Rrëfen Sefer Pasha/ Ish drejtuesi i pikave kufitare tregon Kakavijën ku ka luftuar dhe nobelisti grek Odyseys Elitis. Kapja e diversantëve, historitë e grave me Enverin dhe raportimi para portretit

1374
Sigal

– Oficeri i kufirit Hysen Hodo raportone çdo mbrëmje para fotografisë së Enver Hoxhës në zyrë

-Hysen Hodo kapi një diversant grek por e lëshoi se ai tha: “Të gjitha gratë e Greqisë dashurojnë Enver Hoxhën, edhe gruaja ime.”

– Komandati kufirit e liroi diversantin dhe donin  ta arrestonin, por kur Kadriu i tha Enverit ngjarjen, ai qeshi dhe i tha: -“Hiqeni vetëm nga Kakavija”.

-Si e gjeta tani në Covid-19, zyrën time në Kakavijë ku punova 9 vjet

– Vështrova të tre dritaret, ku pas xhamave qenë puthitur fort pllaka çeliku që të mos depërtonin fishek të kalibrit 12.7 mm

-12 metra përballë ish-zyrës sime ishte vendroja e kufitarit grek ku në vitin 1940, kishte pasur kazermën poeti grek, Odyseys Elitis

– Odyseys Elitis, ishte nëntoger dhe kishte marë pjesë në luftën Italo – Greke

-Jo shumë larg zyrës time në vitin 1940 poeti grek luftonte dhe shkruante, më ka treguar mësuesi i Kakavijës, Llazi Zoto

– Elitis ku kishte marë pjesë në një dasmë u kishte thënë kakaviotëve se: “Ta kesh zyrën në kufi është njëlloj sikur ta kesh shtëpinë mbi nevojtore”

– Për nëntë vjet me përjashtim të Enver Hoxhës dhe të Mehmet Shehut të gjithë udhëheqësit e tjerë e kanë vizituar zyrën ku po meditoj

– Në këtë zyrë Kadri Hazbiu më dha urdhër që ta informoja, se nëse grekërit do ta ngrenë godinën e tyre qoftë dhe një kat më lart

– Tek porta me tel me gjëmba ku përcolla Shtrausin ai tha: “Jam magjepsur nga agrumet e Riverës”.

Sefer Pasha

 

Pasi përcolla tek porta e Kakavijës një mikun tim poet ndalova dhe e hodha vështrimin rreth e qark. Edhe pse vetë e kisha vënë maskën për t’u mbrojtur nga korona qytetarët që hynin e delnin sesi më dukeshin. Ca më ngjanin si Don Kishot e ca si Sanço Pança. Sikur isha mes mullinjve me erë. Qytetarët që kishin vënë maska të zeza më shëmbëllenin me turinj arushe. Kurse ata me maska të bardha me kafka ujku kur ato i lanë dëbora e malit të Buretos. Prodhimi i maskave të përkora është kthyer në mani. Imitohen artist e kafshë të egra. Tek kjo portë kur unë qeshë oficer i ri kafshët bënin shetitje. Sot lëvizi imazhi i maskave të tyre. Sapo kaloi një deputet grek, i cili po shkonte në Sarandë. Maska e bardhë ja kishte mbuluar fytyrën dhe ai dukej sikur ishte fashuar në ndonjë aksident. Por ka dhe më keq. Shumë qytetar grek dhe shqiptar i varin maskat nën mjekër dhe ato ngjajnë si torba tagjie nga ato të mushkave të lumit. Kovidi i tmerrshëm është i paanshëm. Nuk bën dallime. Le të jesh Kryeministër në Angli apo kalimtar i thjeshtë në Kakavijë. Gjithsesi nuk ka kohë pa maska. Vetë godina e vjetër e Kakavijës ishte një bunker. Pra, një maskë.

Grekët nuk kishin bunker, por banesat i ndërtonin në formën e kalave.

Edhe planeti në këtë pikë të kozmosit është një maskë. Natyrisht që për herë të parë njeriu mbron me një copë beze organet e frymëmarrjes nga infeksioni . Një maskë shitet në oborrin e doganës greke sa një akullore. Por ajo të mbron sikur të bënte mijëra dollar. Këtu fshihet misteri. Kjo është çështja: – “Të rrosh a të mos rrosh”. Çasti është i keq për të gjithë. Kam lexuar një thënie të Gëtes që thotë: – “Këtij çasti s’ju shmang dot as ai që e mbledh qiellin, po të dojë si një pëlhurë”. Të shpresojmë që ky çast do të kalojë. Lexohen në të dy fletët e maskës dhe vargje dashurie. Gjithçka e kisha imagjinuar në kohën time. Mund të vritesha e posta kufitare të rrafshohej. Por këto pamje nuk i kisha përfytyruar. Me ushtarakët grek u përballa një jetë. Sy më sy për t’u shqyer me bajoneta. Ishim armiq në kuptimin e plot të fjalës. Por sot kur i pashë policët shqiptar dhe ata grek gjithashtu me maska i thashë vetes: “Me ushtarakët grekë një herë e një kohë ishim armiq. Edhe u vramë. Por qemë armiq të bukur”.                                                                                                                                                                                                                                                                                                              –     Nuk më rrihej më tek porta.

Mora lejë dhe u ngjita nga udha e vjetër për në katin e tretë të godinës, e cila dikur ka qenë posta kufitare e Kakavijës. Kam emocione të forta. Sikur dola në majën e Everestit. Futem në dhomën e vetme të cilën në rininë time e kisha zyrë. Kisha qëndruar në atë zyrë plot nëntë vjet. Kurse piramidë më piramidë rreth njëzetë vjet. U përpoqa të sistemoj me imagjinatën time modelin e zyrës së dikurëshme. Vendin ku kisha vendosur fotografinë e Enver Hoxhës. Tavolinën me pamje nga fshati Mavropull mbi degën e lumit të Drinos që vjen nga Janina. Vështrova të tre dritaret. Pas xhamave qenë puthitur fort pllaka çeliku që të mos depërtonin plumbat e armikut pak metra më tutje. Ishin bërë prova edhe me fishek të kalibrit 12.7. Të gjithë plumbat kishin bërë rikoshet. 12 metra përballë zyrës ishte vendroja e kufitarit grek. E kisha shumë afër dhe nuk e duroja dot. Në mëngjes kur delte dielli dhe unë dritaren e mbaja të hapur nga pasqyra e xhamit hija e ushtarit grek binte mbi mua, që isha i shtrirë në krevatin, i cili tek koka kishte gjithashtu një pllakë hekuri për të më mbrojtur nga plumbat. Dritares i bija nga inati me këmbë dhe ajo mbyllej. Qetësohesha. Tek po e rindërtoja skenën e teatrit të zyrës u mundova të përcaktoja se ku ishte saktësisht vendroja e ushtarit grek. Bëra një fare llogritje. Po aty në vitin 1940 kishte pasur kazermën poeti grek Odyseys Elitis, që ishte nëntoger dhe kishte marë pjesë në luftën Italo – Greke. Pra, jo shumë larg zyrës time në vitin 1940 poeti grek luftonte dhe shkruante. Ma ka treguar mësuesi i Kakavijës Llazi Zoto. Nëntogeri grek që kishte marë pjesë në një dasmë u kishte thënë kakaviotëve se: “Ta kesh zyrën në kufi është njëlloj sikur ta kesh shtëpinë mbi nevojtore”. Poeti minoritar Pano Çuka, më pati thënë se ai nuk e kishte lexuar në origjnal këtë thënie të poetit grek Odyseys Elitis. Ishin kohë dramatike. Poeti grek siç thoshin mësuesit që kishin mbaruar në Janinë, kishte luftuar gjatë muajve dhjetor 1940 – prill 1941, jo vetëm në Kakavijë, por dhe në fronte të tjera si në Argjirohor, Aranistë, Qafa e Muzinës e deri në Libohovë. Poetit Odyseys Elitisit i qe vrarë dhe një mik toger grek në funeralin e të cilit ai kishte lexuar një poemë klithësese. Në Libohovë qe sëmurur nga tifua dhe ishte kuruar në spitalin e Janinës. Por stuhia e urrejtjes së grekërve ishte e padrejtë. Në faqen e malit të Mavropullit shkruhej: “Oqi 1940” (Jo 1940). Akuzohej Shqipëria se i kishte sulmuar në luftën Italo – Greke. Lufta u zhvillua mes Italisë dhe Greqisë. Nuk e di nëse e dinte poeti Odyseys Elitis se shqiptarët e refuzuan argresionin fashist italian. Edhe ata pak shqiptar që u mobilizuan me forcë dezertuan. Me shpirt qenë në krah të popullit grek. Propoganda shoviniste se Shqipëria e ka sulmuar Greqinë ishte monstuoze. Me mllefin e ligjit të gjendjes së luftës forcat e kufirit shqiptar patën drama dhe humbje në njerëz. Katër mushka ngarkoheshin ditë për ditë me gur e zeje lumi. Qëllohej mbi çdo civil që i afrohej vijës së kufirit. Shtëpive të mbuluara me tjegulla u shtrohej dhe kashtë që të mos thyheshin nga shiu i gurëve. Të gjitha këngët greke, filmat, pikturat e koncertet kishin si motiv tragjedinë e Vorio – Epirit. Korça dhe Gjirokstra ishin të Greqisë. Pas fjalimit të Enver Hoxhës në Kongresin e Frontit Demokartik ushtria greke hapi 39 xhade për zbarkimin e tankeve nga Janina. Unë i lexoja poetët dhe shkrimtarët grekë. Vlerësoja më shumë Janis Ricosin, sesa Odyseys Elitis, i cili në 10 dhjetor të vitit 1979, mori Çmimin Nobel për letërsi.

Për nëntë vjet, me përjashtim të Enver Hoxhës dhe të Mehmet Shehut, të gjithë udhëheqësit e tjerë e kanë vizituar zyrën ku po meditoj. Arsyeja.

 

Aty maskoheshe dhe ushtari grek që ishte pak metra më larg nuk të vrojtonte. Njëra dritare në formën e një frëngjie kullash, ishte me pamje nga taraca e postës greke siç është edhe tani. Prej aty personaliteti vështronte me dylbi se ç’bëhej në teritorin grek. Sa shumë kujtime ruaj. Për gazetën po përcjell vetëm një takim të Kadri Hazbiut me oficerin e kufirit Hysen Hodo. Pikërisht në këtë zyrë Kadri Hazbiu më dha urdhër që ta informoja, se nëse grekërit do ta ngrenë godinën e tyre qoftë dhe një kat më lart, ne do të fillojmë punimet për ta ngritur  postën kufitare dhe dy kate të tjera sipër e më sipër. Unë mbeta pa mend. Për shkak të kuotës gjeografike godina jonë ishte rreth 100 e ca metra më e lart nga vendi ku ishte ndërtuar posta e re e kufirit grek, që qysh në ato mote u kthye dhe në doganë. Po çfarë i tha Hysen Hodo, Kadri Hazbiut? Kur Hyseni nisej me shërbim i raportonte komandant Enver Hoxhës. Ai shkonte tek fotografia dhe e informonte për çdo situatë natë apo ditë. Shpesh duke e nderuar me grusht i thosh Enver Hoxhës në foto: “Shoku komandant! Ndonjë edhe mundet ta dredhë. Por jo Hysen Hodo. Edhe kur të kujtoj në piramidë ngrihem në këmbë dhe nderoj me grusht”. Kadri Hazbiu e dëgjonte dhe qeshte. Por Hysen Hodos i ndodhi një ngjarje që desh e pagoi shtrenjtë. Një natë buzë lumit të Drinos që vjen nga Janina, Hysen Hodo kap një diversant grek. Qe mesnatë. I vë hekurat dhe e bie në këtë zyrë që tani është si punë muzeu. Pritej të vinte grupi operativ nga Gjirokastra. Hysen Hodo qe shumë i gëzuar dhe filloj të pijë konjak me llokume. Diversanti grek shikonte fotografinë e Enver Hoxhës. Hysen Hodo që nuk kishte ndonjë kulturë, e pyet diversantin në se e njihte atë që ishte në fotografi. Atë e njeh e gjithë Greqia dhe Europa, i përgjigjet diversanti. Qirjes Enver Hoxhën e duan shumë femrat greke. Edhe gruaja ime vdes për të. E kam një fotografi të Enver Hoxhës në albumin tim në Athinë. Oficeri i kufirit Hysen Hodo habitet. E mer diversantin grek dhe ia zgjidh duart. E çon në pyll, në vijën e kufirit, dhe i thotë që të mos vinte më në Shqipëri. Por Sigurimi i Shtetit qe i fortë. E mori vesh. Kjo u quajt shkelje e rëndë. Po bëhej gati fletë -arresti. Kadri Hazbiu ia tregon ngjarjen Enver Hoxhës. Dhe ai me buzë në gaz e porositë që të mos e arrestojnë. Dhe Hysen Hodon e transferojnë në Shijak. Atje vdiq.

U përpoqa ta rindërtoja takimin pranë kësaj dritareje në formë frëngjije me një nga shkrimtarët e dëgjuar të kohës. Bisedën me shkrimtarin e kam të qëndisur në një nga ditarët e mi. Ato shënime nuk i kam publikuar kurrë. Po t’i përcillja në këtë shkrim reportazhi nuk do të botohej. Nuk jemi ende të lirë. Shumë të vërteta të diktaturës nuk janë ashtu si thuhen e siç botohen në librat me shumë flamur. Shkrimtari kishte qenë në fshatin Bularat të Dropullit të Sipërm, ku kishte takuar muzikantin e verbër Ilia Gazhga. Përflitej se mandolinisti para shumë vjetëve i kishte bërë një letër Stalinit, të cilit i kishte kërkuar që ai t’i dërgonte një ilaç që t’i kthehej shikmi. Dhe Stalini ia kishte dërguar me pako ilaçin si dhe një letër të shkurtër. Për fatin e kësaj letre shkrimtari kishte shkuar deri në Bularat tek muzikanti i verbër Ilia Gazhga. Nuk dihet se çfarë i tha Ilia Gazhga shkrimtarit? Por unë kisha dëgjuar nga oficeri i Sigurimit të Shtetit për Dropullin e Sipërm, Petrit Bajraktari se letra e Stalinit ndodhet në Arkivin e Shtetit. Unë që bëra ciceronin i fola shumë shkrimtarit, por ai nuk ma vari teneqenë. Veçse kur i tregova me gisht gërmadhat, ku ka qenë kazerma e poetit grek Odyseys Elitis, ai e zgjati kokën dhe më tha: “Pse ka ardhur këtu poeti Odyseys Elitis”? Më kërkoi që t’i bënte një foto gërmadhës, ku kishte qëndruar poeti grek në vitin 1940. E kishim të ndaluar. Kur u ndava i thashë shkrimtarit se shkruaja poezi. “Nuk e di nëse di të shkruash, tha ai. Por nuk kam parë zyrë të ndonjë krijuesi tjetër si kjo ku shërben ti si ushtarak!”.

 Dal nga zyra e dikurshme dhe ngjitem në taracë.

Dridhem. Kujtimet më gërvishtin si kjo erë e gushtit. Në Kakavijë era nuk pushon kurrë. Kur komandoja prej këtej përgatitesha një gjysëm ore për të dalë ballë për ballë me ushtarin në vendrojen greke. Kisha një arkë ku mbaja flamur të rinj. I ngrija çdo mëngjes. Ishte kënqësi e madhe. Ngado që hedh vështrimin ndjej dhimbje. Një nga oficerët e talentuar, i cili qe dhe piktor, Edmond Makashi, pësoi në ato mote një dramë dashurie. Ishte 21 -vjeç. Vinte dhe qante në zyrën time. E mbështeste kokën në prehërin tim. Dhe drama nuk iu nda sa ia mori jetën. Ishim shumë miq. Në vitet e demokracisë arriti të bëhej Drejtor i Policisë së Durrësit. Mua më kishin pushuar nga puna. Një ditë më pa tek punoja si hamall. Nuk më foli. Prej dramës që i kishte rrënjët që në Kakavijë u var në litar me uniformën e kolonelit të policisë. Tani me sy kërkoj atë pishën ku të dy flisnim vetëm për artin. Kujtoj një natë. Të dy pinim raki. Grekërit pak më tutje pinin gjithashtu. Ndofta uiski. Papritur rreth 20 metra në pyllin e madh kuisi një çakall. Edmondi në kulmin e dramës thirri: – “Gëzuar çakall! Ta pimë këtë dolli për shëndetin tënd! Ti je i lirë dhe i lumtur. Unë jo. Çakall! Se mos bën ndonjë marrëzi dhe dashuron si unë. Do harrosh atë këngën e bukur që ja thua me kuisje”.

Lëviz ca nga taraca që të përvëlon.

E hedh vështrimin pak më tutje. Tek porta me tel me gjëmba përcolla Shtrausin. Detyra ime ishte të hapja portën. Taborri që e shoqëronte ishte nga Tirana. Dëgjova vetëm një fjali që e përktheu shoqëruesi. Shtrausi tha: “Jam magjepsur nga agrumet e Riverës”. Po aty pata përcjell gruan e shpikësit të penicilës, Flemingut, që kishte vizituar Tiranën. I recitova ca vargje në greqisht nga “Mëhallat e Botës” të Janis Ricosit. Nuk donte ta besonte. Kur më dha dorën më tha se kur do të vinte sërish nuk donte t’i shikonte telat me gjëmba. Të tjera ngacmime nuk më lënë të qetë. Me ndërtimin e godinës së re të doganës shqiptare është rrafshuar hani ku ka qëndruar dhe Ali Pashë Tepelena. Edhe kënga “Mora rrugën për Janinë”siç ma kanë shpjeguar nipërit gjirokastritë, pronarë  të hanit, pikërisht këtu është krijuar dhe kënduar. Nuk është më as lapidari kushtuar gjeneralit italian Telinit, i cili po ndante kufirin dhe e vranë grekrit. S’është as lisi ku ka pushuar Bajroni. Kur në kufi kishte situata oficerët e kufirit i urdhëronin njësitet e kufirit:  -“Bllokoni urgjent Lisin e Bajronit!”. Ku ta dinte poeti i madh anglez se lisi ku ai pushoi gjatë udhëtimit për në Shqipëri, do të kthehej nga kufitarët shqiptar në simbolin e së keqes.

E kam të vështirë të largohem nga dritaret e zyrës. Aty afër pashë një ulli. E njoha. E kisha mbjellë me duart e mia. Dashuroja një dropullite me emrin Vango. Nuk më lejuan ta merrja për nuse se kishte të arratisur. Në kujtim të saj mbolla një ulli. Ishte dhe ajo. Brigada e kooperativës  rregullonte brezaret që janë copra-  copra dhe sot. Aq bujë bëri sa edhe kufitarët i thërrisnin  Ulliri i Vangos. Ku mund të jetë tani Vangua? “Kush e di” thotë në një varg Nazim Hikmeti. Një shoku im po  nga Mallakastra, Petrit Goxhaj, u martua me një bukuroshe nga Sopiku i Pogonit. Jeton si kral në Athinë. Unë nuk kam lek që të botoj librat. Nuk e di nëse Petrit Goxhaj do ta lexojë këtë shënim në gazetë. Po ç’ishte ajo kohë i them vetes? Në fushën përballë që kakavotët nuk e mbillnin, “shkencëtarët” nga Tirana shtrinë një rrejtë teli sa e gjithë fusha. Rrjeta ishte me rrathë të hollë çeliku me mijëra fije. Po të bije në atë rrjetë të mbulonte merimanga e fijeve dhe nuk lëvizje dot. “Shkencëtarët” e prunë për eksperiment. Një mëngjes gjatë kontrollit u ndesha me një pamje të llahtarëshme. Në rrejtë kishte mbetur një ndihmës mjek nga Delvina që donte të arratisej. Dhe tre – katër metra me larg ishte kokolepsur një ujk. Ndihmës mjeku ulërinte. Ujku gjithashtu. Por ujku nuk e hante dot njeriu se e kishin gozhduar fijet e çelkut që të zinin frymën. Nuk është gjë plumbi tha delvinjoti. Vështrimi i ujkut ishte i papërballushëm.

Nesër do të lexoni:

– Pikërisht në këtë vend ku jam tani erdhi për vizitë një grek pasi ishte mik me Reiz Malilen.

-Fshati Koshovicë u nda në dy pjesë, ku ana shqiptare çdo darkë kishte këngë me klarinetë, grekët habiteshin

– Tek kjo zyrë erdhën për vizitë specialistët nga Gjermania, që bën rikonstruksionin modern të ujit “Glina”

– Si roja i grekut në rrethana të paqarta, që nga vendroja hapi zjarr dhe vrau kufitarin Llesh Pal Çupin nga Mirdita

– Makina me kufomën e Llesh Pal Çupit u nis për Gjirokastër kur 7 ushtarakë grekë të maskuar i dolën përpara makinës dhe u bindën për trupin

-Enver Hoxha komandantit të Kakavijës: Bëtë mirë që nuk hapët zjarr