Pronarët legjitimë të gadishullit të Karaburunit

1962
Sigal

Besnik VELAJ 

Në demokraci institucionet madhore të Shqipërisë ngatërrojnë Karaburunin me Dukatin dhe “nuk e dinë” se Gadishulli i Karaburunit është pronë e fshatit Dukat dhe dukatiotëve. Po japim më poshtë të argumentuar, të drejtën madhore të pronësisë për çdo dukatas, duke çmuar tek ata Bashkimin-vëllazërimin e gjithë dukatasve, pa dallime politike, fetare, pozicioni shoqëror e ekonomik. Më shumë se kushdo e kanë dashur dhe e duan Shqipërinë dukatasit, por pa pasur pronë, (s)ka Atdhe. Ka shumë të ngjarë, që 19 qershori 2010, dita kur u mblodh Kuvendi i Madh i Dukatit, të jetë në një të ardhme, një ngjarje historike po aq e madhe sa Kuvendi i Barçallas, i mbajtur po në këtë fshat 90 vite më parë. Ky Kuvend i ka dërguar qeverisë një Thirrje. Disa media të shkruara dhe të folura i quanin, të çuditshme kërkesat e këtij Kuvendi për:

1) Njohjen historike dhe gjeografike të Dukatit;

2) Kthimin e pronave të tyre shekullore;

3) Heqjen e postbllokut ushtarak në Pashaliman, që pengon përdorimin e pronave të tyre në Karaburun dhe lëvizjen e turistëve të huaj;

4) Garantimin e paprekshmërisë të lirisë, shëndetit, jetës dhe pronës së banorëve të Dukatit nga vendimet e shtetit.

Termat e përdorura “kuvend, burra, kufi, pronë, postbllok ushtarak, liri” nuk mund të mos kujtojnë Kuvendin e Barçallasë të vitit 1920, në kujtim të të cilit dukatasit organizuan një ceremoni sivjet për 90-vjetorin e Kuvendit të Barçallasë për Luftën e Vlorës, më 1920-n!

Po cili është Dukati?

Shumë njerëz fatkeqësisht s’e dinë. Ishte fshati më i madh i Shqipërisë, me një sipërfaqe prej 260 kilometra katrorë, fillon nga Kepi i Gjuhëzës në veri (Lingueta), siç shkruajnë të huajt, mbaron në Ropile, kufi me Dhërmiun. Ka një lumë dhe një gjol. Kënga kënduar në shekuj,thotë: ”Dukat e gjysma e Misirit!” Shumë shtete nuk kanë dalje në det, kurse Dukati ka privilegjin e madh që laget nga dy dete, Joni e Adriatiku. Ka gjire (Skalomën) të bukur që mundësojnë turizmin. Ka fusha, male, kodra. Natyra është treguar bujare në këtë fshat histori-ndritur! Kryeqendër e një kantoni të pavarur, e përcakton Pukëvili, konsulli francez në oborrin e Ali Pashë Tepelenës. Mjerisht, pushtetarët e sotëm s’e njohin Dukatin, s’i dinë kufijtë e tij.

-Pse i Dukatit është Karaburuni? – pyesin me naivitet ata. Edhe Llogoraja i Dukatit qenka?! -thonë disa të tjerë. Mjeranë politikanë, mos bini kaq poshtë në injorancën tuaj!

Emri Karaburun vjen nga turqishtja që do të thotë: “Gjuhë e zezë”. Është gadishulli më i madh i vendit tonë. Ndodhet midis Gjirit të Vlorës dhe Kanalit të Otrantos me gjatësi 15 kilometra. Përbëhet nga një relief malor i zhveshur, por i pasur me kullota. Pjesa më e ngushtë e ulët është Pllaja e Ravenës, një qendër e njohur, e preferuar blegtorale. Veç kullotave, pasuri të tjera të çmuara që natyra i ka falur Karaburunit janë formacionet dolomitike të mermerizuara, të cilat përdoren si materiale ndërtimi. Mermeri i Karaburunit ka qenë përdorur në lashtësi si gur dekorativ për zbukurimin e Amfiteatrit të qytetit të Orikumit dhe ndërtimin e Apolonisë dhe sot ka përdorim në industrinë e ndërtimit. Gadishulli i Karaburunit ka majat piktoreske të Kores, me lartësi 826 metra, Dafinës, Faqja e Gjirurës, Gropat e Memuçit, Bregu i Bitrit, Shpella e Panait. Më në veriperëndim, tek Kepi i Gjuhëzës ndodhet shpella më e madhe detare “Shpella e Haxhi Alisë”, të cilën detari i guximshëm e ka përdorur si strehë mbrotjeje e sulmi kundra anijeve pirate të huaja që hynin në Gjirin e Vlorës. Në jug të Sazanit dhe në perëndim të Vlorës është kepi i Karaburunit. Në perëndim dhe në jug është krahina shqiptare e Dukatit me 100 copë fshatra të pabindura e të panënshtruara… bijtë e saj janë më trimat e kombit shqiptar. Është fjala për gjithë Labërinë. Edhe Boldaçi i quan – Burrat më trima të Toskërisë. Thonë një të vërtetë të madhe. Nga lufta me turqit, pas vdekjes së Skënderbeut, shumë dukatas emigruan në Itali. Më 1431 Dukati kishte 24 shtëpi, kurse më 1583 kishte 100 shtëpi. Gjetur këto të dhëna në dokumentet turke. Në librin “Shqiptarët dhe Garibaldi” gjejmë dy tre përfaqësues me mbiemrin “Toçi”, toponim i një mali në Dukat.

Dukati nuk ka vetëm histori, por dhe gojëdhëna, në kuptimin pronor që Karaburuni është i dukatasve dhe dukatasit janë pronarë legjitimë të tij, që nga kohët që nuk mbahen mend. Sipas gojëdhënave, thuhet se fiset autoktone të Dukatit janë tre: Peçulët, Gjongjini dhe Gjipalajt. Ardhësi i parë në Dukat ka qenë Kondi nga Vithkuqi me tre djemtë e tij: Kohilin, Kolumçin dhe Palin. Ardhësi i dytë po nga Vithkuqi është Dede Pata me djemtë e tij: Sinanin, Kushtën, Kekën dhe Nikën, i cili s’u islamizua dhe shkoi e u vendos në Palasë. Si për autoktonët, si për pasardhësit flet toponimia e Dukatit, e cila është 1000 % e vërtetë, po ta krahasojmë me emrat e kryefamiljarëve të Dukatit që përmban dokumenti turk i vitit 1583. Nga Kor Peçuli vjen toponimi “Maja e Koret”, pranë së cilës janë qafat e Peçule, Radhonjtë e Peçule, Kopeçule, Gurët e Gjopeçulit, Gjilaluce, Dukëgjoni-shpellë, Konduka, Gjongjinia-arë. Sundimi pesëshekullor i Perandorisë Turke, nuk njeh ndonjë rast që dikujt, “për merita lufte”, t’i jetë dhënë prej Stambollit pjesë nga territori i Dukatit apo Karaburunit të Dukatit, pasi pronat e dukatasve ishin dhe janë të regjistruara në arshivat e Perandorisë në emër të fiseve të Dukatit. Me një stërmundim të madh, me shpenzime të mëdha kohe e parash, qindra dukatas enden nëpër zyra shtetërore, deri në Turqi e Itali për të mbledhur dokumente e për t’i provuar shtetit të tyre, se të parët e tyre janë shqiptarë që kanë banuar në Dukat dhe janë marrë me blegtori. Më në fund disa ia kanë dalë pas 20 vjetësh të marrin një vendim gjykate që “prona kullotë në Karaburun prej… ha, kufizuar nga…dhe nga…dhe nga…është e pronarit dukatas”. Por kur shkojnë në A.K.K.P, këta pronarë i “nxjerrin përjashta”. Duke i mohuar pronën, (ç)shteti po tenton t’i humbasë dhe identitetin pronarëve legjitimë të Gadishullit të Karaburunit,që janë dukatasit. Për më tepër, po përpiqen ta përçajnë atë dhe ta heterogjenizojë si komunitet nëpërmjet hapjes këtu e aty të rubinetit të njohjes së pronësisë, në këmbim të garantimit të “bashkëpronësisë” me sekserë me autoritet shteti, si në rastin e tokave të Dukatit në Orikum, Oriku-Orikumi-Pashalimani është pronë e Dukatit. Kohë pas kohe, megjithëse Karaburuni është bërë objekt i diplomacisë dhe agresioneve të shteteve përtej detit për ta kthyer në bazë ushtarake të lakmuar më rivalitete, çdo pëllëmbë e kësaj toke pati ZOT dukatasit. Duke u nisur nga Kepi i Gjuhëzës në Karaburun, shtrihen pronat e fiseve që përfshin mbi 200 familje të vjetra, të cilët kanë lindur aty fëmijët dhe aty i kanë rritur, aty i kanë fituar betejat e luftës me armiqtë, aty kanë rënë dëshmorët për lirinë e Atdheut, aty kanë kënduar për të mira e në gëzime, kanë qarë në hidhërime, kanë luftuar me vetëmohim për to e janë rropatur duke derdhur djersë për të mbajtur familjet me të ardhurat e punës, pa i rënë kurrkujt në qafë. Kështu nga Kepi i Gjuhëzës e deri në Gollovec, kanë pronat e tyre Hibrot, Hoxhajt, Dervishaliajt, Jazojt, Kokajt. Në Gollovec janë pronë e Hysomemajt, Jazojt, më pas me radhë Abazajt, Havarët e Minxhajt. Duke filluar nga Kongjorrufeja renditen Mëhillajt, dajot e të nderuarit të shkollës “PERLA” zotit Petrit Golemi, më tutje janë pronarë Nelajt, në Shënë Jan: Bodojt e Nelajt, në Çip të Gjatë: Abilajt, në Shën Vasi: Bodojt e Velajt, d uke u larguar më në Jug: Çeloaliajt, Kullurajt, Peçulët, Gjohilajt etj., etj. Në Ravenë, pronarë të ligjshëm, të ngulitur aty prej shekujsh janë: Peçulët, Kullurajt, Koshenajt, Gjohilajt, Aliçkajt, Selmanhaskajt, Bellojt, Xhebrojt, Abilajt. Madje, disa vende janë emërtuar sipas mbiemrave të fiseve të hipotekuara, si “Lugu i Selman Haskajve”. Këto tregojnë se çdo pëllëmbë toke, kullote, pylli etj., ka një ZOT, pronar të ligjshëm dhe ky është dukatasi, që e ka trashëguar brez pas brezi, shekull pas shekulli.

Çfarë i pengon pronat, sidomos 90% të kullotave të Gadishullit Karaburunit mos të shkojnë tek të zotët e tyre legjitimë?

Në demokraci u hapën hipotekat, kadastra e Vlorës, Arkivi Qendror i Shtetit, Instituti i Tokave, Ministria e Bujqësisë, Ministria e Mbrojtjes etj., institucione të Republikës Shqipërisë dhe u pajisën dukatasit si pronarë legjitimë të Gadishullit të Karaburunit me dokumente të patjetërsueshme pronësie, vlera më e madhe ligjore e tyre, ishin ato të kohës së mbretërimit të Zogut I. Është hartuar dhe një Kushtetutë e Republikës Shqipërisë, ku në Nenin 41 citohet: ”Prona i njihet shtetasit të Republikës së Shqipërisë, kur është e trashëguar, blerë dhe e dhuruar!”.

Mirëpo pas viteve 1990-1997 pronarëve dukatas u mbetën tapitë në dorë, se prona u nda me ligjin 7501 dhe pjesa tjetër u rrëmbye fshatçe. Me përçarjet, lidhjet fisnore, helmin sentimental për qoftëlargun, po e thellon, ngatërron më shumë problemin e dhënies pronës me tjetërsimet, legalizimet, ndërtimet pa leje, cenimet e pronave, mbivendosjet, shitjet fiktive, falsifikimet, gjyqet pa fund, konfrontimet midis palëve deri në humbjet e jetës të palëve që janë pronarë legjitimë. Problemi qëndron tek Prefektura dhe deputetët e zonës që qëndrojnë indiferentë dhe po zvarritin kthimin e pronave, sidomos të kullotave të Karaburunit.

Gadishulli i Karaburunit, është vend i uruar, me natyrë të gëzuar, Shtetarët duhet të japin kontribut evropian, ligjor për kthimin e pronës tek i zoti, ndaj angazhimeve që kanë marrë kur Shqipëria u pranua në NATO dhe aspirimeve të saj në të ardhmen për t’u pranuar në Bashkimin Evropian.