Qëndrimi i popullit shqiptar dhe Ushtrisë Nacionalçlirimtare ndaj forcave të ushtrisë italiane pas kapitullimit

1624
Sigal

Orhan FRASHËRI

Veterani

Shtabi i përgjithshëm i Ushtrisë Nacionalçlirimtare Shqiptare, mbështetur në thirrjen e Këshillit të Përgjithshëm udhëzonte komandat e grupeve partizane mbi qëndrimin kundrejt trupave kapitulluese italiane. Situata e krijuar na lyp të parashtrojmë masat që duhet të marrim karshi forcave italiane, që kapitulluan pa kushte.- “Qëndrimi ynë karshi kësaj ushtrie duhet të jetë ky: Të thërresim të vëllazërohen me ne në luftë kundër gjermanëve, të dezertojnë në male dhe të dorëzojnë në duart tona depot me çfarëdo materiali ushtarak. Ushtarët italianë që dëshirojnë, me vullnetin e tyre të luftojnë, të formojnë formacione me ta nënë komandën e oficerëve të tyre. Ata që s’duan të luftojnë, të çohen në prapa vijë për punesa të ndryshme dhe t’u merren armët, me të cilat të armatosen partizanët, që luftojnë për çlirimin e tyre kombëtar dhe nuk kanë asgjë kundër tyre dhe popullit italian (Dokumente të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë N.ÇL. 8 korrik 1943, 30 korrik 1945 f.24, 87,88) Të udhëhequr nga këto udhëzime të Shtabit të Përgjithshëm, Shtabi i Qarkut të Beratit, ashtu si edhe në shtabe të tjera të ushtrisë, u vu në lëvizje për të marrë kontaktet me komandat e ushtrisë italiane të dislokuara në Berat, Ura Vajgurore, Kuçovë. Të deleguarit e shtabit të qarkut morën takime me komanda të ushtrisë italiane, duke u bërë të njohur kërkesat e thirrjes të Shtabit të Përgjithshëm për të bashkuar forcat ne ato të popullit shqiptar e të Ushtrisë N.ÇL. të Shqipërisë, të mos luftonin për një çështje që nuk ishte e tyrja, “se armiqtë e vërtetë të Atdheut të tyre, nuk ishin aleat për nazistët gjermanë, të cilët kishin pushkatuar italianë,sepse populli Italian do t’i jap fund luftës dhe të fitohet paqja dhe liria.” Në shkallë vendi iu përgjigjën thirrjes së Shtabit të Përgjithshëm rreth 15000 ushtarë dhe oficerë italianë, nga ata që ishin dislokuar në Shqipëri. Nuk pranonin t’u dorëzoheshin trupave gjermane por kaluan në zona të çliruara, nga Ushtria Nacionalçlirimntare e Shqipërisë, duke bashkuar kështu fatet e tyre me ato të popullit shqiptar.

Nga trupat italiane që kaluan në zona të çliruara, rreth 1500 ushtarë dhe oficerë shfaqën dëshirën për të luftuar krah për krah me partizanët shqiptarë kundër nazistëve gjermanë. Në kazermat e qytetit të Beratit, partizanët u takuan me majorin, kirurg dr. Alessio, i cili u tregua i gatshëm për t’u dhënë partizanëve nga depot, batanije, veshmbathje për spitalin partizan, që funksiononte në Skrapar dhe pa humbur kohë, e gjithë sasia e këtyre materialeve u transportua për në depot e Komunës Vërtop dhe më vonë drejt Skraparit. Dr. Alessio bashkë me disa ushtarë dhe oficerë italianë u inkuadrua me forcat partizane të shtabit të qarkut, ku bashkë me ta luftuan për lirinë e atdheut të tyre dhe të popujve të shtypur nga fashizmi. Lufta e Dytë Botërore ishte një provë e madhe për mbarë njerëzimin. Si e tillë ajo peshoi e vuri në provë karakteret, mundësitë e fuqive e popujve dhe të vendeve që u përfshin në flakët e saj. Për Shqipërinë dhe shqiptarët, sidomos si një vend i vogël, që rrezikoheshin të humbitnin për shumë kohë lirinë e pavarësinë e ndoshta edhe vet qenien e tyre si popull e si komb. Lufta kërkonte jo vetëm angazhimin total në vijën e zjarrit por edhe veprime e qëndrime politike të matura, të peshuara mirë, që të shprehnin ne çdo hap e në çdo rast, ndjenjat dhe aspiratat e popullit, por njëherësh të vijonin traditën historike, përvojën, që kishte mbizotëruar në të gjitha etapat e historisë sonë, për miqësi e bashkëpunim të sinqertë me të gjithë popujt, mbasi ata në thellësinë e tyre mbeten kurdoherë progresistë, pavarësisht se ata mund të imponohen nga rrethana, që nuk varen prej tyre, aq më shumë populli italian, një popull me kulturë e qytetërim të hershëm, që aq shumë i ka dhënë qytetërimit evropian e atij botëror. Ai kurrsesi nuk mund të pajtohej me agresionin e ndërmarrë kundër popujve dhe vendeve të tjera, sidomos kundër fqinjit të vet, popullit të vogël shqiptar, me të cilin e lidhte një miqësi tradicionale, që kishte spikatur, të paktën, që nga koha e Skënderbeut, për pastërti e afërsi ndjenjash, kulturash e traditash. Historia e brezave ka kaluar dhe ajo e re dëshmon, se popujt tanë ndër shekuj, kanë rrojtur në miqësi e mirëkuptim. Nuk është e rastit, që në periudhën më të errët të historisë sonë, në periudhën e pushtimit osman, arbëreshët, të detyruar të lënë mëmëdheun, e të emigrojnë, në dhe të huaj, gjetën strehë në Italinë fqinje, ku u vendosën për të jetuar përgjithmonë,në mes të vëllezërve italianë, që u trajtuan e u mirëpritën si në shtëpinë e tyre. Kështu erdhi dhe u krijua në ndërgjegjen e popullit shqiptar, një gjykim i drejtë, realist, për fqinjin tonë të përtej detit, për kombin italian, të njohur në histori për qytetërim të lashtë por edhe për shpirtin e madh human. Është e vërtetë që historia dëshmon edhe për pika të errëta, siç kanë qenë 20-ta dhe 39-ta, të cilat sollën vështirësi e pengesa në marrëdhëniet midis dy vendeve tona, sikurse janë të njohura edhe pasojat dëmprurëse, që kanë sjellë në marrëdhëniet midis tyre. Megjithatë popujt tanë kanë ditur të përballojnë situatat që u janë imponuar në raste të tilla, sepse kanë pasur besim në ndjenjat e sinqerta të njëri tjetrit, në dëshirat e tyre për të jetuar në paqe, në miqësi e mirëkuptim me njëri tjetrin. Pikërisht kjo logjikë ka mbizotëruar edhe në vitet e vështira të Luftës së Dytë Botërore. Populli ynë, i dalluar gjithnjë për një ndjenjë të thellë realizmi edhe në ato moment, që kalonte vendi dhe bota nuk e humbi për asnjë çast toruan, ai nuk ra në grackën e propagandës fashiste, që kërkonte ta joshte e ta hidhte atë në aventurën ushtarake për ta bërë, kështu, bashkëfajtor, në krimet e veta. Por ai nuk ra as në pozitat e ekstremizmit politik, për rrjedhojë, nuk ngatërroi e nuk identifikoi asnjëherë fashizmin, këtë pjellë të qarqeve më reaksionare, me popullin italian, të njohur në histori për kulturë, emancipim e qytetërim të hershëm. Fashizmi nga ana e tij përbënte një përjashtim nga jeta normale politike e Italisë, ishte një absurditet në historinë e saj, që solli dëme e pasoja shumë të rënda, në radhë të parë për vet popullin Italian.

Historia e zhvillimit të marrëdhënieve me Italinë fqinje, tregon se edhe në momentet më të rënda,siç kanë qenë, 20-ta dhe 39-ta, dy popujt tanë e kanë kuptuar mirë njëri tjetrin. Ata janë përpjekur së bashku t’i lehtësojnë e t’i kapërcejnë dhembjet që u janë shkaktuar në rrethana të caktuara nga faktorë e forca që u janë imponuar atyre. Lëvizja Nacionalçlirimtare, duke u nisur nga këto konsiderata dhe duke bërë interprete e ndjenjave e dëshirave të mbarë popullit shqiptar, diti të përpunojë e të zbatojë në këto rrethana një politikë realiste, që i përgjigjej situatës, që kishte vendi dhe bota e që shtronte e kërkonte një angazhim total të forcave të gjalla në luftë për shpartallimin e fashizmit. Pikërisht, në këtë terren u gjetën pikat e takimit e të veprimit me popullin italian, në ato vite të vështira për dy vendet tona. Duke përpunuar qëndrimin ndaj Italisë, Lëvizja Nacionalçlirimtare shqiptare, e bën të qartë që në fillim, dallimin midis klikës fashiste, që kishte marrë në dorë fuqinë në Itali, nga një ra anë dhe popullit Italian nga ana tjetër. Populli ynë shfaqi kulturën dhe humanizmin e tij tregoi bujari dhe urtësi shqiptari, duke u shtrirë dorën e miqësisë, atyre, që kishin ardhur si pushtues. Një pjesë e tyre iu përgjigjën pozitivisht thirrjes dhe u rreshtuan përkrah partizanëve, duke u rreshtuar në batalione e brigada partizane. Të tjerët, që nuk pranuan të luftojnë, u strehuan nëpër krahina të rrethit dhe u sistemuan në vatrat e popullit, si në Shpirag, Tërpan, Nahije etj.,të cilët megjithëse të varfër, nuk kursyen asgjë, duke kryer kështu një gjest tepër njerëzor e të veçantë për vlerat, që mbart. Kur na morën si robër, tregojnë oficerët italianë, asnjë nuk fliste, të gjithë mendonin se çfarë do të ndodhte me ne, që erdhëm si pushtues dhe tani ndodhemi midis partizanëve, të cilët janë shumë të dashur, të çiltër e të sinqertë në miqësinë që tregojnë ndaj nesh. Gjatë kohës së qëndrimit në Shqipëri, ushtarët italianë, e ndjenë në çdo çast, kujdesin e komandave partizane dhe të popullit të krahinave, ku ata jetuan e vepruan së bashku me partizanët shqiptarë. Këtë përkujdesje e kanë vënë në dukje, në kujtimet dhe shkrimet e tyre antifashistët italianë, që luftuan së bashku me partizanët shqiptarë, si edhe plot studiues të tjerë në Italinë fqinje. Autorë italianë shkruajnë në librat e tyre, duke pasqyruar me vërtetësi realitetin në marrëdhëniet me antifashistët italianë. L.A.N.ÇL. e popullit shqiptar ndoqi rrugën e diskutimit e të dialogut, duke përjashtuar dhunën dhe çdo formë imponimi.

Mario Pantriçi, në librin e tij, nënvizon se fuqitë italiane, në radhët e L.A.N.Ç. të popullit shqiptar, bëhej mbi bazën e parimit e të solidarizimit. Do të ishte i gabuar mendimi, se komandantët shqiptarë kanë ushtruar diskriminime të veçanta mbi italianët, që qëndruan për të luftuar me ta. Në botime të ndryshme italiane flitet edhe për kontributin e antifashistëve italianë në favor të L.A.N.Ç. të popullit shqiptar. Mundësinë që u krijua për të mos rënë në thonjtë e gjermanëve, për të kryer me nder detyrën si atdhetarë dhe antifashistë italianë, në interes të atdheut të tyre. Ata e shpërblyen, duke dhënë në këtë proces një ndihmë të çmuar. Mjaft mjekë, si doktor Alessio, të cilin Shtabi i Qarkut të Beratit, e vendosi përgjegjës, mjek kirurg, në spitalin partizan të qarkut. Artiljeri, n/kolonel Barba, e shumë të tjerë, luftuan në tokën shqiptare, me guxim e lavdi, me një shpirt të lartë demokratik dhe i treguan botës që, fashizmi është, gjithashtu, armiku i tyre. Pushtuesit gjermanë me Ballin Kombëtar, synonin për pushtimin e qytetit të Beratit, për ta bërë atë një kryeqendër të tyre, në Shqipërinë e Jugut dhe prej këndej të shkatërronin e t’i jepnin fund luftës partizane. Më 5 nëntor 1943, gjermanët dhe ballistët, me 3000 veta,të shoqëruar me tanke dhe autoblinda, filluan sulmin e tyre. Forcat e Batalionit “Antonio Gramshi” bashkë me forcat e Batalionit të Rinise “Margarita Tutulani” u përhapën me njëherë në pozicione të para përgatitura dhe iu përgjigjën me zjarr kundërsulmit, duke bërë një qëndresë të admirueshme në muret e Kalasë. Armiku pati humbje të mëdha, por në fushën e luftës ranë 15 partizanë italianë, midis tyre komisari i batalionit, Bruno Bruneti, si edhe tre partizanë shqiptarë. Në Qafën e Kalasë është ngritur një lapidar madhështor, në përjetësim të luftimeve,që kanë zhvilluar forcat e Shtabit të qarkut të Beratit, në bashkëpunim me trupat italiane të inkuadruara në Batalionin Partizan “Antonio Gramshi” Pranë këtij lapidari, herë pas here janë zhvilluar biseda me të rinjtë e shkollave, ku kanë folur veteranë, mbi luftimet e zhvilluara dhe mbi heroizmin e partizanëve shqiptarë dhe italianë. Po kështu ,pranë lapidarit,kanë ardhur disa herë partizanë italianë, së bashku me familjet e tyre(Gra e fëmijë)për t’i njohur me luftën e rreptë dhe trimërinë e tregu ar ndaj nazistëve gjermanë. Për të vizituar këtë lapidar, kanë ardhur edhe kuadro drejtues të këtij batalioni, njëkohësisht ish-kryetar i shoqatës të luftërave të rezistencës antifashiste në Itali, miku i popullit shqiptari i ndjeri.

Arturo Foski Lecenca Itali, i cili thoshte:”Unë jam atdhetar italian por jam edhe partizan shqiptar” Ndërkohë, doktor Alessio tregon: “Kam lënë testament në familje, kur të vdes, të më mbulojnë me flamurin shqiptar” Veteranët e L.A.N.Ç. gëzohen dhe njëkohësisht krenohen, kur ftohen të shkojnë në Itali, për të festuar 29 Nëntorin, ditën e çlirimit të Shqipërisë. Shoqata nacionale e rezistencës antifashiste italiane, me rastin e 65-vjetorit të çlirimit të Shqipërisë dhe kontributin që kanë dhënë partizanët italianë, për çlirimin e vendit tonë nga nazifashistët, zhvilloi në qytetin Fondatore, të krahinës së Lombardisë, të zonës së Milanos, një sërë aktivitetesh interesante. Në këtë aktivitet ishte ftuar anëtari i Komitetit kombëtar të Veteranëve, shoku Xhaferr Peçi, të cilit iu rezervua një pritje madhështore nga ish-bashkëluftëtarët e Batalionit “Antonio Gramshi” të cilët kanë luftuar në Shqipëri dhe kanë qenë dëshmitarë në ditën e çlirimit të atdheut,më 29 nëntor 1944. Organizata jonë e veteranëve te L.A.N.Ç. është ftuar dhe ka marrë pjesë në të gjitha kremtimet, që janë bërë në botë, për 9 Majin. Jo vetëm ka marrë pjesë po shumë veteranë janë dekoruar në përvjetorët e 9 Majit. Edhe në festimin e këtij viti, që u organizua në Francë dhe në Rusi, Komitetit Kombëtar të Luftës së Popullit Shqiptar, i dërguan ftesën, për të marrë pjesë në manifestimin madhështor për 9 Majin, ditën e fitores mbi fashizmin. E gjithë bota demokratike nderon dhe dekoron antifashistët që prunë 9 Majin e 1945. Bashkëpunëtorët e fashistëve dhe nazistëve dhe pinjollët e tyre, përpiqen, që të mohojnë vlerat e L.A.N.Ç. të popullit tonë. Ata të përkrahur edhe nga segmente të së djathtës, po orvaten ta quajnë L.A.N.Çl. luftë civile dhe ish-bashkëpunëtorët, që dje vranë, dogjën dhe masakruan bashkë me pushtuesit, t’i paraqitin si nacionalistë të kulluar. Organizata jonë e veteranëve është pozicionuar, që në fillim kundër këtyre orvatjeve, u ka dhënë dhe do t’u japi, në çdo kohë, atë përgjigje që meritojnë. Në Kalanë e Beratit, kanë rënë 20 ushtarakë italianë, ndërsa jashtë rrethit të Beratit,duke qenë partizanë të Brigadës së VII sulmuese,kanë rënë 9 ushtarë,partizanë italianë. Gjaku i derdhur i këtyre luftëtarëve në tokën shqiptare, në luftën e përbashkët kundër të njëjtit armik nazi-fashizmit, përbën një nyje historike në marrëdhëniet miqësore midis antifashistëve të dy popujve tanë në përgjithësi dhe një shembull frymëzimi për brezat e ardhshëm. Nderimi për të rënët, në emër të lirisë dhe simbolet që lidhen me të, është një veti e çmuar e popullit tonë, sepse emrat e tyre janë pjesë e krenarisë kombëtare. Duke nderuar martirët, populli ynë nderon veten, nderon gjakun e derdhur të bijve të Napolit, të cilët ranë si heronj në luftimet e rrepta për çlirimin e ShenPal-Mirditë, kundër gjermanëve: Alessio Orlando, Emilio Fidele, Orlando Alessio, si edhe bijtë e Firences, rënë si trimat kundër gjermanëve, për çlirimin e qytetit të Lezhës: Të pavdekshmit Anxhelo Xhuzepe, Andonelo Kohen, Bino Bruno Ninno, Xhorxhi Martini. Nderimi që populli ynë u bënë gjithë partizanëve italianë, që dhanë jetën, për çlirimin e Shqipërisë dhe për fitoren mbi nazifashizmin, mirënjohja që ai shfaq për të gjithë ish-partizanët italianë, që kanë qenë dhe janë njerëz të nderuar në vendin e tyre, nuk është vetëm nderim për Luftën kundër fashizmit por njëherësh, nderim dhe mirënjohje për të gjithë popullin italian, i cili, në këto ditë të vështira të tranzicionit të zgjatur për popullin tonë, na është gjendur si një mik i mirë. Italia fqinje, populli dhe shteti i saj, na ofruan gjithë ndihmën dhe mbështetjen e duhur. Qindra e mijëra refugjatë shqiptarë, të detyruar të emigrojnë për shkak të gjendjes së vështirë ekonomike, gjetën strehë në Italinë fqinje, ku u strehuan, u punësuan dhe u inkuadruan në jetën normale të Italisë. Urat e miqësisë midis popujve tanë, kanë në themel luftën e përbashkët, kanë gjakun e derdhur, kanë aspiratat,për një të ardhme më të mirë e me dinjitoze. Janë këto ura miqësore, që i japin aq shumë vlera heroizmit të bijve të popullit Italian, që si antifashistë e partizanë, luftuan përkrah partizanëve shqiptar. Kjo përbën një gur themeli në miqësie tradicionale shqiptaro-italiane,që po e mbush dhe po e pasuron atë me një përmbajtje të re e me elemente të rinj, në dobi të prosperitetit të të dy vendeve tona por dhe të paqes e sigurisë në rajon.