Kadri Hazbiu, i gatshëm të linte ministrinë për t’u bërë pilot

1757
Leonard VEIZI

(Vijon nga numri i kaluar)
INTERVISTA III/ Flet Arif Bizhga, ish-zv/drejtori i Drejtorisë së Kuadrit në Ministrinë e Brendshme
Ka punuar me dy emrat më të përfolur të Ministrisë së Brendshme, Mehmet Shehun dhe Kadri Hazbiun. Emri i tretë, akoma më i përfolur, Koçi Xoxe, ishte pushkatuar më parë. Por dhe dy ministrat e tjetër që do të vinin pas tij do të ishin të njëjtin fund. Ndërsa i vetmi që do t’i shpëtonte “gijotinës” ishte Hekuran Isai. Arif Bizhga, ish zv/drejtori i Kuadrit të Ministrisë së Brendshme gjatë intervistës ekskluzive për gazetën “Telegraf”, rrëfen për punën dhe vdekjen e dy eprorëve, por dhe për detaje të tjera nga jeta në zyrën e kuadrit të Ministrisë së Brendshme.

Pasi u largua nga grupi i shoqërimit të Enver Hoxhës, ku e morët emërimin?
Meqenëse isha në organikë të Ministrisë së Brendshme, ajo më tërhoqi në aparatin e saj dhe fillimisht u emërova në zyrën e kuadrit si shef seksioni. Drejtoria e kuadrit kishte disa seksione, por unë përgjigjesha për kufirin. Kjo punë do të vazhdonte deri në vitin 1952, kur u emërova si zv/drejtor i Drejtorisë së Kuadrit kur drejtor ishte Halim Pulo. Në këtë detyrë pata rastin që të komunikoja shumë shpesh me ish ministrin e asaj kohe Mehmet Shehun, ku e informoja dhe kërkoja firmën e tij për lëvizjet e ndryshme që bëheshin në kuadër. 

Si e mbani mend Mehmet Shehun e atyre viteve?
Ai ishte i ashpër dhe i rëndë si njeri, por ishte i drejtë. Kishte kërkesë të lartë llogarie. Por dhe ai vetë ishte shumë i aftë në organizimin e punëve. Megjithëse tip i rrëmbyer, nëse i raportohej për gabime të të tjerëve, ai nuk e vinte menjëherë firmën për shkarkim, por gjykonte dhe kërkonte të dinte më shumë, në se e meritonte një oficer të zbriste në detyrë apo të largohej. Por nëse e vinte firmën nuk kthehej më mbrapa. Me Mehmet Shehun punuam deri në fundin e vitit 1953, sepse në fillim të vitit 1954 ai u emërua kryeministër.

Cili do ta zinte vendin e tij?
Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, që ishte Kadri Hazbiu. Me të do të punoja gjatë, derisa do të dilja në pension në vitin 1981. 

Çfarë ndryshonte në stilin e punës mes Kadri Hazbiut e Mehmet Shehut?
Kadriu kishte cilësi të veçanta, nga të gjithë superiorët me të cilët kam punuar e kam njohur. Ai ishte tip “masoviku”. Të dëgjonte me vëmendje për problemet që i ngrije. Pranonte dhe arsyetimet që i bëheshin. Nëse hidhte një firmë për një problem, mund të bënte dhe të kundërtën ta anulonte nëse i shtroheshin arsyetime të tjera. Një gjë të tillë nuk e pranonte Mehmet Shehu. Por Kadri Hazbiu thoshte: “Unë e firmosa, unë mund të firmos sërish për të kundërtët, mjafton që e drejta të vihet në vend”. Pastaj kudo që shkonte në popull, për takime partie, sepse ai ishte dhe anëtar i Byrosë Politike, ai fitonte simpatinë e turmës.

Keni ndonjë peng nga puna në aparatin e ministrisë së Brendshme
Një peng të madh më mbeti që nuk më lanë të vazhdoja shkollën e lartë të Bashkimin Sovjetik. Unë bashkë me të tjerët në Drejtorinë e Kuadrit, firmosëm për tre grupe oficerësh që shkuan me studime në BS. Fillimisht përzgjodhëm oficerët me mesataren më të lartë dhe që kishin arritje të punën e tyre. Grupimi i dytë ishin ata të mesmit dhe grupimi i tretë, edhe pse jo shumë të aftë nga ana profesionale, u krijua një kontigjent që të mund të aftësoheshin në akademitë ruse. Një ditë i shkoj në Zyrë Kadri Hazbiut, dhe pas firmosi për një kontigjent studentësh që donin të shkonin në BS i them: “Tre grupe çuam shoku Kadri, por unë nuk u futa në asnjërin prej tyre. E pra unë kam shumë dëshirë të përfundoja studimet jashtë shtetit”. Por Kadriu ma ktheu: “Ti Arif na duhesh këtu. Edhe këtu mund ta përfundosh shkollën e lartë. Dhe sa për dëshirë, unë s’do isha në këtë karrige, por do isha bërë një aviator, ashtu siç kam ëndërruar gjithmonë. Kësaj s’kemi ç’ti bëjmë. Detyra e do që t’i të qëndrosh këtu”. Dhe kështu u mbyll kjo bisedë. Unë natyrisht përfundova shkollën në Tiranë, por më mbeti peng që nuk shkova në Bashkimin Sovjetik si shumë të tjerë. 

Të dy ministrat e Brendshëm me të cilët ke punuar kanë pasur një fat tragjik. Si e morët vesh lajmin e vetëvrasjes së Mehmet Shehut?
Atë ditë isha me shërbim në Korçë. Në fakt edhe pse kisha dalë në pension, më thërrisnin shpesh për të dhënë eksperiencë. Kështu që ato ditë dhjetori unë ndodhesha në qytetin e Korçës me një grup punë nga Ministria e Brendshme dhe Kryeministria. Të zënë me punën tonë nuk kishim dëgjuar asnjë lloj lajmi dhe në darkë po shkonim drejt turizmit të Korçës për të ngrënë darkë. Tek shkallët na arrin një oficer i grupit dhe na thotë: “E morët vesh apo jo? Kryeministri ka vrarë veten. E dhanë lajmet”. Ne mbetëm si të ngrirë. Shoku që përfaqësonte kryeministrinë tha: “Shpejt bëni gati makinën të nisemi për në Tiranë”. Por unë e ndalova: “Prit një herë – i thashë. – Do të shkojmë atje ku jemi nisur. Po të ishte për tu nisur, na kishin thirrur vetë ata të Tiranës”.

Përse nuk u ngutët pas një lajmi të tillë?
Në një farë mënyrë unë e kisha kuptuar së Mehmet Shehu ishte larguar nga punët e partisë, dhe se midis tij dhe Enver Hoxhës kishte diçka. Ndaj dhe lajmi nuk më ra si bombë.

Çfarë të bëri të mendoje se midis ty krerëve kishte diçka?
Ajo që më ra më shumë në sy ishte Kongresi i 8-të, por dhe pas këtij kongresi mendja më mbeti diku. Pas kongresit u dhanë dekoratat e para të 40 -vjetorit të Themelimit të Partisë. Dekoratën e parë sigurisht e mori Enver Hoxha. Por ne ishim mësuar që në të tilla raste, këto dy figura vepronin me njëri -tjetrin. Pra i takonte Mehmet Heshut t’i vendoste dekoratën në gjoks Enver Hoxhës. Mirëpo nun ndodhi kështu. Enveri kishte gjetur Simon Stefanin për t’i mbaruar këtë punë dhe kishte kaluar Mehmetin. Kjo më dogji shumë, ndaj e kuptova se midis tyre diçka nuk shkonte. Kjo mu përforcua dhe atë mbrëmje kur morëm lajmin për vetëvrasjen e tij. Sapo u futëm në restorantin e turizmit të Korçës, plasën sazet: “E, e sheh, – i them përfaqësuesit të Kryeministrisë jo pa keqardhje, – kryeministri vetëvritet e këtu kërcet muzika”. Natyrisht u kthyem të nesërmen nga shërbimi ndërsa ofensiva kundër figurës së Mehmet Shehut kishte filluar.

Po pushkatimi i Kadri Hazbiut, mendoni se ishte i merituar?
Asnjëherë nuk kam besuar dhe vazhdoj të mos besoj që Kadri Hazbiu të ketë qenë agjent i shërbimeve të huaja, siç dhe u cilësua. Nëse për Mehmet Shehun u hodhën disa versione dhe pati disa letra që në një farë mënyre e kompromentuan, për Kadri Hazbiun nuk kishte asgjë të tillë. Për më tepër dhe vetë Kadriu nuk pranoi asgjë. Unë them se nëse u tha se Mehmet Shehu apo Kadri Hazbiu donin të eliminonin Enver Hoxhën, që të dy e kishin këtë mundësi. Por natyrisht ata nuk kishin ndërmend ta bënin një gjë të tillë sepse ishin besnik ndaj tij. 
Punonjësit e Sigurimit
Kontroll biografisë deri te kushëriri i tretë
Ai ka punuar për një kohë të gjatë në Drejtorinë e Kuadrit të Ministrisë së Brendshme dhe di fare mirë gjithçka rreth organikës dhe oficerëve që shërbenin ë këtë ministri. I pyetur se si duhej të ishte dosja e një punonjësi të ministrisë së Brendshme, Arif Bizhga, ish-zv/drejtor i Drejtorisë së Kuadrit sqaron: “Në Ministrinë e Brendshme kishte kriter të forta për oficerët e policisë por sidomos për ata të Sigurimit të Shtetit. Biografia e një oficeri shihej deri në kushëririn e tretë, nga ana e tij dhe e gruas. Pra duhej të ishte i pastër nga të dy krahët për të qenë i denjë të punonte në sektorin e Sigurimit. Në atë kohë mendohej se një njollë në biografi e kompromentonte figurën e një punëtori operativ në popull. Për të ilustruar këtë po ju tregoj një rast. Në Durrës, ne kishim një punëtor operativ shumë të aftë, i cili kishte luftuar dhe si partizan. Por kishte probleme në biografi, sepse njerëz nga familja e tij kishin qenë kundër Partisë gjatë luftërave, madje kishte dhe të pushkatuar. U kërkua që ai të largohej nga kjo detyre. I çoj në zyrë Mehmet Shehut aktin, që ta firmoste. Mehmeti më pyeti për më hollësisht. Unë ia shpjegova gjendjen, dhe në fund i shtova: “Megjithatë shoku Mehmet, ai vetë ka qenë partizan dhe është i zoti në punën e tij”. Por Mehmeti ma ktheu: “Ai mundtë jetë vërtet i zoti, dhe si civil mund të marrë poste shumë të rëndësishme në pushtet, por nuk mund të punojë më në organet e Sigurimit të Shtetit” dhe firmosi për largimin e tij nga Ministria e Brendshme”.
Blloku 1950
Ku jetonin drejtuesit e shtetit
Vilat kanë qenë të vendosur pak a shumë në të njëjtat pozicione, ashtu siç u panë nga populli kur ai u bë i lirë për kalimin e tyre në vitin 1991. Enver Hoxha do të banonte në të njëjtin vend, në fillim në një shtëpi të vjetër, e më pas në një të re sepse dhe familja e tij do të zgjerohej. Do të ndryshonin vetëm të tjerët, anëtarë të Byrosë Politike që do të lëviznin sipas rastit. Në vendin, ku anglezët kishim menduar të ngrinin rezidencën e ambasadës së tyre, në krah të ish-Komitetit Qendror, kishte mbetur vetëm një karabina. Por Mehmet Shehu, do të ishte ai që nuk do të pyeste për “tokën angleze” në Tiranë dhe do të preferonte të ngrinte aty vilën e tij. Koçi Xoxe e më pas Tuk Jakova kishin jetuar po aty afër në një vilë që ishte destinuar për zv/kryeministrat. Pak më poshtë ishte rezidenca e Hysni Kapos e kështu me radhë. Arif Bizhga kujton se “blloku” në vitet ‘50 ndahej nga një përrua i vogël, dhe Mehmet Shehu për të ardhur në vilën e Enver Hoxhës i duhej të kalonte mbi ca dërrasa që të mos i lageshin këmbët, ose për më poshtë atje ku uji shtohej, i duhej të kalonte mbi një pasarelë druri. Kjo ishte gjendja e “Bllokut” në ato vite, i cili më pas do të transformohej tërësisht për t’u bërë oazi i paprekshëm, i ruajtur jo më nga disa ushtarë e truproja, por nga Garda e Republikës.
Gusht 1949
Mehmet Sheu në krye të operacioni kundër grekëve
Arif Bizhga kujton se vetëm pak pasi kishte marrë detyrën e shoqëruesit të Enver Hoxhës, do të udhëtonte për në Korçë, për të siguruar vizitën e Komandantit të Përgjithshëm, i cili do të shkonte në juglindje të vendit në verën përvëluese të vitit 1949, për shkak se ushtria greke kishte tentuar të hynte në territorin shqiptar. Jo vetëm Petrit Dume e Mehmet Shehu, por ngjarja ishte aq problematike sa edhe vetë Enver Hoxhës iu desh të inspektonte trupat dhe zonën përreth: “Në fakt do të kthehesha në Korçë edhe pas një viti kur do të shoqëroja Enver Hoxhën. Në atë kohë situata ishte ndezur shumë. Me pretekstin e ndihmës që Shqipëria u dha Ushtrisë Çlirimtare greke, forcat monarkiste kishte nisur sulmin edhe kundër tokave shqiptare. Këto njihen si “provokacionet e gushtit 1949”. Një pjesë e luftimeve u bë në vijën e kufirit me Devollin. Në atë kohë komandant i Divizionit të Korçës ishte Petrit Dume, por Komandanti i Përgjithshëm, për të siguruar vijën e frontit kërkoi në krye të operacionit të shkonte Mehmet Shehun. Dhe kështu u bë. Në ato ditë në nxehta, Enver Hoxha u nis vetë drejt vatrës së luftimeve dhe u takua përveç të tjerave dhe me ushtarët e plagosur gjatë shkëmbimit të zjarrit. Ky ishte një shërbim dyditor dhe pas kësaj do të ktheheshim në Tiranë”
Sigal