– Ku gjendet fotoja e hareshme në Shkodër e Bekim Fehmiut kur ai vizitoi Shkodrën dhe kërkoi të takonte ish të dashurën e tij nën hijen e Sigurimit?
– Në rininë e tij Bekim Fehmiu ka pasur një të dashur në qytetin e Shkodrës, por për këtë fakt dihen shumë pak hollësira nga frika e asaj kohe.
-Të pathënat e dramaturgut Fadil Kraja në teatrin “Migjeni”, Tinka Kurti, Tano Banushi dhe rrethi i Sigurimit të Shtetit.
-Në dramat e tij Fadil Kraja, kishte marrë materiale nga Kadri Hazbiu, Çufe Mullai dhe “Heroi i Heshtur” që grabiti në Mal të Zi hartat sekrete të UDB.
– Fadil Kraja në dramat e tij nuk ngjan as me Kadarenë dhe Agollin sepse në asnjë dramë nuk ka personazh kryesor Enver Hoxhën.
– Mes fotove së Tinka Kurtit, Serafin Fankut, Tano Banushit, Bruno Shllakut, Gëzim Krujës dhe shumë të tjerëve shoh një enigmë të pazgjidhshme.
– Zef Deda më ka treguar se Bik Ndojën e incizonin vetëm kur ishte i ulur në një sofër dhe ku ishin gotat me raki dhe me meze.
Sefer Pasha
Telegraf.al /Në teatrin “Migjeni” në Shkodër u futa për një punën time. Jam në përfundim të një libri rreth vizitës së aktorit Bekim Fehmiu që në vitet shtatëdhjetë aktronte në Hollivud. Mua më duhet të sqaroj me një nga aktorët e teatrit “Migjeni” një detaj që e shkruan Bekim Fehmiu në librin e tij “Shndritshëm dhe tmerrshëm”. Në rininë e tij Bekim Fehmiu ka pasur një të dashur në qytetin e Shkodrës. Për këtë fakt dihen shumë pak hollësira. Në hollin e teatrit ndaloj përballë fotos së Tinka Kurtit. Ka qenë shumë e re kur e kanë fotografuar belbëzova. Ndofta njëzetë vjeçe. Në Shkodër përballoi drama dhe shkëlqeu. Sigurimin e Shtetit e kishte nga mbas. Aktorja është gjallë. Që nga hyrja e teatrit më flet një mik i rinisë time. Quhet Rakip Kazani. Pas pyetjes që më bëri i përgjigjem se po pres për një foto të hareshme, që gjendet në Shkodër. Është e Bekim Fehmiut kur ai vizitoi Shkodrën dhe kërkoi të takonte ish të dashurën e tij. Herë pas here i hedh sytë dhe nga fotoja e Fadil Krajës, e cila është në krah të fotografisë së Migjenit. Fadil Kraja me dramat e tij ka paralajmëruar për ato që do të ndodhin. Para se të vija në teatër zura një dhomë në hotel “Rozafa”. Aty pashë një grup me turistë që erdhën sikur t’i kishte zënë stuhia. Më të shumtit ishin me ngjyrë. Recepsionisti më tha se turistët fotografitë më të shumta i bëjnë tek monumenti i Isa Boletinit. I ngjiten dhe në supe. Më bëri përshtypje ky fakt. Sot lexova në një gazetë që del në Shkodër një poemë të një autori vendas. Shkëputa nja dy vargje për Telegraf.al: -/Kalorësit që në mëngjes sjellin dritë//Po tani tek shtatorja e Boletinit vërshëllejnë arixhinjtë/.
Nuk i ndaj sytë nga fotoja e Fadil Krajës.
Herën e fundit jam takuar me të në Pukë në promovimin e një libri për Migjenin. Fadil Kraja tek muzeu i Migjenit më tregoi motivin e një libri, të cilin e kishte në proces. Në Vermosh tek një familje kishte vajtur një mik nga Vuthajt e Malit të Zi. Darka kishte kaluar mirë dhe bukur. Të nesërmen për ta përcjell i zoti i shtëpisë i jep të birin për ta shoqëruar meqenëse vuthjoti nuk e dinte rrugën. I tregoi dhe vendin se ku do të ndaheshin. Por djali nuk e mbajti parasysh porosinë e të atit për rrugën, e cila i binte gjatë për në Vuthaj. Ai nuk donte të lodhej. Ndahet me vuthjotin në një rrugë më të shkurtër. Për pasojë vuthjoti nga orientimi i keq bie në mes të ortekëve dhe vdes. Kur djali kthehet në shtëpi merr vesh se miku nga Vuthajt për faj të tij qe futur në mes të ortekëve dhe ata e kishin mbytur. I ati megjithëse nuk e dha veten qe shumë i fyer. Miku nga Vuthajt ishte prerë në besë. Të nesërmen i zoti i shtëpisë nga Vermoshi e nis djalin në mal që të merrte dushqe për bagëtitë. Mali qe i mbushur me borë dhe djalin e zunë ortekët dhe vdiq. Me këtë gjest i zoti i shtëpisë ruajti nderin për mikun e largët, të cilin i biri padashje e preu në besë. Në hyrje të hollit të teatrit dy punonjës të Televizionit Shtetëror morën në intervistë një lahutar nga Malësia e Madhe. Kur lahutari mbeti vetëm ai m’u afrua. Lahutari sa ishte kthyer nga Amerika [lahuta është bërë pjesë e UNESKOS]. Ai fillojë të më tregojë për jetën e tij. Lahutën e kishte mësuar nga nevoja. Baba e kishte lënë në djep. Tekstet e këngëve dhe meloditë i bënte vet. Tani po kompozonte një motiv të një ngjarje që kishte ngjarë në Koplik. Dikur një malësor kishte blerë një kalë me misër në pazar. Nuk kishte bukë për fëmijët. Udhës për në fshatin malor rrëzohet në një greminë. Vet vdes dhe kalin e hëngrën ujqërit. Familja e kërkoi gjithë dimrin, por nuk e gjeti. Në fillim të pranverës udhëtarët panë në faqen e greminës se kishte mbirë misër i kuq. Ishte misri që kishte blerë koplikasi. Shpendët e kishin shpërndarë në shpatet e greminës, ku kalonte një ujëvarë. Kështu u gjet i zhdukuri. Titulli i këngës ishte: – “Misri i kuq lajmërojë për të zotin”. Përveç fotos së Tinka Kurtit vështroj atë të Serafin Fankut, Tano Banushin, Bruno Shllakun, Gëzim Krujës dhe shumë të tjerëve.
Jeta e këtij teatri dikur gjëmonte.
Sot ka heshtje. Fotoja e Fadil Krajës është e vetmja mes aktorëve. Me dramat e tij janë edukuar shkodranët në breza. I afrohem fotos së dramaturgut e çoç dua që t’i them. Kohët kanë ndryshuar. Tani në jetë takon personazhe të paparë. Në socializëm në bisedat e fshehta shkodranët e thoshin troç se po të hapen kufijtë në Shkodër do të mbesin vetëm monumenti i Heronjve të Vigut dhe ai i Isa Boletnit. Dhe kështu ndodhi. Tani në Shkodër shikon njerëz të plakur. Pas takimit me aktorin e teatrit “Migjeni” për foton e Bekim Fehmiut do përpiqem të lidhem me Fadil Krajën mërmërita. Në kafenetë e Shkodrës flitet për një rrëfim gojor të tij. Dramaturgu ka treguar se gjatë luftës për çlirimin e Kosovës në një lokal në qendër të Shkodrës po bëhej një dasmë. Martohej një vajzë nga qyteti i Shkodrës. Mbi lokalin ku zhvillohej dasma, në katin e dytë, banonte një familje kosovare e përzënë nga serbët e Millosheviçit. Në lokal vazhdonte kënga dhe vallja. Por krejt rastësisht i zoti i dasmës dëgjon që në familjen kosovare qe hapur morti. Të tre djemtë ishin varë në luftë me serbët. I zoti i dasmës u merr lejë miqve dhe ndalohet menjëherë kënga dhe vallja. Poshtë këngë e lart gjëmë kjo nuk shkonte. Kënga dhe vallja do të vazhdonte tek familja e dhëndrit. Dasmorët qenë të një mendje. Dhe kështu u bë. Nuk ndihej më asnjë tel kitare. Por nuk vonoi dhe familja kosovare, e cila e mori vesh vendimin për të ndaluar këngët dhe vallet dërgon në lokalin ku zhvillohej dasma një të moshuar. Dasma të vazhdojë tha i moçmi nga Kosova, që vinte prej mortit. Këtë kërkojnë serbët që ne të mos kemi dasma. Fjalët e tij ishin të prera dhe ato u bën ligj. Dasma rifillojë. Tek dera e teatrit bëhej një debat i zjarrtë me një mjek popullor nga Mali i Zi. Ai këmbëngulte se në rastet kur njeriut i ngatërrohen zorrët kapërcimi i një plumbi bën punën e shtatë kirurgëve. Plumbi i drejton zorrët dhe i shpie ato në vend. Nëse Fadil Kraja arriti maja në dramaturgji kjo ndodhi se ai jetojë mes popullit të Shkodrës dhe të gjithë Shqipërisë. Në një rast e thirrën në komitetin e partisë të Shkodrës. Zhvillohej në Tiranë Kongresi i Shtatë i Partisë. Në Shkodër ishin zgjedhur dhe delegatët. Por kishte dal një problem. Një bari nga Malësia e Madhe, i cili kishte rezultate të larta ishte zgjedhur me të drejtë delegat. Por bariu nuk kishte veshur kurrë këpucë. Kjo qe arsyeja që të dyja këmbët nuk kishin fare gishtërinj. Ato ishin të ënjtura e ngjanin si dy breshka. Si të gjithë delegatët dhe bariu nga malësia veshi kostumin dhe këpucët e porositura. Kostumi i rrinte mirë. Problem qenë këpucët. Ato nuk visheshin. Qe e pamundur. U thirrën këpucarët më të mirë të qytetit të Shkodrës. U morën masa, por kot më kot. Këpucët nuk visheshin me këmbët me gunga. As pantallonat nuk përputheshin mbi këpucët që u porositën. Bariu ngjante si një lis i sharruar. Si do t’ja bëjmë i thanë Fadil Krajës? Është e zorshme u përgjigj dramaturgu. Ky delegat është i detyruar të kthehet në mal. Është i dënuar. Bëra disa lëvizje në sallën e teatrit dhe habitërisht vetja m’u duk sikur unë të isha Fadil Kraja. Motivet me drama nisën të më ngacmojnë. Një kushëri imi në Kremenar të Mallakastrës po kryente ushtrinë në një repart afër malit të Taraboshit. Merr lejë dhe shkon në fshat se do të martohej. Në dasmën e tij i ndodhi tragjedia. Dasmorët e rinj sipas zakonit mundeshin. Viheshin dhe baste. I erdhi radha të mundej dhëndrit[ushtar në Tarabosh]. Atij i qëlloj që të mundej me një nga vëllezërit e tij. Gjatë mundjes vëllai që martohej u këput në mes prej vëllait me të cilin po mundej dhe vdes. Sipas zakonit nusen nuk e nxorën nga shtëpia. E mori vëllai që vdiq vëllanë, i cili martohej. Halli qe i madh. Dhëndëri, i cili martohej dhe ishte ushtar në Tarabosh një vit më parë kishte sjellë disa pëllumba të egër, që i kishte kapur në shpellat e Taraboshit. Pëllumbat e Taraboshit qenë zbutur në fshat. Pasi ndodhi vdekja nga ulërimat pëllumbat u larguan. Pas ca kohe i vëllai që vrau vëllanë aksidentalisht dhe i mori nusen dhe u nis dhe vajti në Tarabosh pikërisht tek shpella ku i vëllai kishte kapur pëllumbat. Dhe i njohu pëllumbat.

-Poshtë fotos së Serafin Fankut është një tavolinë e mbuluar me një beze ngjyrë lofate.
Në mes të kësaj tavoline ndodhet një “send” ku shkruhet: – “Ky është një mulli kafeje që e përdorte këngëtari Bik Ndoja. Anash është dhe fotografia e këngëtarit të rrallë. “Sendin” e vështrova me kujdes. Nuk ishte thjesht një mulli kafeje, por një “guzhinë”, ku këngëtari bluante kafenë. Gjithashtu të binte në sy xhezvja, filxhani dhe një lugë e vogël ngjyrë bronci. Mua m’u duk një gjetje e bukur. Në një takim që kam pasur në rini me Zef Dedën [kunatin e shokut Xhemal} Aktori i humorit më tregoi se Bik Ndojën e incizonin vetëm kur ishte i ulur në një sofër dhe ku ishin gotat me raki dhe me meze. Nuk ishte vetëm, por dhe me miqtë e tij shkodran. Dramaturgu Fadil Kraja përveç talentit ai qe dhe me fat. Shkodra lundron mbi drama. Sigurisht që personazhet e gjallë në sallën e teatrit janë zhgënjyer nga shpërblimi që të jep jeta. Dramat nuk të nxjerrin në ato kreshta që publiku i ka parë në sallë. Unë kam ndjekur gjyqin e Kadri Hazbiut. Aty u thirr si dëshmitar dhe një nga Heronjtë e Heshtur, i cili mori dhe titullin “Hero i Popullit”.

Dëshmitari në gjyq ka shërbyer dhe në Shkodër megjithëse me origjinë ishte nga Labëria. Në një rrafsh poetik më kanë thënë se ai për të përmbushur një mision kaloi natën me gomone lumin e Bunës. Në anën tjetër të Malit të Zi, që administrohej nga Beogradi, heroi me tragjicitet u vesh si peshkatar. Heroi i Heshtur studioi vendin ku ishte ndërtesa e milicisë dhe natën u vesh si milic. Kaloi nga dritarja e banjës dhe u shtri në krevatin e një milici, që ishte me shërbim. Për fat komandanti i milicëve serb atë natë qe pranë familjes. Pikërisht këtë çast shfrytëzoi Heroi i Heshtur që vepronte në Shkodër. Ai rrëmbeu kasafortën me të gjitha dokumentet sekrete. Përsëri me gomone kapërceu lumin e Bunës dhe mbërrin në Ministrinë e Brendshme. Dhe në duart e Kadri Hazbiut ranë kodet e Beogradit, hartat, bashkëpunëtorët e Sigurimit, urdhrat për të sulmuar Shkodrën dhe Shqipërinë e të tjera e të tjera. Ky hero që kishte kryer dhe shumë vepra trimërie brenda Beogradit u zhgënjye me ato që i ndodhën Kadri Hazbiut dhe atij vet në shtetin e Enver Hoxhës. Në gjyq heroi i traumatizuar heshti. Ai kishte treguar mes miqve se dikur në një lokal të Beogradit ishte takuar krejt rastësisht me një malësor nga Gucia. Gucjoti qe një burrë i thinjur. Si në motërzime ai kishte një jetë nëpër Beograd. Dikur në Guci një udbashë i kishte rrëmbyer të motrën e bukur. Djaloshi kishte qenë njëzetë vjeç kur u vu në kërkim të udbashit. Kur e takoi Heroi i Heshtur nga Shkodra djaloshi nga Gucia qe plakur. Por pa të motrën nuk largohej nga Beogradi dhe nuk vinte i gjallë në Guci. I zhgënjyeri i madh me qendër në Shkodër kishte mundur që të bëhej bashkëpunëtor i Çufe Mullait në oborrin e mbretit Zog. Detyra e tij ishte të mbante nën vëzhgim Çufe Mullain se mos ai luante rol të dyfishtë. Nëse Çufe Mullai nuk u bë Hero i Popullit pas propozimit që erdhi nga Gjirokastra [fshati i tij i lindjes ishte Fushë Bardha] kjo ndodhi se Heroi i Heshtur kishte informuar Ministrinë e Brendshme për ca veprime të dyshimta të Çufe Mullait. Dhe Çufe Mullai u kthye në Shqipëri pa e përfunduar misionin si në ndonjë akopalips.

Optika e Fadil Krajës
Në këtë optik të pashoqe me një mozaik të përsosur i shkroi dhe i vuri në skenë dramat Fadil Kraja. Teatri “Migjeni” qe punishtja, ku në çdo pëllëmbë me një ankth të trishtë e dritë të prushtë, pa nuanca të tepruara, morën jetë të gjitha ngjarjet e kohës me krizat e socializmit e me gërgamat e tij. Spektatori i Shkodrës dhe më gjer, dramat e Krajës me një ndjesi të hollë i duartrokiti si poema paçka se gjendja në Shkodër si në të gjithë Shqipërinë ishte e mjegullt e me tablo të zymta. Aktori i teatrit i cili do të më sillte foton e Bekim Fehmiut po vononte dhe unë për të kaluar kohën vështroja fotot e aktorëve, korridoret që rrethonin sallën, tribunën si dhe çdo skutë që nuk e kisha parë ndonjëherë. Dhe sërish ndaloja tek fotoja e Fadil Krajës. Ky dramaturg është i veçantë në historinë e letërsisë shqipe të realizmit socialist. Nuk ngjan as me Kadarenë dhe Agollin. Në asnjë dramë nuk ka personazh kryesor Enver Hoxhën. Heronjtë e tij janë shkodranët e thjesht. Fadil Kraja shkroi visare të rralla me pasionin në shkallën më të lart. Dramat e Krajës pa “frymën e partisë” qenë shëmbëlltyra e guximit. Me tis të artë dramaturgu shkroi mitologjinë e Shkodrës. Bota e personazheve është psikologjia e malësorit pa kallëp e skemë. “Iliada” e dramave të Krajës kanë në faqet e saj hambarin e kujtesës së Shkodrës. Autori Kraja me ndjenjë e gjallëri zhbiroi çdo vogëlimë njerëzore në hapësirat e Shkodrës dhe asëll – asëll e gjeti alkiminë e dramave që shkroi. Si dramaturg diellor nuk qëmtoi me dalldi “veprat e shokut Enver”. Jo. Kraja qe autor autentik. Askund nuk ngjan me dramaturgët e tjerë. Shkodra ishte pasuri për Fadil Krajën. Pak më në skaj ku qe arratisur Martin Camaj në një shkëmb të lart Fadil Kraja zbuloi me një qetësi të akullt qetë – qetë një fakt që e la pa mend. Që një malësor të kalonte kufirin e kishte të pamundur të ngjiste lopën dhe bagëtitë në një shkëmb të thiktë. Ai me kiminë e tij të ndjenjave burrërore kishte punuar tre vjet dhe kishte mundur që të ndërtonte një makara të rrallë. Aq e fuqishme qe kjo sa malësori me gjerësi talenti dhe dhunti mundi që ta ngrejë lopën me gjithë viç fluturimthi në një lartësi njëqind metra. Po kështu i ngjiti dhe bagëtitë. Në mëngjes rojet e kufirit ishin mahnitur. Skema e ngjitjes së bagëtive me makara kurrë nuk kishte ndodhur dhe as që mund të imagjinohej. Tek ky shkëmb monument Fadil Kraja vajti disa herë e fotografoi dhe mbajti shënime. Ndërrimi i drejtimit të erërave pas përmbysjes së socializmit nuk e tuti dramaturgun Fadil Kraja. Ai ishte njohësi i mirë i erërave.
Ndryshimet dhe në teatër i priti me qetësi të gurtë paçka se pati zbatica të pasioneve. Me një prirje mëkatare i kishte pritur “jagot” e rinj. Tehu i gijotinës do të binte dhe mbi dramat e tij dhe në të gjithë artin e Shkodrës. Por dramaturgu Fadil Kraja në vetvete ishte simboli i besimit. Acari nuk do të prekte thelbin e shpirtit të qytetarit shkodran. Megjithëse kulti i hipokritit dhe pasionet e rreme me sëpatën e gijotinës po e kërcënonin artin gjithandej tek dramaturgu Kraja nuk pati ndonjë lajtmotiv që të hidhte në humnerë gjithçka që ishte krijuar pas çlirimit të vendit. Edhe rrufetë e hakmarrjes nuk e cënuan palëkundshmërinë e dramaturgut për të shkruar drama dhe për të gjetur sërish mesin e artë. Në pesë shkodran tre vrapojnë dhe dy qeshin. Ekonomia e tregut pruri një lënde të re për të shkruar dhe vënë në skenë drama bashkëkohore. Nëse dikur Karja trishtohej për hedhjen e monumentit të Fishtës në lum tani në kafen e Madhe të Shkodrës flitej për drogën, alkoolin, prostitutat dhe krime të tjera të rënda. Mori një ngjyrim të veçantë jeta aristokrate në Shkodër. Dhe Kraja si sqimatar i vërtetë, paçka se dramat e reja patën një kurbë në rënie, dramaturgu nuk shkroi asgjë të shurdhët e pa dramcitet. “Rebeli” Fadil Kraja me forcën sipërore nuk shkroi asnjë fragment drame të krimbur që nuk honepsej. Instinktet pasiononte me kodet sekrete vidhe pas vidhe as i mistifikojë dhe as ngriti në qiell aureolën e dramaturgëve të rinj “ngadhnjimtar”. Kavaleria e dramave që shkroi dhe u vunë në skenë ndër vite, megjithëse u vunë gjithfarë bishtrash për tua hequr byzylykët e florinjtë, arti i Krajës mbijetojë mbi flatra shqiponje. Nëse arriti maja në gjininë e dramës kjo ndodhi se dramaturgun nuk e ndihmoi ylli i fatit, por se ai i ra cep më cep jo vetëm Shkodrës, por gjithë Shqipërisë dhe Kosovës. Kraja si njeri me prirje idealiste për të mësuar hollësira rreth jetës së Martin Camajt vajti disa herë në vendlindjen e tij në Temal të Dukagjinit. Vet Camaj shkruan me dorën e tij se në Temal “s’ka shkelë kurrë kamba e kalit”. Camaj u arratis në Jugosllavi. Libri më i dashur i Krajës ishte “Një fyell ndër male” i autorit Martin Camaj. Jeta në Shkodër për Fadil Krajën pati qarin e vet. Asnjë dramë nuk është dhelparake siç thonë shkodranët “as qyqana, as flliqtana”. Kjo ndodhi se ai ishte fisnik safi dhe kithtazi shkroi skena ngjethëse kundër zgjebarakëve duke rrokëzuar fjalët dhe togfjalëshat me vlera superiore. Të gjitha dramat janë të mbështjella me dritën e majës së Taraboshit. Dramat nuk bien era “provincë”. Ato trajtojnë thelbin e njeriut. Dhe unë aty në hollin e teatrit bëja krahasimet e motiveve veri – jug. Në Kardhiq të Gjirokastrës një aga i dëgjuar që quhej Demir Dosti ngarkoi shtatë mushka me flori dhe i fshehu në shpellat e malit të Gjerë. Në kthim rojet që fshehën floririn agai i vrau që të mos merrej vesh se ku ata fshehën floririn. Në temat që rrok Kraja nuk ngjet kështu. Ai nuk do ta fuste në dramë vrasjen e rojeve që fshehën mushkat me floriri. Nuk ka botë çapraze në veri. Gjithçka në malet e Shkodrës është eshtake. Asnjë presje e dramave të Krajës nuk është narciste, por pohore e pastër në të gjitha pikat e rrafshit letrar. Shigjeta e gravitetit të dramave të Krajës nuk merret me shpella kusarësh. Kinse dramat e këtij autori janë të brishta edhe në formën letrare në tërë mozaikun qysh aty ku rrjedh Buna e deri në bjeshkët e Vuthajve ku ka lindur Rexhep Qosja. “Më zgjoi kënga e keqe” i kishte thënë në Vuthaj Fadil Krajës një bari me dele. Krejt çka që bëra prej të pabesës me ziza dhe kiza e hodha në koshin e plehrave tha në një takim me shkrimtarët në Tiranë dramaturgu. Malësori jeton në këmbë dhe jo në gjunjë në kahun e mbarë para trandjeve. Aktori tek i cili shpresoj se do të më sjell një foto të Bekim Fehmiut nuk po e merrja vesh se përse po vononte. U detyrova dhe dola përpara portës së teatrit ku shiste libra një person që quhej Çun Lajçi. Ja kisha dëgjuar emrin. Më vjen mirë që në qytetin e Shkodrës blejnë ndonjë libër dhe tek një shitës ambulant. Edhe kjo grimcë qe një grusht lumturi si në mitologji. Pyes një nga qytetarët që bleu një libër të autorit Fadil Kraja. Qytetarin e pyeta për Bekim Fehmiun dhe ai mu përgjigj se aktori me origjinë nga Kosova kur erdhi në Shkodër ai piu kafe tek Kafja e Madhe në qendër të Shkodrës. Edhe ky është një detaj për të cilin nuk ka shkruar ndonjë rresht Bekim Fehmiu mërmërita. Që nga jashtë godina e teatrit ngjante si një copëz Tarabosh. Brenda këtyre mureve e shkroi “Iliadën” e qashtër Fadil Kraja i them vetes. Ai me talentin vizual shkroi me nikoqirllëk një pjesë të autobiografisë të Shkodrës dhe të gjithë Shqipërisë. Dramat qenë të pikturuara pa statuja të urrejtjes. Në jazet e Malësisë së Madhe dramaturgu qesëndisët me petkun romantik shkroi rrëfimet më të çmuara, jo me një të rënë të lapsit, as me cifla dhe copëza, por me vlim ndjenjash pa mistifikuar asgjë. Për dramaturgun Fadil Kraja Rexhep Qosja mbeti një idhull dhe intelektual i kristaltë. Kraja e kishte lexuar të gjithë veprën e Qoses. Babai i Rexhep Qoses qe zhvendosur në mars të vitit 1913 nga Vuthajt në Shkodër. Kraja e kishte bërë në këmbë rrugën e familjes së Qoses nëpër Shalë, ku fillimisht qe vendosur në Barbullush dhe më vonë në Shkodër dhe ku i kishin vdekur nëna, babai dhe vëllai i vetëm. Kur babai i tregonte shkruante Qosja ai mbyllej si guacë me orë të tëra i tallazuar nga dallgët e ndjenjave. E gjithë kjo botë ngjizi që esëll në dramat e Fadil Krajës. Ai qe dramturg, rrëfimtar dhe nishanlli me nerv. Detajet e dramave i mblidhte si polenin e luleve me qartësi diamanti pa qenë patetik dhe absurd. Me humusin e zëmrës së tij Kraja ka bërë dhe autoportretin e tij e që gjendet brenda mureve te teatrit “Migjeni”, ku unë vazhdojë të pres aktorin, i cili shpresojë se do të më sjell një foto të Bekim Fehmiut nga vizita e tij në Shkodër. Lahutari që po rrinte me instrument në dorë ashtu si dhe unë kishte me siguri ndonjë takim. Mu afrua dhe nxori një shishe me raki të cilën ma zgjati që të ktheja ndonjë gllënjkë. Kam dy takime më tha lahutari. Këtu brenda po pres drejtorin e teatrit kurse jashtë më pret një shpend të cilit ja kam vënë emrin Lahuta. Shpendi me emrin Lahuta rritet anës Bunës. Ai nuk më ndahet dhe i bie lahutës njëlloj si unë. Më ndjek ngado që vete. Vetëm në avion nuk futet. Se nga e ka marrë vesh që jam kthyer nga Amerika. Po më pret në kafene. Asgjë nuk po merrja vesh. Ç’na qenka ky zog që na i rënka lahutës? Këto ngjarje i thashë vetes e bën Fadil Krajën dramaturg me emër të nderuar. Në takimin e Pukës, Kraja tha se kush ka lindur si qepë s’bëhet kurrë trëndafil. Ai kishte njëzetë blloqe me këngë kosovare. Dhe na recitoj katër vargje/ Aty xhej dy kokrra molla//E mora njërën e kërkova//Idht si mjalta e zi si bora/. Përmbysja e socializmit i kujtoj Krajës një pyll me pisha të larta në Vermosh. Në muajin korrik një breshër me rrufe të gjitha pishave ua xhvishte lëkurën dhe ato ngjanin si hosten drejt qiellit. Por në pranverë për çudi pishat çelnin dhe u shkonte në vend bukuria. Kështu do ndodh dhe me dramat e socializmit mërmëriste me vete Kraja. Ato nuk do të vdesin. Shqiponjat do t’i ngrenë sërish foletë në majat e tyre. Edhe bletët anës Bunës i përzënë grerëzat dhe peshkatarët janë të qetë.





















