Rrëfimi i Aurel Spahos: Vëlla, s’e kalova dot kufirin, kam një plumb në kokë, eja ma hiq sa pa vdekur…

Nga Ardit Hasanas

Kam që nga 31 korriku i vitit 1966 e deri më sot që im’vëlla, Sotiraqi, nuk më del nga mendja, – nisi rrëfimin e tij Aurel Spaho, banor i qyteti i Korçës. Mendoja se një ditë ai do të më linte të qetë, por kjo nuk ndodhi kurrë. Shpesh, sapo më zinte gjumi, befas dëgjoja zërin e tij që më lutej: “Vëlla, nuk e kalova dot kufirin, një plumb më ka mbetur në kokë, eja ma hiq sa pa vdekur… sepse më shpon tmerrshëm te syri e nuk e duroj dot… Më beso, ende nuk kam vdekur…mos i beso gjakut që më ka rrjedhur, zemra ime ende regëtin… Ndihmomë të lutem… ndihmomë… ”, Pas kësaj zgjohem i llahtarisur, dhe kujtohem që im’vëlla ka një vit që s’jeton më. Më vonë kujtohesha që ishin bërë dy vjet, pastaj tre, katër, dhjetë, 25 dhe tashmë 50 vjet nga dita kur jeta e tij mori fund përgjithmonë. Dhe unë prapë nis e lotoj sikur të jetë dita e parë e ikjes së tij.

Sigal

Edhe sot në mesnatë, – vijon rrëfimin Aurel Spaho, – sërish do të më shfaqet në gjumë i shpërfytyruar dhe do të më tregojë për plumbin që e ka shpuar në pjesën e pasme të kokës dhe që i ka ngecur diku pranë syrit. Syri i dëmtuar i tij më fanitet i zmadhuar tej mase dhe nxjerr gjak pareshtur. Plaga i është zmadhuar tmerrshëm. Pikërisht, në këtë çast krahët e mi zgjaten pafundësisht drejt tij për t’i hequr plumbin, por çuditërisht, duartë e mia nuk arrijnë kurrë deri atje. Një breshëri plumbash automatiku më zgjon nga ëndrra e frikshme dhe befas kujtohem se kam më shumë se 40 vjet që kjo ëndërr tmerri më shfaqet shpesh.

Mëngjesi i tmerrit

Mëngjesin e 31 korrikut të vitit 1966, kur ndodhi vrasja në kufi e vëllait tim, Sotiraqit, isha vetëm në shtëpi. Babai, Thanasi, kishte 13 vjet që kishte vdekur, kurse nëna, Olimbia, që prej dy vjetësh nuk jetonte më. Ime motër, Meri, atë ditë kishte shkuar në plazh, në liqenin e Pogradecit. Në këtë qytet duhej të ishte dhe vëllai, Sotiraq Spaho, sepse ishte me punë fizike, atë kohë punonte si mësues i matematikës, por duket që atë ditë ai nuk kishte qenë në Pogradec.
Kisha ngelur i vetëm në dhomë dhe nuk e di pse e ndjeja veten të lodhur, një shqetësim i pashpjegushëm më kishte pushtuar të gjithin. Më dukej sikur po përjetoja një ëndërr të frikshme. Pikërisht në këtë çast trokiti dera, por nga që isha i zhytur në mendimet e mia, u hodha përpjetë i trembur. Shkova me ankth drejt derës dhe e hapa. Pashë disa njerëz me uniformë. Ishin policë. “Vetëm je?” – më pyetën. Vështrimi i tyre ishte i ashpër dhe i egër, më vështronin sikur të isha një qenie e çuditshme, e ardhur nga bota e ferrit. “Vetëm jam”, – u përgjigja.
Dhoma ishte krejtësisht e zbarazët. Pata frikë që isha vetëm. Një çast m’u duk sikur pashë imazhin e babait dhe të nënës. Kërkonin të më thoshin diçka, por nuk mundeshin. Pamja e prindërve m’u prish nga zëri i njerëzve me uniformë: “Lajmëro xhaxhanë, Gogon, dhe bashkë me atë, të vini në polici!”

Udhëtim drejt ferrit

Lajmërova xhaxhanë, Gogo Spahon, atë kohë 58 vjeç dhe bashkë me të u nisëm drejt Policisë së Korçës. Xhaxhai dridhej i tëri, çalonte nga një këmbë dhe ecja i dukej edhe më e frikshme. “Përse na kërkojnë vallë?” – më pyeti me zë të ulët. “Nuk e di”, – iu prgjigja. Ashtu si xhaxhai, edhe unë po ndjeja frikë. Kur mbërritëm në polici, na urdhëruan të hipnim në një makinë të madhe, mbuluar me mushama, i ngjasonte më së shumti një makine burgu. Hipëm pa bërë asnjë pyetje. Në dy krahët tona, majtas dhe djathtas, zunë vend njerëz me uniformë dhe me armë. Njerëz të aramatosur qëndronin edhe përballë nesh. “Ç’po ndodh kështu?!” – m’u duk sikur pyeti xhaxhai, në të vërtetë isha unë ai që po pyesja veten. “Asnjë zë!” – u dëgjua zëri i një civili. Ndoshta unë kisha mërmëritur. Të heshtur kishim qenë, por mbase u bëmë edhe më të heshtur akoma.

Brenda makinës ishte errësirë e plotë, hynte vetëm pakëz dritë nga një e çarë e mushamasë, e cila binte mbi gojën e civilit, çka e shndërronte në një krijesë të përçudnuar. E çara e mushamasë na ndihmoi të kuptonim që po shkonim drejt Devollit. Si kaluam Bilishtin, u çorientum krejt, sepse makina dukej sikur ndërronte rrugë herëpasherë, sikur kalonte mes gropash e rrënojash të pafundme. Një çast patëm ndjesinë se do të na gremisnin diku më ndonjë humbëtirë. Mbase kishin vendosur të na varrosnin bashkë me automjetin që ngjante me një karakatinë burgu. Makina me mushama të grisur rrezikoi të përmbysej disa herë, por pas një çasti u ndal. “Zbrisni!” – u dëgjua zëri i njerëzve me uniformë.

Po çmendesha

Vendi ku zbritëm nuk ishte aq i këndshëm, ishte mjaft i thyer, ndërsa një përrua që shkonte aty afër dukej sikur vajtonte. Vendasit e thërrisnin, “Lumi i Shagut”, m’u duk emër i çuditshëm, diku kisha lexuar se “shagat” ka kuptimin “tallje”. Pak më tej shtrihej një rrjetë teli me gjemba, në atë kohë e quanin “klon”. Disa ushtarë, me sy të shqyerë nga një natë e mundimshme që kishin kaluar, hapën me nxitim portën e klonit dhe ne të gjithë hymë brenda tokës që konsiderohej e ndaluar për këdo. Ecëm gati një kilometër në këmbë. Kur na thanë të qëndronim, pashë një mori njerëzish: policë, ushtarë, gjykatës, prokurorë, drejtues partie, civilë… madje edhe djalli mund të ishte aty. Përroi vijonte të vajtonte. E kishim parë këtë përrua edhe pak më parë, por pasi përdridhej si një gjarpër dhe humbiste diku, shfaqej sërish me vajtimën e tij aty ku gjendeshim edhe ne, njësoj sikur kërkonte të vinte pas meje dhe xhaxha Gogos. Po ndjeja dhimbje koke. Më dukej sikur brenda kafkës time kishte ngecur diçka që unë nuk e përcaktoja dot, por që më gacmonte vazhdimisht deri në çmenduri. “Po çmendem?!” – pyeta veten. Aty gjithçka ishte e frikshme.

Im vëlla i vrarë

Së bashku me të tjerët bëmë edhe disa hapa para. Befas pashë një njeri të shtrirë barkas, me duar të kryqëzura para fytyrës, rreth tij kishte shumë gjak. Pas kokës kishte një plagë të madhe. Dikush e ktheu me këmbë, që njeriut që rrinte përmbys t’i dukej fytyra. Një sy i tij ishte zmadhuar tej mase, i kishte dalë nga vendi dhe ngjasonte me një gungë të frikshme. Kufoma dukej sikur po na vështronte të gjithve dhe mes llahtarit dukej, sikur pyeste: “Më thoni përse më vratë…? Kush më vrau…? Kush më vrau…? Vështrova njeriun e shpërfytyruar, të mbuluar krejt në gjak, por nuk po kuptoja ç’lidhje kishim ne, unë dhe xhaxhai im me këtë njeri? Por atë çast xhaxhai humbi ndjenjat dhe ra përdhe. Desha t’i vija pranë, por nuk isha i sigurtë, nëse duhej ta ndihmoja ose jo sepse deri atë çast nuk na kishin lënë të bënim asgjë. “Kush është ky?” – pyeta për njeriun e vrarë, ndërsa gjendesha i pushtuar krejtësisht nga frika. Nuk ishte e vështirë të kuptoja që vdekuri kishte lidhje me ne, por nuk po e njihja kush ishte… “Eshtë yt vëlla, – m’u përgjigjën, nuk e njeh?” Nuk mbaj mend çfarë ndjeva e përjetova atë çast, gjithçka m’u errësua, e nuk shihja asgjë. Desha t’i vija më afër dhe ta shihja, por nuk më lanë të lëvizja nga vendi. As të vdekur nuk munda ta prek dot.

A regëtinte zemra e tij?

Doja t’i vija afër dhe ta shihja për të qenë i sigurtë nëse kishte vdekur apo zemra e tij ende regëtinte. Doja t’ia hqja plumbin që i kishte mbetur brenda kafkës. Ndoshta mund ta gjeja edhe metalin e vdekjes tek syri i vëllait tim, por askush s’më la t’i afrohesha. Qaja me ngashërim, përpiqesha të zgjatja duartë drejt Sotiraqit, duke mërmëritur emrin e tij, Sotiraq…, Sotiraq… sepse ata nuk më linin as të qaja, por im vëlla nuk m’u përgjigj. Befas një çast m’u duk sikur lëvizi. “Është gjallë… është gjallë… është gjallë… ngrita paksa zërin nga gëzimi, duke shpresuar se edhe ata do të ishin penduar që kishin vrarë një djalë të ri… por një zë që erdhi nga turma e tyre, m’u përgjigj: “Njerëz të tillë, partia nuk i lë gjallë, u derdh plumbin në gojë. Yt vëlla deshi të arratisej. Ai është tradhtar i atdheut”. “Po përse nuk e plagosët?” – mërmërita mes ngashërimesh, i habitur edhe vetë ku e gjeta guximin për t’i thënë ato fjalë, por përgjigjja e tyre qe e shpejtë: “Kush guxon të tradhëtojë atdheun, e pret vdekja”. Im vëlla qëndronte shtrirë, por tashmë në kurriz, më vështronte me syrin e nxjerrë si gungë nga vendi. Më dukej sikur më lutej: “Aurel, ndihmomë… ndihmomë… Më beso unë nuk kam vdekur akoma… Mos i beso gjakut që më ka rrjedhur, zemra ime regëtin …”. Sa më shumë e vështroja, aq më shumë bindesha se im vëlla ishte gjallë, por ata s’ma jepnin mundësinë ta prekja. Në të vërtetë ishte veçse një iluzion, sepse gjaku i tij i mpiksur gjendej jo vetëm mbi fytyrë, por edhe mbi rrobat e grisura nga qentë e kufirit… Xhaxhai që ishte përmendur, pas atij çasti të parë, tha: “Të paktën ta marrim në shtëpi ta varrosim…”, por një person që kontrollonte çdo veprim tonin, ia ktheu: “Nderet do t’ia bëjë partia, ashtu siç e meriton!”

Ishte 23 vjeç

Ditën që u vra im vëlla, Sotiraqi, ishte vetëm 23 vjeç, kishte lindur më 5 maj të vitit 1943. Atë natë nuk fjetëm fare, mungonte vëllai ynë, më i miri, më i dashuri, më i vogli, të gjithë qanim, pa e ngritur zënë. Motrës, Merit, i binte të fikët herëpasherë, e përmendnim duke i hedhur kova me ujë. Infermierët nuk guxonin të hynin në shtëpinë tonë. Xhaxhai, Gogoja, nuk dukej as i gjallë, as i vdekur, lotët i kishin ngrirë mbi mollza dhe qante në heshtje. Nuk mundeshim as të ngushëllonim njeri-tjetrin, kështu kaloi edhe nata e dytë, edhe nata e tretë e me radhë. Që nga ajo ditë s’e bëra më gjumin asnjëherë të qetë, shpesh dëgjoja zërin e vëllait që më thërriste dhe zgjohesha. Pas viteve ’90 pata shpresë se do t’ia gjeja varrin, mora vesh që e kishin varrosur atje ku unë e pashë për herë të fundit, por nuk i gjeta dot asnjë shenjë. Njerëz të tjerë më thanë që e kishin varrosur buzë përroit, por përsëri asgjë nuk gjeta në gjithë gjatësinë e tij. Eshtrat e tij nuk gjendeshin askund.

I dekurajuar nga mosgjetja e varrit të vëllait, një natë nisa të qaja në gjumë. Befas trokiti dera, pashë që hyri vëllai, Sotiraqi. “Vëlla, mos qaj, më, – më tha, dhe mos ki merak për mua. Ata më lanë atje në kufi ku më gjetët që të më shqyenin egërsirat, por me të rënë nata erdhi nëna dhe babai dhe më morën. Mos më kërko më buzë përenjve, jam në qiell vëllai im. Çdo natë ju shoh që andej…”.

Ishte herë e parë pas kaq vitesh që u ndjeva i gëzuar. U përqafova me vëllanë. Pastaj hapa sytë dhe kuptova që ishte ëndërr, por në shpirt pata një lehtësim të madh hyjnor. Nuk i tregova që më kishin pushuar nga puna. Ashtu si Sotiraqi edhe unë isha mësues, kisha mbaruar dy fakultete, të Gjuhë-Letësisë dhe të Letërsisë ruse. Për 24 vjet me radhë punova në ish – SMT, gjithë jetën time vetëm me graso, por s’u ankova kurrë, i vura zemrës një gur që të duroja vrasjen e vëllait.