Prof. Pajtim Xhelo: Nuk mund të jesh shqiptar, pa njohur gjuhën shqipe!

1068
Sigal

Intervistë prof. Pajtim Xhelo: “Për gjendjen e sotme të gjuhës së folur dhe shkruar shqipe” 

“Nuk mund të jesh shqiptar, pa njohur dhe folur e shkruar mirë gjuhën shqipe!”

Një kongres mbarëkombëtar për Drejtshkrimin dhe jo vetëm, është  i domosdoshëm dhe duket i pashmangshëm

FRAN GJOKA  

Duke parë gjendjen e sotme të gjuhës së folur dhe të shkruar shqipe në medie dhe letërsinë artistike,  ç’mendim keni për përdorimin e saj?

Gjuha shqipe, gjuha hyjnore më e vjetër në Europë, gjuha e një populli  pasardhës i drejtpërdrejtë i Pellazgëve dhe Ilirëve, ajo që për mijëra vite u ruajt  si një mrekulli historike e pashembëllt, vetëm e folur, sepse ndalohej të shkruhej nga pushtuesit dhe armiqtë tanë të shumtë, gjuha për të cilën u derdh edhe gjak, gjatë përpjekjeve heroike që nga Rilindësit tanë, deri në vitet e para të çlirimit, (1945) e më pas, sot është lënë për turpin e të gjithë shqiptarëve, si një  “hirushe” leckamane, e mjeruar dhe e pa “mëshiruar” nga askush. Këta tridhjetë vite të “demokracisë” së paqenë shqiptare, Akademia e Shkencave, Ministria e Arsimit dhe ajo e Kulturës, të gjitha shtëpitë botuese, redaksitë e gazetave, për të mbërritur deri te Kryeministria e Parlamenti, as që e kanë vënë ujin në zjarr për Gjuhën Shqipe, as që e kanë diskutuar të paktën një herë të vetme çështjen që ka të bëjë me të gjitha zhvillimet e tjera kombëtare, simbolin e Kombit  tonë, Gjuhën. Një shoqëri si kjo e jona, në këta tridhjetë vite, e zhveshur nga morali, nga interesat kombëtare, e etur për të zhvatur pasurinë kombëtare, për të shkatërruar gjithçka të trashëguar nga e kaluara në emër të përligjjes antikap që “e ka bërë diktatura dhe nuk ka ç’na duhet”, e udhëhequr në këtë  revolucion “çartist” nga donkishotët e Politikës  të të gjitha kahjeve, që i humbën vlerat shpirtërore të shqiptarëve, duke i zëvendësuar ato me vlerat e “hajnisë” dhe  lënies “tokë e djegur” të gjithë jetës së virtytëshme, natyrisht nuk  kish si të ruante shenjtërinë e Gjuhës Shqipe në një tsunam tërësor që shkaktoi “revolucioni i përmbysjes së komunizmit”. Është e habitshme braktisja dhe shpërfillja tërësore e ruajtjes tradicionale të Gjuhës Shqipe nga ata që ishin të lidhur drejtpërdrejtë me fatin e saj, njerëzit e letrave, duke nisur që  nga  akademikët, deri te mësuesit, gazetarët, poetët, shkrimtarët. Madje ndodhi një çudi historike: akademikë të fushave të ndryshme iu bashkëngjitën politikës famëkeqe të shkatërrimit, duke braktisur, jo vetëm misionin e tyre atdhetar për të çuar shoqërinë përpara drejt zhvillimit, por edhe duke u treguar  “bukëshkalë” me popullin, i cili kish  shpenzuar  djersën dhe gjakun e tij për të përgatitur këta njerëz që do ta udhëhiqnin drejt dijes. Ata i kthyen shpinën dijes dhe u puthën me politikën, për arësyen e vetme “të pasurimit të shpejtë në rrëmujën e paspërmbysjes së një sistemi. Sa e kohës tingëllon sot poema e Shefqet Musarajit: –“U mbyt gjemia me federalë,/ o burra, shpejto, kush mund të dalë./ Paçet fashizmit e Vinçeremos, /se iku koha e babaqemos!” Po ç’duhet të ndodhte në Shqipëri, kur njerëzit që deri dje udhëhiqnin artin, historinë, gjuhësinë, arkeologjinë,  shpirtin e një kombi i braktisën ato për të bërë karierë dhe për t’u specializuar në hajdutëri? Duhet të ndodhte ajo që ndodhi me fatin e Gjuhës Shqipe, që është katandisur keq e mos më keq.

Në se ndjekim lajmet në TV, shkrimet në gazeta, apo botimet letrare e shkencore, do ndeshemi me qindra gabime. Si do të veprojnë, sidomos mediet, për të mënjanuar këto gabime?

Sigurisht, një sistem i tërë i dalë jashtë kontrollit të zbatimit të Drejtshkrimit me ligj, që deri para viteve ‘90 ishte në veprim, do të çonte në këtë ditë halli ku jemi sot. Në Shqipëri dikur ishte nën kontroll edhe emërtimi i dyqaneve, hoteleve, institucioneve, kësisoj nuk lejohej që të mos i nënshtrohej drejtshkrimit të miratuar në vitin 1972, asgjë që dukej, lexohej dhe shkruhej. As që bëhej fjalë pastaj për gazetat, botimet letrare e shkencore, të cilat kalonin në një “sitë” të imtë për Drejtshkrimin.  Kështu ndodhte edhe për çdo shkresë zyrtare në të gjitha ndërmarrjet, institucionet e të gjitha shkallëve. Sekretarët që përgatisnin përmbajtjen e shkresës, duhet ta ballafaqonin atë me Rregullat e Drejtshkrimit. Në institucionet kryesore kishte njerëz që kontrollonin këtë  zbatim sidomos në shtëpitë botuese kishte “korrektorë letrarë” ose “koregjues për drejtshkrimin”, puna e të cilëve ishte e kontrolluar imtësisht. Me pak fjalë, gjithçka kalonte në një sitë të pashmangshme. Deri aty shtrihej ky kontroll, sa në çdo libër të botuar, në faqet e fundit, cilësoheshin gabimet dhe jepeshin edhe përkatëset e duhura për to. Po sot ç’ndodh? Një “liri” dhe një moskokëçarje, që do ta ëndëronte edhe njeriu i epokës së hekurit, apo të bronxit, një papërgjegjshmëri tërësore, një përzierje, çorbë, një sallatë “alla ruse”, një shpërfillje e ulur këmbëkryq. Dhe kjo ndodh ndërkohë që po ndërtojmë  të ashtuquajturin “shtet ligjor”  ose “shtet të së drejtës”. Sa bukur! Shtet ligjor pa Ligj, ironia më e madhe që mund të shihet e të preket çdo ditë. Kush është fajtor? Kuptohet, shteti, qeveria, politikanët që kanë përhapur tentakulat e  të keqes skajore për të varrosur gjuhën dhe ndërgjegjen e kombit. Si do mënjanohet? Populli ka një shprehje: “Një budalla hedh një gurë në pus dhe dyzetë të mençur nuk e nxjerrin dot.” Është e vështirë të shkojnë gjërat në vendet që ishin, sidomos për Drejtshkrimin e Gjuhës Shqipe, të cilin e kanë masakruar dhe sakatosur, por asnjëherë nuk duhet të themi “kurrë”. Jemi në kohë që të bëjmë të duhurën, gjithnjë, duke i dhënë përparësi zbatimit të ligjit.

Kemi një Fjalor Drejtshkrimor të Gjuhës Shqipe të vitit 1972, si dhe sa do të jenë në gjendje me qindra specialistë të fushave të ndryshme, që mbarojnë shkollat e larta, që nesër, kur të jenë duke ngjitur shkallët e titujve shkencorë, të përdorin Ligjet e këtij Drejtshkrimi të detyruar në marrëdhëniet e tyre shkresore, në botimet e përfundimeve shkencore, etj.?

Është për të ardhur keq, e them me çiltërsi, që shkollat tona sot po nxjerrin analfabetë me diploma të shkollave të larta. Ata jo vetëm që nuk e njohin Drejtshkrimin e Gjuhës Shqipe, jo vetëm që nuk e zbatojnë atë në jetën e përditëshme, por e shtrembërojnë me forma të papërfytyrueshme. Po ju kujtoj një barcaletë të rëndomtë, po kuptimplote: -Një njeri u gjykua dhe trupi gjykues mori vendim për varje. Në vendimin e  zbardhur ishte bërë një gabim. Në vend që të thuhej “Falje e pamundur. Të varet!”, ishte shkruar “Falje. E pamundur të varet!”  Pra, një vendosje e pikës në vendin e gabuar e shpëtoi njeriun nga dënimi kapital. Me këtë doja të tregoja që edhe mençuria e popullit të thjeshtë e ngre Drejtshkrimin e Gjuhës në piedestal. Deri vonë në shkollat tona bëhej bukurshkrim, diktim, (që barazohej me drejtshkrimin dhe hartimin, që sot është zëvendësuar me “ese”). Të tre këta përbërës brezat tanë i edukuan me të folurit dhe të shkruarit e Gjuhës sonë në bazë të ligjeve të drejtshkrimit. Sot në shkollat tona kërkohet vetëm “ese”, po duhet pranuar që edhe mësuesit e Gjuhës e të letërsisë nuk e njohin atë. Për mendimin tim ky nuk është përmirësim, (me anë të thjeshtimit), por është keqësim, thjeshtëzim (humbje vlerash) me pasoja të rënda. Dikur prindërit tanë na kontrollonin për gabime drejtshkrimore, kurse sot prindërit e këtyre brezave as që e marrin mundimin ta bëjnë këtë, sepse nuk e njohin as vetë drejtshkrimin. Edhe diçka dua të përmend. Në kohën e Zogut, (edhe unë po flas sipas traditës së krijuar për të emërtuar periudhat e kaluara), nuk pranohej asnjë nëpunës pa u provuar në bukurshkrim dhe drejtshkrim. Sot, pas njëqind vitesh, pse te ne është bërë kjo përmbysje fatale?

E gjithë kjo ushtri “injorantësh” me shkollë të lartë, kështu do të mbetet? Natyrisht që jo. Pjesa e shëndoshë e shoqërisë shqiptare nuk duhet ta kalojë në heshtje këtë “handikap” të krijuar këto tridhjetë vite. Intelektualët e vërtetë do të ngrenë zërin për t’i detyruar politikëbërësit donkishotë që të kthejnë kokën pas, për të parë ato që kanë harruar me ose pa vetëdije. Që të mbarosh shkollën e lartë dhe të mos dish të shkruash e të flasësh shqip, kjo është e pafalëshme.

Keni ndjekur shtypin dhe botimet artistike nga Shëpitë Botuese dhe e keni vënë re që shkarjet më të rënda në drejtim të shkrimit të Gjuhës shqipe standarde hasen rëndom  atje. Ky duket një përçudnim i Drejtshkrimit.

Për të gjithë popujt, dy janë simbolet që dallojnë njërin komb nga të tjerët: E para është Gjuha. Shqip flasin vetëm ata njerëz që jetojnë në mbarë botën dhe quhen “shqiptarë”. Në se dikush e ka origjinën nga ne, po nuk flet shqip, si mund të quhet shqiptar? Ti mund të zotërosh anglishten, frëngjishten, italishten, rusishten etj., mund të jesh  akademik, mund të kesh marrë edhe çmimin Nobel, po kur nuk di të shkruash e të flasësh gjuhën tënde, si mund të jesh i nderuar e i respektuar, si mund të bëhesh i dobishëm dhe i domosdoshëm për kombin tënd? Kjo bëhet akoma më  e detyrueshme për njerëzit e letrave, për gazetarët, poetët, shkrimtarët. Unë nuk e kam përtypur asnjëherë të qenit gazetar pa folur mirë shqipen, nuk e kam përfytyruar për asnjë çast  të qenit poet apo shkrimtar, pa njohur gjuhën shqipe dhe drejtshkrimin e saj. Më ka rastisur të takoj e të njoh poetë, shkrimtarë, kritikë letrarë që nuk njohin Drejtshkrimin e Shqipes, ose që përdorin në shkrimet e tyre “paçavure” në 100 fjalë, 90 fjalë jo shqipe. Të them të drejtën kam ndjerë neveri, po për të ruajtur normat e mirësjelljes nuk i kam fyer. Unë vetë nuk do ta merrja kurrë guximin të shkruaja, po të mos njihja fare mirë Gjuhën që më ka mësuar nëna ime. Nuk kam arritur kurrë të kuptoj se si këta njerëz fyejnë Kombin, duke shpërfillur gjuhën e tij. AS NUK KAM PËR TA NDRYSHUAR NDONJËHERË KËTË MENDIM: AI QË NUK DI TË FLASË SHQIP, NUK MUND TË JETË AS  POET, AS SHKRIMTAR, AS GAZETAR! Natyrisht, një nga fatkeqësitë më të mëdha të këtyre tridhjetë viteve është  mungesa e shtëpive botuese  të mirëfillta. Ato janë katandisur në  shtypshkronja të thjeshta, nuk kanë as redaktorë, as korrektorë letrarë, as recezentë të brendshëm e të jashtëm. Sot dhe asnjëherë kjo nuk ndodh dhe nuk ka ndodhur në asnjë vend tjetër të botës. Si mund të kërkosh një libër cilësor, një gazetë cilësore, kur atje do të ndeshësh një gjuhë shqipe të masakruar, çalamane nga të dy këmbët? Kjo është edhe një nga arësyet e rënies së interesit për librin. Sot libri çalon nga të dy këmbët, sepse: Së pari, autorët janë injorantë tërësorë të Gjuhës standarde shqipe. Së dyti, Shtëpitë Botuese vetë shtypin librin, pa mbajtur asnjë përgjegjësi për korrektim, redaktim, recensim. Kësisoj, ne marrim në duar libra të alienëve. Të njëjtën gjë mund të themi edhe për gazetat dhe median e folur. Nuk e tepëroj aspak po të them se arti i të shkruarit sot është kthyer në biznes të suksesshëm që po lulëzon për autorët mediokër, në kurriz të njerëzve të talentuar, gazetarëve, poetëve dhe shkrimtarëve të vërtetë, të lindur të tillë. Për mendimin tim fjalët redaktor, korrektor, recezent duhen hequr fare nga fjalori, derisa funksionet e tyre të jenë të qenësishme, të vërteta e jo mashtrime, si çdo gjë tjetër e kësaj kohe. Simboli i dytë, dihet që është flamuri dhe atij i këndohet himni në gjuhën e atij kombi, të cilin përfaqëson. Në gjuhën shqipe ky himn është i shenjtë.

Një shqetësim i veçantë në ditët tona është edhe përdorimi i fjalëve të huaja, sidomos nga politikanët, deputetët dhe intelektualët e fushave të ndryshme. Duhet të çojmë në vend fjalët e Konicës, që “kalanë e shqipes ta vërtetojmë me fjalë shqipe, sepse vetëm në këtë mënyrë ajo do të jetë e qëndrueshme edhe për brezat e mëtejshëm”. A mendoni se ka ardhur koha që të ndalohet me ligj përdorimi i fjalëve të huaja në vend të atyre të gjuhës shqipe?

Kjo dukuri është edhe më e prekëshme se shtrembërimi i drejtshkrimit të gjuhës sonë. Pastrimi i fjalorit të shqipes nga fjalët e huaja, sidomos ato të gjuhës turke, nisi me rilindësit, për të vijuar më pas me studiuesit e gjuhëtarët në vitet tridhjetë dhe për të arritur në punën e pamohueshme të viteve pas çlirimit (pas Luftës së Dytë Botërore). Për të qenë të ndershëm, duhet të pranojmë që në vitet 1945-1985, për pastrimin e gjuhës sonë, (fjalorit, leksikut) nga fjalët e huazuara u punua me këmbëngulje, me pasion dhe përkushtim, me ndërgjegjësim atdhetar e njerëzor nga të gjithë, madje edhe nga mësuesit e gjuhës shqipe, të cilët u jepnin detyra nxënësve që të merrnin nga prindërit fjalë të huazuara dhe t’i zëvendësonin me ato të gjuhës sonë. U arrit të bëhej pasurimi i fjalorit të shqipes në një shkallë mjaft të kënaqëshme. Po sot? Ka ndodhur e kundërta, gjuhën tonë me fjalë të ëmbla e tingëlluese e kanë dyndur fjalë dhe shprehje të panevojshme, që nuk kanë as bukurinë e shqiptimit të fjalëve tona. Kjo nisi nga pseudointelektualët për t’u pasuar nga politikanët  injorantë e majmunë, papagallë, që arrinë të thonë edhe në foltoren e Kuvendit fjalë e shprehje në gjuhë të huaja. Ky handicap, (në emër të modernizimit) arriti deri te Presidenti, Kryeministri, te gjithë administrata shtetërore. Shtetarët tanë, të cilëve nuk u lejohet edhe për protokoll  të flasin në gjuhë të huaj në takime serioze me udhëheqësit e vendeve të tjera, flasin në gjuhën e atyre, për të treguar që janë të përgatitur edhe në këtë skaj të inteligjencës, pa e kuptuar që kanë marrë nënvleftësimin e të huajve dhe shpërfilljen e shqiptarëve të mençur. E theksova pak edhe më sipër, që pseudointelektualët tanë kanë arritur një majmunllëk të tillë, që në 100 fjalë të thëna, 90 i kanë në gjuhë të huaj. A mund të jenë shqiptarë ata që duhet ta mbronin e ta pasuronin gjuhën shqipe??? Atyre u do hequr me ligj edhe nënshtetësia shqiptare (de fakto, se de jure e kanë hequr vetë me dëshirë të madhe). Ajo që mua më shqetëson si intelektual atdhetar, është që kjo sëmundje është shtrirë edhe në medie, në  administratat e të gjitha shkallëve, te njerëzit e letrave, pse jo, në të gjithë shqiptarët. Po të jesh në ambientet e moshave të treta, te të cilët duhet të kishim besim dhe shpresë se kjo nuk do të ndodhte, do vësh re që ata flasin me gjuhën e udhëheqësëve të tyre shtetarë e partiakë. Kjo është çudia që të shqetëson, që nuk duhet të ndodhte kurrësesi. Ja që ndodhi për fatin tonë të keq. Në këtë situatë kaq alarmante, mendimi im është që përdorimi i fjalëve të huaja nga të gjithë institucionet që përmendëm duhet të ndalohet me ligj. Në fund të fundit, nuk ka ç’duhet një deputet, një ministër, një Kryministër, një President, një zyrtar i cilësdo shkallë administrate, gazetarë, poetë dhe shkrimtarë, Akademikë që nuk dinë të flasin shqip. Ne jemi shqiptarë dhe gjuha është ajo që na bashkon. Me ligj gjithashtu duhen detyruar Shtëpitë Botuese, redaksitë e gazetave të plotësohen me redaktorë, korrektorë, administratat qendrore dhe kryesore të kenë punonjës të specializuar për detyrimin e  Drejtshkrimit të gjuhës shqipe në korrespondencat e tyre. Po kështu jam i mendimit që gjuhës shqipe t’i jepet rëndësi dhe hapësirë më e madhe në programet mësimore të shkollave tona, të futet diktimi në shkollën fillore dhe nëntëvjeçare, të shtohen punët me shkrim të gjinive të vogla (veç esesë) si detyrë shtëpie në shkollën e mesme. Të përsëritet provimi i detyruar i Drejtshkrimit për mësuesit e të gjitha lëndëve dhe cikleve, ashtu si në vitin 1975.

Duke marrë parasysh gjithë këto mangësi në përdorimin e gjuhës së folur dhe shkruar shqipe, a mendoni se tashmë ka ardhur koha për t’u zhvilluar një Kongres tjetër mbarëkombëtar për drejtshkrimin?

Një kongres mbarëkombëtar për Drejtshkrimin dhe jo vetëm, është  i domosdoshëm dhe duket i pashmangshëm. Ka edhe disa probleme të tjera të afrimit të dy dialekteve, sidomos në fjalor, pse jo edhe në degëzimet e tjera të gjuhësisë. Gjuha është organizëm i gjallë, ajo ndryshon bashkë me njeriun në rrjedhën e jetës, kësisoj ka nevojë për t’u pasuruar, për t’u zhvilluar në gjerësi dhe lartësi. Gjithashtu ka akoma shumë për të bërë në krijimin e fjalëve të reja mbi bazën e fjalëve të parme, sidomos pasurimit me fjalë nga gegërishtja. Po e përfundoj me një aksiomë: “Nuk mund të jesh shqiptar, pa njohur dhe folur e shkruar mirë gjuhën shqipe!”.

Ju faleminderit!