Prof. Spiro Mëhilli: Lufta e Stalingradit, çdo ditë vriteshin deri në 4000 ushtarë e oficerë gjermanë

645
Sigal

Prof. As. Spiro Mëhilli

  • – Çdo ditë 3000 deri 4000 ushtarë e oficerë gjermanë vriteshin në Stalingrad
  • – Në Stalingrad filloi lufta me snajper.
  • –  Rusët shkëlqenin me qitësit Vasili Zaicev, Anatoli Çehov, Viktor Medvedjev, Morozovi dhe Sheikini
  • – Vasili Zaicev  arriti të vriste  300 gjermanë, po fatkeqësisht mbeti i plagosur në sy
  • – Avionët e gjeneralit Fiebig kryenin 1000 fluturime në ditë
  • – Aktualisht, gjermanët kishin 850 avionë,  ndërsa sovjetikët  373
  • –  Sovjetikët bënin 6 deri 7 fluturime në ditë për të penguar avionët gjermanë, që edhe ata  çoheshin çdo ditë

Mbeturinat e Divizionit 112 të Sologubit dhe regjimentet e Elinit u vendosën në kodrën Kurganaja. Trupat gjermane sulmuan përsëri dhe e rimorën kodrën Kurganaja. Më 18 shtator  një regjiment me  marinarë sovjetikë, pasi arriti në Stalingrad me një traget nëpër Vollgë u vendos në një sillos gjigant dhe brenda ditës, thyen 10 sulme të gjermanëve. Më 18 shtator, komanda sovjetike u transferua në pikën nëntokësore të Caricës, që ishte një tunel i madh i blinduar, i ndarë në 10 pjesë me tavan dhe  me mure të veshura me dërrasë. Trashësia e  mbulesës me dhè arrinte në 10 metra. Më 19 shtator, Divizioni i freskët i Gorishnit sapo arriti pas atij të Rodimstevit, u fut në betejë në kodrën Kurgan Mamai dhe më pas, në fabrikën e traktorëve dhe fabrikën “Barrikada e kuqe”. Betejat për ta mbajtur atë pikë strategjike vazhduan. Natën e 21 shtatorit, arriti një regjiment këmbësorie nga Divizioni 284 “Batiu”  dhe u dërgua në Kurgansk. Pikërisht në shtator, Fronti Stalingradit u riemërua Fronti i Donit dhe Fronti Verilindjes nga Fronti  Stalingradit. Komandant i Frontit të Donit u caktua K. K. Rokosovski dhe u  krijua rishtas Fronti Jugperëndimor me gjeneral Vatutinin. Më 21 shtator, gjermanët e çanë në mes Armatën  62 dhe  të nesërmen  dolën në Vollgë në rajonin e portit qendror. Vetëm në 22 shtator u bënë 12 sulme nga gjermanët. Çdo ditë 3000 deri 4000 ushtarë e oficerë gjermanë vriteshin në Stalingrad. Më 23 shtator, 2000 siberianë arritën me traget nëpër Vollgë. Më 25 shtator, Armata 62 u hodh në sulm të pandërprerë kundër Divizioneve 112, 284, 95, 13, në qendër te qytetit, në portin qendror dhe në drejtim të Gorodishes. Përballë Armatës 62 vepronin 11 divizione gjermane,  tre të blinduara, 14,24,16; dy të mekanizuara: 29, 60; dhe 6 këmbësore 71,76, 94, 100, 295, 389. Në Stalingrad filloi lufta  me   snaiper.  Rusët kishin shumë  qitësa,   por  shkëlqenin  Vasili Zaicev, Anatoli Çehov, Viktor Medvedjev, Morozovi dhe Sheikini. Vasili Zaicev  arriti të vriste  300 gjermanë po fatkeqësisht mbeti i plagosur në sy. Nga Berlini u dërgua majori Konings, të cilin me një durim të jashtzakonshëm, arriti ta vriste Zaicevi. Më 25 shtator, tanket gjermane lëviznin në Gorodishe deri në pjesën perëndimore të fabrikës “Tetori i kuq” dhe në atë jugperëndimore të fabrikës “Barrikada e kuqe” në breg të Vollgës. Më 28 shtator,  forcat gjermane vazhdonin të sulmonin    me këmbësori dhe  me tanke, ndërsa avionët  bombardonin formacionet sovjetike në Vollgë dhe në  postkomandën e armatës. Gjermanët në këtë përpjekje patën 1500 të vdekur e 30 tanke të shkatërruar, ndërsa sovjetikët 500  të vrarë. Në fabrikën e traktorëve “Xherxhinski” punëtorët ndihmonin në riparimin e tankeve, kurse në fabrikën “Barrikada” riparonin topat. Më 29 shtator, fon Paulusi sulmoi Orllovkën në dy drejtime: një batalion këmbësor me 15 tanke rreth kuotës 147.6   nga  jugperëndimi dhe dy batalione këmbësore  me 16 tanke  në zonën  Uvarovka me objektiv Orllovkën nga jugu. Plani  i Paulusit për të kapur shpatin e Orllovkës i kushtoi shtrenjtë. Në qendër, pra në zonën “Barrikada” dhe “Tetori i Kuq”, pati luftime të përgjakshme.

Forcat e fon Bockut  u futën  në pjesën jugore dhe qendrore të qytetit  dhe  2/3 e Stalingradit tashmë ishte pushtuar. Më 29 shtator, rumunët festonin një përvjetor. Shefi i Korpusit 6 rumun, u  kishte dhënë leje oficerëve të takoheshin me ata gjermanë. Sovjetikët sulmuan papritur dhe regjimentet  5, 21 këmbësor dhe regjimenti 22 i artilerisë, me shtabin madhor të regjimentit 5 këmbësor, u asgjësuan. Komandant Butesku u vra, bashkë me 3000 ushtarë e oficerë u nxorën jashtë luftimit, 15 topa, 17 tanke, shumë mitraloza, mortaja e automatikë.

Në fillim të tetorit, sulmi përfshiu lagjen punëtore të Orllovkës që u pushtua pas 15 ditë luftimesh të pandërprera. Gjermanët kaluan brezin e zjarrit dhe pushtuan  uzinën “Xherxhinski” dhe uzinën “Barrikada e kuqe” por nuk arritën të merrnin uzinën “Tetori i kuq”. Avionët e gjeneralit Fiebig kryenin 1000 fluturime në ditë. Nga 1 tetori, gjermanët kishin 850 avionë,  ndërsa sovjetikët 373. Sovjetikët bënin 6 deri 7 fluturime në ditë për të penguar avionët  gjermanë, që edhe ata çoheshin çdo ditë. Më 4 tetor, në Stalingrad u zhvilluan luftime trup më trup. Më 5 tetor u bënë 2000 fluturime mbi qytet. Në ato kushte, me propozim të nënkomandantit të frontit Filip Ivanoviç  Golikovit, vendkomanda  u vendos përtej Vollgës,  pranë  komandës së  Divizionit të Sarevit. Atë ditë u sulmua uzina e ‘Traktorëve’. Divizionet 1, 4 rumunë patën 4000 të vdekur, ndërsa Divizioni 4 këmbësor rumun, humbi të gjithë artilerinë. Për të mbrojtur krahët e tyre, gjermanët në fillim të tetorit, nga Bazkovski deri në Kletsk, çuan Armatën III rumune me 8 divizione këmbësore, 2 kalorësie dhe 1 tankiste; ndërsa në jug të Stalingradit, Korpusin 6 rumun, me një divizion këmbësorie dhe 2 kalorësie. Më 9 tetor, në pikën e bashkimit të Divizionit “Batiuk” me Rodimcevin, një batalion gjerman i veshur me uniformë të Ushtrisë Kuqe u futën në rripin Krutai dhe arriti në Vollgë, por u likuiduan nga Divizioni “Batuik”. Më 11 tetor, Stalingradi pas 51 ditë luftimesh provoi qetësinë e shumëpritur, por më 14 tetor, 300 tanket gjermane sulmuan fabrikën “Tetori i kuq”, ku u përplasën për jetë a vdekje me trupat sovjetike dhe u thyen. Luftime të përgjakshme u zhvilluan për uzinën “Barrikada” që u mor nga gjermanët, u rimor nga rusët dhe përsëri nga gjermanët. Atë natë, 3500 ushtarë rusë të plagosur u transportuan me traget nëpër Vollgë. Nuk është thënë numri i saktë i viktimave nga të dyja palët.

Gjermanët arritën të shtinin në dorë për të disatën herë majën e Kurgan Mamait, ose më mirë serbatorët e ujit nga ku dominohej sulmi mbi Vollgë. Interesant është fakti se kjo majë, është kapur disa herë si nga trupat sovjetike, ashtu dhe nga ato gjermane. Thuhet se edhe tani, pas rreshjeve të shiut, uji rrjedh i kuq, në ngjyrën e gjakut. Asnjë nuk e thotë se sa trupa nga të dyja palët dhanë jetën në atë kodër. Çuikovi mori kurajën e tha: “Nga gjysma e dytë e shtatorit dhe deri më 12 janar, për rreth 4 muaj u bë një luftë për jetë a vdekje në serbatorët e ujit, katër herë e morën gjermanët dhe katër herë e morëm ne, dhe asnjë nuk mund të thotë nëse mbeti njeri i gjallë”. Më 14 nëntor, furnizimet u ndërprenë 3 ditë dhe u ndje mungesa e ushqimeve dhe municioneve. Konvojet e nisur nga Tumaku nuk kaluan dot nëpër akull dhe u kthyen mbrapsht. Më 14 tetor, gjermanët rrethuan nga të gjitha anët uzinën e ‘Traktorëve’. Megjithëse ndodhej 300 metra larg, jo vetëm që nuk mundën ta merrnin por lanë 40 tanke dhe 3000 të vrarë në muret e fabrikës. Paulusi nuk kishte më trupa të freskëta. Fijet e telefonit ishin këputur, si në anën e djathtë, ashtu edhe në anën e majtë të Vollgës, dhe ndërlidhija u ndërpre. Artileria e frontit ishte spostuar përtej Vollgës. Me 15 tetor, Divizionet “Zoludev” dhe “Gorishni” humbën 75% të efektivit. Morali i trupave ruse në Armatës 62 kishte rënë. Mbi 1000 avionë dhe mbi 150 tanke sulmuan uzinën “Tetori i kuq” dhe atë “Barrikada”, por asnjë person nuk e braktisi vendin. Më 17 tetor, luftohej në jug të fabrikës së ‘Traktorëve’, në drejtim të Barrikadave. Në mbrojtje të tyre, përveç ushtarëve, morën pjesë edhe punëtorët. Regjimente të freskëta erdhën dhe u futën në betejë. Njësitë e Liudnikovit, Zoludievit dhe Gurtievit, sprapsin sulmet gjermane. Për të ndihmuar Stalingradin më 19 tetor, kaluan në mësymje trupat e Frontit të Donit.

Më 20 tetor, vazhduan spastrimet në zonën industriale në fabrikën e traktorëve “Xherxhinski”, në fabrikën e topave “Barrikada e kuqe”, në ofiçinën metalurgjike “Tetori i kuq”, në rafineria e naftës, në depozitat e karburantit, në stacionin hekurudhor dhe në ndërtesat postare. Nga mesi i tetorit, që është koha e ngrirjes së Vollgës, u transportuan mbi 28.000 veta dhe 3000 tonelata municione e ngarkesa të tjera. Pas ngrirjes së lumit dhe deri në fund të operacioneve, kaluan Vollgën mbi akull mbi 18.000 kamionë, 263 makina me zinxhirë, 325 topa dhe mbi 17000 karroca. Shërbimi shëndetësor u bë me autoambulanca. Spitalet kishin 2300 shtretër. Më 21 dhe 22 tetor, u futën forca të freskëta gjermane në drejtim të divizioneve të Smehotorovit dhe të Gurievit përgjatë rrugëve Komunalnaja dhe Çentralnaja. Më 24 tetor, gjermanët morën portën qendrore dhe atë jugperëndimore të fabrikës “Barrikada”, 400 metra nga Vollga. Skuadra të veçanta arritën në Vollgë, por u asgjësuan. 100-200 metra nga Vollga ishin rreshtuar trupa të Armatës 62. Temperatura ra nën -12 gradë celcius dhe Vollga u mbulua nga akulli i trashë. Ishte fundi i tetorit. Vetëm 1/10 e Stalingradit në pjesën veriore vazhdonte të rezistonte. Rezervat e armatës ruse u bënë mburoja kryesore e qytetit. Paulusi kishte tani vetëm 5 batalione të luftonin në rrugët e qytetit. Gjatë muajve gusht-tetor, gjermanët hodhën 2000 bomba zjarrvënëse për çdo km2. Më 11 nëntor, gjermanët filluan sulmin me 5 divizione këmbësorie: 389, 305, 79,100, 44 dhe 24, 14 tankiste të përforcuar nga njësitë 294, 161 këmbësorie të sjella në rrugë ajrore nga Rososhi dhe Milerovo, por dështuan për të marrë uzinën e “Barrikadave”. Gjatë kohës së mbrojtjes, artileria sovjetike hodhi 3.500.000 predha dhe mina me peshë të përgjithshme 50.000 tonë. Aviacioni bëri 42.540 sulme ajrore, 21.076 prej tyre natën, dhe hodhën mbi 800.000 bomba të madhësive të ndryshme me peshë 55.000 tonë. Goditjet ajrore kapën shifrën 580 në total. 60%  u bënë mbi trupat në front. Nga sulmet mbi aerodrome, u shkatërruan 800 avionë pa u ngritur nga toka. Pesha e përgjithshme e bombave dhe e predhave që përdori aviacioni dhe artileria ruse arriti në 105.000 tonë. Gjatë shtatorit forcat gjermane kishin 900 avionë të vijës parë (500 bombardues dhe 400 sulmues), ndërsa Ushtria Kuqe kishte 392 avionë në vijë të parë, dhe 494 avionë  në parqet e aviacionit. Nga 1 tetori, gjermanët  kishin 850 avionë dhe rusët 373. Gjatë muajve gusht-tetor, gjermanët hodhën 2000 bomba zjarrvënëse për çdo km2. Numri i fluturimeve të avionëve shkonte nga 500 deri 2000 mbi Stalingrad. Lartësia e fluturimit ishte 4000 deri 5000 metra, kurse ndaj trupave, goditja bëhej në pikiatë nga 600-1000 metra lartësi duke ruajtur këndin e hedhjes 70 gradë. Flota ruse u shkaktoi forcave të boshtit 5000 të vrarë, 24 tanke dhe 10 avionë. Transporti lumor në bregun e djathtë të Vollgës transportoi 65.000 oficerë e ushtarë, 2393 tonë municione dhe në kthim, mori 35.000 të plagosur dhe 15.000 civilë. Nga 1 nëntori u evakuan nga bregu i djathtë i Vollgës për tek i majti, 45.000 tonë drithëra, 58.770 kuaj, mbi 240.000 kokë bagëti, 1674 traktorë, 350 makina korrëse, 277 automobila, 296 rimorkio, mbi 20.000 karroca, 203 vagona çisternë, 50 boshte vagonësh, 10 vagona me prodhime kimike, 11 vagona me pjesë këmbimi për avionë, 256 vagonë me lëkurë bruto, 190 tonë kauçuk, 6 vagona me materiale hekuri, 28 vagonë me materiale xheniere, 1020 koli me artikuj të ndryshëm, ndërsa forcat kundërshtare hodhën mbi pozicionet sovietike 1.400.000 predha dhe bomba që i takonin mesatarisht 55.000 bomba dhe predha për km2 front. Për të njëjtën periudhë, janë regjistruar 100.000 sulme ajrore dhe janë hedhur 1.000.000 bomba të të gjitha kalibrave që shkonin në mbi 100.000 tonë, mesatarisht 100.000 predha, mina dhe bomba për km2 front në Stalingrad.

Më 20 nëntor 1942 deri më 2 shkurt 1943, filloi kundërmësymja ruse që do të vazhdonte deri më 2 shkurt 1943 dhe do të kishte 10 armata gjitharmëshe, një armatë tankiste, 4 armata ajrore, disa korpuse autonome tankiste, të mekanizuara, të kalorësisë si dhe brigada e reparte të ndryshme, 15.500 topa dhe mortaja, 1463 tanke e artileri vetlëvizëse dhe 1350 avionë. Në Frontin e Stalingradit të komandant Eremenkos, bënin pjesë Armatat 51, 57 dhe 64, që duhej të kalonin në mësymje në sektorin nga Ivanovka deri në liqenin Barmanck, Armata 51 me komandant gjeneralmajor Trufanovin, që do të shpërthente mbrojtjen në sektorin midis liqenjve Sarpa, Caca dhe Barmanck drejt Abganevos, Armata 57 e gjeneral Tollbuhinit dhe Armata 64 e gjeneral M.S.Shumillovit, që do të vepronin në Ivanovka në drejtim perëndimor dhe veriperëndimor duke kaluar nga jugu, Armata 62 e gjeneral V.I.Çuikovit që ndodhej në Stalingrad në mbrojtje active, që të mos lejonte trupat gjermane për t’u futur në qytet.

Kundërmësymja e Ushtrisë Kuqe filloi më 20 nëntor, me dy orë vonesë. Në orën 10 u përflak qielli. Sulmi filloi menjëherë nga veriu dhe nga jugu me Armatat 51 dhe 57. Armata 64 ndihmoi me artileri të rëndë dhe me mortaja, ndërsa avionët nga Armatat 57 dhe 64. Densiteti i goditjes ishte 60 predha për km/ front. Armata 51, pas 11 orësh, Armata 57, pas 13 orësh dhe Armata 64, pas 15 orësh përpjekje, çanë frontin. Rrugët hekurudhore Kotelnikovo-Stalingrad dhe Kalaç-Stalingrad, u morën nga trupat ruse. Armata 65 e Frontit të Donit e priti armikun në sektorin Kletskaja-Blinaja Porekopka. Trupat e blinduara të gjeneralmajor A.G.Rodinit shpërthyen mbrojtjen e Armatës III rumune, në mes të Serafinoviçit dhe Kletskajas, në veriperëndim të Stalingradit. Divizionit I tankist, asgjësoi shtabin e Korpusit 5 të këmbësorisë rumune. Në veri të Stalingradit, pas një bombardimi artilerie me 3500 topa dhe mortaja, nën parullën “Sirena”, u godit një front prej 22 km., dhe brenda 24 orësh, 65.000 trupa rumune u kapën rob.

Ushtarë rumunë dhe karroca me kuaj filluan të drejtoheshin për në lindje, drejt Vollgës, për t’u dorëzuar. Edhe një regjiment i rëndë i artilerisë rumune me përbërje të plotë, u dorëzua me gjithë komandantin. Eremenko do të shprehej: “Nëse Paulsi do të kishte sulmuar drejt jugut, ashtu siç kish menduar, ai do të kishte pasur mundësi të dilte nga rrethimi dhe ne nuk do të ishim në gjendje që ta përballonim. Ne na ndihmoi budallallëku i Hitlerit. Ai grupimin e Palusit e urdhëroi të mos të vepronte, duke e lënë në pritje, ndërkohë që forcat tona, morën masa që të mbyllnim plotësisht rrethimin”.