Rrëfimi: Ja si u çlirua Konispoli me 1400 partizanë para 75 vjetësh

1358
Sigal

Për të çliruar qytetin më 27 gusht 1944 u ngarkua Brigada e 8-të Sulmuese dhe pesë batalione me gati 1400 vetë, forcë e mjaftueshme për të garantuar fitoren

 Ja si e çliruam Konispolin para 75 vitesh

28-29 gusht 1944

 

Naxhi Zhupa dhe Zenel Koshaj, janë dy nga ish partizanët e Brigadës së 8-të. Sulmuese që morën pjesë në luftimet për çlirimin e Konispolit. Tashmë veteranë të nderuar të LANÇ-it, ndërkohë Naxhiu është edhe invalid i kësaj lufte. Janë të moshuar, por shëndetin, në të gjitha pikëpamjet, e kanë për ta pasur zili. Përgjithësisht ndihen mirë, sidomos kur përmes medias mësojnë se drejtuesit më të lartë të Shtetit Shqiptar, edhe pse vendi me kaq shumë halle, gjejnë kohë të kalojnë pushimet verore në bregdet, në bjeshkët e Veriut, në Rahovec, në Bizë e Martanesh, në malin e bekuar të Tomorrit, e kudo që i tërheq natyra e virgjër shqiptare. Por edhe pse me pushime nuk lënë jashtë vëmendjes edhe detyrimet si drejtues të lartë të vendit. Dikush dekreton e zhdekreton “me shumicë” ligje, bën apel edhe për dialog midis palëve politike, edhe pse i bindur që ato janë larg me vite drite, por edhe ka besim se me ndihmën e Abas Aliut, viti që vjen do të jetë “më i begatë” për shqiptarët, të cilët besëplotë e kanë drejtuar shikimin nga qielli. Tjetri përmes mundësive që jep shkenca, komunikon me shqiptarët duke  sjellë në vëmendje pohime të disa artistëve, se Teatri Kombëtar duhet shembur për hir të rritjes së nivelit kulturor dhe përmirësimit të kushteve të punës të artistëve; se duhet ndërhyrë në infrastrukturë sipas modeleve më të përparuara të botës paçka se kushtojnë “si frengu pulën”; se lufta kundër informalitetit në ekonomi do të kryhet me tolerancë “O”, a thua se ky është fenomen që mbiu si kërpudhat pas shiut etj. etj. Më pas, ai që e mban veten si kreu i opozitës “së bashkuar”, flet për mega-vjedhje nga qeveria, për shpërdorime të fondeve publike nga “Hajduti psikik”, në vjeshtë do të sjellë para popullit një program të qeverisë “kur t’i vijë radha” për të qeverisur, që do të sjellë ditë më të mira për popullin. Mandej vijnë disa “bishtatundës” që u bëjnë fresk të mëdhenjve, apo i mbrojnë nga bezdia e mizave që rrinë nën bishtin e kalit,por që rrallë thonë ndonjë gjë për të qeshur në ekranet televizivë.

Shqetësimi

Nuk ndihen të qetë veteranët e nderuar, kur shikojnë, që ata që e katandisën këtë vend keq e më keq për gati 30 vjet, dhe që si për ironi të fatit e pranojnë edhe vetë, kanë kurajën morale të premtojnë pa pushim dhe pa iu skuqur faqja, se janë të gatshëm të bëjnë gjithçka për ditë më të mira, a thua se deri tashmë kanë qenë “jerm” në mendime, qëndrime e veprime. Habiten veteranët e nderuar se si është e mundur të mos lodhen apo mërziten duke qëndruar në karriget pushtetare jo më për vite por për dekada të tëra, edhe pse ndonjëherë janë shprehur të gatshëm të heqin dorë nga majat e pushtetit, vetëm e vetëm që populli fukara, “Opinga” siç e quante Mihal Grameno para më shumë se një shekull, të ishte i lirë por edhe pak “më zengjin”. Veteranët ndihen të shqetësuar sepse komandanti i përgjithshëm i FA-ve nuk është prononcuar sa i përket deklarimit si kriminelë lufte të shumicës së drejtuesve të LANÇ-it, nuk është shprehur për “marrjen e kapistallit nëpër këmbë” nga trashëgimtarët e bashkëpunëtorëve të pushtuesve dhe të ballistëve duke baltosur LANÇ-in, edhe pse kjo është njohur dhe pranuar nga aleatët strategjikë si kontribut i shqiptarëve në luftën antifashiste botërore. Nuk ka thënë asnjë fjalë edhe për një “Konferencë Shkencore Ndërkombëtare”, me tre përfaqësues shqiptarë jo më larg se fqinjët më të afërt kufitarë, për t’i mbushur mendjen popullit se “Fashizmi i armatosur dhe me uniformë”, i cili kishte marrë përsipër të pushtonte dhe rindante botën, u luftua me “Antifashizëm pa armë e pa uniformë”, por gjithsesi duke thënë ndonjë fjalë pakënaqësie nga mejhanet apo bodrumet, ku shërbehej jo më me pije tradicionale por me ndonjë të ardhur nga përtej detit dhe me efekte më të fuqishme për të ndikuar që të mendosh, pastaj edhe të shprehesh “ndryshe”. Ndihen jo mirë nga disa mendime e qëndrime të njerëzve me pushtet por edhe të institucioneve shtetërore, që bien ndesh me idealet e tyre, në interes të të cilave sakrifikuan shumë nga rinia e tyre por edhe nga një punë disa dekada, por sidomos që mjaft shokë të tyre dhuruan edhe gjakun vullnetarisht për t’i dhënë popullit liri. Ndihen të keqardhur që rehabilitohen ata që u bashkuan me pushtuesit dhe që gjakosën shokët e shoqet e tyre partizane, u ngrihen atyre lapidare e pllakata përkujtimore, ndërsa varrezat e shokëve të tyre të rënë “Për liri e vatan”, sikurse e ka skalitur idealin e tyre në vargje populli, janë lënë në mëshirë të natyrës dhe të fatit. Ata janë të plotësisht të përgjegjshëm, dhe këtë e kanë pohuar dhe e pranojnë pa hezitim, që LANÇ-i ishte një vepër jo vetëm e tyre, por e një marrëveshje të gjerë të popullit, që të gjithë të kontribuonin për liri, disa me armë dhe të tjerët me mbështetje me gjithçka që dispononte për çlirim kombëtar, duke pasur edhe ata sipas traditës ballkanase nga një armë fshehur në hatullat e hajateve apo pullazet e shtëpive. Në këtë kuptim të gjithë ishin antifashistë dhe e luftonin atë edhe “pa armë e pa uniformë”, ndërkohë të inkuadruarit në formacionet e armatosura partizane ishin antifashistë që e luftonin atë “me armë dhe uniformë”, duke vënë në themelet e lirisë pa kursim dhe pa e diskutuar gjakun e shokëve dhe shoqeve të tyre. Ata mendojnë dhe gjykojnë se një Konferencë, që pretendon të jetë “Shkencore” dhe për më tepër “Ndërkombëtare”, në kuadrin e kremtimit të 75 Vjetorit të Çlirimit, nuk mund të ketë si temë qendrore sloganin “Antifashizmi pa armë e pa uniformë” me pretendimin se ky është “trendi evropian të cilit nuk mund t’i shmangen”, por një tjetër temë, që edhe përbën kolonën vertebrore të qëndresës dhe rezistencës së popullit shqiptar përkrah aleatëve të mëdhenj në luftën për të shpëtuar popujt nga e keqja botërore: fashizmi, nazizmi dhe militarizmi, që me egërsi po ndërprisnin pa mëshirë jetë njerëzore, për “të vendosur një rend të ri shoqëror” mbi baza prioriteti racor. Ndihen disi të habitur veteranët e nderuar, që institucionet shtetërore p.sh. Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë, që kanë lidhje të drejtpërdrejta me LËNÇ-in, së paku në fushën studimore, që disponojnë studime të mirëfillta dhe dokumente arkivore për LËNÇ-in, që kanë edhe studiues seriozë apo ndonjë bërthamë të mirëfilltë shkencore, nuk shprehen qartazi se rezistenca e popullit shqiptar gjatë Luftës së II Botërore, para së gjithash dhe mbi të gjitha, ishte “Luftë Antifashiste me armë dhe me uniformë”, e pozicionuar qartësisht në Koalicionin Antifashist Botëror, me kontribute konkrete, të kapshme dhe të vlerësuara pozitivisht. Natyrshëm ajo ishte edhe pjesë e “Antifashizmit Botëror pa armë dhe pa uniformë”, çka mund të jetë objekt studimi, apo edhe një temë referuese e rëndësishme në këtë Konferencë Shkencore Ndërkombëtare, së cilës mund t’i bëjë nder edhe pjesëmarrja e Komitetit Kombëtar të Veteranëve të Shqipërisë me një referim, me cilësinë e përfaqësuesit të veteranëve të LËNÇ-it. Veteranët nuk e kanë shumë problem çështjen e zgjedhjeve, sidomos për në ligjvënësin shqiptar. Pozicionin e tyre në këtë çështje e kanë fare të qartë; juridikisht i përkasin sloganit: janë shtetas me të drejtë të zgjedhin e të zgjidhen, por praktikisht kanë qenë dhe janë vetëm zgjedhës, sepse në tre dekada, duke qenë të zhveshur nga ana financiare, apo si thotë populli “s’ka ku t’i zërë qeni”, pa biznese aktive dhe pa kursime ndër vite, nuk ka “bërë vaki” të parapëlqehet nga Njëshat e partive ndonjë i kësaj kategorie për të zënë vend në Kuvendin e Shqipërisë. Në ato karrige mund të ulesh në se ka “ku të kafshon qeni” ose ndihesh “kapo” dhe mund të premtosh ca vota, diçka kjo jashtë formimit dhe mundësisë së tyre. Por le të vijmë te çështja e parashtruar në titullin e shkrimit. Ja si e përcjellin ata, jo vetëm nga memoria, e cila është krejtësisht e kthjellët dhe e qartë, por sidomos nga shënimet që kanë mbajtur dhe nga botimet serioze në volume të veçanta që kanë bërë, edhe për çlirimin e Konispolit. Po e përcjellim besnikërisht dhe pa koment.

 

Safet N. Ramolli, dashamirës i LANÇ-it dhe i vlerave të kontribuesve në të.

Pas përfundimit të luftimeve në qytet dhe në rrethinat e Gjirokastrës, repartet e brigadës u përqendruan për furnizim e çlodhje prej fshatit Erind në Nokovë-Dhoksat-Saraqinisht-Suhe e në Libohovë… Në dhjetë ditshin e tretë të gushtit 1944 (24.08.1944), … sipas urdhrit edhe të Komandës së Përgjithshme, u përgatit për një marrshim dhe luftim të ri… ai do bëhej në disa rrugëkalime prej Lunxhërisë në Libohovë-Glinë-Nepravishtë dhe fshatrat e Dropullit të Sipërm, të kalonte rrugën nacionale Jorgucat-Kakavijë, dhe mandej prej Kerri për në Leshnicat e Sipërme e të Poshtme, të përqendrohej në Theollogo… Këtu Brigada për herë të parë pas inaugurimit u mblodh e tëra në një miting popullor mjaft entuziast dhe mbresëlënës… , Brigada  ishte e para Njësi që kalonte në këtë zonë, bazë lufte e përhershme e LANÇ-it në jug të Shqipërisë… popullsia kudo e priti me ngrohtësi dhe e ndihmoi pa u kursyer për të kryer detyrën që kishte marrë… mandej efektivat u shpërndanë në fshatrat Markat, Ninat, Dishat e Verve (rreth 10-15 km. në lindje të Konispolit) në pritje të marrjes së detyrës luftarake.

Në 25-27 gusht 1944 e gjithë krahina e Konispolit, përveç qytetit të Konispolit, që prej shtatorit 1943 ishte zonë e çliruar… Baza armike në Konispol kishte qenë vazhdimisht nën goditjet e njësive të vogla e Gr.IV;… gjermanët mbanin një kompani ushtarësh të Repartit Bregdetar 999 të Korpusit XXII rreth 250 vetë. Aty kishin gjetur strehë edhe bandat balliste të Çamërisë… këto forca, rreth 500, drejtoheshin nga dy njerëz me influencë në zonën e Çamërisë, njëherësh edhe bashkëpunëtorë të hapur me pushtuesit… Për të çliruar qytetin njëherë e mirë, më 27 gusht 1944 u ngarkua Br.8 dhe Gr.IV i Z.I.O, pra pesë batalione me gati 1400 vetë, forcë e mjaftueshme për të garantuar çlirimin e qytetit.

 

Qendrat më të afërta, ku armiku kishte garnizone ushtarake, ishin Saranda, Delvina, Filati dhe Korfuzi. Për të ardhur në ndihmë do të duhej 5-8 orë. Ndihma më e afërt e mundshme mund të dërgohej nga Filati, të tjerat ndodheshin më larg… urat e Bistricës ishin hedhur në erë dhe komunikacioni me Sarandën e Delvinën ishte ndërprerë. Komanda gjermane e Korpusit XXII vazhdonte ta mbante Konispolin, sepse i shërbente si garnizon i ndërmjetme për lëvizjen e trupave në rrugën automobilistike Sarandë-Delvinë-Gjirokastër-Janinë dhe prej Korfuzit.

 

Situatën e gjendjes së armikut dhe njohjen e terrenit Gr.IV prej kohësh e kishte në dorë…Për organizimin dhe drejtimin e mësymjes mbi qytet u krijua një Shtab Operativ nga Shtabi i Br.8.S dhe Z.I.O, i cili përgatiti “Urdhrin e Veprimit”, si dhe drejtoi veprimet luftarake gjatë mësymjes mbi qytet. Urdhri parashikonte: “…Një mësymje të rrufeshme mbi Konispol me drejtim nga lart-poshtë, me qëllim që të kapej rajoni i fortifikuar nga Bute (Kodra e Koshit mbi qytet)… të vazhdohej duke asgjësuar njëra pas tjetrës pikëmbështetjet e tjera të armikut brenda Konispolit, si dhe të sprapsej çdo orvatje e armikut për t’u ardhur në ndihmë forcave të rrethuara në Konispol, sidomos nga territori grek…”. Batalioni i tretë së bashku me kompaninë mitraljerë të Gr.IV Z.I.O, sulmon dhe asgjëson forcat armike në kodrën e Butës, …vijon mësymjen drejt qendrës së qytetit, dhe të bashkohet me forcat e Gr.IV tek Nënprefektura…”.

Batalioni 4 zë pozicione mbrojtëse në jug të Konispolit, në lartësinë dominuese të qafës së Likojanit dhe te qafa e Botës; batalioni 1 vendoset në mbrojtje për të mbrojtur krahun e djathtë në grykën e Shalësit; batalioni 2 qëndron në gatishmëri në rrugën automobilistike Konispol-Sarandë; Gatishmëria e sulmit ora 1.00, dt. 28 gusht 1944… Armiku kishte marrë masa të forta ruajtjeje,… kish kryer disa fortifikime mbrojtëse në pikat dominuese; … ruante në mënyrë të përhershme dhe me roje të përforcuara lartësinë në lindje të qytetit, që vendasit herë i flasin kodra e Butës, herë kodra e Koshit, dhe shumica kodra e Kosheres….

Kodra e Butës  ka pozicion plotësisht sundues mbi Konispol,… në anën verilindore ka para një sheshore rreth 100-150 m.; në veriperëndim ndodhet një përrua i thatë dhe i thellë; në jugperëndim shtrihen ndërtesat private prej guri, që përfundojnë në qafë tek Nënprefektura, të cilat armiku i përdor si mburojë të fortë në qafën e Botës. Konispoli në largësinë 2-3 km. rrethohet nga male: në jugperëndim Eglisi, në lindje Saraqini.

Të dhënat na flisnin për një gjendjeje shthurjeje moralo-politike, por edhe për paqëndrueshmëri të mbrojtjes së armikut; rreth orës 20.00 të dt. 27 gusht, nga forcat balliste dezertoi një grup i madh, të cilët na dhanë të dhëna se armiku me kohë parandiente një sulm të mundshëm, nisur nga fakti që forcat e Br, prej disa ditësh ishin përqendruar në fshatrat e zonës jo më larg se 7-10 km., fakt që nuk mund të fshihej lehtë; ashtu si dy ditë më parë Komiteti Krahinor organizoi një miting në Bogaz me pjesëmarrjen e të gjithëve, qofshin edhe të armatosur…Kur grupi i sulmit i Br.3 rrethoi kodrën e Koshit dhe priste sinjalin, dëgjoi një çift rojesh armik të bisedonin “…shpëtuam edhe sonte nga sulmet partizane…”. Ora 24.00 dt, 27 gusht ishim në pozicion, gati të merrnim sinjalin.

Batalioni i III kishte detyrën më të rëndësishme, prandaj u zgjodhën 40 djem më trimat, më të shkathëtit dhe me përvojë, u pajisën me armë automatike, me mitraloza të lehtë dhe nga 4 granata, … Në maskim të plotë u bë rikonicion në malin Eglis, u precizuan detyrat për çdo person dhe grup… u njohën edhe me veprimet e mëparshme të Gr.IV dhe shkaqet e dështimit. Pas një përgatitje të kujdesshme, efektivat zunë pozicionet dhe prisnin momentin vendimtar.

Grupi i sulmit prej 40 vetësh, nën drejtimin e Xhafer Hysit, ora 22.30 filloi zbritjen nga mali Saraqin drejt kodrës së Koshit. Në afërsi 1 km. Xhaferi hoqi opingat dhe i vari në brez, të tjerët e pasuan,… nata qe me hënë por në fshehtësi të plotë u afruam 50-60 m. Me këmbë të gjakosura nga gurët e strallit të shpatit e sidomos nga gjembat e Kokarrëzës, u veshëm, bëmë gati armatimin, dhe me sinjalin e sulmit, grupi rrufeshëm u hodh në sulm. U kapën 22 robër, armë e municion dhe shumë materiale të braktisura. (AQP, fondi 41, dosja 79, fq. 40-41). Armiqtë u zunë në befasi, të çoroditur keq, në panik të plotë u tërhoqën drejt qendrës së qytetit ku ndodheshin edhe forcat gjermane, tek të cilët kishin varur shpresat forcat balliste… Partizanët vazhduan plotësimin e detyrës duke nënshtruar objektet një nga një dhe shtëpi më shtëpi. Rreth orës 03.30 dt, 28 gusht ndodheshim 400-500m në anën veriperëndimore të bregores që vjen nga kalaja e Vjetër për në Nënprefekturë, gati për kapjen e qendrës së qytetit, tek Rrapi i Vetmuar…. Në shpinë një pjesë e kompanisë III kishte rrethuar Kalanë e Vjetër; grupin e sulmit e drejtonte intendenti i kompanisë, trimi dhe njeriu i aksioneve, Sinan Liza (dëshmor).

Kompania e II në qendër të formacionit të luftimit: përgjatë rrugës automobilistike Sarandë-Konispol dhe në qendër të qytetit, (në rrugën e kalldrëmtë që ngjitet nga nënprefektura për në kodrën e Butës). Kompania I ishte në të majtë të k.2, plotësisht në krahun juglindor të qytetit, dhe i ishin afruar qafës së qytetit, tek Rrapi i Vetmuar 300-500 m., luftonin për mposhtjen e garnizonit, i cili ishte më i fuqishmi e më i organizuari. Forca të tjera rezervë për t’i futur në luftim, batalioni nuk dispononte, por grupi i sulmit (prej 40 veta), ish bashkuar me të dy krahët në formën e një patkoi…. Kështu, pas 3-4 orë luftimesh të ashpra, gjithë pozicionet e fortifikuara, (përjashtuar Nënprefektura me ndërtesat rreth saj; kalaja me muret qarkuese) ishin marrë. Qyteti aktualisht kishte rënë në duart e partizanëve. Vetëm grupi i ushtarëve gjermanë dhe krerët e Ballit strukur me ‘ta, vijonin të rezistonin. Rreth orës 09-09.30, përmes një robi gjerman, ju bë thirrja forcave gjermane për t’u dorëzuar, që në 15’-20’ ndaluan zjarrin, dhe pritej dorëzimi përfundimtar i tyre… Por nuk ndodhi kështu, filloi një zjarr i fuqishëm prej forcave në rrethim, të vendosura në rajon të fortifikuar…Trimëria dhe guximi i partizanëve dhe i popullit të thjeshtë të Konispolit, mundësoi që edhe disa qendra të veçuara zjarri, të rrethoheshin e të asgjësoheshin njëra pas tjetrës.

Në këto luftime të përgjakshme (në juglindje të N/prefekturës) një grup partizanësh prej 7 vetash, me ndihmën e popullit, mundi të shpartallojë dhe të kapë 17 robër, armatim, municion dhe materiale të tjera, e cila e dobësoi së tepërmi krahun mbrojtës jugor të armikut, ashtu si shanset për dorëzimin e tyre u shtuan. Por rreth orës 10.20 të 28 gushtit, kur gjithë Konispoli (veç dy garnizoneve të vogla) kishin rënë në duart e partizanëve dhe pritej minutë pas minute asgjësimi përfundimtar i forcave armike, pikërisht në këtë kohë kritike për armikun, në anën jugperëndimore të qytetit, drejtim qafës së Likojanit e qafë Botës, u panë forca të tjera të konsiderueshme armike, që përparonin me shpejtësi drejt Konispolit. Zjarri i fuqishëm prej  500-600 vetë, u bë shumë i rrezikshëm për partizanët të ndodhur në qytet dhe pa asnjë rezervë kundërveprimi. Ishim midis dy zjarresh: nga rrethues u bëmë të rrethuar. Në këtë situatë i vetmi vendim më i përshtatshëm, por me humbje, ishte tërheqja nën goditjet e zjarrit të armikut. Rrugëdalje tjetër nuk kishte, komandat këtë mundësi kishin, prandaj këtë vendim morën…. Kjo gjendje e rënduar u krijua edhe për gabimin e forcave partizane: një pjesë e efektivit i ngarkuar të mbronte krahun e majtë pranë kufirit greko-shqiptar (nga qafa e Likojanit deri pranë qafës së Botës), kishin zënë pozicione mbrojtëse të papërshtatshme, nuk i qëndruan dot presionit të madh armik, u tërhoqën pa urdhër dhe pa vënë në dijeni fqinjët, që luftonin në qytet si të “sigurt” në krahë. Partizanët të rrethuar nën presion dhe epërsi forcash e mjetesh të armikut,u tërhoqën nga poshtë-lart, drejt malit Saraqin.

Shtabi Operativ i forcave partizane nuk mundi të ndikonte në kohë me kundërsulme, prandaj humbjet ishin të ndjeshme dhe krejtësisht të pajustifikuara: të vrarë 10, të plagosur më shumë se kaq; ndërsa armiku la në fushëbetejë, 26 të vrarë, 40 të plagosur, 39 robër, dhe materiale të shumta ushtarake. Kështu, natën duke u gdhirë 29 gushti, me forca të freskëta u mbyllën daljet, dhe u risulmua qyteti për ta çliruar me çdo kusht. Armiku me të filluar errësira e dt. 28 gusht, me ndihmën e forcave zhblokuese të ardhura nga Greqia, tërhoqi tërësisht garnizonin e Konispolit nën shoqërimin e krerëve të ballit të mbetur vetëm, pasi forcat e tyre në mbrëmjen e dt. 28 kishin dezertuar të gjitha, disa iu dorëzuan forcave partizane. Kronika e kohës pohon se dt. 29 gusht, ora 22.00, qyteti i Konispolit është lënë i lirë nga forcat gjermane dhe ato mercenare. Konispoli është qyteti i katërt në prefekturën e Gjirokastrës që çlirohet pas Përmetit, Libohovës e Tepelenës.

   Për çlirimin e Konispolit ranë dëshmorë: Razo Zenel Birçe (Bolena); Sinan Lame Lizaj (Nivicë); Zaim Selim Ballaxhia (Zhapokikë); Hasan Latif Durka (Shalës T); Jani Vasil Leka (Goranxi); Kosta Tasi Çavo (Vurg); Mustafa Fejzo (Kuç – Çamëri); Nazif Asllan Dedaj (Beçisht T); Nail Fylfos Tona (Çamëri) dhe Enver Safet Llapi (Erind) si dhe u plagosën më shumë se kaq. Gjaku i tyre është i shtrenjtë për familjet e tyre dhe i shenjtë për ne bashkëluftëtarët.

 

Naxhi Zhupa, ish-partizan në Br. 8. S, veteran dhe invalid

Zenel Koshaj, ish-partizan në Br. 8, S, veteran

Fundgushti, 2019