Rrëfehet dirigjentja shqiptare që nisi të këndonte që 5 vjeç, mbaroi dy fakultete dhe mori vlerësimet me të larta

780
Sigal

PERSONAZH/
Flet dirigjentja e parë shqiptare dhe
mexosoprano
, Rozmari Jorganxhi

 

– Për herë të
parë kam kënduar në moshën pesë vjeçare në Kishën e Shën Gjergjit në Korçë

 

– Në shtëpinë
tonë kishim një gramafon, ku dëgjoheshin këngëtarët më të mëdhenj botërorë si
Karuzo, Beniamino Xhili, Tito Rufo, Liça Albaneze

 

Agjensitë TASS dhe ATSH
dhanë lajmin nëpër gazeta dhe revista :” Këngëtarja e re Rozmari Jorganxhi
mbaroi shkëlqyeshëm njëkohësisht dy fakultete”

 

Për herë të parë para publikut
si dirigjente kam dalë me suitën për kor dhe orkestër “ Vullnetarët” të të
ndriturit dhe të madhit kompozitor Tonin Harapi

 

Në këtë Konservator , sot Akademia e Artit të
muzikës, unë gjeta të ndriturin Lluk Kaçaj, Albert Papariston,  Maliq Herrin, Çesk Zadenë, Tish Daijen, Dhora
Lekën, Hamide Stringën.

 

-Për dirigjentë me mua kanë
studiuar Rifat Teqja, Milto Vako “Artist i Merituar”dirigjent kori

 

-Më vonë erdhën për studime në
këtë Konservator;  kompozitor Nikolla
Zoraqi, këngëtaret  si Irena, Gjergo,
Luiza Papa, Gjinovefa Heba,  Gaqo Çako

 

Albert Z.
ZHOLI

 

Rozmari është bashkëautore në librin “Dirigjimi
koral” me peagogun tjetër të dirigjimit koral Nexhmedin Dokon. Ajo e
fillon bisedën:
 Në radhë të parë ju falënderoj ju dhe gazetën
“Telegraf” për këtë intervistë, sepse më bëtë të
flas me bashkatdhetarët e mi, pas kaq vitesh. Dëshira për muzikën them, se ka
lindur me mua. Jam lindur dhe rritur në një familje me tradita muzikore nga ana
e tim eti, “Artistit të Merituar” Gaqo Jorganxhi, i cili këndoi për 65 vjet si solist
në qytetin e Korçës, që prej vitit 1920, kur u krijuan shoqëritë e para
muzikore në këtë qytet.  Vetë qyteti i Korçës
ka nxjerrë artistë lirike si Tefta Tashko Koço, Jorgjie Truja, e cila ka qenë
dhe regjisorja e parë e TKOB, Mihal Ciko, Kristaq Antoniu etj.( kanë qenë dhe
mbeten ikona, qe ngritën themelet e artit lirik në Shqipëri), të cilët im atë,
jo vetëm që i kishte miq, por ka kënduar me ta nëpër koncerte të ndryshme.

 

 

– Kur dhe ku keni kënduar për herë të parë dhe kush ju
nxiti për të vazhduar rrugën e bukur por të vështirë të muzikës?

 

Ishte im atë ai, që më ushqeu mua dhe ne të katër fëmijët e tij me
dashurinë, jo vetëm për artin e muzikës, por për të gjitha artet, si letërsinë,
teatrin, pikturën, kinematografinë etj. Për herë të parë kam kënduar në moshën
pesë vjeçare në Kishën e Shën Gjergjit në Korçë. Po kështu kur isha në shkollën
Foshnjërore të “Motrave Stigmatine” gjithmonë në shfaqjet e kësaj shkolle kam
dalë në skenë si soliste që në moshë fare të njomë. Më vonë pas çlirimit të
vendit, u çel në qytetin tim Shtëpia e Pionierit, ku im atë drejtonte sektorin
e solistëve dhe korin e fëmijëve. Në atë kohë ai ka krijuar shumë këngë për
shkollat e qytetit, për ne fëmijët e asaj kohe. Kam kënduar si soliste nëpër
koncerte të ndryshme, duete me të ndriturin Viktor Gjika, me vëllain tim
Rikardon, të shoqëruar nga orkestrina , ku merrnin pjesë Nasi  Shamia, Foto Proko, Thoma (Maqo) Panariti.
Ishin vite me shumë aktivitete artistike . Shkonim jepnim shfaqje nëpër fshatra
te rrethit të Korçës dhe në qytet.

 

 

 

-Kush ishte idhulli juaj i vegjëlisë në muzikë?

 

-Në shtëpinë tonë kishim një gramafon, ku dëgjoheshin këngëtarët më të
mëdhenj botërorë si Karuzo, Beniamino Xhili, Tito Rufo, por ajo që më tërhiqte
qysh fëmijë ishte zëri i Tefta Tashkos. U rrita duke dëgjuar atë zë të bukur.

 

-Si vazhdoi ecuria dhe edukimi juaj në
fushën e muzikës?

 

Në moshën pesë vjeç, fillova të marr mësime në kitarë dhe solfezh nga
muzikanti i mirënjohur, i ndrituri Gaqo Tërpini, për të cilin Ismail Kadare ka
shkruar poezinë “Kitaristi”. Kur shkoja të merrja mësime tek shtëpia e të
ndriturit Gaqo Tërpini, duke ecur me kitarën në dorë, fëmijët qeshnin në rrugë
me mua duke thënë: “Më e madhe kitara, se e zonja”, kaq e vogël isha. Më vonë,
mora mësime në piano me pianistin e mirënjohur dhe shumë të talentuar, të
ndriturin Boris Plumbi.

 

Në shkollën fillore apo 7-vjeçare  a patët ndonjë
moment vështirësie që menduat të ktheheshit nga kjo rrugë?

 

Korça ka pasur një traditë të shkëlqyer artistike dhe kulturore. Kur isha
ende fëmijë në shkollë (të cilën e kam filluar sa kisha mbushur 5 vjeç)
zhvilloheshin aktivitete artistike shume te bukura. Nuk mund të harroj e të mos
kujtoj këtu një nga mësueset e mia të para Meri Denasi, e cila krijonte tablo
të bukura muzikore dhe ne fëmijët i interpretonim. Me mua kanë qenë shokë
fëmijërie, shkrimtari i njohur Petraq Qafëzezi, regjisori “Artist i Popullit”  Viktor Gjika, Akademiku Aleko Minga, i
ndrituri Robert Andrea, i ati i artistes te mirënjohur Ema Andrea etj. Nuk e
mendoja në atë kohë, që do të bëhesha këngëtare lirike. Ëndrra ime, ishte të
mbaroja gjimnazin e Korçës dhe të bëhesha mjeke pediatre.

 

Si
shkuat në Moskë për studime? Kush ju përkrahu?

 

Pas mbarimit
shkëlqyeshëm  të shkollës 7 vjeçare, unë
kërkova të vazhdoja studimet në gjimnazin e Korçës, por për çudi nga Seksioni i
Arsimit atëherë më dërguan të studioja në shkollën pedagogjike të qytetit.
Atëherë duhej të bëje lutje për të vazhduar gjimnazin. Ndërkohë unë vazhdoja të
aktivizohesha si këngëtare soliste në koncerte të ndryshme, ku ndodhte shpesh,
që pasi kishte kënduar im atë të këndoja edhe unë.  Në një nga këto koncerte u ndodhën edhe
njerëz të qeverisë së asaj kohe (viti 1951) dhe me ta dhe një muzikolog  i njohur rus, i cili, siç mësova më vonë e
kishte vlerësuar zërin tim si “zë të kadifejtë”. Kjo, siç duket i bindi  krerët e qeverisë të vendosin, që unë të
shkoja me studime në Konservatorin e Moskës, si këngëtare. Atëherë, u vendos, që
në mes të vitit shkollor të shkoja për studime në Liceun Artistik “Jordan
Misja” në Tiranë, ku pata si pedagoge kantoje “Artisten e Popullit” Marie
Kraja. Në atë kohë pedagogë kantoje si ajo ishin dhe këngëtarët e parë lirikë
si Jorgjie Truja, Gjyzepina Kosturi, Mihal Ciko.

 

-Kush ishte me ju në Moskë për studime?

 

Me mua për studime
në Konservatorin e Moskës për kanto ishin: Avni Mula “ Nderi i Kombit”, Mentor
Xhemali “Artist i Popullit”,Gjoni Athanas “Mjeshtri i Madh”, Ibrahim Tukiqi
“Artist i Popullit”. E vetmja vajzë mes tyre isha unë dhe më e reja në moshë ,
vetëm 15 vjeç! Në këtë Konservator , sot Akademia e Artit të muzikës, unë gjeta
të ndriturin Lluk Kaçaj “Nderi i Kombit”, Albert Papariston,  Maliq Herrin, Çesk Zadenë “Artist i
Popullit”, Tish Daijen “Nderi i Kombit”, Dhora Lekën, Hamide Stringën. Për
dirigjentë me mua kanë studiuar Rifat Teqja “Artist I Popullit”, për  dirigjent orkestre dhe Milto Vako “Artist i
Merituar”dirigjent kori. Më vonë erdhën për studime në këtë Konservator  kompozitor Nikolla Zoraqi “Artist i
Popullit”,  këngëtaret  si Irena, Gjergo, Luiza Papa, Gjinovefa Heba,  Gaqo Çako “Artist i Popullit”.  Ndër kohë me mua në këtë Konservator kanë
studiuar Rifat Teqja “Artist i Popullit”, Pjetër Gaci “Artist i Popullit”,
Tonin Harapi “Artist i Popullit”, pra një plejadë e tërë artistësh… Me ne, në
të njëjtën periudhë kohë, studiuan për balet tre çiftet e para të baletit tonë
dhe koreografët e parë, që vunë themelet e shkollës së baletit Zoica Haxho,
Ganimet Vendresha, Melushe Bebeziqi, Agron Aliaj, Petrit Vorpsi, Xhemil
Simixhiu dhe si baletmaestër, Panajot Kanaçi dhe Skënder Selimi.

 

Cilat
ishin të veçantat e shkollimit në Moskë?

 

Ishte një shkollë
me kërkesa shumë të larta, në kuptimin e plotë të fjalës, ku jepnin mësim
kolosë të muzikës ruse dhe botërore si Shostatokiç, Shaporin, Shebalin,
Cullaki, Ferrè, Kabalevskij, Haçaturian, Daniel Shafran etj. Sikur të mos jepje
edhe një provim të pritej bursa, pra e drejta e studimit. Viti i parë për mua
ishte shumë i vështirë, veçanërisht tre muajt e parë, kur ende kisha vështirësi
me gjuhën dhe ne hymë menjëherë  në
leksione. Por, them, që me një studim rigoroz dhe me një vullnet të madh,
arrita të dal shkëlqyeshëm, në të gjitha provimet, që në vitin e parë derisa
mbarova, 7 vjet studime..

 

Si
ju lejuan të studionit dy degë, dirigjente dhe kanto?

 

Ishte komisioni i
pranimit në Konservator,  që e vendosi
këtë, që unë të vazhdoja njëkohësisht të dy fakultetet, pasi kisha mbaruar
shkëlqyeshëm vitin e parë për kanto. Kryetari i komisionit ishte vetë Rektori i
Konservatorit Profesor A.V. Sveshnikov, një nga dirigjentët më të mëdhenj të
korit. Ai dirigjonte korin rus, një nga koret më të mirë a capella, që
interpretante vepra të kompozitorëve para klasikë, klasikë rusë dhe kompozitorë
të tjerë botërorë. Bënte turne nëpër gjithë botën. Ishte një burrë në moshë,
shumë i gjatë. Sa më pa më përshëndeti me një buzëqeshje dhe më tha: “ Urime!
Kini mbaruar shkëlqyeshëm vitin! (ishte fjala për vitin e parë në Konservator).
Të lumtë!” Atë e tregonin shumë të rreptë dhe unë u habita, që më priti me
buzëqeshje. U ul pranë pianofortes dhe filloi të më bënte dëgjim akordesh.
Ishte një  dhomë e madhe, me qilima të
kuq, kur ky kolos i muzikës ruse kërkonte të më provonte për të hyrë ose jo në
fakultetin e dirigjimit. Pasi mbaroi tha: “Vesh i mrekullueshëm!” Pastaj m’u
drejtua mua: “Do të vazhdosh dirigjimin dhe kanton!” Dhe ashtu u bë.

 

Shkolla e lartë, ku konkurruat, çfarë
pjese luajtët dhe kush ishte në komision?

 

Kanë kaluar shumë e shumë vjet, që atëherë në vitin e
largët 1952, por më kujtohet, që kam 
kënduar një pjesë shqiptare dhe një pjesë nga kompozitori rus Glinka.
Për këtë pjesën e dytë, më ndihmoi në përgatitje mikja ime e mirënjohura Hamide
Stringa.

 

Cilët kanë qenë pedagogët tuaj të
kantos dhe dirigjimit koral?

 

Si pedagoge të kantos kam pasur ish solisten e Marinskij
Teatër të Leningradit (sot Pjetërburgut) dhe më vonë të Balshoj Teatrit të
Moskës, Ana Aleksandrovna Sallavjova “Artiste e Merituar”. Ajo u bë për shtatë
vjet jo vetëm pedagogia ime e kantos, por edhe një nënë e dytë për mua.   Gjithashtu si pedagog të dirigjimit koral në
fillim kam pasur Profesor V. P. Muhin, i cili ishte shef i katedrës së
dirigjimit koral. Ai ishte sa dashamirës me mua, por edhe aq i rreptë. Ishte
teoritik i përkryer, analist i partiturave dhe pretendonte shumë nga çdo
student. Më thoshte shpesh: “Kini një plastikë të lindur, për këtë kemi pak
punë”. Nga ai mora plastikën e dirigjimit, që e mbaj gjithmonë. Profesor Muhin
para se të dirigjoja pjesët më kërkonte të luaja në piano gjithë partiturën. Ai
nuk të linte të dirigjoje pa u ulur në piano dhe të kontrollonte  mirë përgatitjen tënde. Kur shkoja në podium
për të dirigjuar,  partiturën e kisha të
gjithë në kokë. Mbaj mend, që qysh në dy vjetët e para kam drejtuar pjesë nga
Palestrina, Hajden a capella “Stinët e vitit”, Gluk korale nga opera “Orfeu dhe
Euridiçe”, Bethoven “Mesha Solemne”, Moxart “Requiem”, Shuman a capella e pjesë
me shoqërim “Ciganët” etj. Nga autorët rusë ishin: Prokovjev nga opera
“Aleksandër Njevskij”-“Kjo ndodhi në lumin Njeva”, Çajkovkij korin e vajzave
nga opera “Eugjen Onjegin” etj.  Kështu
vazhdova dy vjet derisa profesori i ndritur Muhin vdiq nga tumori në mushkri..
Ai pinte shumë duhan… Vitet e tjera, që pasuan studiova me profesor
Aleksandër Borosoviç Hazanov, kryedirigjenti i “Balshoj Teatrit”, një burrë i
moshuar, i cili më zgjeroi dhe më zhvilloi më tej dijet e mia në dirigjim. Me
të repertori u bë me kërkesa më të mëdha, duke filluar nga pjesët a capella më
të vështira, oratorio, kantata dhe skena nga operat si “Boris
Godunov”,”Hvashina”, “Faust”, Kantata nga Prokovjev, Shostatokoviç etj., a
capella nga Brams, Tanjejev, Mesha si-minor nga Bah etj. Fakulteti i dirigjimit
i kishte të gjitha lëndët më të zgjeruara, duke filluar nga solfezhi, që bënim
me profesor Hvostenko, për të cilin studentët thoshin, se njëherë ishte
shprehur: “ Zoti e di solfezhin për pesë, unë për katër, juve ju mjafton
treshi”. Historinë e muzikës, literaturën muzikore e bënim me program të
zgjeruar vetëm për dirigjentët, po ashtu u shtuan lëndët e harmonisë dhe
polifonisë. Në klasën e korit, që zhvillohej 8 orë në javë kishim si profesor
Vlladisllav Genadjeviç Sokollov, një dirigjent shumë i njohur i ish B.S. Kori
përbëhej nga gjithë studentët e dirigjimit koral dhe këngëtarë profesionistë.
Aty vihej në praktikë puna e bërë në klasë. Aty mësova për herë të parë
vokalizat korale, si punohej vokalisht me korin, jo vetëm intonacioni, por
impostimi i çdo parti koral në veçanti dhe pastaj gjithë kori. Nga impostimi i
mirë krijohet edhe unifikimi i tij. Në vitin e fundit me kompozitorin Lenskij,
studiova si të përpunoja për kor pjesë të ndryshme. Ishte një lëndë, që më
tërhiqte. Nga pjesët, që punova i pëlqyen shumë Profesorit “Pieta Signore” e A.
Atradelës për solist e kor, një pjesë nga Kerylf. Pastaj punova edhe këngë
popullore shqiptare si “Dola në penxhere” (solo e kor), “Asaman, moj lule”. Diplomën
për kanto e mbrojta duke interpretuar rolin e Kerubinit në operën “Dasma e Figaros”,
kurse atë për dirigjim me dy pjesë a capella Brams dhe Sen-Sans-“Bolero”
(përpunuar për kor a capella nga Sveshnikov). Të dy diplomat i mbrojta
shkëlqyeshëm dhe për këtë agjencitë TASS dhe ATSH dhanë lajmin nëpër gazeta dhe
revista :” Këngëtarja e re Rozmari Jorganxhi mbaroi shkëlqyeshëm njëkohësisht
dy fakultete”. Ishte muaji maj i 1959-s. 

 

-Cilat janë vështirësitë e të qenit
dirigjente? Ku janë vështirësitë?

 

Dirigjenti duhet të jetë gjithmonë i përgatitur dhe vështirësitë natyrisht
zvogëlohen kur ai është i ngritur, jo vetëm nga ana profesionale si muzikant,
por edhe ajo kulturore. Duhet të jetë një njohës i shkëlqyer i artit të të
kënduarit dhe me një vesh muzikor shumë të mirë. Mua më ka ndihmuar shumë në
punën time si dirigjente të qenit vetë këngëtare, ashtu siç më ka ndihmuar edhe
profesioni i dirigjentes në rrugën time artistike si këngëtare lirike.

 

– Cila është pjesa e parë që keni drejtuar si
dirigjente. A morët notën që dëshironit nga publiku? Si reaguan kolegët?

 

-Për herë të parë para publikut si dirigjente kam dalë me suitën për kor
dhe orkestër “ Vullnetarët” të të ndriturit dhe të madhit kompozitor Tonin
Harapi. Unë do të theksoja, se kisha dhe kam një respekt të veçantë për të
ndriturin mjeshtrin e parë të korit të TKOB 
artistin e shquar,  Kostandin
Trako, me të cilin kam pasur bashkëpunim të vazhdueshëm për drejtimi e pjesëve
korale të përpunuara prej tij. Gjithashtu në korin e TKOB, që unë drejtoja
ishte këngëtare dhe bashkëshortja e tij, Eleonora Trako, një nga këngëtaret e
para të këtij kori, që në vitin 1945, një grua fisnike. Kolegët e mi, që nga i
ndrituri Tonin, që ishte jo vetëm një kompozitor dhe muzikant i shkëlqyer, por
edhe një erudit në kuptimin e plotë të fjalës, më përgëzuan për këtë debutim të
parë timin si dirigjente kori. Gjithashtu do të theksoj, se që në hapat e mia
të para si dirigjente kam punuar me korin pjesë të dirigjentit të parë të TKOB
dhe kompozitorit  të ndriturit Kostandin
Trako “Mjeshtri i Madh”. E kam ftuar atë gjatë punimit që iu kam bërë pjesëve
të krijuara prej tij. Kisha një respekt të veçantë për këtë dirigjent dhe
krijues.

 

Nesër do të
lexoni:

-Ndër kohë me mua në këtë
Konservator kanë studiuar Rifat Teqja “Artist i Popullit”, Pjetër Gaci “Artist
i Popullit”, Tonin Harapi “Artist i Popullit”,

Në vitin 1976 propozuan
tri herë për një titull për mua, por nuk e di pse ai nuk m’u dha, por m’u dha
dy here Urdhri “NAIM FRASHËRI” Klasi  II

Drejtorë të TKOB kanë qenë,
Albert Papristo, Koço Vasili, Mustafa Gërcalliu, Xhemil Simixhiu, Riza Hajro.

 

– Në moshën 57
vjeçare konkurrova në Teatrin e Operës “Xh. Verdi” në Trieste më
1993,

ata që do të
konkurronin ishin në moshën e fëmijëve të mi

– Të nesërmen
ishte vetë Drejtori Artistik i teatrit të Operës “Xh. Verdi”, që lajmëroi me
telefon bashkëshortin tim, duke i thënë që kisha dalë e para dhe se për ta,
kisha qenë “një fenomen”!

 

Vunë themelet e shkollës së baletit Zoica Haxho,
Ganimet Vendresha, Melushe Bebeziqi, Agron Aliaj, Petrit Vorpsi, Xhemil
Simixhiu dhe si baletmaestër, Panajot Kanaçi dhe Skënder Selimi.