Shefqet Vërlaci, çifligari që vdiq i vetmuar larg Shqipërisë

5763
Një emër jo pak i lakuar ndër politikanët e viteve 1930-1940 në Shqipëri, mbetet padyshim edhe ai i çifligarit më të madh të tokave dhe pasanikut të Shqiperisë Mesme, Shefqet Bej Vërlacit. Ai do të mbahet mend jo vetëm në Elbasan, por në gjithë botën shqiptare dhe kujtesën e historisë shqiptare, si njeriu që pas zigzakeve politike të kohës, mban mbi shpinën e tij edhe mëkatin e dorëzimit të kurorës së Skenderbeut, Mbretit të Italisë Fashiste, Viktor Emanuelit të Tretë. Kjo ishte edhe pika kulminante e cila e renditi atë në krahun e gabuar. Por për Verlacin historia ka shprehur edhe një tjetër rezervë të saj, pas zbulimit të një dokumenti sekret nga arkivat e Romës, sipas të cilit në periudhën kur ai ishte kryeministër i Shqipërisë, ka firmosur (ndoshta i detyruar) një dokument për “Nisjen e sulmit të Italisë Fashiste mbi Greqinë nga trojet shqiptare”. 
Por kush ka qenë Shefqet Bej Verlaci
Shefqet Bej Vërlaci (1877-1946) ka qenë pronari më i madh i tokave në Shqipëri, politikan dhe deri kryeministër i shtetit shqiptar, i cili pranoi kolonizimin italian të Shqipërisë, anëtar i Partisë Fashiste Shqiptare, senator gjatë periudhës kur Shqipëria ishte Republikë nga viti 1925 deri 1928. Ka qenë Senator i Mbretërisë Italiane dhe pjesëtar i komisionit të agrikulturës në Senatin e Mbretërisë Italiane. Shefqet Bej Vërlaci lindi më 15 Dhjetor 1877 në Elbasan. Ai ishte biri i Ismail Pashës dhe Mehtab Hanëmit, në një familje bejlerësh me pasuri të mëdha, sidomos tokë. Pasi mori mësimet e para në qytetin e lindjes, arsimin e mesëm e kreu në qytetin e Manastirit. Ai vajti më pas në Stamboll për të kryer shkollën e lartë të administratës në “Mülkiye -Sehahané”, por nuk mundi ta përfundonte atë. Në moshën 32-vjeçare i kthyer tashmë në Shqipëri, Vërlaci në vitin 1910 zgjidhet deputet i Elbasanit në Parlamentin e Perandorisë Osmane, por për shkak të konflikteve që pati me Turgut Pashën, ai u arratis, ndërsa dy vjet më vonë, në nëntor 1910, ishte një ndër anëtarët e partisë së Elbasanit që përkrahu pavarësinë e Shqipërisë. 
Veprimtaria politike
Fillimisht Vërlaci bënte pjesë në Partinë Përparimtare dhe pas shpërbërjes së kësaj partie ndikoi që deputetët e Elbasanit të bënin pjesë në formacionin jetëshkurtër politik të quajtur Partia Kushtetuese, ndërsa vetëm një vit më pas, ai është ndër emrat më kryesorë të Partisë Popullore. Në 21 gusht 1914 Shefqet Bej Vërlaci ishte anëtar i delegacionit që i dorëzoi në Gjermani kurorën e fronit të Shqipërisë Princ Vidit. Në zgjedhjet e 5 prillit të vitit 1921 ai zgjidhet deputet, ndërsa në këtë fushatë kryesoi në Elbasan Grupin Pleqësor. Postin e parë si kryeministër dhe Ministër i Brendshëm e mori në vitin 1924 nga datat 3 mars deri më 27 maj 1924. Gjatë viteve 1925–1928 kur Shqipëria ishte Republikë, Vërlaci u bë senator. Më 13 shtator 1927 dekorohet me Kordonin e Madh të Urdhrit të Kurorës Italiane. Në vitin 1928 në 1 shtator si anëtar i Komisionit të Asamblesë në emër të Asamblesë i komunikoi Mbretit Zog vendimin e posaçëm që e shpalli Shqipërinë Mbretëri Parlamentare. Zgjidhet për herë të dytë kryeministër në vitin 1939 dhe më 16 prill të po të këtij viti dhe Ministër i Punëve Botore, i dorëzoi në Romë kurorën e fronit shqiptar Viktor Emanuelit III. Po këtë vit, ai u zgjodh senator i Mbretërisë Italiane. 
Marrëdhëniet me Italinë
Marrëdhëniet e tij me italianët kanë qenë disi të çuditshme. Ndonëse kishte pranuar të vihej në shërbim të tyre, ruante një autoritet të veçantë, që buronte nga qenia si njeriu më i pasur i Shqipërisë, i cili nuk e njihte nënshtrimin. Dhe ndoshta kjo ishte arsyeja që midis tij dhe italianëve filloi një konflikt politik i pashmangshëm. Ministri i Jashtëm italian, njeriu që përgatiti pushtimin e Shqipërisë, konti Galeazzo Ciano në ditarin e tij do të shkruante: “Po ta kisha njohur më parë nuk do ta kisha mbështetur emërimin e tij. Është njeri nursëz e do të na bezdisë”. Përuroi në Kavajë fillimet e punimeve të hekurudhës Durrës-Elbasan në vitin 1940. Në vitin 1941 si pasojë edhe të konflikteve të shumta politike që pati me Mëkëmbësin e Mbretit të Italisë Jakomoni, ky i fundit kërkoi zëvendësimin e tij, gjë e cila u realizua më 3 dhjetor të vitit 1941 ku në vend të tij u emërua Mustafa Kruja. Pas largimit nga posti si kryeministër Shefqet Vërlaci thuajse u tërhoq plotësisht nga politika. 
Arratisja jashtë vendit
Para se në Shqipëri të vendosej regjimi komunist u largua në Itali së bashku me djalin e tij Ismailin dhe vajzën Behije (ish e fejuara e Ahmet Zogut). Verlaci la në Shqipëri gruan dhe vajzat Fezilet e Mehtap. Është për t’u përmendur fakti se Shefqet Vërlaci ka qenë martuar me të bijën e Ymer Pashë Vrionit, Semiramisin dhe ishte baxhanak me armikun e tij politik, Aqif Pashë Elbasanin. Gruaja e tij pasi u dënua me 5 vjet burg nga komunistët në 1950 vdiq në mjerim të plotë. Në Shqipëri jetoi vetëm vajza e vogël e Shefqet Vërlacit, Mehtapi e cila ishte e martuar me Qemal Biçakçiun dhe vajza e dytë Fezileti, e cila ishte martuar me Is’han Libohovën. Vdes në tetor të vitit 1946 në spitalin e Zyrihut dhe më pas varroset në Romë në parcelën dytësore 1537 të varrezës së këtij qyteti. Edhe një vit pas vdekjes së tij, qeveria komuniste vazhdonte të kërkonte ekstradimin e tij në Shqipëri si “kriminel lufte”. Shefqet Vërlaci ka qenë njeriu më i pasur në Shqipëri. Vetëm në vitin 1939 ai kishte në pronësi të tij 3700 hektarë ose rreth 1 për qind të fondit të përgjithshëm të tokës në Shqipëri.
Sigal