Si erdhi nga Amerika në Gjirokastrër në vitet ’70 shoku i fëminisë së Enverit dhe dëbimi i tij si agjent i CIA-s pas letrës qe i dërgoi Enverit duke i kujtuar Dunavatin. Pse ushtarakët e Kakavijës e cilësonin Kadarenë me pseudonimin “Dajko”, arsyeja që Kadri Hazbiu me quante “Musolin”, lapidari i vrasjes së Telinit dhe pushtimi i Korfuzit nga Italia
Flet ish-oficeri kufirit dhe publicisti Sefer Pasha: Kadri Hazbiu më thoshte “Musolin”, pasi unë lëvdoja shumë pushtimin e Korfuzit nga ai, pas vrasjes së Telinit
–Si dhe pse u vra më 27 gusht të vitit 1923 në vendin e quajtur Zharovinë gjenerali italian Enriko Telini
-Më Kakavijë ushtarët dhe oficerët i thoshin Kadaresë “Dajko”, për tregimin “Provokacioni”
-Gjirokastra po “shembet” në të ardhmen ndofta do të banojnë shtetas të huaj, ose aty do të dremisë thjesht një gërmadhë
– Për vrasjen e gjeneralit italian Enriko Telini, Konferenca e Ambasadorëve, ngriti një komision hetimi me në krye kolonelin japonez me emrin, Shibo
– Kolonel Shibo: Hetimi mbaroi, me dy të shtimet e pistoletës time forcat greke erdhën urgjentisht
– Me dhjetëra ish kufitarë dhe oficerë, vijnë që nga Amerika dhe kërkojnë të shkojnë aty ku u vra Gjenerali
– Ushtarakët grekë “përmendinin” se ai nuk ishte vrarë përpara doganës shqiptare, ku i qe ngritur dhe një lapidar, por ishte vrarë nga hajdutët e Labërisë
– Me t’u vrarë gjeneral Telini, Musolini, në pak minuta rrethoi dhe pushtoi ishullin e Korfuzit
– Një nga këngëtarët e njohur grek, këndonte këngën: – “Vorio – Epirin na e ka borxh Telini!”
-Në vitet 1970 në lagjen “Dunavat” kishte ardhur një vizitor nga Amerika, shok fëminie me Enver Hoxhën.
-“Kolaqi”, i dërgon një letër Enver Hoxhës. Donte ta takonte dhe të nxirte mallin e fëminisë.
-Enver Hoxha tronditi Byronë Politike: Si ka depërtuar ky njeri i CIA-s
-Brenda 24 orëve monstra u ndoq nga Shqipëria, si person i padëshirueshëm për shtetin komunisit
Në këtë bisedë do të lexoni “Iliada” e gjeneralit italian Enriko Telinit, pushtimi prej Musolinit i ishullit të Korfuzit dhe hetimi biblik që i bëri krimit në Kakavijë, koloneli Japonez, Shiba.
Gazeta Telegraf
-Kohë më parë në një intërvistë ju më përmendët gjeneralin italian Enriko Telini, i cili kishte një bust në Kakavije. Madje më thoshit që keni në dorë një libër për të. Vërtet keni ideuar një libër dhe kush është motivi që ju nxiti?
Kam ditë në Gjirokastër dhe energjitë e mistershme për një këngëz të pambaruar më mundojnë. Motivi është i thjeshtë. Po i jap dorën e fundit një libri kushtuar gjeneralit mitologjik Enriko Telinit. Tani në Kakavijën gjerazi digitale, shpirti i gjeneralit vërtitet në një vetmi murore. Kisha jetuar njëzetë vjet me fantazmën e tij në Kakavijë mes frytshmërisë së egër të imagjnatës. Atëherë më dukej sikur në Kakavijë kalonte boshti i tokës. Libri do të dështojë nëse kujtimet që kam mbledhur, janë të rreme. Por të ndalem pak për Gjirokastrën…Gjirokastra e rinisë, me kalldrëmet e kockëzuara është çngjyrosur. Sikur gdhihet në zgrip humnere me hënë të keqe. Është kryqosur dhe nxjerr në reliev psikodramën e një zonje lëngimtare, që ka rënë nga vakti. Një lopë pëllet si zog dreqi, në një zgërbonjë në mes të lagjes “Palorto”. Kisha lexuar në një roman të Hygoit, i cili thoshte se,- “Me t’u qorollisur revolucioni si ai kali, të shkathtit, vrapojnë t’i nxjerin patkonjtë”. Në Gjirokastër në të ardhmen ndofta, do të banojnë shtetas të huaj, ose aty do të dremisë thjesht një gërmadhë. Lindjet janë me kokrra. Dhe njerëzit si të jenë nomadë, ikin e ikin nga sytë këmbët. “Marshojnë pra, nga Pylli i Brinjës”, thuhet në një varg nga Shekspiri tek “Makbethi”. Nuk dua që reportazhi të ketë llustër. Anatomia e Gjirokastrës dhe e Dropullit, ka shumë tragjedicitet si në motërzime. Misteri i lashtë i rrokjëzuar jep shfaqje të zymtë. Edhe pse do kem miq që do më kundërshtojnë e do ta quajnë këtë bisedë një kulaç të krimbur pa pikë kuptimi, unë nuk mistifikoj. Shoh një Gjirokastër rrënqethëse. Është e zorshme që sekreti i kësaj alkimije të ftillohet më. “Po nuk dëftoi dhia, dëfton briri” thotë proverbi gjirokastrit. Sa keq që rrotullohet ndonjëherë jeta.
Po për ardhjen e mistershme në 1970-ën në Dunavat, e shokut të Enver Hoxhës, megjithë “sekretet e fëminisë” që ai dinte për të, dhe si e përzunë shpejt, me preteksin si agjent i CIA-s ?
Dikur në Gjirokastër, në lagjen “Dunavat”, kishte ardhur një vizitor nga Amerika. Kishte qenë shok fëminie me Enver Hoxhën. “Kolaqi”, se kështu ia vuri pseudonimin Sigurimi i Shtetit, ishte i pajisur me vizë për në Shqipëri. Gjatë ditëve që “Kolaqi” ksehasej me Gjirokastrën, ai i bëri një letër Enver Hoxhës. Donte ta takonte dhe të nxirte mallin e fëminisë. Sekretari Haxhi Kroi, e ve në djeni Enver Hoxhën për letrën që kishte ardhur në Komitetin Qendror. Enver Hoxha me dinakërinë çezariane që e kishte në thua, me ta lexuar emrin e vizitorit nga Amerika, tronditi Byronë Politike. Si kishte depërtuar ky njeri i CIA-s në Shqipëri dhe Ministiria e Brendshme të bënte pallë ariu? Brenda 24 orëve ‘monstra’ u ndoq nga Shqipëria, si person i padëshirueshëm për shtetin komunist.
Po ato ditë unë bisedova me punëtorin operativ që i kishte hapur dosjen qysh ditën e parë kur “Kolaqi” nga Amerika kishte shkelur në Gjirokastër. Sigurimsi më tha një përgjigje që më mbeti në mendje. I vetmi krim që kishte bërë vizitori nga Amerika, ishte një koment që ai kishte bërë për dinamikën e qytetit. “Kolaqi” e kishte quajtur Gjirokastrën: – “Qyteti gjeth”. Kur kishte qenë fëmijë në fushën e Çajupit, kishte parë gjethet që fluturonin nga era. Kështu i ngjante Gjirokastra. I gjithë qyteti në lëvizje. Kafenetë bosh. Askush nuk merrej me llafe. Nuk kishte as një vdekje fëmijësh. Si në qytet dhe në fshatra, shumë nëna qenë shpallur heroina. Ato kishin lindur nga 11 fëmijë. Çdo mbasdite qyteti ishte në festë. Këto ishin komentet e gjirokastritit, që kishte ardhur nga Amerika dhe, Enver Hoxha e pëzuri. Nuk dua t’i ndërsej kohët me cili – vili. Asaj times i ka dalë boja që në lëmë. Nyjet lidhëse përkitazi janë shfytyruar. Por ka një ndryshim. Tani njerëzit zdërhallen të çakërdisur si ato gjethet e fushës së Çajupit, që i kishte parë në fëmini “Kolaqi”. Era nuk i përlan për punë, por i hedh në humnerat e zeherta të botës. Ikën në theqafje ushtria e gjetheve të cofta, larg Shqipërisë. Megjithëse fshatra, mëhalla po shuhen në Gjirokastër , tragjeditë kalërojnë me drithërimë, siç është dhe ajo e gjeneralit italian Enriko Telinit. Bëmat dhe vikama e gjeneralit edhe pas 98 vjetësh, lëvrohen gojarisht dhe jehojnë kryeneçësisht.
-Sigurisht, duke qenë se shkruani librin, keni shkuar sërish disa herë në Kakavijën Tuaj të dashur, për të riparë vendin ku është pllaka për gjeneralin italian, Telinin?
Sigurisht! Me të mbërritur në Kakavijë, ngutazi me hartën e vjetër në dorë, çapos përpara doganës së re, e gjej vendin e tallazuar, ku ka qenë lapidari kushtuar gjenerali italian Telinit, me fe e kombësi italiane, i cili u vra më 27 gusht të vitit 1923 në vendin e quajtur Zharovinë, rreth dhjetë kilometra larg nga kufiri shqiptar. Megjithëse kanë kaluar mbi 98 vjet “Iliada” që shkroi me jetën e tij mendjelarti italian Enriko Telini, tregohet nga udhëtarët që lëvizin papushim si era e Janinës, e cila nuk ka ndryshuar drejtim. Pyeta një oficer të ri të policisë kufitare dhe ai e njihte jetën dhe veprën e gjeneralit . Më erdhi mirë. Nuk qenka harruar, thashë me vete. Oficeri i policisë kufitare më tha se, me dhjetra ish- kufitarë dhe oficerë vijnë që nga Amerika dhe kërkojnë të shkojnë aty ku u vra gjenerali. Vizitorët vijnë nga larg me gratë dhe fëmijët. E dëgjoj oficerin e kohës së re, e përtyp në vetmi vargjet e Matje Lensbergut, i cili thotë: /Sido që të ndriçojë e shkëlqejë/ /Në strofkë si ariu do të kthejë/. Pasi e dëgjova oficerin e ri në vrap të penës rashë në mendime. Pastaj sytë i hodha nga oborri i dikurshëm i postës greke. Në ato mote dhe kufitarët grekë ja përmendnin emrin gjeneral Telinit.
-Si ja përmendnin? Me përçmim, me nënvleftësim dhe përbuzje?
E mbaj mend si të ketë ndodhur sot, kur një mbasdite me bore, kufitarët grekë ngritën një shtatore prej borës, që binte rrallë dhe shkruajtën me gërma të mëdha: “Qirjes gjeneral Telini!”. Pasi u gajasën me shtatoren prej bore, ata nisën ta qëllojnë me automatik. Por nga breshëritë e plumbave ai nuk rrëzohej. E hoqën zvarrë me një zetor. Gjeneral Telinin ushtarakët grekë e përmendnin shpesh se, ai nuk ishte vrarë përpara doganës shqiptare, ku i qe ngritur dhe një lapidar, por ishte vrarë në Zharovinë nga hajdutët e Labërisë. Forcat e kufirit shqiptar nuk kishin urrejtje për gjeneralin. Qysh në ditën e parë që kufitari i ri fillonte shërbimin, i thuhej se gjenerali italian Telini, ishte vrarë në krye të detyrës. Ai ishte Kryetar i Komisionit të Lidhjes së Kombeve të ngarkuar për delimitimin e vijës së kufirit tokësor mes Shqipërisë dhe Greqisë. Kurse njëzetë metra më tutje, grekërit villnin helm. Në atë një hektar vend gjeneral Telini ndahej përgjysëm. Ciceroni u thoshte vizitorëve grekë se, ditën që u vra gjenerali, kishte qenë në brigjet e Himarës. Kërkonte shpellën ku Odiseu qe ndeshur me cikllopin. Vetë shpella quhej Shpella e Cikllopit. Kur mua ma përkthyen, nuk doja ta besoja. Kurrë nuk kisha dëgjuar që Odiseu të kishte lundruar në brigjet e Himarës. Çfarë nuk intrigonin për gjeneralin italian? Përfaqësuesit e kishës e kishin në majë të gjuhës gjeneral Telinin. Në ato mote dramatike citoja Nolin që kishte thënë se: – /Ujku sulmon me dhëmb/ /Demi sulmon me brirë/ /Greku sulmon me kishë/.
Çdo ditë në oborrin dhe në tarracën e gjerë të doganës greke, vinin qindra vizitorë. Në fshatin Aranistë autobusët shfaqeshin si vetëtima në shkarkim e sipër. Emri i gjeneral Telinit nuk hiqej as nga goja e ciceronit dhe as nga qytetarët grekë. Tregoheshin gjithfarë dokrrash. Përditë jepeshin koncerte. Një nga këngëtarët e njohur grek, këndonte këngën: – “Vorio – Epirin na e ka borxh Telini!”. Me urrejtje të madhe përmendej udhëheqësi i italianëve Musolini. Me t’u vrarë gjeneral Telini, Musolini, në pak minuta, rrethoi dhe pushtoi ishullin e Korfuzit. Shkaktoi gjakderdhje dhe flamurin italian e ngriti në kalanë e Korfuzit. Emri i Benito Musolinit i tmerronte të gjithë grekërit. Kufitarët grekë na e kishin prurë në majë të hundës. Ata e qëlluan me mitraloz kufitarin nga Mirdita, Llesh Pal Çupin, dhe në çastet kur një makinë e zbuluar po e transportonte kufomën për në spitalin e Gjirokastrës, pikërisht aty ku është ndërtuar dogana e re, një skuadër me ushtarakë grekë të armatosur, i dolën përpara makinës dhe e detyruan shoferin Jorgo Thanon, që të ndalonte. Hipën në karroceri dhe kur e panë kufomën dhe u bindën se e kishin vrarë kufitarin shqiptar u larguan qetë – qetë. Shoqëruesit e kufomës së Llesh Palit u urdhëruan që të mos hapnin zjarr. Ishte një fyrje e madhe. Unë në biseda të lira me kolegët u thoja se Greqisë ja bëri tetë me dy vetëm Musolini. E pushtoi ishullin e Korfuzit sikur të qe një mullar bari. Grekërit nuk zbrazën një pushkë. Ushtria greke ja mbathi. Si me shaka, por mua kolegët ma ngjitën nofkën “Musolini”. Edhe kur luanim futboll, larg Kakavijës, më thërrisnin gjatë lojës: – “Prite Musolin!”.
-Më ke folur shumë për atë kohë kur në Kakavijë vinin ish -udhëheqësit kryesorë të Ministrisë së Brendshme. Madje ke cekur disa vizita të Kadri Hazbiut, që më kanë lënë të befasur. Ke pasur ndonjë takim tjetër me të, që nuk m’a ke përcjellë?
Po! Kadri Hazbiu erdhi për një vizitë rutinë dhe takoi kufitarët. Nisi t’i pyes kufitarët me rradhë, se nga ishin. Njëri nga kufitarët tha se ishte nga Delvina, kurse një tjetër qe nga Libohova. Në sekondë, Kadri Hazbiu ua ktheu me këngë: – /Dymbëdhjetë kalasiot/ / S’ngrinin dot një thes me kashtë/ /Thotë një nga Libohova/ /Zbrazeni ta ngremë bashkë!/. Kufitarët filluan të qeshin. Aty për aty Kadri Hazbiu m’u drejtua mua: – “Si thua ti, “Musolin?” A ua thashë mirë kufitarëve atë këngën ironike labe? Unë mbeta pa frymë. Por kur ministri vuri buzën në gaz i shkëlqeu dhëmbi i floririt, të cilin e kishte në krahun e majtë. Dhëmbi i floririt më qetësoi. Kadri Hazbiu nuk ma kishte me të keq. Për dreq, edhe ai e kishte marrë vesh nofkën “Musolini” me të cilën më kishin damkosur.
Për gjeneral Telinin pyesnin të gjithë ata që vinin në Kakavijë. Në muajin tetor që ishte muaj i letërsisë, erdhi një shkrimtar, i cili kishte botuar një vëllim me tregime kushtuar gjeneral Telinit. Shkrimtari kishte ardhur së bashku me vajzën e tij. Vajza qe një hënë e bukur si ajo që shetit natën në luginën e Dropullit. Kufitarët i kisha rreshtuar ball për ballë me vajzën magjike. Kur dhashë komandën “majtas – ktheu” për t’i futur në bunker, efektivi i postës kufitare nuk e zbatoi urdhërin tim. Nuk më kishte ndodhur. Bukuroshja i ktheu trupat në gur. Për të tërhequr vëmendjen, shkrimtari pyeti për zyrat ku punonte gjenerali italian Telini. Thuhej në fshatin e Kakavijës se, Telini kishte thënë se ta kesh zyrën në vijën e kufirit, është si ta kesh ndërtuar atë mbi një nevojtore. Kur filloi diskutimi i vëllimit me tregime i shkrimtarit që kishte ardhur nga Tirana, njëri nga oficerët tha: -Pse nuk ka ardhur në takim “dajkua”. Ishte një metaforë ironike e ushtarakut nga Golemi i Gjirokastërs. Qenë hapur fjalë se Kadareja do të vinte në Kakavijë. “Dajko” i thoshin Kadaresë. Qe botuar në revistën “Nëntori” tregimi “Provokacioni”, që kishte ngjallur revoltë tek forcat e kufirit. Oficerët i kishin mprehur “biçakët” kundër Kadaresë. Edhe unë bashkë me ta. Por Kadareja nuk ia vërshëlleu ftesës. Nuk erdhi në Kakavijë. Mua tregimi “Provokacioni” më kishte vënë në sëkëlldi. Ngaqë jetonim brenda një llogoreje lufte, personalisht më dukej sikur motivi i tregimit ishte marë nga fjetorja e kufitarëve shqiptarë në Kakavijë. Revistën “Nëntori” ku qe botuar tregimi “provokacioni” e mbaja tek koka e krevatit, ku flija në zyrën e katit të tretë. Vetja më dukej si personash i tregimit. E rilexoja tregimin. Më kishte zënë”qymyri” me të. Ditën që nuk erdhi “dajkua”, shkrimtari nga Tirana mbajti vetëm një shënim. Kur qe vrarë gjenerali italian Telini në Zharovinë, shpendët kapelën ushtarake të tij e kishin prurë në kopshtin e babait të mësuesit Jorgo Pandazi nga fshati Kakavijë. Kështu kishte dëgjur. Jo, e kundërshtova. Janë broçkulla. Grekërit pas vrasjes nuk i lëvizën as trupat dhe as materialet që ata kishin me vete tek livadhi i Zharovinës. U gjet nga vet grekërit edhe ora e gjeneral Telinit. Të gjitha janë në arkivin e Ministrisë së Brendshme të Greqisë.
Në ato vite që qëndrova në Kakavijë, e pyeta historianin Lefter Dilo se, përsa kohë qëndroi gjeneral Telini në Kakavijë? Historiani nuk më dha një përgjigje të saktë. Por sipas dokumentave, gjenerali italian Telini, ka ardhur në Shqipëri në nëntor të vitit 1922. Gjithnjë sipas gojëdhënave, gjeneral Telini, ka udhëtuar në këmbë, me litar në dorë që nga Tri Urat e Leskovikut. Në krye të grupit gjenerali ka kapërcyer malin e Nemërçkës, të Makrikamait, të Buretos, dhe luginën e Drinos. Gurët e piramidave 25, 26 dhe 27, gjenerali i ka ngulur drejtazi me dorën e tij. Me hartë në dorë, kreshtë më kreshtë e gur më gur. I maste malet dhe aty ku shkelte hëna. Më datën 27 gusht të vitit 1923 kur është masakruar i gjithë grupi, gjeneralit i kanë gjetur në çantë shumë dokumenta e shënime. Në shtypin e kohës shkruhet se, atë mëngjes të datës 27 gusht, gjenerali me gjithë grupin qe nisur nga Janina.
Nesër do lexoni:
– Për vrasjen e gjeneralit italian Enriko Telini, Konferenca e Ambasadorëve ngriti një komision hetimi, me në krye kolonelin japonez me emrin, Shibo
– Kolonel Shibo: Hetimi mbaroi, me dy të shtimet e pistoletës time, forcat greke erdhën urgjentisht
– Me dhjetëra ish kufitarë dhe oficerë vijnë që nga Amerika dhe kërkojnë të shkojnë aty ku u vra gjenerali
– Bashkë me gjeneralin Enriko Telini u vra mjeku, sekretari, përkthyesi, shoferi i makinës dhe një toger
-Si prita historianin Arben Puto në Kakavijë, i cili do shkruante për gjeneral Telinin
-Para parlamentit ishte vendosur një bust i Telinit, i punuar nga Odise Paskali, por e hodhën në erë partizanët, më vitin 1945
-Në themelet ku ka qenë vendosur shtatorja e gjeneral Telinit, tani “nusëron” busti i Sabri Godos
-Si ju mernim me kod sekretet grekëve : Dil tek Zharovina ku vranë gjeneralin, aty të pret “Deti Marmara!”
-Si botova poezinë “Gurët e Telinit”, e botoi gazeta “Pararoja”e rrethit të Gjirokastrës, me kryeredaktor Jorgji Çamin
-Mbi lapidarin e rrëzuar të gjeneral Telinit, kolegu im Edmond Makashi, kishte mbështetur një libër të Dante Aligerit