I pezmatuar, pa e kuptuar askush, më thotë në konfidencë: “Dalan. Çfarëdo mase që të marrin, unë i jam përmbajtur dhe do mbrojë deri në fund, idealeve dhe filozofisë kujt i përkas, moralit të fisit e të familjes, Atdheut dhe popullit”. Mihali mbarti art e mjeshtëri në marrëdhëniet si shef, koleg, shok e familjar. Ai nuk jepte shkas, por i mënjanonte ato që pillnin fërkime, prishje të mjedisit punëtor e shoqëror. Ambasadën e mbajti në mirëkuptim, në harmoni, në njësi mendimi e veprimi nëpër ato detyra, pengesa e vështirësi, në një vend e shtet shumë të madh. Gjithësesi, si kudo edhe në Trupin tonë Diplomatik dilnin çështje e probleme zyrtare, intime, shoqërore e familjare. Ndaj tyre Mihali qëndronte afër me ç’mund të bënte për sheshimin me një urtësi, fjalë-zgjedhur e bindëse.

Ai kurrë nuk ndizte zjarre, por vetëm shuante. Sa herë udhëtonte Kinë-Shqipëri dhe e kundërta, na merrte ose na sillte sidomos për të gëzuar fëmijët dhe gratë. Njerëzia e tij e pakufishme, s’ndaheshin nga solidariteti e përkrahja që s’na mungoi, qoftë edhe kur ndonjë aty merrej me çikërima. Ai e njihte mirë ligësinë e botës së njeriut si qenie e ndërlikuar, ku mplekseshin interesat, synimet, bamirësia, xhelozia, intrigat etj. dukuri përfshirëse e përjashtuese. Një punonjës…aty i thurte alibi, që ia mërziti jetën. Po Mihalit s’i gjenin dot difekte, se gjithnjë mbetej “makinë” e re. Ma përsëriste: “Dalan. Pse duhet t’i bëjmë keq njeriut? dhe shtonte se “Duhet të ruhemi pasi tek “Njeriu, jetojnë edhe Engjëlli edhe djalli!”. Çmonte të zgjuarit, të aftët, të zellshmit, të zhdërvjellët, nismëtarët, të pa epurit, lojtarët e mirë (në diplomaci, në politikë, në volejboll, gjah, bilardo). Mbi kokë mbante të Vërtetën dhe Drejtësinë. Ne dy kryefamiljarët e familjet tona bashkëjetuam duke ia kaluar vëllazërisë. Mik, shok, epror e bashkëpunëtor më superior se Ai në jetë nuk munda të kem. Familja u dëshpërua jo aq nga transferimi e ndërrimi i profilit, se sa nga mos dhënia e arsyes së lëvizjes. Kurse prindërit, veçmas xha Thanasi burrë me mend, shprehte ndjenjat atërore: “Mirë që e hoqën nga Kina, po pse nuk e sollën këtu, me neve, në shtëpinë tonë të hershme?!”. Mirëpo Mihali e Sofija, me logjikë të hekurt e vetpërmbajtje, nuk e ulën personalitetin dhe reputacionin e merituar. Posti i Drejtorit të Institutit Pedagogjik quhej i nderuar, por i pa krahasuar me titullin “Fuqiplotë” i diplomacisë së shtetit shqiptar, Përfaqësonjës i politikës së jashtme të RPSH. Historia e Institutit, pa dyshim mban edhe vulën e tij, sa s’mund të kuptohet udha drejt Universitetit të Shkodrës. Ato janë bashkëudhëtare të një biografie 15-vjeçare. S’dua të lëndoj ndokënd, po smira e intriga e mbajtën peng në Shkodër 10 vjet të tjera. Derisa aty infarkti e rigoditi. Humbi një njeri i latuar, një patriot i kulluar, një militant e politikan i serisë “A”, një pushtetar elitar, një diplomat që hodhi themelet dhe ngriti kate në lartësimin e politikës së jashtme dhe të diplomacisë së Shqipërisë. Kontributet e tij i ngjajnë gurëve kilometrikë të dy anëve të një autostrade, nëpër të cilën rrugëtoi me shpejtësi Shqipëria e Re. Përjetësi Atij. Krenari Diplomatëve. Mesazh trashëgimtarëve!”

Në Shkodër

15 vjet drejtor i Institutit të Lartë Pedagogjik

Pikërisht në këtë Institucion të arsimit të lartë dhe të vetmit me profil pedagogjik, në fillim të vitit IV akademik 1961-62, atje  u dërgua Drejtori i ri, Mihal Prifti. Transferimi i Ambasadorit të RPSH nga Kina dhe emërimi drejtues në fushën e arsimit të lartë solli diskutime, arsyetime, paragjykime etj. ndjeshmëri në opinionin shtetëror-diplomatik, shoqëror e në rrethin fisnor. Përse dhe si është e mundur që një personaliteti diplomacisë sonë, një talent i spikatur i Përfaqësive tona jashtë shtetit e me përvojë të vyer, t’i ndrohet profili i karrierës? Përgjigjen e saktë askush s’e mori. Lëvizja e tij e pa motivuar, mbeti enigmë, duke u hapur shteg hamëndjeve. Gjithësesi duhet t’i referohemi rrethanave e situatave politike  të fillim viteve ‘60 kur në planin e jashtëm përjetoheshin konfliktet ideologjike mes PK të BS nga njëra anë dhe PKK+PPSH nga ana tjetër. Në zjarrin e këtyre kontradiktave dhe kthesës së PPSH drejt Kinës, në Pekin u delegua një Ambasador dorë e fortë. Dhe, pa mbushur 3 vjet, ajo figurë e shquar, papritur, lëvizet nga Pekini në Shkodër, nga diplomat-Ministër Fuqiplotë, në Drejtor. Dhe kur? Atëherë, kur bashkëpunimi i frytshëm Shqipëri-Kinë, edhe me rolin interferues produktiv të Ambasador Priftit, njohën zhvillime të vrullshme. Çuditërisht atij Ambasadori i ndërpriten kontributet e mëtejshme. Pa e prapagjykuar ajo mbetet një lëvizje e pastër politike, që vetëm Njëshi, Byroja Politike e Ministri i Jashtëm, e dinin arsyen reale të heqjes nga diplomacia. Për të mbajtur, ruajtur e respektuar atë figurë anëtar të Plenumit të KQ, diplomat potencial e me reputacion justifikimi qëndronte se i ruhej origjina Profesor i jepej titulli Drejtor. Transferimi e ndërrimi i profilit nuk kaloi pa replika brenda kupolës. Ky deduksion del açik nga fakti se, fillimisht Byroja Politike vendosi që ambasador Mihali të emërohet zv.ministër, ku edhe kishte qenë, po menjëherë, pa dhënë shkaqet e vërteta, Ai çohet në Shkodër.

Transferimi i Priftit

Çfarë u vendos në takimin e Enverit me Hysni Kapon

Qarkullimi politik dhe diplomatik i Mihal Priftit, disi i parakohshëm, në praktikën e diplomacisë shqiptare e të shteteve të tjerë, kaloi nëpërmjet një shqyrtimi, bisedimesh, variantesh dhe vendimmarrje me disa opinione dhe mendime. Sepse politikisht lidhej me ndjesinë në opinionin e jashtëm, posaçërisht me Pekinin, kurse profesionalisht ai qëndronte në rangun e një personaliteti shtetëror të fushës së marrëdhënieve me jashtë. Sipas kujtimeve kofidenciale të atyre momenteve, që u përfshinë në këtë procedurë delikate, rezulton se përkundrejt personit të Mihalit, u paraqitën vlerësime dhe propozime të shoqëruara me kundërti. Debati arriti deri tek Njëshi. Bazuar në integritetet dhe rezultatet e karrierës së Priftit, siç tregohet më sipër, ai u projektua dhe u vendos për zv.ministër të Jashtëm. Kurse brenda disa ditëve, deri në vendosjen përfundimtare, atë e mbajnë në dispozicion të dikasterit me cilësinë “Nëpunës Ambasade në Ministrinë e Jashtme”. Gjatë këtij ndryshimi në mbledhjen e dytë të Sekretariatit të KQ, Enveri mungonte. Atëherë duheshin disa shpjegime. Prandaj, një ditë, Hoxha+Kapo+X-si, i ngarkuar me nomenklaturën e kuadrove të larta, bashkëbisedojnë. Dy të mëdhenjtë këmbyen mendime të ndryshme rreth konsideratave dhe caktimit të Mihalit. Përgjithësisht dominoi vlerësimi pozitiv. Por si do të konkretizohej funksioni i ri? Për ta mbyllur atë takim e bisedë, Njëshi u ndal pak gjatë për figurën e Priftit.

Prej nga kuptohej hapur se e çmonte së tepërmi nga pikëpamja moralo-politike dhe kapacitetet diplomatike në politikën e jashtme të RPSH. Ai ju drejtua Kapos qetësisht  për bindjet e përherëshme, që ai ushqente për atë figurë të shquar të Luftës, të Qeverisjes e të Diplomacisë. Propozimin për “nëpunës Ambasade në Ministri” e hodhi poshtë. Dhe, duke numëruar individualitetet, veprimtarinë dhe meritat e Mihalit, bëri disa aludime, duke nënvizuar disa krahasime filozofike, sipas të Madhit se tek “Njeriu qëndrojnë edhe engjëlli edhe djalli”, se “Ata që flasin nga goja e lartë, nuk u flet zemra”, kurse “Ata që flasin nga gjoksi i lartë, atyre u flet zemra” etj. Për Hoxhën, Prifti merrej engjëll dhe të cilit i fliste zemra. Sipas varianteve të parapërgatitura, Njëshi shtroi pranimin e emërimit të Mihalit Rektor të Institutit të Shkodrës me argumentet përkatëse. Ai i kërkoi Kapos (Sekretar i KQ dhe bashkëpuntorit më të ngushtë), që duke u nisur nga disa rrethana, bazuar kryesisht në pastërtinë sterile të personit të Mihalit, të garantuar nga strukturat përkatëse Parti-shtetit, shokun Prifti duhet ta mbajmë shumë afër, të përfitojmë nga bollëket e tij intelektuale, e të përvojës së rrallë, ta ruajmë dhe ta mbrojmë nga ngacmimet e segmenteve të interesuara, që mund të përpiqen të shfrytëzojnë koninukturën, të kujdesemi për shëndetin e tij etj. Për këto e të tjera motive, që ta “marrim vesh” edhe kuadrot e tjera të larta, “vendi, funksioni dhe mjedisi më i përshtatshëm mund të jetë Shkodra, qenia edhe në profilin e dikurshëm të sektorit pedagogjik dhe në Institutin e atjeshëm me probleme për perspektivën. Kështu ai Njeri, Funksionar, Diplomat dhe militant udhëheqës, do të mbetet kurdoherë i nderuari i Partisë dhe joni!! “Vetoja e Njëshit u bë realitet. Qysh nga ajo datë dhe në vazhdimësi Mihal Priftin, ndonëse e mbajtën mbi limitet kohore në Shkodër, nuk e preku dhe as e trazoi kush. Kurse Hoxha mikun e vjetër dhe bashkëpunëtorin e ngushtë e besnikë nuk e harroi.

(vijon)