Sefer Pasha: Vizita e Papulias në Dropull dhe takimi me Jorgo Suliotin

892
Sigal

Në një nga ditët që po redaktoja shkrimin dhe kur mendova se nuk kisha se çfarë të shtoja natën pashë një ëndërr. Isha në Kombinatin e përpunimit të drurit në Luginën e Megallakut si dikur. I kisha mbledhur sharrëtarët e ulur mbi tallash dhe po u flisja për gjëmën që kishte ndodhur. Në Pekin kishte vdekur Mao Ce Duni. Kur unë po flisja për fatkeqësinë sharrëtarët qeshnin dhe talleshin me mua. U revoltova dhe nisa të ulurasë. Ka vdekur Mao Ce Duni!. Sharrtarët filluan të këndojnë greqisht: –  /Dy luan që ka sot bota/ /Një Azia dhe një Evropa/. U zgjova. Erdha në vete. Dhe mu kujtua se kur ka vdekur Mao Ce Duni kam qenë në Çatistë dhe u kam folur sharrëtarve. E mbaj mend mirë atë çast kur sharrtarët më dëgjonin me kokat e ulura. Heshtnin. Kurse në ëndrrën që pashë ata qeshnin dhe talleshin me mua, që po lotoja për Mao Ce Dunin.

Në kushtet e rrethimit të egër në Pogon humori ishte me bollëk. Në Shqipëri kishte ardhur për vizitë Karlos Papulias. Ai kishte shkuar dhe në Vrisera të Dropullit të Sipërm. Për ta përshëndetur Papulasin një grup vajzash me kostume dropullite i dhuruan tufa me lule. Ishte dhe një vajzë nga Sopiku i Pogonit. Papuliasi pasi mori tufat me lule i përqafoi bukuroshet e Dropullit duke i puthur me rradhë. Ai puthi gjithashtu dhe sopiqoten e bukur. Kur sopiqotja u kthye në fshat e pësoi keq. I dashuri i saj që ishte nga Çatista e kishte qëlluar me pëllëmbë. Shkaku kishte qenë pse ajo e kishte lejuar që ta puthte Presidenti i Greqisë. Faqja e puthur ishte vetëm për çatistiotin. Papuliasi ishte afër të tetëdhjetave. Në Pogon për nja një vit me këtë komedi mereshin.

                Në repartet e kufirit vepronte një degë e Sigurimit të Shtetit që quhej Kundërzbulim.

Merej me pastërtinë e figurës së kufitarëve. Më thirrën dhe më thanë se një kufitar nga Vranishti i Vlorës bënte agjitasion dhe propagandë. Kufitari nga Vranishti kishte thënë se gjatë luftës një grua plakë nga Vranishti pas një beteje kishte parë një ushtar gjerman të vrarë. Ajo kishte shkarkuar drutë që i kishte në krah dhe kishte filluar ta qante me ligje ushtarin gjerman sikur ai të ishte shqiptar. Unë megjithëse nuk e dija këtë ngjarje e mbrojta kufitarin. Ishte marrëzi akuza ndaj tij. Pas viteve 90 -të kur unë shkova në Vranisht për punët e mia mora vesh se ngjarja që kishte treguar në Çatistë kufitar Llambrua nga Vranishti ishte e vërtetë. Gruaja quhej Aishe Kalemja (Kongjonaj). Në Vranisht më thanë se vajin e labes e kishte dëgjuar dhe komandanti gjerman, i cili kishte urdhëruar që të mos vazhdonte më tutje masakra. Disa Nga vargjet e Aishe Kalemes ishin: – / Biro, u bëre kërcu/ /Ç’deshe që erdhe këtu?/ /Vajti gjaku gjer në gju/ /Gjak nga ne e gjak nga Ju/.

Në kufi ftoheshin në takime heronj.Më ka mbetur në mendje takimi që bëri Heroi i Popullit Jorgo Sulioti. Unë që të mos ja prishja terezinë Jorgos qëndrova pakëz larg. Bisedën e dëgjoja. Jorgo Sulioti tha midis të tjerave se kufitari kur është në pritë duhet që veshin herë pas here ta mbështesë në tokë. Toka është aparaturë tha më tutje ai. Ajo të vë në djeni se drejt teje dikush po lëviz. Informacioni që të jep toka të rrit vigjielncën. Në vijën e kufirit zhvillohet luftë edhe midis skifterëve thoshte heroi. Skifterët e Buretos dhe të Nemërçkës i mbysin që në ajër skifterët e grekut nëse ata futen në tokën tonë. Dhe Jorgua nxori nga çanta një skifter të murrëm të ngordhur. Këtë skifter të korofillakëve tha ai sot në mëngjes e mbytën tek Piramida Zero skifterët e Çatistës. Ky detaj i bisedës mua më tërhoqi vëmendjen.  Aq shumë përshtypje më bëri kjo që tregoi heroi sa kur shkoja në piramidë sytë i mbaja nga shpendët e qiellit. Por kurrë nuk pashë luftë skifterësh as në tokë dhe as në ajër.

E fillova karierën në milimetrat e fundit të piramidave dhe kur u thinja në vitet e demokracisë arrita në shërbimet me kryeministra. Punova edhe hartën e evakuimit të Sali Berishës në rast situate. Njoha vetëm dallgë. “Gjithçka ishte një hiç” siç thotë Heminguej. Por ka dhe një çast kur jam ndjerë i lumtur. Në Çatistë ishte një arrë e madhe sa një kodër. Aty çdo natë zinte pritë njësiti kufitar. Në pranverë në orën dy të natës e fillonin këngën bilbilat. Jam mbështetur pas trungut të arrës dhe i kam dëgjuar meloditë e tyre në kor. Ishte një gjë që më ka magjepsur. Bilbilat ishin të lumtur. Po e vë në rresht këtë motiv se tek Arra e Bilbilave ka qëndruar dhe Ali Kelmendi. Kur isha në Çatistë poeti Petro Çekrezi më filste për Heroin e Popullit Theodhori Mastora nga fshati Çatistë. Petro Çekrezi më ka thënë se Ali Kelmendi pasi kishte ardhuar nga mali i Çajupit qe përplasur me xhandarët e Zogut, që ruanin kufirin. I kishte përzënë duke u djegur dhe ndërtesën ku ata strehoheshin. Tek Arra e Bilbilave kishte ngrënë drekën dhe ishte nisur luginës për në Greqi në takimet me komunistët grek. Shumë vite më vonë kur u mora me figurën e Ukshin Hotit në Pejë më folën edhe për Ali Kelmendin. Peja është vendlindja e Ali Kelmendit. Në Pejë u kujtova për ato që kisha dëgjuar në Çatistë. Ali Kelmendi është një personazh i jashtëzakonshëm. Por veprimtaria e tij është fatkeqe. Studioi në Moskë dhe aty u formua si revolucionar komunist. Ai u ngarkua me detyra nga Komiterni për përhapjen e ideve komuniste në Kosovë dhe Shqipëri. Njihet si luftëtar kundër shovinozmit serb. Vdiq 39 vjeç në Paris. Në Pejë u thashë njerëzve të fisit të tij se Ali Kelmendi në Çatistë ka pasur mik Theothori Mastorën, po nga ky fshat. Ai ka mbajtur një pushkë, ku kishte shkruar në qytën e saj “Ali Kelmendi”. Para se të ikte në Greqi në takimet me komunistët grek pushkën ja dhuroi Theodhori Mastorës, i cili u vra në luftë kundër nazistëve gjermanë në Verushë të Malit të Zi. Kam pyetur shumë në Çatistë dhe askush nuk dinte gjë për fatin e pushkës së Ali Kelmendit. Në Pejë më thanë se Ali Kelmendin nuk e kujtojnë. Unë po e përmed në shkrim se m’u kujtuan bilbilat e lumtur të Çatistës.

            Ngjarjet e kufirit janë me motive shumëngjyrëshe

Në kufi, në Çatistë, ngjitur me Piramidën Zero ishte një vend që quhej Varri i Matianit. Në historik shkruhej se në vitet gjashtëdhjetë forcat e kufirit ranë në përpjekje dhe vranë një kapter, që ishte nisur për t’u arratisur.Ishte matian.Kapterin, aty ku e vranë, e varrosën.Kaq dihej. Kur unë isha në Çatistë erdhën dy burra nga Mati. Më dhanë dhe një lejë, ku atyre u lejohej që të xhvarrosnin njeriun e vrarë në kufi.Në dokument ishin që të gjitha gjenialitet.Kryetari i degës së brendshme Marash Kola si malësor që ishte më porositi në telefon që t’i ndihmoja matianët për të marë eshtrat e njeriut të tyre. Së bashku me matianët gërmuam tek vendi që thirrej si Varri i Matianit. Gërmam thellë dhe gjerë. Por nuk gjetëm eshtra njeriu. Matianët nuk u çuditën. Ata kishin lajme se e gjitha kjo ishte një lojë e Sigurimit të Shtetit. Njeriu i tyre ishte gjallë. Njëri djal i matianit “të varrosur” i kishte marë në telefon nga Athina. Ai u kishte thënë se babai i tij jetonte në Amerikë. Kur unë u binda se në varr nuk kishte eshtra njeriu solla në mendje një shokun tim të fëminisë. Quhej Ylli Malaj. Ishte nga Levani i Tepelenës. Ylli nuk e vazhdoi dot shkollën e lart se kishte kleçka në biografi. U mor me pikturë dhe qe talent. I dëshpëruar mori rrugën për tu arratisur. Pasi iku nga shtëpia dy ditë më vonë Sigurimi i Shtetit i shpuri në Levan të Tepelenës rrobat, që ai kishte pasur kur u largua pa adresë. Sigurimsat u thanë levanakëve se djali i tyre Ylli Malaj qe mbytur në det, në Ksamil. Por vite më vonë lajmi mori dhenë. Ylli Malaj ishte gjallë. E kishin parë në Korfuz. Në Austri e kishte parë Arben Malaj siç thoshin levanakët. Ishte një nga mjeshtëritë që përdorte Sigurimi. Kam dëgjuar të thonë gjeneralët e sigurimit se “heronjtë e heshtur” përgatiteshin me psikologë të rrallë. I kalisnin ata si të ishin një sekt fetar. Matjani, Ylli Malaj e të tjerë, që familjet i kërkojnë me tu nisur me mision në çdo rrethanë nuk do të takoheshin me të afërmit e tyre. Edhe sikur të përmbysej socializmi.  Anastas Mari ka qenë një kriminel nga Dropulli i Sipërm. Ushtronte terror në Dropull. Ai hodhi në erë Mapon e Vriserasë me dinamit. Zbulimi i Jashtëm Anastas Marin e rrëmbeu në një hotel lluksoz në Athinë. E futën në një valixhe me dru arre dhe e sollën mal më mal dhe e varën tek Rrapi i Vriserasë, aty ku ai kishte vënë dinamitin.

Pas kq stërmotesh kur udhëtojë për në Sarandë do t’i kthejë

sytë nga mali i Buretos pas të cilit është Pogoni. Dy ndodhi që më kanë ndodhur në ato vite do t’i tregoja në dasma e në vdekje. Tregimi i parë lidhej me njësitin kufitar të postës së Çatistës. Njësiti ishte i përbërë nga katër kufitar. Në luginën e Megallakut i zuri cikloni. Ai i kapi për “veshi” dhe i shpuri si të qenë zogj në tokën greke. Enver Hoxha për t’i gjetur dërgoi dhe helikopterin që nga Tirana. Kufitarët u kthyen pas pesë ditësh në anën tjetër të malit të Buretos nga ku shtrihet Dropulli i Sipërm. Kufitarët u pritën si “heronj”. Treguan se çfarë u kishte ngjarë. Kishin jetuar në një stan të braktisur të barinjve grek. Ata kishin kapur në borë lepuj të egër dhe i kishin ngrënë të gjallë. Nuk qenë dorëzuar në postën greke të Voshtinës. Kufitarët “heronj” nuk i kthyen më në postën kufitare të Çatistës. I transferuan në Gardën e Republikës. U dhanë dhe nga një shpërblim. Për ta foli dhe shtypi. Por po ato ditë Zbulimi i Jashtëm i Ministrisë së Brendshme i dha Kadri Hazbiut tjetër informacion. Kufitarët i kishte kapur Asafali Greke, i kishte rekurtuar dhe u kishte thënë se do t’i aktivizonte për llogari të asfalisë greke pas 20 vjetësh. Kurrë nuk u mor vesh e vërteta.

Dhe ngjarja e dytë e paharrushme lidhet me kolegun tim të zyrës në degën e brendshme të Gjirokastrës Lirim Pëllumbin. Unë punoja me rininë, kurse Lirimi qe bërë Sekretari i Partisë. Vendosa të bëja stazhin e kandatit të partisë. Ta hiqja qafe se pa qenë komunist nuk bëje dot hajër. Edhe Lirim Pëllumbi ndau me mua të njëjtin mendim. Për të bërë stazhin e partisë shkova në Çatistë. Pak muaj më vonë Lirim Pëllumbi u transferua Zëvëndës Drejtor i Sigurmit të Shtetit . Pas disa kohësh e arrestuan. Unë edhe pse isha në milimetrat e kufirit se di pse u trëmba. I mora të gjitha fotogarfitë që kisha dal me Lirimin dhe shkova në pyll. Aty i grisa. Qenë një krah. Fillova t’i bëja copë e çikë. Por kur po i grisja ngaqë frynte erë një foto e Lirimit fluturoi në majën e një drize të lart të qepur pas një ahu. Në foto qe koka e Lirimit e kapur nga gjëmbat e drizës. Gjysëm e kësaj fotografie, ku ishte vetëm koka e mikut tim, nuk e hoqa dot nga driza me gjëmbat sa një bajonetë. Ika. Lirim Pëllumbin e kisha dashur shumë. Ishte atdhetar. Nuk i gjendej shoku. E kujtoja dhe ai më delte para syve kur fillimisht ishte komisar i Batalinit të Kufirit në Jergucat. Në piramidën e kufirit në Bureto i mblodhi kufitarët, u kthye me pamje nga Gjirokastra dhe e filloj fjalën me vargun e Naimit: – “Ti Shqipëri më ep nder”! Kurrë nuk e besova se Lirim Pëllumbi mund të bëhej armik. Asnjë oficer kufiri nuk u burgos. U kalbën maleve. Disa andej janë dhe tani si Mehmet Canaj nga Kuçi i Vlorës që mbeti në shtëpitë ku shërbente në postën e Peshkëpisë në Gjirokastër. Xhelo Tozajt i vdiq një djal dhe ai e varrosi në fshatin Pogaj të Kukësit rrëzë malit të Pashtrikut. Por për Lirimin ashtu frytën erërat. E them me plot gojën se ne shqyem të gjallë njëri -tjetrin. Në Gjirokastër unë Lirimi dhe Kryetari i Hetuesisë Pelivan Luçi hanim fasule në mencën e policisë. Në Ministri Lirimin e arrestoi Pelivani i fasuleve. Një tjetër miku im Qerim Toçi që u ndodh ditën e arrestimit të Lirimit e kishte dëgjuar vet kur ai i kishte thënë Pelivanit: – “Po pse pranove që t’më prangosësh ti o Pelivan”? E kam takuar para disa kohësh vëllain e Lirimit, Servet Pëllumbin. I thashë atij atje, ku banon në Bllok, se doja të shkruaja një libër për Lirimin. Nuk do të qe libër skematik. Profesor Servet Pëllumbi më dëgjoi dhe heshti. E pashë që nuk donte ta hapte këtë plagë. Kur ai iku unë i thashë me zë të ulët:-  “Ikë profesor! Vrapo nga Liqeni! Dhe shkruaj libra. Por ta dish se tët vëlla Lirimin edhe ti e more më qafë që e pëkrahe. Poqese Lirimi do të ecte si unë me këmbët e tia tani do të ishte pensionist në Korçë( Kështu më thoshte në Gjirokastër). Vite më vonë krejt rastësisht Marsh Kola që ishte Kryetar i Degës më dha një fotografi të Lirim Pëllumbit. Në foton që ma afroi Marash Kola është Lirimi në ralin e “arbitrit” mes dy togave që stërviteshin në tërheqje litari. Kjo foto është bërë në Jergucat kur Lirmi ishte komisar. Është një kujtim i vyer. Doja që atë foto ta vendosja në librin që do të botoja. Po më mirë që nuk u shkrua ai libër se do të ishte dhe kundër atyre që e përkrahën.

E zura mik Sotir Koroveshin nga fshati Çatistë qysh në ditët e para kur fillova detyrën. Në qytezën e Voshtinës të Greqisë ra një zjarr i madh. Zjarri po të kalonte vijën e kufirit do të digjte pyjet dhe kullotat e malit të Buretos dhe të Nemërçkës. Komanda e Divizionit të Janinës informoi në Kakavijë dhe mua ma dha urdhër komanda, që i gjithë populli të ngrihej në kushtrim për të shuar zjarrin qysh në vijën e kufirit. Ishte muaj gusht. Veprova siç mora urdhërin. I shkela të gjitha rregullat e kufirit. Të gjithë popullin e nisa në kufi. Nëse dikush do të tentonte të arratisej këtë mund ta bënte fare lehtë. Fshatarët e Çatistës, të Mavrojerit, Hllomosë dhe të Opsallës në mes të flakëve pothuajse u bashkuan me pogonasit e Voshtinës. Voshtinasit u flisnin fshatarëve të Pogonit të Gjirokastrës, por prej “vëllezërve” të tyre nuk merrnin asnjë përgjigje. Zjarri u shua pa bërë asnjë dëm. Mbasdite fshatarët ikën të lodhur në shtëpitë e tyre. Në të errur Sotir Koroveshi më gjeti në sheshin përpara postës kufitare. Unë isha i mërzitur. Çfarë ka ndodhur më pyeti Sotiri me qetësi?. Nuk është kthyer “kollovari” iu përgjigja. “Kollovari” ishte një lab që qe martuar me një vajzë nga Çatista duke u futur dhëndërr brenda familjes. Kur Sotiri më dëgjoi u çudit. Është e pamundur të arratiset labi tha ai. Morëm me Sotirin nga një gotë me raki dhe u ulëm në stolat e oborrit me lisa. Pa u erruar mirë ndodhi habia. “Kollovari” nga Labëria u kthye me një tufë me dhi të zeza, të cilat i kishte vënë përpara dhe po u vërshëllente. Ai na sqaroi. Kishte ngatërruar udhën pas shuarjes së zjarrit dhe në mes të pyllit kishte gjetur një kope me dhi nga të barinjve grek. Dhe kishte vepruar siç ndodh me damarin gjenetik të labit. Dhitë i kishte vënë përpara dhe i solli në postën kufitare. Të thashë më tha Sotir Korroveshi. Labi na shkoi në hell një kec nga të barinjve grek. Të nesërmen “kollovarin” bashkë me tufën e dhive e nisa siç më urdhëruan për në doganën e Kakvijës, ku do të dorëzoheshin me proces – verbal sipas marveshjes që kishim me palën greke.

 

Neswr do lexoni:

-Minoritari Fane Lalua u dhuronte mjaltë të rrallë  Haxhi Lleshit, Adil Çarçanit, Shefqet Peçit ata e mbushën me dekorata

– Kafexhesha e fashtit Hllomo, vajza e ish-priftit mblidhte gjithë meshkujt e zonës në kafene

– Në Hllomo ishte mësues dhe poeti Sadik Bejko por trembesha ti flisja  kishte kleçka në biografi

-Si nisa në Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri” vëllim “Tregime të fshehta” desh përfundova në burg

-Plasi skandali tregimet u quajtën armiqësore dhe pse redaktor ishte Fatos Kongoli

-Si nuk ja dhanë patentën një minoritari sepse nuk dinte emrat e anëtarëve të Byrosë Politike