Rrëfimi i Frank Kroqit: Unë inxhinier që fitova në zgjedhjet e para pluraliste me shefin e komunistëve. Indinjata dhe shkarkimi nga PD-ja se nuk firmosa koncesionin e minierave

1275
Sigal

Unë inxhinieri që u përballa me shefin e komunistëve

Leonard VEIZI

Ankthi, nëse ai do t’ia dilte apo jo, lëkundej ethshëm midis ngazëllimit për t’u ndarë përfundimisht nga e kaluara dhe një mosbesimi drithërues që të jepte përballja me më të “fortin” e kundërshtarëve. Ndërsa ai vetë e kishte pranuar sfidën që në çastin e parë, pa e vënë veten në dyshim dhe për më tepër duke injoruar logaritmet që shkarraviteshin me laps plumbi apo ato që dilnin në formë përqindjesh pasi shtypje tastet e një makine elektronike. Ishte vetëm një propozim verbal, pa firmë, pa vulë dhe për më tepër pa motivacion të përcaktuar në letër formati A4. Dhe ngurrimi për të marrë mbi vete, qoftë dhe dështimin e mundshëm, është zhdukur për të mos u rikthyer më. Në zonën elektorale 218 shesh-beteja priste “luftëtarët” e saj dhe mijëra “spektatorë” që dyndeshin për të futur në arkën e vogël fletët e votimit. Fushata elektorale kishte qenë e ethshme. E mbiquajtur si “bastioni i kuq” në po të njëjtin vend ku dikur njihej si “Shtëpia e Partisë”, Enver Hoxha kishte fituar gjithmonë, i vetëm përballë vetes. Më pas edhe Ramiz Alia kishte fituar po përballë vetes së tij. Por këtë herë gjithçka ishte ndryshe. Përballë figurës qendrore që quhej “Presidenti”, por që në fakt ishte veç Kryetari i Presidiumit të Kuvendit Popullor, qe vendosur posteri me fytyrën e një inxhinieri minierash, me emrin Franko Kroqi. Mesazherët dhe detashmenti besnik mbusheshin gjithë ironi kur shpreheshin: “Pse, ky do ta mundi komandantin!”. Por e pabesueshmja do të ndodhte. 18 vite më pas, kur edhe dy ditë na ndajnë nga zgjedhjet e përgjithshme për deputetët në Kuvendin e Shqipërisë, Franko Kroqi, rrëfen për “Telegraf”, se si fitoi 62 për qind të votave ndaj Ramiz Alisë, pikërisht në “shtëpinë e tij”

Cili është Franko Kroqi për ata që e njohin, por dhe për ata që s’e njohin?

U linda në 31 tetor 1940 në Shkodër. Isha vetëm dy vjeç kur familja ime do të shpërngulej në Tiranë. Në vitet ‘46-‘53 ndoqa mësimet e 7-vjeçares. Ndërsa në vitet ‘53-‘57 shkollën e mesme teknike të ndërtimit. Nga 2 shtatori 1957 deri në 31 janar 1961 vazhdova studimet e larta në Fakultetin Inxhinieri Minierave, ku u diplomova si inxhinier.

Ku do të bëhej emërimi i juaj i parë?

Do emërohesha inxhinier e më pas si kryeinxhinier në minierën e Kurbneshit. Meqenëse unë isha në fillimet e mia mendoja se nuk e meritoja ende titullin “inxhinier”. Inxhinier do të thotë të gjenerosh, të krijosh, prandaj pikësynimi im ishte që ta justifikoja këtë emër, doja të bëja gjëra të reja, të krijoja vazhdimisht, pra të gjeneroja.

Kur e arritët këtë pikësynim?

Në vitin 1965. Atë vit në minierën e Kurbneshit do të aplikohej një metodë e re shfrytëzimi që ishte një studim, projektim dhe zbatim i imi. Vetëm pasi vura në punë këtë metodë të re shfrytëzimi, pra gjenerova diçka, u kam dhënë leje njerëzve që përbënin rrethin tim miqësor e shoqëror që të thërrisnin me titullin “inxhinier”.

A do të kishte jehonë ky racionalizim?

Madje për këtë gjë është realizuar edhe një dokumentar nga Kinostudio, që titullohej: “Reportazh nga Kurbneshi”. Reportazhi u xhirua në prill të vitit 1967. Ndërsa në shtator të po këtij viti, duke marrë shumë motive nga dokumentari, kinostudio filloi realizimin e filmit artistik “Plagë të vjetra”. Në atë kohë unë nuk ndodhesha më në minierën e Kurbneshit, pasi isha emëruar si kryeinxhinier në minierën e Gjegjanit në Kukës.

Sa kohë keni punuar në miniera?

Përveç disa viteve që u shkëputa për t’u marrë me politikë, unë kam punuar gjithë jetën në miniera dhe për minierat. Gjatë gjithë kësaj kohe kam gjeneruar metoda e teknologji të përparuara. Një tjetër punën krijuese që kam bërë ka qenë projektet për modernizimin e minierës së Bulqizës në vitin 1989, pastaj 1990-1991 me Gjermanët, si dhe së fundi në vitin 2007, mbi bazën e gjendjes faktike të kësaj miniere. Por unë vazhdoj të punoj sërish me të njëjtin përkushtim për minierat shqiptare, me qëllim që të modernizoj dhe të fus metodat dhe teknologji të reja në shfrytëzimin e tyre, metoda e teknologji që do të mbeten edhe pas meje. Kjo ka qenë dhe vazhdon të jetë motivi im, dinjiteti im, si njeri dhe si profesionist. Asnjëherë nuk kam qenë i prirë nga paraja.

A është vlerësuar puna juaj?

Unë kam marrë dy herë Çmimin e Republikës, një herë për bakrin e një herë për kromin.

A ju janë propozuar poste të rëndësishme drejtuese?

Në marsin e vitit 1992, kur Partia Demokratike fitoi të drejtën të qeveriste vendin, më propozuan të bëhesha ministër i Industrisë dhe Minierave. Atëherë unë pyeta, nëse kishte një kandidaturë tjetër përveç asaj times. Më thanë se ishte dhe ajo e Abdyl Xhajës, por thoshin se do isha unë ministër, pasi isha profesionist. “Jo, – u thashë, – unë nuk do të jem ministri, sa kohë që Abdyli është në këtë post, sepse kjo që thoni është ‘non sens’. Ne nuk luftuam për poste, por për demokraci e ndershmëri, dhe unë nuk e pranoj këtë post se është e pandershme”. Në atë kohë Abdyl Xhaja ishte ministër dhe zv/kryeministër i Qeverisë Teknike. Pasi u largova nga Parlamenti dhe pranova postin e zv/ministrit, Abdyl Xhaja më thotë: “Nuk do ta harroj kurrë nderin që më bëre”. Por unë ia ktheva: “Unë s’të kam bërë asnjë nder. Unë nuk u tërhoqa për ty. Unë do të tërhiqesha për këdo ministër që ishte në post dhe është kandiduar nga PD-ja, siç ishe kandiduar ti. Po të mos e bëja këtë, nuk do të ishte as dinjitoze dhe as e ndershme nga ana ime”

Keni pasur suksese në punën tuaj si zv/ministër?

Mbi të gjitha gjatë punës si zv/ministër nuk u kam hapur rrugën disa të huajve që kërkonin të bënin ligjin, për interesat e tyre. Konkretisht ata ishin disa specialistë apo pseudospecialistë, që kishin ardhur nën logon e BERZH dhe kërkonin që të vendosnin, se cila firmë e huaj do ta merrte industrinë e bakrit e veçanërisht atë të kromit, gjë që unë s’mund ta pranoja. Më thirrën në Londër së bashku më disa specialistë të tjerë Shqiptar, tek Zhakatali, që ka qenë presidenti i BERZH, në një mbledhje ku merrnin pjesë shumë firma të huaja. Më paraqitën llogaritjet e Diskant Cash Flovv (metodë për vlerësimin e aseteve tona), mbi bazën e të cilit vlerësim, do të përcaktohej se sa do investonte firma e huaj për të pasur maxhorancën prej 70% në një ndërmarrje të përbashkët (në këtë kohë minierat nuk jepeshin në koncesion). E pashë menjëherë pa korrektësinë e tyre, jo për faktin se asetet e industrisë tonë të kromit ishin vlerësuar 14 milion USD (qesharake), por pashë se sa i pasaktë dhe tendencioz ishte ky fizibilitet. Ua hodha poshtë me argumente. Tre herë ma kanë paraqitur këtë të ashtuquajtur “fizibilitet”, duke rritur çdo herë nga 5-6 milionë USD dhe nuk ja kam pranuar, pasi këtij i mungonte ana teknike e teknologjike, sepse specialistët teknikë që kishin përzgjedhur ishin sa të pa-aftë, aq edhe hilanjosë. Ata donin me çdo kusht të vendosnin se cilës firme neve duhet t’ia jepnim industrinë e kromit, dhe për këtë sajuan pretekstin se BERZH duhej të pyetet, meqenëse do të investonte 10 milionë USD, me qëllim që firmat e huaja të kishin besim për të investuar tek ne. “Shumë mirë, – i thashë, – më bëhet qejfi, por ju nuk mund të jeni më këshilltaret e mi, sepse ky është konflikt i hapur interesash. Ju nuk mundet më as të më këshilloni dhe as të vlerësoni pasurinë tonë; kështu që mos më rrini në krah, por dilmëni përball të negociojmë”. Ata u ankuan te kryeministri Meksi për mua.

Cili ishte qëndrimi i Kryeministrit?

Ai më thirri në Qeveri dhe kërkoi shpjegime. Pastaj më tha: “Kështu si vepron ti nuk na afrohen investitorët e huaj”. Ja shpjegova si më lart Këshillit të Ministrave dhe u thashë: “Nuk është fjala se unë s’dua që këta të huaj të fitojnë para në Shqipëri, por s’mund të lejoj që këta të na rrjepin. Sepse në fund të fundit çdo marrëveshje nuk mund të arrihet pa negociata dhe pa mbrojtur secila palë interesat që përfaqëson. Në pozicionin që jam unë mbroj interesat e vendit tim”. Në atë kohë hidhet një ministër i ri: “Ne jemi Qeveria, ne vendosim”. Atëherë unë iu ktheva: “Unë nuk kam për të bërë ashtu si të doni ju, për sa kohë jam në këtë post. Ju vendosni, por firmën time nuk keni për ta marrë kurrë. Dhe meqenëse nuk mund të vendosni pa firmën e zv/ministrit që mbulon sektorët përkatës, më hiqni nga ky post, vini një tjetër dhe atëherë bëni atë që doni ju”. Kështu unë e mbrojta industrinë e kromit (të Bulqizës) nga grabitja që donin t’i bënin të huajt, por ata gjetën rrugë të tjera për ta grabitur nëpërmjet koncesioneve të vitit 2000 dhe 2001, ashtu siç kam shkruar dhe në artikullin e datës 26 shkurt 2009 në gazetën “RD”.

Dhe çfarë ndodhi pas kësaj?

Ata bënë atë që u thashë unë. Më hoqën nga zv/ministër dhe më emëruan ambasador në Kroaci. Presidenti i asaj kohe zoti Sali Berisha, më thirri para dekretimit dhe më tha “Unë të njoh, ti meriton më tepër, por ik njëherë në Kroaci”. Unë pranova dhe ika, sepse kuptova që ai kish presion dhe se unë duhet të largohesha nga posti i zv/ministrit. Unë isha ambasadori i parë që çelte ambasadën në Kroaci, e cila sapo ishte ndarë nga Jugosllavia e atëhershme. Qëndrova në krye të ambasadës për tre vjet me radhë. Pas kësaj nuk jam marrë më me politikë. Sa herë kam pasur ndonjë funksion, i kam shkelur në kallo dikujt, prandaj vendosa të mos marr pjesë më në politikë. Them se gjithmonë kam paguar haraç për këtë mendje që kam.

Ku do të punonit më pas?

Në Institutin e Minierave më pas si kryeinxhinier në korporatën shtetërore të “Alb Bakrit”. Në 2001 punova me një firmë turke për të modernizuar minierën e Munellës në rrethin e Pukës. Pasi nuk rashë dakord me mënyrën e tyre të shfrytëzimit (përpunimit të mineralit), u largova. Sot po punoj për të vënë punë e për të modernizuar minierën e Spaçit. I kam zgjidhur të gjitha problemet me shtetin (leje, licenca etj.), por kam disa probleme të një natyre tjetër, që nuk lidhen me shtetin, por që s’mund t’i zgjidh pa ndihmën e shtetit.

Përcaktimi / Urrejtja për regjimin e vjetër

“Kundër Ramiz Alisë kam dalë me ndërgjegje të plotë. Madje po të më jepej rasti do të dilja sërish kundër tij”. Kështu shprehet Franko Kroqi, i cili thotë gjithashtu se nuk është pajtuar asnjëherë me regjimin komunist shqiptar: “Unë doja të ndeshesha me Ramiz Alinë, sepse unë e kam urryer Enver Hoxhën dhe regjimin e tij sllavo-komunist. Ata që erdhën pas tij nuk ishin më të mirë, sepse kishin mundësi ta shpëtonin vendin, por nuk deshën dhe e zhytën më keq në varfëri. Por kam urryer dhe përçarjen që ka bërë Enver Hoxha, ndarjen krahinore, luftën e klasave etj. Kam lexuar një roman të Viktor Hygoit, ku shkrimtari duke përshkruar një personazhin e tij negativ, thotë: “Ky njeri kish të mishëruar në qenien e tij veset më të ndyra të një burri të keq, dhe veset më të ndyra të një gruaje të keqe të marra së bashku”. Sa e kam lexuar këtë pasazh kam thënë me vete: Ky është Enveri”, thotë ai 18 vite mbasi ka fituar betejën me të parin e vendit.

DËSHMIA/ Zhvillimi i zgjedhjeve të para pluraliste në 31 mars të vitit 1991

Si e munda Ramiz Alinë në shtëpinë e tij

I ngjiti shkallët me një krenari të ligjshme dhe u fut në sallën e madhe të Kuvendit Popullor. Në fund të fundit, kishte qenë ai i cili ishte përballur me Ramiz Alinë, duke marrë mbi vete dhe riskun e njeriut që nuk e kalon vijën e finishit. 18 vjet pas kësaj fitoreje, Franko Kroqi rrëfen për “Telegraf”

 

“Ishin zgjedhjet e para pluraliste.

U desh vetëm propozimi i një shokut tim dhe Partia Demokratike do të vendoste që emri im të vihej përballë atij të Ramiz Alisë. Natyrisht jo vetëm që nuk kundërshtova, por unë e doja këtë “duel”. Natyrisht që pata dhe presione. Disa herë më thanë të tërhiqesha. Por më e bukur ishte kur spiunët e Sigurimit të Shtetit kërkonin të më shtynin që unë ta shaja Ramiz Alinë. Dhe e dini se ç’u thashë njerëzve të tillë: “Shkoni pirdhuni. Unë kam kurajën që i kam dalë ballë për ballë dhe nuk kam për t’u tërhequr kurrë. Ndërsa ju shajeni sa të doni meqë paskeni qejf. Unë nuk jam në nivelin tuaj”. Dhe kështu unë bëra një fushatë intelektuale dhe dinjitoze, pa sharje dhe pa fyerje. Më 24 mars, disa ditë para zgjedhjeve unë zhvillova një miting të madh tek shkolla “Partizani”. Në të njëjtin orar edhe Ramizi zhvillonte takimin e tij elektoral por tek “Shkolla e Kuqe”. Sheshi i “Partizanit” ishte mbushur plot e përplot. Më kujtohet se disa sigurimsa më kërkuan që unë të shtyja orarin e takimit sepse në këtë orë ish dhe takimi i Ramiz Alisë. Por unë u thashë se nuk e shtyj asnjë sekondë dhe kështu takimet tona u bënë në të njëjtin orar. Ajo ishte zona elektorale 218, ku ndodhej e ashtuquajtura “Shtëpia e Partisë” dhe ku historikisht vendosin kandidaturën e tij Enver Hoxha e më pas Ramiz Alia. Megjithatë unë isha shumë i qetë. Por herën e fundit Ramizi mori rreth 34% të votave, ndërsa unë fitova 62 %, gati dyfish ndaj Sekretarit të Parë të PPSH-së. Në mesnatë erdhën shok e miq në shtëpi dhe më lajmëruan se kisha fituar. Unë atëherë jetoja vet i shtatë në një shtëpi prej 42 metra katrorë. Ata më morën dhe shkuam sërish në zonë ku më pritën me ovacione të mëdha. Ditë më vonë, ndërsa unë po pija kafe në një cep të kafenesë së Parlament, Ramiz Alia dhe Xhelil Gjoni pinin kafe në cepin tjetër. Xhelili i foli diçka në vesh Ramizit dhe ai ktheu kokën. Unë e pashë drejtë në sy, por si përnjëherë i uli sytë në tokë. Pastaj më pa sërish dhe sërish dredhoi duke ulur sytë. Nuk pati as guximin të më takonte dhe të më uronte për fitoren. Ja ky ishte Ramiz Alia”.

Postet

Nga salla e Kuvendit në zyrat e ministrisë

“Nuk kam kërkuar kurrë poste. Në vitin 1992 dihej që PD do të fitonte kudo, si dhe në atë zonë që në vitin 1991 quhej e rrezikshme, por në vitin 1992 nuk ishte më e tillë, prandaj dikush ma zuri. Por meqenëse unë kisha bërë një pakt me banorët e asaj zone që më nderuan nuk mund të shkoja në asnjë zonë tjetër për të kandiduar. Megjithatë pata propozime nga PD e vetë Berisha. Por unë doja t’u qëndroja besnik njerëzve të zonës që më dhanë votën në 1991. Dhe ashtu bëra. Më 22 mars 1992 unë u futa si deputet, por këtë herë nga lista shumë emërore. Ky lloj mandati, i pa marrë me votë të drejtpërdrejtë, nuk më pëlqente dhe e dorëzova një muaj e gjysmë më vonë, e shkova të punoj zi zv/ministër në Ministrinë e Industrisë dhe Minierave, që në atë kohë drejtohej nga Abdyl Xhaja. Si zëvendësministër unë mbuloja sektorët e minierave, gjeologjisë dhe metalurgjisë”.

Indinjata

“Indinjohem kur dikush, një gazetar televizioni, katër vite më parë në situatën parazgjedhore foli për “Fenomenin Kroqi” duke thënë: “Fitoi me Ramiz Alinë një inxhinier i panjohur, as në profesionin e tij”. Po kështu një tjetër gazetar televizioni thotë këtë fushatë: “E mundi Ramiz Alinë një inxhinier gjeolog i panjohur”. Pavarësisht se gazetari ngatërron një inxhinier gjeolog me një inxhinier minierash, nuk thotë: “i panjohur në politikë”. Duke thënë “E mundi një inxhinieri panjohur” ai të le të kuptosh në ligjëratë të drejtë: “i panjohur si inxhinier”. Kjo është fyerje, sepse në profesionin tim unë kam qenë dhe jam shumë i njohur, por gazetaret nuk më njohin sepse unë kam punuar në nëntokë dhe ata nuk futen atje, madje edhe kur futën nuk janë në gjendje të kuptojnë gjë, të kuptojnë se ç’është bërë mirë dhe ç’është bërë keq. Nuk janë në gjendje te vlerësojnë, ndërkohë që janë shumë në gjendje të broçkollojnë”. ( Dhënë për “Telegraf”, më 23 shtator 2006 )