Sigal

Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj

 Anëtarë të Shtabit të Përgjithshëm

75 vjet më parë u krijua Shtabi i Përgjithshëm i UNÇSH, më 10 korrik të vitit 1943, i cili u mor me organizimin dhe drejtimin e formacioneve partizane gjatë LANÇ-it. Në Luftën partizane komandat e formacioneve ushtarake në veprimtarinë e tyre kanë pavarësi më të madhe, se ato që veprojnë në front të rregullt. Arsyeja është se njësitë partizane përhapen në hapësira të mëdha, të shkëputura nga njëra-tjetra, me mjete ndërlidhje të thjeshta, pajisjes me armatim, si dhe të bazave të furnizimit. Shtabi i Përgjithshëm u zgjodh nga Këshilli i Frontit Nacionalçlirimtar. Rëndësi të veçantë merrte përzgjedhja e anëtarëve të tij, ku u zgjodhën anëtarë me arsim ushtarak, të shkolluar dhe të karrierës ushtarake si Spiro Moisiu, Abaz Kupi, Dali Ndreu, Bedri Spahiu. Nga ky grup komandant i shtabit u zgjodh Spiro Moisiun, me gradën e majorit dhe funksionin e komandantit të batalionit në ushtrinë mbretërore. Ai kishte përvojë në detyrë ushtarake, një karrierë të gjatë, ku shquheshin aftësitë e profesionit ushtarak, si dhe dinjiteti e atdhedashuria. Intelektualët u përfaqësuan nga Ymer Dishnica, Sejfulla Malëshova, Enver Hoxha, Mustafa Gjinishi dhe Ramadan Çitaku. Enver Hoxha ishte sekretar i parë i PKSH dhe zgjidhet komisar politik. Anëtarë u zgjodhën dhe prijës popullorë si Myslim Peza, Haxhi Lleshi e Mustafa Xhani, ky i fundit klerik, që me kohë krahinat e tyre Pezën, Dibrën e Martaneshin i kishin kthyer në baza të fuqishme të luftës së armatosur.

Zgjerimi dhe zhvillimi i luftës së armatosur, rritja e formacioneve partizane për të kryer operacione të rëndësishme, kërkonte nga shtabi plotësimin e disa detyrave, si dhe të parashikonte zhvillimin e mëtejshëm të luftës. Në planin e jashtëm tërheqin vëmendjen fitoret e mëdha të arritura nga Ushtria Sovjetike në betejën e Stalingradit dhe nga forcat anglo-amerikane në Afrikën e Veriut dhe në Siçili. Kështu LANÇ-i, si pjesë përbërëse e luftës antifashiste botërore, mundi të bashkërendohej me luftën e popujve pjesëtarë të koalicionit botëror vetëm me një shtab drejtues në shkallë kombëtare. Detyrat e shtabit ishin të gjithanshme. Detyra e parë themelore ishte organizimi i ushtrisë, përcaktimi i parime themelore, si parimi i vullnetarizmit. Zbatimi i këtij parimi kishte baza të shëndosha, që shprehej në rreshtimin vullnetar të qindra e mijëra luftëtarëve në formacionet partizane.

Drejtim me direktivë

Detyrë e rëndësishme e shtabit ishte drejtimi i drejtpërdrejt i veprimtarisë luftarake të njësive të UNÇSH-së. Natyra e luftës partizane ishte e tillë që kërkonte nga komandantët e formacioneve partizane të kishin pavarësi njësitë që veprojnë në front të rregullt. Urdhrat luftarake shtabi nuk i jepte të prerë, por në formë direktive. Komandantët e reparteve e të njësive udhëzoheshin të zgjidhnin vet objektivat, të godisnin, duke vepruar me shpirt krijues, duke gjetur rrugë e forma efektive për zbatimin e detyrës së dhënë.

Por pavarësia që u lejohej komandave të formacioneve partizane ishte relative. Në urdhrat e veprimit komandave u përcaktohej rajoni ku do vendoseshin, objektivat e armikut në atë rajon, si dhe rrugët e komunikacionit që do mbanin në kontroll. Segmentin e rrugës ku do organizonin pritën apo goditjen, forcat që do përdornin dhe kohën e zënies së pritës, i përcaktonin vet komandat e njësive. Shtabi u jepte komandave të njësive urdhrin e zhvendosjes nga një rajon në një rajon tjetër në vartësi nga prespektiva e zhvillimit të situatës.

Përpunimi i taktikës së luftimit

Përpunimi i taktikës së luftimit ishte një detyrë e rëndësishme e shtabit, që ndikonte në ecurinë e veprimtarisë luftarake të formacioneve partizane. Kishte një bazë e mirë e taktikës së luftës partizane edhe para krijimit të shtabit. Taktika e luftës u përpunua dhe u zbatua në beteja me pjesëmarrjen aktive të luftëtarëve të thjeshtë dhe të kuadrove. Meritë të veçantë ka dhe shtabi, i cili motivoi nga përvoja elementet më pozitivë të taktikës së luftës, i përpunoi në një kod taktik efektiv dhe nëpërmjet udhëzimeve, i përgjithësoi dhe i përhapi në ushtri. Shtabi i Përgjithshëm me organizimin e ushtrisë, përsosi taktikën e luftës partizane në formacione të vogla, si dhe përpunoi metoda të përdorimit të grupeve partizane dhe të brigadave sulmuese. Këto mundësuan plotësimin e detyrave të rëndësishme, goditje të garnizoneve të mëdha të armikut, ndeshje të formacioneve të tij, luftimin për pushtimin e rajoneve të fortifikuara, për mësymjen në qytet etj.

Duke ndjekur ecurinë e veprimtarisë luftarake me trupat gjermane, shtabi vuri re aftësitë e këtyre trupave për të përdorur taktikën e luftës kundër partizane dhe epërsitë që siguruan ata në operacionet e para. Shtabi reagoi me shpejtësi ndaj këtyre epërsive të artit ushtarak gjerman, evidentoi mangësitë e shfaqura nga disa formacione partizane dhe përcaktoi rrugët për t’iu kundërvënë. Analiza e këtyre mangësive dhe kritika e të metave, ndihmoi në nxjerrjen e mësime për të gjitha formacionet partizane. Krahas kritikës, shtabi bëri përgjithësime me vlera të mëdha për të përsosur taktikën partizane, duke u mbështetur në përvojën e fituar. Këto tipare pozitive të taktikës partizane, shtabi i përcillte në udhëzime për t’u rrënjosur në praktikën e organizimit e të drejtimit dhe në veprimtarinë luftarake të çdo komande e reparti partizan. Urdhrat dhe udhëzimet e dhëna nga shtabi, për taktikën e luftës partizane dhe zbatimi i tyre me krijimtari në fushën e betejës, pati ndikim të fuqishëm në rritjen e efektivitetit të veprimtarisë luftarake. U rritën ndjeshëm përmasat e veprimeve luftarake në kohë e në hapësirë. Luftime e përqendruara në një ide të vetme i shkaktuan armikut humbje të ndjeshme dhe u arrit çlirimi i zonave dhe të krahinave.

Çlirimi i krahinave dhe lufta për çlirimin e qyteteve, shtroi çështjen e taktikës së luftës ballore, një formë lufte thuajse e panjohur për formacionet partizane. Shtabi u tregua tepër i kujdesshëm. Në vartësi nga situata dhe objekti i sulmit, shtabi vlerësonte të përshtatshme ndërthurjen e dy taktikave. Në operacionet mësymëse për çlirimin e krahinave malore, shtabi udhëzonte komandat e reparteve që krahas metodave të luftës partizane, duhej të shtonin kujdesin në përvetësimin e elementeve të taktikës ballore. Tipare taktika e luftës ballore po merrte në veprimet luftarake për çlirimin e qyteteve. Mbështetur në detyrat e shtruara nga shtabi për çlirimin e qyteteve, komandat e njësive përpunuan, përgatitën e stërvitën trupat për luftime në qytete, me rëndësi taktikës së luftës ballore. Goditjet koncentrike, mësymja në ballë të gjerë, ngushtimi shkallë shkallë i unazës së rrethimit, luftimet vendimtare në brendësi të qytetit, sipas porosive të shtabit ishin disa nga dukuritë e veprimeve luftarake. Në luftën për çlirimin e Tiranës, taktika e luftës ballore arriti shkallën më të lartë të saj. Lufta u bazua në planin e hartuar nga komanda dhe shtabi i zbatuar me përpikëri nga komandat e të gjitha rangjeve. Efektivat e ushtrisë në luftë me armikun për 19 ditë rresht, manifestuan heroizëm e moral të lartë, aftësi e mjeshtëri në luftime të afërta, në veprime luftarake për pushtimin dhe mbajtjen e ndërtesave, të kryqëzimeve e të rrugëve, të objekteve të fortifikuara etj.

Shtabi u kujdes për të gjitha problemet që lidheshin me krijimin e organizimin e brigadave. Anëtarët të tij kryen në praktikë veprimtari intensive për kapërcimin e vështirësive që lidheshin me krijimin e tyre. Për periudhën gusht 1943-mars 1944, u krijuan shtatë brigada sulmuese që u komanduan nga Mehmet Shehu, Beqir Balluku, Hulusi Spahiu, Nexhip Vinçani, Shefqet Peçi, Tahir Kadare e Gjin Marku, të gjithë me shkollë ushtarak, me përvojën të pasur luftarake. Procesi vijoi dhe gjatë muajve prill-nëntor 1944, ku kemi 17 brigada, gjithsej 24 brigada sulmuese. Mbi bazën e brigadave në muajt maj-nëntor 1944 u krijuan divizione dhe korparmata. Ky ishte organizimi i plotë i UNÇSH.