Prof.Dr. Valter Shtylla: Arbanasi fshat me origjinë arbërore në Bullgari

760
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Historia e shpërnguljeve etniko-shoqërore dhe ekzistenca e objekteve historike të trashëgimisë kulturore materiale, frymëzojnë pashmangshmërisht një angazhim të studiuesve tanë për njohjen dhe hulumtimin e dëshirave kulturore të hershme shqiptare, jashtë kufijve të sotëm politikë të Shqipërisë. Kjo ndërmarrje kërkon një gjurmim pa vonesë, pasi të dhënat e reja të panjohura, plotësojne hapësirat boshe në Historinë e Kombit Shqiptar dhe pasi faktori kohë dhe subjektiv, degradojnë objektet e trashëgimisë sonë kulturore jashtë vendit, duke mos lënë gjurmë teknike për t’i studiuar e dokumentuar. Monumente përfaqësore të kulturës sonë akoma sot i gjen në Spanjë, Itali, Serbi, Greqi, Turqi, Maqedoni e Veriut, Bullgari e në mjaft vende të tjera, dokumente të trashëgimisë sonë materiale, të cilat duhen gjurmuar, studiuar dhe dokumentuar për të plotësuar botimet dhe muzeumet tona. Ngujimet e fisnikëve shqiptarë në Spanjë e Itali pas vdekjes së Skënderbeut, shoqërohen me realizime monumentale në qytete si Valencia, Bari, Napoli, Romë e deri në Kalabri, ku ruhen deri objekte origjinale të kohës së Skënerbeut. Një nga qendrat historike me kulturë shqiptare që meriton të ndriçohet, duke filluar që nga emri kuptimplotë “Arbanasi”, është fshati me këtë emër, rreth 4km në veri-lindje të qytetit Veliko-Truovo, në Bullgari.

Ai ndodhet pothuaj në qendrën e një rajoni me popullsi të dendur, ndërmjet qyteteve Veliko Truovo, Gorna Orekovica dhe Ljaskovec. Arbanasi është sistemuar në pllajë të lartë duke zotëruar një panoramë ndërmjet fortesave mesjetare Carevec dhe Trapezhica dhe qytetit të hershëm kryesor, Turnovgrad. Në fundin e shekullit të XV-të kur filloi rrënimi dhe tronditja përfundimtare e qytetit kryesor Turnovgrad, fare pranë tij nisi jetën një qendër e re kulturore, Arbanasi , i cili ruajti dhe promovoi Kulturën e Krishterë gjatë shekujve të gjatë të pushtimit turk. Gjatë periudhës së Mbretërisë së dytë Bullgare, në Arbanas u ndërtuan rezidencat veriore të bujarëve të monarkisë. Gojëdhënat shprehin se në këto troje u ngritën ndërtime të shumta që përkrahnin oborret e mbretërve të Turnovgradit. Pas fitores së njohur të Carit Ivan Aseni II-të, afër Kllokotricës më 1230-ën, Arbanasi bëhet pjesë e Mbretërisë Bullgare. Rajon i kryeqytetit nisi të popullohet nga emigrantë nga shumë vende të tjera, të sjellë nga bujanët bullgarë nga territoret perëndimore, të cilët krijuan mjaft vendbanime, që i dhanë dhe emrin fshatrave.

Gojëdhëna të tjera dëshmojnë për emigrimin e dytë të më vonshëm (shek.XV-te) të shtresave tregtare të Bullgarëve dhe Shqiptarëve të Krishterë nga Kosturi, nga Shqipëria e Jugut, etj., proces që ndoshta shënon dhe ngujimet e para arbërore në këto anë, aq më tepër që koinciduan dhe me vdekjen e Skënderbeut, kur siç dihet shpërnguljet shqiptare në Evropë njohën intensitet të lartë. Gjatë udhëtimeve të tyre të shpeshta në këto anë, tregtarët përdornin bankat e Dancbit dhe të qendrave përballë- Vllakëve. Kjo arsye favorizoi zgjidhjen finale për vendasit, që të qëndronin në Arbanasi. Gjatë shekujve XV-XVII-të të proceseve migratone, territori bullgar u bë strehë e 50 fshatrave shqiptarë në total, prej të cilëve 10 ruajtën emrat e tyre të prejardhjes. Dekreti mbretëror i Sulltan Sulejman I., Ligjëvënësit, 1538 fshatra ekzistuese ja njihte si pronë birit të tij të ligjshëm, Rustem Pasha-Veziri i Madh i Perandorisë Osmane. Prej vitit 1582 e në vazhdim, popullsia e tyre ishte e detyruar të mbronte grykatat e afërta malore (dervenxhinj) në shkëmbim të shumë taksave lehtësuese dhe privilegjeve. Disa banorë gëzonin të drejtën e lëvizjes së lirë në territorin e Perandorisë, duke qenë kështu të barabartë ligjërisht me muslimanët. Arbanasi filloi të zgjerohet duke patur një komunitet me prosperitet nga kombësi të ndryshme, vendasit, bullgarë, shqiptarët dhe grekët.

Tregtarët e tyre shisnin bulmet, mish, lëkurë, mjaltë, drith, ëmbëlsira, proshutë dhe mjaft artikuj të tjerë. Këta tregtarë nga anë të ndryshme të Perandorisë Turke udhëtonin në Rumani, Hungari, Poloni, Rusi e deri në vende të largëta si Bagdadi, Ludia dhe Persia. Këto lëvizje kondicionoheshin dhe nga pushtimet e popujve të ndryshëm. Zhvillimi dhe njohja ndërkombëtare e Arbanasit e transformuan atë në një qendër të njohur të Kulturës së Krishtërimit për vendet e Ballkanit. Ne fundin e shek. XVIII-të fshati u shkatërua dhe u dogj nga banda të ndryshme turke, që kalonin këtej kohë pas kohe. Këto u shoqëruan dhe me tërmete katastrofike dhe varfërimi, që i detyruan banorët e Arbanasit të kërkonin vende te tjera për jetesë, për shkak të pasigurisë dhe mjerimit. Pas 1810-ës Arbanasi filloi gradualisht jetën, nisi të popullohej nga emigrantë prej Elenës dhe Travnës, qendra pranë Veliko Trnovo. Shumë ndërtime rezidenciale dhe religjioze, të ruajtura  edhe në ditët tona, pasqyrojnë traditat dhe zakonete banorëve të hershëm paraardhës, ky një vlerësim i rëndësishëm historik për t’u nënvizuar. Këto vepra ende funksionale apo muzeale, përfaqësojnë një lulëzim të fshatit Arbanasi deri në ditët tona. Sot Arbanasi përfaqëson një rezervat kulturor. Pesë kisha dhe me qindra banesa të ndërtuara gjatë shekujve XV – XVIII-të  në kohën e tanishme, ruhen në trajtën origjinale.

Ato kanë mbetur si oasis pasi i kanë rezistuar viteve e shekujve të zgjatur të pushtimit otoman, duke duke shprehur njohuritë dhe traditat e mjeshtrave vendas, krijues në arkitekturë dhe të arteve të bukura. Banesat karakteristike dhe objektet e kultit të impresonojnë me pasuritë e tyre dekorative, me skulpturat e tyre në dru dhe me afresket murale. Gjatë viteve, banesat e Arbanasit janë përshatatur sipas kritereve, në rezidenca historike-turistike. Me siluetën interesante arkitektonike ato përfaqësojnë minifortifikime. Aranzhimi i brendshëm i hapësirave të gjera dhe të qarta,  si dhe mobilimi i tyre, vlerësojnë guston estetike dhe sensin praktik. Pikturat origjinale nga shekujt XVII – XVIII-të ruhen ende në trupin e shumë banesave monumentale impozante në Arbanasi janë: Shtëpia e Konstatalije, e Haxhi Ilijev, Shtëpia e Atanas Balkanski e famshme për interierin e saj të pasur, ajo e Haxhi Panajotov e ndërtuar me gurë dhe që në shekullin XVIII-të ka shërbyer dhe si kishë, shtëpia e Kamburovit, e Leshevi, e Kaudilarovit me furrat e saj origjinale, me tavanet e gdhendura të drurit  si shtëpia Kali etj.

Për emrat që mbajnë interesimin tonë e zgjojnë shtëpia e Haxhi Niku Kultukli dhe ajo e Llambrinisë. Haxhi Niku ka ndërtuar dhe kishën Shën Arkangjel Mihal dhe Gavril në shekullin e XVII-të, Ajo përbëhet nga naosi, narteksi, kapela, Shën Parasqevi dhe një galeri. Në anën V-P të naosit ndodhet piktura e Donatorit  Niku dhe familjes së tij. Pikturat më të hershme në kishë janë realizuar nga piktorë anonimë. Narteksi është pikturuar në vitin 1760, Mikail nga Selaniku dhe Georgi nga Bukureshti. Fshati Arbanasi tërheq shumë  turistë  bullgarë dhe të huaj. Pasi vizitojnë dhe admirojnë vlerat e banesave karakteristike, të kishave dhe manastireve, ata i kujtojnë ato si suvenire në ndjenjat e tyre. Gjatë  historisë popujt kanë qarkulluar dhe emigruar reciprokisht nëpër vendet e njëri-tjetrit. Në këtë mënyrë kulturat e tyre të ndërsjellta i gjen kudo, qofshin ato shpirtërore, apo materiale. Ato gjithmonë kanë ndëruar dhe respektuar si traditat vendase, ashtu dhe ato të origjinës. Kështu duhen gjurmuar dhe studiuar, si me traditën origjinale, ashtu dhe me kontributet vendore ku janë ngujuar.

Kultura është një urë konkrete e unitetit  të popujve. Traditat kulturore të kujtdo dhe nga çdo origjinë, duhen vlerësuar dhe respektuar kurdorherë njësoj. Kultura nuk njeh kufi, ajo është pjesë e gjithë komunitetit njerëzor dhe si e tillë, duhet pranuar e njohur prej të gjithëve. Sigurisht,  me këtë  mentalitet, në mënyrë reciproke, duhen vlerësuar  dhe studiuar kulturat përkatëse të ruajtura ende në dy vendet tona.