Sigal

Ju rrëfej sekretet e arkivave ruse për Shqipërinë

Enveri i propozon Stalinit: “T’i biem Jugosllavisë!”

Leonard VEIZI

Nuk është e nevojshme të qenit diplomat karriere për t’u njohur me mrekullinë ruse, madje as ministër shteti nuk duhet të jesh. Mjafton t’i hipësh avionit tip An-225, IL-76MD apo Tu-154 dhe Moska bëhet krejt e afërt. Por kur ke titullin “Ambasador”, përfaqësuesi i një shteti në dyert e Kremlinit, mundësitë për të parë nga brenda mureve janë më të mëdha. Dhe kështu, brenda një kohe jo fort të gjatë, pasi je njohur nga afër me Pjetrin e Madh dhe Ivanin e Tmerrshëm, Leninin e Romanovët, Stalinin e Trockin, Hrushovin e Gagarinin, kërkon të shkosh më thellë, atje ku kodi i hyrjes është vulosur me dyll të kuq: “Top Secret”.

Shaqir Vukaj, një ambasador karriere i Shqipërisë në vendet e Evropës Lindore, thotë se gjatë shërbimit të tij katërvjeçar si përfaqësuesi i Tiranës në Moskë, ka arritur të ndeshet një gjëra të panjohura më parë dhe që tregojnë qartë jo vetëm se si kanë qenë marrëdhëniet Shqipëri-Risi në zenitin e tyre, por dhe sa e rëndësishëm ka qenë për BS-në Shqipëria dhe Kosova. Të gjitha këto ai i ka publikuar në një libër voluminoz me emrin kuptimplotë “Rusia dhe Kosova, nga i cili gazeta “Telegraf” do të botojë disa fragmente në ditët në vijim.

Ndërkohë në një intervistë paraprake për gazetën ambasadori Vukaj thotë:

 

Cila është detyra e një ambasadori apo e një ambasade?

Detyra parësore është të forcojë marrëdhëniet mes dy vendeve, të bëjë të njohur vendin e tij dhe të mbrojë interesat e po këtij vendi, që në rastin konkret është Shqipëria. Pastaj padyshim duhet të jetë një lloj zbuluesi për politikën e atij shteti në favor të vendit që përfaqëson. Ideja është që të nxjerrë sa më shumë të dhëna në mënyrë që Qendra (Tirana) të përpunojë politikat e duhura, në mënyrë që të zhvillojë marrëdhëniet me atë vend. Thënë shkurt, gjithçka duhet të bëjë një ambasador është në këtë funksion.

Pas 30 vjetësh ndërprerje të marrëdhënieve diplomatike mes BS dhe Shqipërisë, në fillim të viteve ’90 ekuilibri u vendos. A mund të cilësohet i mbuluar ky vakuum?

Para se të emërohesha në detyrën e ambasadorit në Moskë, më duhet të them se para meje kishin qenë dhe tre diplomatë të tjerë në krye të ambasadës sonë në Rusi. Pas rivendosjes së marrëdhënieve, unë isha i katërti. Natyrisht, është një vakuum i krijuar dhe është vështirë të thuhet: u plotësua.

Sa të zhvilluara janë sot marrëdhëniet diplomatike dhe ekonomiko-tregtare me një vend të madh si Rusia?

Rusia është specifike. Por marrëdhëniet me Rusinë sot nuk janë në atë nivel që duhet të ishin. Pavarësisht nga problemet dhe qëndrimet e ndryshme rreth zhvillimeve ndërkombëtare dhe në mënyrë të veçantë për problemin e Kosovës, që është kryesori për ne, kam parasysh se me Rusinë duhet të ishim treguar më të vëmendshëm; në radhë të parë për t’u ingranuar në fushën ekonomike. Duhet të dimë se Rusia sot është furnizuesi kryesor i Evropës me naftë dhe gaz. Furnizon rreth 1/3 e BE me naftë dhe furnizues kryesor i Evropës me gaz. Po sjell si shembull Greqinë, e cila 80 % të gazit e ka nga Rusia. Në kuadrin e naftësjellësve dhe gazsjellësve që ka ndërtuar dhe ndërton Rusia drejt Evropës, pjesa më e madhe e tyre kalojnë nëpërmjet Ballkanit, si p.sh. naftësjellësi që ka filluar të ndërtohet dhe kalon nga Deti i Zi për në Greqi. Ose gazsjellësi “Rrjedha e Jugut” që do shkojë nga Rusia për në Evropë do të kalojë nga Ballkani për të dalë në Itali e Austri. Megjithëse këto na kalojnë shumë afër, fatkeqësisht asnjë prej tyre nuk kalon në vendin tonë. Duke lënë mënjanë konsideratat politike mendoj se moskalimi nëpërmjet territorit të vendit tonë të një gazsjellësi për në Evropë, e konkretisht për në Itali, nuk është as në interes të Rusisë dhe as në interesin tonë.

A kanë pasur rusët interes për Shqipërinë?

Në fillim të viteve ‘90 ruset kanë pas propozuar, madje dhe kanë ofruar lehtësira për ndërtimin e një gazsjellësi. Ishte koha kur një kompani e fuqishme e tyre punonte në Maqedoni, dhe ata kërkuan ta shpërngulnin në Shqipëri për të vazhduar punimet. Kjo gjë nuk u realizua në kushtet kur Shqipëria ishte e pa stabilizuar nga ana politike. Por gjithsesi edhe pse kemi mungesa të theksuara në fushën ekonomike, ne kemi marrëdhënie të mira në fushën e kulturës, arsimit etj.

Keni shkruar librin me titull “Rusia dhe Kosova”. Mbi çfarë faktesh jeni mbështetur?

Kam punuar gjatë në Bullgari. Ngjarjet e vitit ’81, të Kosovës, i kam ndjekur nga Bullgaria, ku qëndrova 6 vjet si i ngarkuar me punë. Në këtë kuadër ndoqa qëndrimin e Moskës zyrtare. Sepse isha i abonuar në gjithë shtypin sovjetik të asaj kohe. Kjo përkoi dhe me një ngjarje tjetër për Bullgarinë, sepse 1981 konsiderohej si 1300 vjetori i formimit të shtetit të parë Bullgar. Kështu që u botuan shumë materiale. Ndërmjet të tjerave u botuan dhe disa punime të një akademiku sovjetik, Selishçev, “Popullsia sllave në Shqipëri” dhe “Popullsia bullgare e Pollogut”, ku shqiptarët e bënte bullgarë. Këto ishin vepra tepër antishqiptare. Ngjarjet e pranverës së 1981 të Kosovës, shtypi zyrtar i Moskës i trajtoi totalisht nga këndi i Beogradit ku përdori të njëjtat shprehje si: “Lëvizje separtatiste”, apo “Lëvizje irredentiste”. Që atëherë më lindi ideja për t’u marrë me këtë temë. Në ’98-ën kur fillova punë në Moskë problemi i Kosovës ishte shtruar për zgjidhje. Kishte dalë në skenë faktori UÇK. Problemi ishte ndërkombëtarizuar. Pikërisht në këtë kohë unë kam filluar të mbaj ditar të rregullt krahas të tjerave dhe për Kosovën dhe kam filluar të grumbulloj literaturën e duhur me prespektivë për të shkruar një punim me këtë temë. Periudha që unë punova në Rusi, ka qenë periudhë kur problemi i Kosovës trajtohej si një ndër problemet kryesore të zhvillimeve ndërkombëtare, dhe ku u angazhuan krahas politikanëve, studiues të fushave të ndryshme, të historisë, ushtarakë etj. Materiali i botuar në këtë periudhë në Rusi është i jashtëzakonshëm për nga volumi dhe krahas grumbullimit unë jam përpjekur të nxjerr ato materiale ku del qartë qëndrimi i Rusisë ndaj çështjes tonë kombëtare e në radhë të parë ndaj Kosovës. Me botimet e asaj kohe dhe në vazhdim mund të krijohet një bibliotekë e tërë, kaq shumë ka botuar shtypi rus për Kosovën.

Cilat ishin materialet e që gjetët duke kërkuar në shtypin e ditës?

Duke përfituar nga liria burimi kryesor ishin mediat. Ajo që më ka bërë mua përshtypje, ishte fakti se Moska interesohej shumë për Shqipërinë në vitet ‘47-‘48. Madje në këtë periudhë me Shqipërinë merrej direkt Stalini. Ndërkohë rashë në një fakt shumë të rëndësishëm. Pra në qoftë se Jugosllavët nëpërmjet Titos e pranuan me diplomaci që Kosova është e Shqipërisë, gjatë takimit të Kardelit (që ishte dhe figura numër dy pas Titos) me Stalinit, pohohet zyrtarisht: “Kosova është e Shqipërisë dhe ne do t’ia kthejmë”. Por përshtypje më ka bërë dhe letra e Enver Hoxhës drejtuar Stalinit, ku kërkohej që Shqipëria, duke pasur dhe mbështetjen ruse, të fillonte sulmin ndaj Jugosllavisë për të marrë Kosovën. Ndërkohë është zbardhur dhe biseda e Mehmet Shehu që i thotë ambasadorit rus në Tiranë: “Duam të ngremë një Komision për të filluar luftën me Jugosllavinë dhe të marrim Kosovën. Si na këshilloni?”. Ndërkohë ka dhe shumë fakte të tjera të panjohura më parë jo vetëm për publikun.

Është e vështirë për të komunikuar me arkivat ruse dhe sa të hapura janë ato për të huajt?

Në kuadrin e hapjes që bënë rusët, në fillim të viteve ‘90 hapën dhe arkivat. Në këtë kuadër me materialet e arkivave të tyre u botuan dhe disa libra me vlerë dokumentare, të cilat me anë të miqve të mi i sigurova menjëherë. Por rusët nuk e lanë gjatë këtë vijë liberale dhe arkivat u mbyllën, Natyrisht edhe sot i kanë të mbyllura. Por unë kam shfrytëzuar në maksimum të gjitha burimet.

Shqiptarët kanë konsideratë të lartë për Rusinë, sidomos njerëzit që kanë studiuar atje. A është e përligjur kjo dashuri?

Unë mund të them se ata rusë që e njihnin Shqipërinë e donin atë. Ne jemi popull që dimë t’i presim të huajt dhe kjo është një nga arsyet që kemi lënë gjurmë të veçanta në kujtesën e tyre. Përshtypje më kanë bërë specialistë, të cilët kanë punuar në Shqipëri. Mund të them se ata na kanë adhuruar. Dhe unë jam takuar me dhjetëra ish-specialistë, tanimë të moshuar, që mbanin mend detaje nga jeta e tyre në vendin tonë dhe flisnin me shumë respekt për Shqipërinë dhe shqiptarët. (Dhënë, më 29.8.2005 )

JETËSHKRIMI

16 vjet karrierë diplomatike

Shaqir Vukaj ka lindur në Reç të Shkodrës. Ka filluar studimet e larta në Moskë dhe i ka përfunduar në Tiranë, ku është diplomuar në degën Kimi Industriale. Për shumë vite ka punuar në detyra të ndryshme si inxhinier, kryeinxhinier e drejtor ndërmarrjeje. Ka aktivitet të gjerë politik e diplomatik. Ka qenë tre herë deputet i Kuvendit të Shqipërisë (në vitet 1992-1996 ka qenë N/kryetar i Kuvendit), dy herë ministër (ministër i Mbrojtjes në Qeverinë e Pajtimit Kombëtar në vitin 1997, dhe ministër i Tregtisë dhe Turizmit). Ka punuar për rreth 16 vjet në diplomaci. Ka qenë përfaqësues i Shqipërisë në Republikën e Bullgarisë, Federatën Ruse dhe në Republikën Çeke.

DIPLOMATËT

Marrëdhëniet mes dy vendeve

Ambasadori i parë shqiptar në Bashkimin Sovjetik të pasluftës ka qenë Koço Tashko. Diplomati i dytë që do të pasonte Koço Tashkon, ishte Mihal Prifti, i cili më vonë do të pasohej nga Vasil Nathanaili. Të dy këta do të drejtonin përfaqësinë tonë diplomatike në Bashkimin Sovjetik në kulmin e marrëdhënieve shumë të mira midis dy vendeve. Diplomati i fundit që do të drejtonte ambasadën tonë në Rusi në këtë 15-vjeçar ishte Nesti Nase. Ai mbajti këtë post në kohën e ftohjes së marrëdhënieve midis dy vendeve komuniste. Marrëdhëniet diplomatike, që për 16 vjet cilësoheshin shumë të mira, u shkëputën për gati 30 vjet për të filluar, pikërisht në vitin 1991. Pertef Hasamataj ishte njeriu që do të emërohej në krye të përfaqësisë diplomatike shqiptare në Moskë, pas gati 30 vjet ndërprerje. Ai do ta mbante këtë post deri në vitin 1992 dhe do të ishte dëshmitar i ngjarjeve demokratike në Bashkimin Sovjetik dhe në shpërbërjen këtij të fundit. Arben Cici ishte diplomati që do të zëvendësonte ambasadorin Hasamataj. Ai do të drejtonte ambasadën tonë në Moskë për gati pesë vjet. diplomati i karrierës, Cici do të largohej në vitin 1997, për t’ia lënë vendin Shpëtim Çuçkës, i cili do të qëndronte vetëm një vit si ambasador i Shqipërisë në Rusi. Ai do t’ia linte vendin ish-ministrit të Mbrojtjes, Shaqir Vukajt. Vukaj do ta mbante postin e drejtuesit të përfaqësuesit diplomatik të vendit tonë nga viti 1998 deri në vitin 2002. Shaqir Vukaj do t’ia linte vendin diplomatit Avni Xhelili, i cili e mbajti atë deri në 15 nëntor 2005. Pas largimit të Xhelilit, diplomati Halit Furriku ngarkohet me detyrë në ambasadën tonë në Moskë nga ministri i Jashtëm, Besnik Mustafaj. Halit Furriku e mbajti këtë post deri në dekretimin nga Presidenti të Teodor Laços.

VLERËSIME PËR LIBRIN

Analiza dhe dokumentimi i qëndrimeve të ndryshme politike dhe i zhvillimeve historike në një rrafsh ndërkombëtar, argumentimi korrekt i tyre, por dhe në përgjithësi, të ndjekurit dhe të kuptuarit e politikës në një vend tjetër nga i yti nuk është një detyrë e lehtë, madje në ndonjë rast mjaft i komplikuar dhe problematike. Ai ka ditur të orientohet më së miri në labirintin e qëndrimeve diku kaotike, diku të njëanshme dhe tejet të orientuara të diplomacisë, politikës dhe medias ruse gjatë krizës së Kosovës dhe asaj të Maqedonisë.

Prof. Dr. Rexhep Meidani

 

Me cilësinë e një vëzhguesi tepër të kualifikuar dhe të një analisti e studiuesi të çështjeve ruse, por edhe të njeriu që ka qenë pjesë e mjedisit diplomatik të Moskës në vitet më interesante, 1998-2002, Shaqir Vukaj e ka kthyer atë që mund të ishte thjesht ditari politiko-diplomatik i një ambasadori, në një zbërthim thuajse anatomik të politikave të Rusisë së Vjetër e të Rusisë së Re ndaj Ballkanit, në përgjithësi, e ndaj Shqipërisë e Kosovës në veçanti.

Prof. Dr. Pëllumb Xhufi

Vepra është shkruar me një stil të lirë e të rrjedhshëm, shtruar, qartë e hapur. Ajo u drejtohet shtresave të ndryshme shoqërore, por edhe qarqeve të interesuara për informim e dituri të mëtejshme për temën-objekt pasqyrimi… Unë

librin do ta emërtoja “Kosova në optiken ruse” (Shënime të një diplomati), që nuk është një sprove, por një realizim i suksesshëm, duke pasuruar fondin e literaturës sonë publicistike e politike, por edhe diplomatike.

Prof. Dr. Hamit Boriçi