Partizanët myzeqarë në Operacionin e Dimrit 1943-44; në Mazrek, Lavdar dhe në Ostrovicë të Oparit

1410
Jovan BIZHYTI

Sipas kujtimeve të ish-partizanëve
Në Operacionin e Madh të Dimrit 1943-44, okupatorët gjermanë ndërmorën një aksion luftarak në boshtin Korçë-Berat kundër ushtrisë partizane dhe Shtabit të saj të Përgjithshëm. Në këtë operacion përfshiheshin, 3 divizione gjermane, divizioni 100, divizioni 297 dhe divizioni i parë malor i korpusit XXII. Operacionin e udhëhiqte komanda e divizionit 100 me qendër në Korçë. Këto divizione ishin të mbështetura dhe nga bateri artilerie të regjimentit 83 gjerman. Gjithashtu në këtë operacion luftarak, komanda gjermane mbështetej dhe nga forcat territoriale të Ballit Kombëtar, të udhëhequra nga komandanti i tyre, Kadri Cakrani, që e siguroi gjeneralin gjerman, Fenin Koman, se do të angazhonte në këtë operacion shumë forca balliste, kur realisht mundi të sigurojë vetëm një pjesë të tyre si luftëtarë e udhërrëfyes, që mbështetën divizionet gjermane në territoret malore të Gorë-Oparit dhe Tomorricës. Si kundërpërgjigje të këtij operacioni armik, nga formacionet partizane që u përfshinë në këto beteja luftarake, ishte dhe grupi partizan i Myzeqesë me 4 batalionet e tij, që ishte pjesë e komandës partizane të Qarkut të Beratit nga varej dhe Myzeqeja. Forcat gjermane kishin depërtuar në thellësi të zonës së Oparit dhe kërkonin rrethimin e izolimin e forcave partizane që shtriheshin në territoret e Mazrekut, Lavdarit, e Ostrovicës. Partizanët e Myzeqesë morën detyrën për të mbërritur në Mazrek e Lavdar sa më parë, për t’u ardhur në ndihmë e për t’u takuar me forcat partizane të Brigadës IV S. dhe forcave të tjera të Qarkut të Korçës, që ndiqeshin këmba-këmbës nga armiku. Mbas një marshimi të gjatë e të vështirë në ato territore malore me temperatura të ulëta të atij dimri të vitit 1944, partizanët e Grupit të Myzeqesë mbërritën në Mazrek, por papritur u ndeshën me forcat e ushtrisë gjermane, në atë përpjekje u zhvilluan luftime të ashpra. Në errësirën e asaj nate të ftohtë dimri, nën breshërinë e plumbave që u vërshëllenin mbi kokë, një skuadër partizane e batalionit të parë të Grupit të Myzeqesë, u shkëput dhe humbën drejtimin, duke u ngjitur drejt shpatit të malit të Ostrovicës, ku dhe humbën çdo lidhje me komandën e grupit. Kjo shkëputje, përveç errësirës së natës, ndodhi dhe për shkak të mos njohjes së terrenit. Pjesa tjetër e grupit partizan mbërritën në Lavdar, ku u takuan me forcat partizane të Brigadës IV e shtabin e saj dhe të gjithë së bashku mundën të kapnin Qafën e Becit, për të mos lënë forcat gjermane të mbyllnin rrethimin e partizanëve. Aty në Qafën e Becit u mblodhën shtabet e përbashkëta, ku ndodheshin dhe disa nga shokët e Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë N.Çl. si, Haxhi Lleshi dhe Ramadan Çitaku. Shtabet e përbashkëta vendosën të dilej në rajonin e Potomit e Gjergjevicës në Skraparin, ku akoma nuk kishin shkelur forcat gjermano-balliste. Haxhi Lleshi në kujtimet e tij për Luftën N.Çl., shkruan dhe për këtë ngjarje në Operacionin e Dimrit, ku u grumbulluan në Qafën e Becit rreth 3000 partizanë të Qarkut të Korçës dhe të Myzeqesë. Ai shkruan, se aty u takua me shokun e tij të vjetër, Spiro Bakallin, komisar i Grupit të Myzeqesë, me të cilin njiheshin që në Mat të Martaneshit, kur Spirua ato vite ishte komisar i Çetës së Matit. Po ashtu ai shkruan, se u takua aty dhe me shokë të tjerë drejtues të komandës partizane të Myzeqesë, Xhorxhi Robon, Rahman Uruçin, Koli Ll. Bozon e të tjerë. Ato ditë e net të 12-13 janarit 1944, ishte e vështirë të përfytyroje një marshim kaq të gjatë nga Lavdari në Gjergjevicë të Skraparit, në dëborë e temperatura të ulëta nën zero. Në këtë marshim kaq të gjatë, partizanët u bashkuan dhe me ushtarë të sëmurë e të plagosur të spitalit partizan, që transportoheshin me kafshë dhe me barela mbi supet e shokëve. Ky marshim bëhej për t’i shpëtuar rrethimit që kishin planifikuar forcat gjermane për të eliminuar ushtrinë partizane dhe Shtabin e saj të Përgjithshëm. Nga fundi i kësaj kolone të gjatë marshimi, mbetën në çarkun e rrethimit një pjesë e prapavijës së intendentëve të Korçës, midis tyre dhe intendenti i shtabit partizan të atij qarku, Raqi Qirinxhi e të tjerë, të cilët luftuan heroikisht, deri sa dhanë edhe jetën për të mos rënë në dorë të armikut. Po kështu dhe skuadra e partizanëve myzeqarë, që u shkëputën nga grupi në Mazrek, u ngjitën shpatit të Ostrovicës, ku dhe këta mbetën të rrethuar nga forcat gjermano-balliste. Në këtë skuadër partizane bënin pjesë 7 partizanë myzeqarë: Mihal Jano, Thoma Kopaçi, Vasil Gjika, Miti Zoi, Mehmet Kurti, Vangjel Gjeçi dhe Abedin Dardha. Ja ç’tregon në kujtimet e tij patrioti Haxhi Çemerica, që e përjetoi nga afër luftën heroike të këtyre 7 djelmoshave myzeqarë, që pas një rezistence burrërore ndaj armikut të shumtë në numër dhe të armatosur deri në dhëmbë, ranë heroikisht në fushën e betejës, duke u hedhur edhe nga shkëmbi kur u mbaruan fishekët, për të mos rënë të gjallë në kthetrat e armikut. Në 12 janar 1944, përroi i Becit mbi Çemericë ishte mbuluar nga akulli dhe dëbora. Një natë më parë këta partizanë me këmbë të ngrira dhe të gjakosura nga temperaturat e ulëta, kishin qëndruar në fshatin Çemericë, në shtëpinë e patriotit Haxhi Çemerica, ku u çlodhën, u mjekuan dhe përtërinë forcat. Në fshat papritur u derdhën gjermanët të ndihmuar nga udhërrëfyesit ballistë. Të 7 partizanët, hodhën pushkët krahëve dhe morën përpjetë shpatit të Ostrovicës. Gjermanët i ndoqën këmba-këmbës. Tek Gorrica e Madhe mbi shkëmb, të 7 djelmoshat partizanë u ngjeshën sup më sup dhe morën një vendim: “Do luftojmë deri në vdekje kundër bishës naziste”, dhe zunë pozicionet. Përballë kishin një kompani gjermane me 170 forca të armatosur me të gjitha armët. -Zjarr mbi armikun!- thirri Mihal Jano dhe oshëtima e zërit u përcoll larg e lart shpateve të Ostrovicës, e deri në luginën e pllajave të Çemericës. Pas tij krisi pushka e Vasil Gjikës, Miti Zoit e të tjerë. -Para partizanë!,- thirri më i moshuari, Mehmet Kurti dhe të 7 partizanët luftuan me heroizëm si heronj të vërtetë. Kur u mbaruan fishekët, u hodhën një e nga një nga shkëmbi, duke u përleshur trup më trup me armikun. Ostrovica oshëtiu nga krismat e armëve dhe thirrjet, “Para partizanë!” Të 7 ranë dëshmorë në fushën e betejës, duke shkruar me gjakun e tyre një epope të lavdishme. Populli i Çemericës i mori këta djem të nënave dhe i varrosi me nderime, ndërsa patrioti Haxhi Çemerica, shkroi për ta këto vargje:

Ostrovica gumëzhinte,
poshtë lugina po jehon,
mbi një shkëmb si petrita
7 trima po luftojnë.
Mihal Jano sup më sup
me Vasilin e të tjerë,
Miti Zoi hapi zjarr
mbi armiqtë zunë të shtjenë.
Mehmet Kurti moshatari
Vangjel Gjeçit i thërret,
me një zë prej partizani
mbi gjermanët shtje e vret.
Dhe Thomai me Abedinin
barkas mbi dëborë ranë,
mbi armikun po qëllojnë
seç luftuan si luanë.
Mihal Jano, djalë djali
thërret, “Sulm o partizanë!”,
dhe vetë sulmoi i pari
nga shkëmbi hidhen me radhë.
Ranë të 7 si petrita
kur fishekët u mbaruan,
u përleshën me armikun
dhe të gjallë s’u dorëzuan.

Aty ku ata u martirizuan, është ngritur një lapidar, që përkujton heroizmin e tyre në Luftën për çlirimin e vendit nga pushtuesit e huaj.
Sigal