Rrëfimi i Sefer Pashës : Mbrritja në Kakavijë e familjes Gërvalla udhëtimi drejt Tiranës dhe takimi me Enverin

552
Sigal

E vërteta e pushkatimit të grupit në ushtri dhe si më nderonte Kadareja me grusht. Burgosja e oficerit për humbjen e rregullores së prapavijës, Dr.Arqile Boti dhe lidhjet e Xhevdet Mustafës me Bllokun.

Si veprove më pas?

-Të gjithë kolegët i dërgova që të pushonin. Nga lumi i Drinos dolën tre mushkat e kufitarëve grekë. Mushkat ngarkoheshin me koshat plot me zeje. I shkarkonin tek cepi i oborrit të doganës dhe herë pas here qëllonin ndonjë vizitor të rrallë nga Shqipëria. Sot për fat nuk qëlluan mbi gruan me emrin Zana dhe mbi fëmjët e saj. Kufitarët grekë qenë duke i ngarkuar mushkat në zallin e lumit të Drinos. Dikur kompozitorin Roland Çenen, i cili si nxënës kishte ardhur me shkollën nga Gjirokastra për të vizituar postën kufitare të Kakavijës, një zall lumi e goditi në ballë. I mbeti shenja.

Agim Zhulegun e kërkuan urgjentisht në telefon nga Ministria. I hodha dhe njëherë sytë nëpër territor. Të dy “qytetet” si yni dhe i grekut, ngriheshin mbi një hektar vend. “Qytetet” ishin në luftë. Ish- komandanti i postës kufitare përpara meje kishte vendosur një altoparlant në dritaren e dhomës së kulturës, ku argëtoheshin kufitarët. Dëgjohej Radio Tirana. Kufitarët grekë nga një pikë e fshehtë, hapën zjarr me mitraloz dhe duke e marë në shenjë altoparlantin e bën atë shoshë me plumba. Desh plasi lufta. Ministri e shkarkoi nga detyra komandantin dhe e dërgoi për ndjekje penale. Kjo ishte arsyeja që kur takoheshim me miqtë në Gjirokastër ata na pyesnin: – “Hë mo! Ç’bëhet atje në Kakavijë? Luftë?”. Po pse bëheshin këto pyetje? Dropullitët vallzonin. I mbante mirë regjimi i Enver Hoxhës. Edhe Gjirokastra ishte e qetë. Lajme të frikshme vinin vetëm nga “Troja” e Kakavijës. Ushtarët grekë vranë në mes të ditës kufitarin nga Mirdita, Llesh Pal Çupin. Kryheshin dhe akte të tjera teroriste. Prandaj organet e Sigurimit të Shtetit rrëmbyen në Athinë Anastas Marin nga fshati i Kakavijës dhe e varën në çatallin e rrapit, në mes të ditës, në Vrisera të Dropullit.

Agim Zhulegu u kthye me lot në sy. Unë u bëra akull. O zot çfarë ka ngjarë i thashë vetes? Për habinë time Agimi filloj të recitojë:-/Lule, lule. Ç’fat paski pasur/ /Gjithmonë të njoma të ndërroni jetë/ /Sa më të bukura që të jeni rritur/ /Vdekja ju vjen shpejt/.Të kujt janë këto vargje më pyeti ai.Të Isuf Gërvallës i thashë pa ndonjë habi.Mbete fshatar mu kthye Agimi.Isuf i thonë në Mallakastër.Kurse në Kosovë shkruhet Jusuf.Gruaja që përcollëm së bashku me fëmijët, ishte gruaja e Jusuf Gërvallës u shkoqit me zë të ulët. Rëndësia e radiogramit qenka e justifikuar. Fola me Pëllumb Kapon. Ai është emëruar Drejtor i Sigurimit të Shtetit. Ajo që tha Agim Zhulegu qe një tërmet për mua. M’u duk sikur lumi i Drinos u kthye nga udha dhe po ngjitej për tek Qafa e Kakavijës. Jusuf  Gërvalla ishte vrarë 60 ditë më parë, më 17 janar 1982, në lokalitetin e Untergruppebach të Shtutgardit të Gjermanisë. Jusufi qe së bashku me të vëllanë Bardhosh Gërvallën dhe Kadri Zekën. Për tragjedinë e Jusuf Gërvallës i gjithë shteti shqiptar qe ngritur në këmbë.

-Çdo ditë në Radio Tirana, në Televizionin shqiptar e në shtyp flitej për këtë tragjedi. Pse kaq rëndësi që në fakt e meritonte, madje më shumë?

-E vërtetë! Shkruheshin shkrime propogandistike, tregime, reportazhe, poezi, drama e pjesë koreografike. Përherë përmendej fakti që Jusuf Gërvalla i plagosur rëndë, i përshpëriti policisë gjermane: – “E ka bërë UDB -ja”. Fjalët e fundit të Jusuf Gërvallës i vërtisja si rrathë cikloni pa i ndarë  sytë nga taraca e doganës greke. Më ngacmonte thënia e ambasadorit Ksenofon Nushi, që t’i mbanin sytë nga snajperët e UDB -së. Unë për figurën e Jusuf Gërvallës jepja leksione. Jusufi qe udhëheqës ushtarak,  politikan, filozof, shkrimtar, poet, muzikolog, eseist e një kitarist i talentuar. Motivi i veprës së Gërvallës përshkrohej nga vargu profetik: – “Pak frymë njeriu e pak dritë qiriri”. Gjithçka po më kristalizohej. Ministria e Jashtëme me porosi të Enver Hoxhës,nëpërmjet Zbulimit të Jashtëm, paska sjell nga Gjermania famijen e Jusuf Gërvallës, mërmërita. Agim Zhulegu, i cili e donte shumë Jusuf Gërvallën filloi të bëjë shëtitje si gjithnjë pa kapele në kokë, deri tek milimetrat e fundit të portës me tela. Ai nuk donte t’ia dinte. Në Kakavijë e fotografonin femrat greke, të cilat i bënin shenja që nga oborri i doganës greke. Në gazetën greke “Elefterotipia” qe botuar dhe një shkrim me titull: – “Vajzat e Janinës lënë kokën për një oficer shqiptar në Kakavijë”. Në një kanal televiziv grek qe shfaqur Agim Zhulegu duke folur tek porta me një prift grek. Prifti i kishte thënë Agimit se ashtu siç ka nevojë lulja për ujë, njeriu e ka të domosdoshme dorën e zotit. Agimi megjithëse në takim zyrtar, e kishte çuditur priftin grek. I kishte thënë se mbi tokë, nuk ka as Krisht dhe, as Muhamet. Prifti duhet të lexonte Enver Hoxha

Jusuf dhe Suzana Gervalla ditën e martesës me 27 shkurt 1967

-Si do ta analizoje këtë ngjarje?

Pritja dhe përcjellja për në Tiranë e familjes së Jusuf Gërvallës qe për mua një shërbim i zakonshëm. I vura kapak kësaj çeshtjeje dhe doja të pushoja. Por 30 metra më lart në shkallët e lapidarit të dëshmorit Llesh Pal Çupi më priste një ekonomist i kufirit. Quhej Thoma Mushka. Thomai më kishte thënë se gjyshi i tij kishte punuar si karvanar me mushka. Prandaj mbanin këtë mbiemër. Ai merte porosi nga dropullitët dhe gjurmonte e çavarroste udhëve të Greqisë ata dropullitë që kishin vdekur në udhët e fatit. Gjyshi kishte fituar famë me një gjest fisnik. Në një rast ai kishte çvarrosur në Kallpaq të Janinës një dropullit nga Derviçani. Të vdekurit i kishte gjetur një qese me flori në xhepin e palltos. Nuk e kishte fshehur. Qesen me flori ua kishte dorëzuar derviçanasve bashkë me eshtrat e të vdekurit. Mua më interesonte takimi. Thoma Mushka më pati thënë disa herë se gjyshi i tij kishte pasur një fotografi të Hanit të Kakavijës. Sa shumë më duhej ajo fotografi.

Radiogramin e quajta një mision të thjeshtë që përfundoi mirë. Asgjë nuk duhej nënvleftësuar. Nëse në ambjentet tona të jashtëme do të shkruanim një gërmë apo parrullë në gjuhën shqipe kufitari grek kot më kot do të qëllonte me breshëri. Kurse në faqet e mureve të godinës greke vareshin portrete të Venizellosit, të Zervës e të Grivës. Qysh në pikë të mëngjesit oficeri grek në kullën e vrojtimit e hapte kasetofonin në kupë të qiellit. Këngët e regjistruara bënin thirrje për luftë: – /Flamurin grek do ta ngremë//Shumë shpejt në Tepelenë/ /Ik shqiptar mos rri tek porta//Se të bëjmë paçe për korba//Ku rrjedh Shkumbini pika – pika//Kufirin do ta ketë Janina/.

Dramat në Kakavijë mateshin me lugën e kafesë. Radiogrami për Zana Gërvallën më mobilizoi. Tre ditë më parë ndodhi një ngjarje e pazakontë. Në faqen e kodrës ra zjarr në mes të ditës. Kufitari në vendroje raportoi se një civil grek qëlloi me flakë hedhës. U çudita.

-Cili qe shkaku?

Një kufitar që përgatitej për të vazhduar Akademinë e Arteve më foli sinqerisht. Ai do t’i vazhdonte studimet për skulpturë. Në faqen e kodrës me pyll të zi kufitari që ëndërronte të bëhej skulptor kishte thurur me drurët e pyllit bustin e Ismail Qemalit. Për mjekrën e bardhë kishte përdorur lulet e murrizit. Vetullat e bustit i kishte qepur me fleta ilqesh. Sheshin e ballit me majat e koçimares. Kurse jakën e këmishës me trëndafila të bardhë. E arnonte “bustin” për qejf të tij. Por asfalisë greke asgjë nuk i shpëtonte. Dhe e qëlluan me fakë hedhës kur portreti i Venizellosit zinte gjysmën e faqes së murit të doganës greke.

Kur diplomati Asaf Hadëraj e mbaroi misionin në ambasadën tonë në Athinë ai ju kthye në Tiranë detyrës si zbulues. Në bisedat tona të zakonëshme Asafi e gërmonte temën kur qe marë me famijen e Jusuf Gërvallës. E kujtonte me dhimbje Zana Gërvallën me tjetër emër në pasaportë. Po kështu dhe fëmijët. Familjen Gërvalla i priti në shtëpi në Athinë bashkëshortja e Asafit, Rexhina Kallabaku. Meqënse Rexhina ishte me origjinë nga Kukësi ajo i gatoi mikeshës së re dhe fëmijëve të saj ushqime tradicionale si në Kosovë. Edhe vet Rexhina ishte zbuluese. Nga që i ruhej përndjekjes së UDB -së Rexhina gjatë drekës në shtëpinë e saj dhe në takimet e tjera ajo mikeshës nuk i thirri kurrë Zana Gërvalla. As fëmijëve. Dyshonte se mos zbulimet e huaja kishin vënë përgjues edhe në ambjenet e shtëpisë. U fliste me emrat që i kishin në pasaportat diplomatike të përgatitura nga Zbulimi i Jashtëm.  Asafi i kishte të fiksuara pseudonimet si të Zana Gërvallës dhe të fëmijëve të saj. Vetëm tek Pusi i Vezirit në teritorin shqiptar ajo i foli të birit në emër: – Premton!

Suzana Gervalla

-Ju thatë pak më lartë se banjat e Kakvijës ishin keq, po nga pala greke si ishin, a kishit informacion?

Rregulli dhe pastërtia ishin për faqe të zezë në të gjithë teritorin e godinës greke. Vetëm në një rast ata e bën “lule” mjedisin që nga porta me tela. Punuan shumë ditë. E thoshin dhe vet kur deheshin me raki dhe uiski. Pas vizitës në Dropull, Qirjes Enver Hoxha do të vijë të shoh Kakavijën e kufirit. Prandaj i dhanë vendit pamjen e një feste. Erdhën qindra grek që nga Janina. Sollën dhe këngëtar. E ofenduan Enver Hoxhën kur morën vesh se ai pas vizitës që bëri në fshatin Grapsh të Dropullit nuk e kthye në Kakavijë. E kaloi Qafën e Muzinës për në Sarandë.

-Pasi iku familja Gërvalla, ju si e vazhduat punën?

Me ta përcjell familjen e Jusuf Gërvallës do më duhej të shkoja tek trupat që na kishin ardhur si përforcime për kapjen e Xhevdet Mustafës. Thuhej se Xhevdet Mustafën e priste në Tiranë një udhëheqës i rëndësishëm emri i të cilit nuk dihej. Ai do ta fuste në Bllok dhe aty Xhevdet Mustafa do depërtonte në shtëpinë e Enver Hoxhës dhe do t’i bënte atentat. Gjithçka mund të ndodh më thoshte Agim Zhulegu. Jemi duke bërë krime të mëdha. Janë pushkatuar kot së koti Beqir Balluku, Hita Çako dhe Petrit Dumja. Agimi e tregonte shpesh atë që ja kishte thënë një oficer i Sigurimit të Shtetit, që kishte shoqëruar tre gjeneralët, të cilët i nxorën natën nga qelia me hekura në duar për t’i çuar në malin e Dajtit, ku do të pushkatoheshin. Përpara Beqir Ballukut ecte Hito Çako. Beqiri që ecte nga pas i thotë: “Hito! Ku po na shpjenë këta”? – “Në dasëm!” i përgjigjet progonatasi. Pastaj Agimi fare pa pritur nxori nga çanta një libër të vogël të fotokopjuar. Ma lëshoi në duar. U meka kur e pashë. Ishte ditari i vajzës së Liri Belishovës, Drita Çomos. Unë u tremba dhe e flaka sikur në duar të kisha një gjarpër. Na fute në burg i thashë me zë të lart. Ja ky është socializmi yt tha ai. Ti shkruan letërsi dhe ke frikë të lexosh një ditar tragjik të një vajze të pafajshme. U revoltova. E mora ditarin e fotokopjuar dhe e bëra copë – copë.

Nëpër mbledhje Agim Zhulegu më thumbonte me gjëmba murrizi. Në përditshmëri ai luante me shprehjet e dobëta të kolegëve.

 

Po ndonjë ngjarje me shkrimtarët a ke pasur?

Ndodhesha me shërbim aty ku mer kthesë udha nga Kakavija për në Bularat të Dropullit të Sipërm. Më informuan se po shkon për në Bulart e Bodrishtë shkrimtari Ismail Kadare. Nuk e vlerësova shumë. Kur Kadareja në vendin e parë të makinës na vuri re ktheu kokën dhe na nderoi me grusht. Edhe grupi i kufitarëve gjithashtu e nderoi me grusht. Faktin që Kadareja na nderoi me grusht unë e thashë në një mbledhje me krenari. Këtë moment e kapi Agim Zhulegu. Ai nuk e duronte dot hipokrizinë dhe shpërdorimin e një detaji. Kur i krijohej ndonjë boshllëk në bisedat me eprorët që vinin nga Minstria ai thoshte: – “Ja shefin tonë, Seferin, e nderoi Ismail Kadareja”. Qesëndiste. Seferi, thumbonte Agimi, ngordh për shprehjen “të arratisurit janë jashtëqitja e kombit”.

E ke takuar më pas Agim Zhulegun?

E kam takuar Agim Zhulegun vetëm një herë kur kishte triumfuar demokracia. E kujtuam dhe ditën kur pritëm gruan e Jusuf Gërvallës me fëmijët në Kakavijë. I thashë Agimit se familjen e Jusuf Gërvallës e ka pritur shoku Enver. Pamjet i ka dhënë dhe Televizjoni Shqiptar. Në një album të veçantë të ATSH -së janë dhe fotografitë  e takimit me Enver Hoxhën. Por Agimi më kujtoi “klonin me kapele”. Ndodhi në natën kur ne nuk dinim se kush qe “personaliteti”që do të vinte nga Greqia. Atë mëngjes kuadrot në takim raportuan për të rejat nga shërbimi. Gjatë takimit Delo Hodaj tha një gjë që ne e quajtëm lajthitje. Ai qe me shërbim ngjitur tek porta me tela. Pas mesit të natës kishte parë tek kishëza e vogël, ku bënin kryqin e ndiznin qirinj kufitarët grek, një burrë të gjatë me kapele. Delua këmbënguli se ishte Kadri Hazbiu. E njihte mirë se që të dy ishin nga Lumi i Vlorës. Sipas raportimit që bëri ai tha se Kadri Hazbiu me dy civil të tjerë u dhanë dorën ushtarakëve grek dhe u fut në pyll në kufirin midis dy shteteve. Një orë më vonë u dha sinjali kalesë kufiri në pengesën e klonit po në sektorin e Kakavijës. U verifikuan gjurmët në klon dhe u dha informacioni se kishim të bënim me kalesë kufiri nga jashtë brenda. U gjet dhe një kapele e varur në telat me gjëmba të klonit. Mbrritën dhe ekspertët nga dega e brendshme e Gjirokastrës. Vajti dhe Delo Hodaj. Ai tha se këtë kapele e kishte Kadri Hazbiu në çastet kur u fut në pyll. Askush nuk e besoi. Ekspertët kapelen e përcollën për në Tiranë. Sipas Ilia Zhulatit historinë e kapeles ja thanë dhe Kadri Hazbiut. Ministri kishte thënë:- Po! Ajo kapele e varur në klon është e imja. I vura forcat e kufirit në provë. Pritej në Shqipëri familja e Jusuf Gërvallës.

-Po takimin e fundit?

Në takimin e fundit me Agim Zhulegun kujtuam dhe “tradhëtinë” time ndaj tij si mik. Atë mbasdite që nisëm sakllam bashkëshorten e Jusuf Gërvallës me të tre fëmijët Agimi u sëmur. Dërgoi dy kufitar dhe mori në spitalin e Vriserasë mjekun e njohur Arqile Boti. Kur mbërriti Arqile Boti dhe po ngjiste ato dy palo shkallë kufitarët grek po luanin basketboll. Me ta parë doktorin ata e lanë lojën dhe filluan të thërrisnin në kor: “Ise kalla qirjes Arqile Boti!”(Je mirë zoti Arqile Boti!) Arqile Boti u përgjigj flakë për flakë: – “Poli kalla!(Shumë mirë)!” Kufitarët grek përplasën pëllëmbët. Ishte hera e parë që na ndodhte kështu. Pas vizitës Arqilea u kthye për në spital. E shoqëroi vet Agim Zhulegu. Gjithçka që ndodhi midis kufitarëve grek dhe mjekut minoritar ja raportova ministrisë. Nuk mund ta fshihja. Pas një ore doli në telefon zëvendësministri i brendshëm Raqi Iftica. Mos bëni zhurmë kot së koti tha ai. Doktor Arqile Boti ka vizë për tu futur në Greqi. Ishte në Athinë. Kur Agim Zhulegu e mori vesh natyrisht që nuk i erdhi mirë. E kisha prerë në besë.

Nesër do lexoni:

-Si u zhdukën në Kakavijë lapidari i gjeneralit italian Telinit dhe Pusi i Vezirit që e bëri Ali Pasha

-Historia e rrallë e Pusit të Vezirit ku piu ujë Mbreti i Greqisë Jorgua, bashkë me mbretëreshën ruse

-Më ka ardhur ccudi se si Zana Gërvalla, kishte dhënë intervistë duke vjell helm kundër regjimit të Enver Hoxhës.

– Familja e Jusuf Gërvallës ka ardhur në Kakavijë në orën 08:00 të datës 30 mars 1982 unë shkruaja kosovarja

– Si arrestuan oficerin Dilaver Kalanin dhe e futën në burg se humbi një rregullore të sektorit të prapavijës

– Grekët edhe në transhe kishin frogorifer, kurse posta kufitare shqiptare nuk kishte asnjë në kuzhinë

-Si vdiq në vetmi Jorgo Sulioti në lagjen e Gjirokastrës “Zinxhira”

– Motra e heroit të Kakavijës Llesh Pal Çupit, është parë në ullishtat e pronarëve grek